CILA ËSHTË GOLLOBORDA?

1710

Është shumë interesant një fakt: as gjeografia, as historia, as Fjalori Enciklopedik Shqiptar e as banorët e krahinës së Gollobordës nuk bashkohen në një pikë për sa u përket kufijve dhe pozitës e shtrirjes gjeografike të kësaj treve. Dikush e kufizon Gollobordën vetëm në fshatrat dygjuhëfolëse, dikush e zbret deri tek ura e Topojanit, një tjetër kapërcen Lubaleshin, e kështu pa fund, dhe nuk dihet se cili është i saktë e sa i saktë është. Por enigmën më të madhe e përbën gjuha. Dhe pikërisht pas këtij “çengeli” kapen e mbahen fort dhe nuk duan të shkëputen partizanë e ithtarë të ideve e pretendimeve të ndryshme shkombëtarizuese

Për vitet e pasçlirimit të vendit, një gjë është e vërtetë: Golloborda është trevë e pashkelur, e pagjurmuar dhe e pahulumtuar nga studiues, nga profesionistë e punonjës të mirëfilltë shkencorë

Nuk mungojnë përpjekje sporadike për të shpjeguar se pse në Gollobordë flitet sllavisht e jo shqip

Në vend të hyrjes

Një ditë, mora telefonatë nga miku im i rinisë, Halil Rama, i cili, pasi më dha lajmin e gëzuar se po ridilte në dritë gazeta “Bulqiza”, më kërkoi shkrimin “Cila është Golloborda?”, që e kisha botuar mbi 20 vite më parë, në të njëjtën gazetë.E gjetëm një zgjidhje për ta pasur shkrimin në formë elektronike. Duke punuar për këtë, nisa t’i bëj oponencë vetes nga rreshti në rresht, por mund të them që në fillim se dështova. Edhe pas kaq vitesh, nuk gjykova t’i heq apo t’i shtoj ndonjë gjë atij shkrimi. Jo vetëm kaq, po çast pas çasti, shtoja mirënjohjen për mikun tim, i cili “i kishte vënë syrin” shkrimit tim për ta risjellë në gazetën e re“Bulqiza”.

Çdokush që mund të dyshojë, po të ballafaqojë ribotimin e shkrimit “Cila është Golloborda” me origjinalin, do të vetëbindet që unë i kam qëndruar besnik vetes. Besoj se shumë nga çka ngrita unë atëherë, mbeten aktuale edhe sot…

Kohët e fundit po lakohet gjithnjë e më shpesh pyetja Çfarë janë gollobordasit: shqiptarë apo maqedonas? Madje jo vetëm në Gollobordë, po edhe jashtë saj, sidomos te fqinjët në Maqedoni. Vërej se intelektualët, përgjithësisht, heshtin, ndërsa një shumicë njerëzish, krejt jokompetentë, anojnë sa në njërin krah në tjetrin. Po t’i shohësh mirë se cilët janë këta, dallon mes tyre patriotë të ndershëm, po nuk është vështirë të vëresh se ke të bësh edhe me njerëz që priren thjesht pas interesave të çastit dhe nuk e kanë për gjë të shiten për pesë aspra.

Brenda pak muajsh, Gollobordës i kanë dalë “krah” dy-tri shoqata dhe një parti, falë “zemërgjerësisë” e “kujdesit atëror” të disa qeveritarëve tanë, të cilët, këto dy muajt e fundit, nuk hezituan t’u hapin fushë të gjerë e të lirë veprimi në Gollobordë edhe ca forcave të caktuara në qarqet maqedonase, forcave që synojnë të “na tërheqin” ne, gollobordasit, si minoritarë.

Unë vetë jam gollobordas. Pyetjes që bëj në titullin e këtyre radhëve, nuk pretendoj se i jap një përgjigje të plotë, shteruese, por do të rendis disa fakte e argumente që orientohen drejt të vërtetës. Shprehem kështu, pasi, ngado që ta vështrosh problemin, del shumë i ndërlikuar, sepse studimet e mirëfillta shkencore mungojnë, ato që janë, nuk njihen nga ne, as nga ata që ngrenë “flamur” dhe bëjnë kompetentin. Të paktën deri tani, shumë gjëra janë thuajse të errëta. Për vitet e pasçlirimit të vendit, një gjë është e vërtetë: Golloborda është trevë e pashkelur, e pagjurmuar dhe e pahulumtuar nga studiues, nga profesionistë e punonjës të mirëfilltë shkencorë. Ashtu si dhe të tjerë, kam dëgjuar se një autor maqedonas, shumë vite më parë, paska botuar një libër me titull “Golloborda”. Jam interesuar para disa vitesh nëpër bibliotekat tona. Diku mora përgjigje se vetëm një kopje e këtij libri ndodhet në bibliotekën e Shkupit dhe një tjetër në atë të Sofjes, por të dyja palët nuk na e japin, se nuk u intereson ta njohim. Edhe sot nuk di se ku qëndron e vërteta. Kam shkuar dhe kam takuar punonjës të Akademisë së Shkencave në Tiranë dhe kam biseduar me ta për çështjen e Gollobordës e për ndonjë dokument që mund të gjej (në rast se ka). Asnjëri nuk guxoi të futet në brendësi të hamendjeve që u parashtroja, madje, dikush më tha shprehimisht kështu: “Nuk e njohim atë trevë, edhe ti bën mirë që të mos u futesh këtyre gjërave”. Në fakt, vitet rrjedhin. E kaluara, origjina, e largëta vijnë e largohen gjithnjë e më shumë dhe, nga të panjohura bëhen edhe më të panjohura, brezat që vijnë, e kanë krejtësisht të ligjshme të fajësojnë brezat e mëparshëm për “skutat e errëta” që lënë. Është njësoj sikur babai t’i thotë djalit të tij: “Unë banoj në këtë shtëpi. Edhe babai im këtu ka banuar, por nuk e di se kush ka qenë ai”.

Është shumë interesant një fakt: as gjeografia, as historia, as Fjalori Enciklopedik Shqiptar e as banorët e krahinës së Gollobordës nuk bashkohen në një pikë për sa u përket kufijve dhe pozitës e shtrirjes gjeografike të kësaj treve. Dikush e kufizon Gollobordën vetëm në fshatrat dygjuhëfolëse, dikush e zbret deri tek ura e Topojanit, një tjetër kapërcen Lubaleshin, e kështu pa fund, dhe nuk dihet se cili është i saktë e sa i saktë është. Por enigmën më të madhe e përbën gjuha. Dhe pikërisht pas këtij “çengeli” kapen e mbahen fort dhe nuk duan të shkëputen partizanë e ithtarë të ideve e pretendimeve të ndryshme shkombëtarizuese. Sa për ilustrim: njëri prej fshatrave të Gollobordës emërtohet Trebisht. Këtij emri, gjuhësisht i jepen dy interpretime. I pari: Trebisht – tre + bisht(a) – fshat me tri lagje në tri faqe mali, pra, degëzime në formë bishti/ash. Përfundimi: Kemi të bëjmë me fjalë të shqipes. Interpretimi i dytë: Trebisht – treb + isht(e). Rrënjatreb vjen nga sllavishtja dhe ka kuptimin qëroj, pastroj, shpyllëzoj. Kjo rrënjë del dhe në toponime të tjera, si: Trebickë,Trebinjë etj. Ndërsa –isht(e) është, gjithashtu, prapashtesë me prejardhje sllave që u jep emërtimeve kuptimin e vendit (selishtë/e, umishtë/e, reçishtë/e etj. Lind pyetja: Cili interpretim është i sakti, i vërteti, objektivi? Duke analizuar dhe shumë toponime të tjera, del e favorizuar sllavishtja. Kështu, pjesa reçishte (nga reka) është ndryshuar në pajtim me dukuritë fonetike të sllavishtes (reka + ishterekishte; k/ç: reçishte. Edhe shqiptimi ll i l-së është pikërisht shqiptim sllav, veçanërisht maqedonas. Ndërsa fjalët e reja dhe emrat e rinj, që kanë hyrë në të folmen e brezave të rinj, tregojnë vetëm ndikimin e gjuhës shqipe mbi të folmen sllave në trevën e Gollobordës. Kjo gjë është e kuptueshme dhe pasqyron bashkëjetesën e gjatë me shqipfolësit. Pra, fakti që Golloborda gjendet brenda kufijve të Shqipërisë, nuk vërteton domosdo se banorët e saj janë shqiptarë. Ky fakt vetëm se u djeg kartat në dorë gjithë atyre që pretendojnë se Golloborda nuk është tokë shqiptare. As që meriton vëmendje e diskutim ky pretendim. Por shtrohet çështja tjetër: Pse shumë fshatra në Gollobordë nuk flasin shqip? Për mua, kjo është njësoj sikur të pyesësh: Pse disa krahina në Shqipëri janë me fe muslimane? Nuk mungojnë përpjekje sporadike për të shpjeguar se pse në Gollobordë flitet sllavisht e jo shqip. Për këtë, kujtohet se si kanë argumentuar të vjetrit, pleqtë, brez pas brezi. Unë nuk marr guximin t’i injoroj ato që thuhen. Mendimet e tyre nuk ka pasur  njeri guximin t’i kundërshtojë për dy arsye kryesore: ideologjike dhe të mungesës së dokumenteve historike e etnografike. Për pasojë, problemi asnjëherë nuk është kapur nga rrënjët, po nga degët. Në rrënjë duhen sqaruar dy gjëra: trualli dhe popullsia. Nuk bëhem i bezdisshëm pse po e përsëris: Golloborda është tokë shqiptare, ashtu siç janë të tilla sipërfaqe të tëra trevash në Maqedoninë e sotme etj. Ndërsa se çfarë janë banorët (maqedonas apo shqiptarë)duhet parë e situr mirë, pa injoruar asgjë, por edhe pa nënvlerësuar e anashkaluar gjë. Vonë është, por keq nuk bëhet që të sqarohet a-ja e problemit. Shumë fise e fshatra në Gollobordë dinë mirë prejardhjen e tyre fisnore. Por kjo vetëm justifikon popullimin e krahinës sot. Po në të kaluarën, kush e ka populluar Gollobordën? Shumë fise, që kanë ardhur nga Mati apo nga Mirdita, çfarë kanë gjetur këtu? Çfarë mbajtën e çfarë ruajtën nga sa gjetën? Jo në çdo rast mund të jepen përgjigje.

Midis shumë hipotezave që mund të ngrihen, njëra është mirë të vlerësohet si më kryesore: Ndikimi qindra e mijëravjeçar i dyndjeve sllave. Po cila ka qenë Golloborda? Çfarë ka pasur këtu për t’u lakmuar nga sllavët? Toka? (Gollobordë – vend kodrinor i zhveshur) Apo krahu i punës? (Sa popullsi shqiptare do të ketë jetuar në të kaluarën në trevat e krahinës?) Po shumë herët në historinë e njerëzimit, a ka qenë e banuar Golloborda? Në qoftë se po, çfarë është bërë me atë popullsi të paktë? Në qoftë se jo, nga cilët u popullua më së pari: nga sllavë apo nga shqiptarë? Shpjegimi i shumë toponimeve nga sllavishtja të jep në dorë hipotezën se sllavët kanë pasur rastin të pagëzojnë të parët me emra fshatra, male, lugina, përrenj, udhëkryqe etj. Atëherë lind pyetja: Çfarë është bërë me sllavët e parë në këto treva? Arsyetoj se ata nuk e kanë pasur të vështirë që këto troje të varfra ekonomikisht t’ua lëshonin në formë kullotash apo pyjesh të interesuarve nga Mati, nga Mirdita etj., të cilët, për t’iu shmangur kryesisht gjakmarrjes, pranonin edhe jetë më të varfër. Dhe çfarë do të ketë ndodhur? Shqiptarët kanë blerë trojet e tyre, por prej sllavëve.Mirë, por gjuhën sllave kush e “mbolli” këtu? Nëse është rasti e koha që të bëjmë polemikë (veçse kurrsesi sherr), është e rëndësishme që, së pari, të ndriçojmë e të pranojmë disa fakte historike. Historikisht, dihet se sllavët erdhën në Ballkan në shekullin VIII. Ata nuk erdhën këtu me ushtri, me legjione, me administratë, si romakët apo turqit, po u dyndën dalëngadalë, si popullsi e tërë, me gra e me fëmijë. Duke qenë shumë më e madhe se popullsia ilire, popullsia sllave, veçanërisht në sajë të grave e fëmijëve, në shumë zona të Ballkanit solli dhe përhapi gjuhën e saj. Një nga këto zona duhet të jetë edhe krahina e Gollobordës. Më pas, ardhja e matjanëve etj. në trevat e Gollobordës nuk ka qenë dyndje, po dukuri e ngjashme me martesën sot të ndonjë vajze nga zona e rrethe të tjera në Gollobordë. Duke vazhduar këtë arsyetim, them se kështu e kanë shpjegimin edhe mënyra e jetesës, shumë dukuri etnografike, zakone, tradita, rite të ndryshme, krijime folklorike etj., etj., për të cilat, edhe pse në shumë tregues afrojnë me ato maqedonase (gjen të njëjta, të ngjashme e të afërta), është vështirë të përcaktosh një kufi të prerë, sepse mund të ndodhë që të bësh ndonjë vlerësim joobjektiv. Është mirë që të vihen në dukje disa origjinalitete, në qoftë se do t’i quajmë kështu disa veçori që e dallojnë Gollobordën si zonë më vete.

Gjuha e folur

Varianti sllav që flasin mbi dhjetë fshatra në Gollobordë, nuk është gjuhë sllave e pastër, as maqedonishte e pastër, dhe largon nga bullgarishja. Para 80-100 vjetësh, e folura në këto fshatra duhet të ketë qenë një bashkim fjalësh sllave, bullgare, maqedone etj., edhe turke, ndërtuar sipas normave të maqedonishtes. Ndërsa sot gjuha e folur është pasuruar me fjalë të shqipes. Leksiku dhe ritmi e intonacioni gjatë të folurit të çudisin, kur kalon nga njëri fshat në tjetrin. Për mendimin tim, zhargoni që flitet sot, rrjedh jo vetëm nga fakti se kjo gjuhë këtu vetëm flitet (nuk shkruhet), por edhe pse një ish-sllavishte është përvetësuar e përdorur nga të ardhur prej zonave të ndryshme iliro-shqiptare. Dukuritë specifike fonetike e fonologjike, që në fillim e vazhdimisht, kanë pasur ndikimin e tyre. Të kërkosh nga gollobordasit sot t’i futen punës për të mësuar maqedonishten, do të thotë që, veç mohimit të autoktonisë, t’i vësh ata para vështirësive krejtësisht të panevojshme për të zëvendësuar zhargonin e vet (të trashëguar nga brezat) me një gjuhë tjetër, thjesht lokale (se gjuha maqedonase nuk përdoret as në rajon). Kush pretendon, kush pranon, kush mbështet futjen e gjuhës maqedonase në shkollat e Gollobordës, nuk bën gjë tjetër përveçse shpreh hapur një qëndrim dashakeq: mohimin e kombit dhe futjen e grindjeve mes gollodordasve këtu dhe shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Kujt i shërben kjo? Ashtu si mbarë kombi, edhe Golloborda sot është e varfër, ka shumë nevojë për ndihma. Dhe po na ndihmon mbarë bota. Në këtë kuadër, kanë detyrim të na ndihmojnë edhe fqinjët, por ndihmat me kushte, me interesa shoviniste e me synime të errëta për të ardhmen, kurrë mos i gëzoftë ky popull fukara, por fisnik e patriot i ndershëm!

Ndihmë nga historia

Me Gollobordën, sllavët nuk janë sjellë asnjëherë si vëllezër të një gjaku, as si fqinj dashamirë. Ata e kanë provokuar gjithnjë Gollobordën, e kanë sulmuar, e kanë grabitur e plaçkitur dhe kurrë nuk i kanë dalë në mbrojtje. Banorët e krahinës nuk i harrojnë lehtë masakrat që bënë serbët e bullgarët ndaj patriotëve gollobordas. Gollobordasit, duke i njohur mirë se cilët janë fqinjët, asnjëherë nuk e kanë parë të mundshëm e të nevojshëm bashkëpunimin me ta, po kanë luftuar e janë mbrojtur vetë, madje duke përballuar edhe sulmet jo të pakta prej fqinjëve. Shquan këtu periudha e vendosjes së kufijve më 1913. Banorët e Gollobordës, për këtë rast, kanë më shumë merita se popullsia tjetër shqiptare që iu nënshtrua komisionit dhe mbeti jashtë Shqipërisë, për të vuajtur ato që vuajti e që po vuan. Po të mos ishin shqiptarë, gollobordasit s’kishte pse të mos ishin marrë vesh me fqinjët.

Etnografia dhe kultura

Etnografia dhe kultura e Gollobordës janë krejt origjinale. Veshja e krahinës, më shumë dallon, sesa ngjan me veshjet përreth. Shumë zakone, rite e tradita i përkasin vetëm krahinës. Sado të përpiqesh, vështirë se gjen dasmë kaq origjinale e homologe me dasmën e Gollobordës. Vallet, sidomos ato të grave, janë tepër karakteristike për fshatrat e krahinës. Këngët po kështu. Ato janë të larmishme e me tematikë të pasur. Thelbi i tyre qëndron në faktin se ato nuk janë importuar, po janë krijime të vetë trevës. Këtë e dëshmon më së miri subjekti i tyre. Tekstet e këngëve flasin për jetën e banorëve të krahinës. Gjen plot këngë trimërie, kurbeti, pune, dasme, dashurie etj. Është fatkeqësi që folklori i krahinës, deri tani, edhe pse përmban në vetvete një fond me vlerë, nuk është vlerësuar dhe është injoruar duke e etiketuar se është imitim i folklorit maqedonas.

Në situatat tepër delikate që po kalon sot çështja e Gollobordës, e ndiej si detyrim moral që atë që di e mësoj ta shpreh hapur, me guxim e me sinqeritet qytetar. Të gjitha këto që nënshkruaj unë, shpresoj të shkundin nga pagjumësia e indiferentizmi armatën e intelektualëve të krahinës sime. Duke folur, ne bëjmë të heshtin gjithë ata që nuk u takon të luajnë me fatet e Gollobordës. Duke lëshuar ne dritën jeshile mbi të vërtetat e djeshme e të sotme, qeveritarëve u themi të jenë më të kujdesshëm kur ulen në tryeza bisedimesh; palës fqinje i themi që të zgjidhë njëherë problemet e veta të brendshme. Ndërsa atyre që shesin veten tek të tjerët, populli s’ka pse t’u shkojë pas, se, po u vajti pas, që nga ai çast vë në rrezik fatin e vet.

Përmbyllje

Sot, dy dhjetëvjeçarë më pas, duke i dhënë përgjigje pyetjes “Pse e shkrova këtë artikull unë në atë kohë?”, mendoj se shuaj një kuriozitet të lexuesit. Në atë kohë, brenda pak muajsh, ndodhën zhvillime të paparashikuara: parti pakicash, shoqata minoritetesh, individë me e pa pushtet, por dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe, me apo pa qëllim, u vunë në shërbim të qarqeve maqedonase. Kështu, në Gollobordë, persona pa reputacion trokitën në dyert e fukarenjve dhe u mblodhën firma prindërve për emrat e fëmijëve të tyre, bënë lista, duke u premtuar se shumë shpejt do t’u vinin ndihma për aq fëmijë sa kishin. Në fakt, fletorja paçavure u dërgua në Shkup, duke e paraqitur si kërkesë e popullit të Gollobordës për futjen e gjuhës maqedonase në shkollat e fshatrave të krahinës. Një delegacion i Ministrisë së Arsimit nënshkroi marrëveshje në Shkup ku theksohej se, në klasat e filloreve në fshatrat e Gollobordës të mësohej gjuha maqedonase, nëse e dëshirojnë këtë banorët. Mediat maqedonase i shpeshtuan kronikat për gollobordasit si maqedonas. U dërguan grupe folklorike nga Golloborda në Maqedoni etj., etj.

Shkrimi im ishte krejtësisht në kahun e kundërt të gjithçkaje që po ndodhte e që po synohej. Për shumë ithtarë, kjo qe e papritur dhe, realisht, i trembi e i frenoi më shumë sesa e kisha menduar unë.

Sidoqoftë, çështja e Gollobordës mbetet një kapitull i hapur. Për Gollobordën tani kemi jo pak libra, autorë të të cilëve janë vetë gollobordasit. Polemika të shumta vazhdojnë të ndajnë edhe intelektualë gollobordas, por këto polemika, në shumicën e tyre, kanë degjeneruar. Shkruesit, në vend që të merren me çështjen, merren me njëri-tjetrin. Edhe unë nuk kam heshtur, po kam shprehur qëndrimin tim, kur e kam gjykuar të arsyeshme. Veselka Tonçeva, etnografe bullgare, ka shkruar dy vëllime për gollobordasit: “Bullgarët nga Golloborda, Republika e Shqipërisë”.

Gazetës “Bulqiza” i uroj jetë të gjatë e udhë të mbarë! Rikthimi i saj, sigurisht që do të jetë një zë më shumë edhe për Gollobordën e për gollobordasit.

S'KA KOMENTE