MERSIM DEMA, MBRETI I MALEVE TË DIBRËS*

Udhëheqës i shquar i forcave kryengritëse dibrane dhe një politikan dhe diplomat racional i kohës tij.

704

Gjatë viteve 1895/1900 malësorët e Grykës së Vogël nën udhëheqjen e Mersim Demës zbrapsën disa ekspedita turke. Po gjatë kësaj periudhe Mersimi mbajti lidhje edhe me klubet dhe organizatat e fshehta, që ishin formuar për të ndihmuar çështjen kombëtare. Posta me libra dhe gazeta shqipe nga Manastiri i vinte Mersim Demës me anë të Ismail Erebarës, që i dërgonte tek Hasan  Ballanca e më vonë tek Eqerem Cami dhe Hoxhë Voka

Fisi i shquar i Homezhit të Dibrës, Dema,  ka nxjerrë figura të shquara patriotike.  Njëri prej tyre është Mersim Dema.     Në Luftën e Drinit kundër Hajredin Pashës në  korrik të  vitit 1844, Hazis Dema ishte në krah të krerëve të Nëntë maleve të Dibrës.

Mersimi lindi në vitin 1864. Në vitin 1880, kur ishte vetëm 16 vjec, largohet nga Homeshi sepse i vrasin të jatin, Mustafanë. Strehohet tek dajat në Shupenzë. Ata  e përcjellin tek shehlerët e Vajkalit në  Bulqizë.  Kthehet pas një viti.

Në vitin 1882, kur plasi lufta  e Kërkallës në Dohoshisht,  Mersin  Dema 18 vjeçar me  50 luftëtarë   nga  Gryka  e Vogël shkojnë  në ndihmë të  Hasan  Zajmit.

Mersim  Dema ishte me kulturë të përgjithëshme. Ishte ushtarak me gradë dhe oficer nuk bëhej kushdo. Ai bëri shumë për futjen e librave shqip në Homesh dhe për hapjen e shkollave shqipe në Grykën e Vogël. Librat shqip vinin  nga kolonitë shqiptare    Bukuresht, Sofie, Stamboll etj. Ministria e Arsimit e Perandorisë  Osmane në një publikim të bërë në vitin 1893 thekson se në lagjen Homesh është pranuar  nga shteti një shkollë fillore private në vitin 1892.

Shkolla shqipe e Homeshit u hap në vitin 1894 nga Mersim  Dema dhe Shaqir  Daci në shtëpinë e Mersim Demës. Nxënësit e parë kanë qenë  Jashar  Zeneli nga  Bllaca, Tofik  Kurti nga  Boçeva, Gani  Meta nga  Kovashica, Rakip  Hoxha nga Homeshi etj.

Mersim  Dema  bashkëpunonte  me njerëz e komandantë si vetja e tij, me Dan  Camin nga Sepetova, Sulë  Dacin nga Zogje, Liman  Alliun nga Strikçani, Destan  Puca nga  Sopoti, Rrahman Lekën nga  Kovashica, me Sheh Sulën e Zerqanit, etj.

Rreth viteve 1895/1900 Mersim Dema në krye të luftëtarëve nga Gryka e Vogël bëri disa sulme kundër garnizoneve turke në Rekë me kërkesë dhe në bashkëveprim me çetat vendase. Ky bashkëveprim tregonte se Mersim Dema nuk ishte vetëm një udhëheqës i shquar i  forcave kryengritëse dibrane, por edhe një politikan dhe diplomat racional. Ai kërkonte të krijonte hapësira sa më të mëdha kundër ushtrisë osmane duke shfrytëzuar edhe aleancat ndërballkanike.

Gjatë viteve 1895/1900 malësorët e Grykës së Vogël nën udhëheqjen e Mersim Demës zbrapsën disa ekspedita turke. Po gjatë kësaj periudhe Mersimi mbajti lidhje edhe me klubet dhe organizatat e fshehta, që ishin formuar për të ndihmuar çështjen kombëtare. Posta me libra dhe gazeta shqipe nga Manastiri i vinte Mersim Demës me anë të Ismail Erebarës, që i dërgonte tek Hasan  Ballanca e më vonë tek Eqerem Cami dhe Hoxhë Voka.

Betimi i Mersim Demës ishte një organizim atdhetar  ushtarak në formën e një komiteti atdhetar.

Betimi i malësorëve të formuluar dhe zbatuar nga Mersim Dema

Për këtë që kam përpara (Kuranin), me këtë që kam në dorën e djathtë (pushkën ), do të mbroj këtë që kam në të majtë (flamurin kuq e zi me shqiponjën dy krenore në mes.)

Disa nga anëtarët e këtij komiteti ishin:

Mersim e Jashar Dema, Homesh, Bilal  Cela (Ballanca) nga Ballanca e Dibrës Madhe, Tahir  Tola , Gjoricë, Ram e Cup Duka , Shtushaj, Liman  Alliu  nga Strikçani, Destan  Puca nga  Sopoti, Rrahman Leka nga  Kovashica,  Sheh Sula,   Zerqan, etj.

Në pranverë të vitit 1905 në vendin e quajtur  Gurra e Mazhicës , Mersim Dema mblodhi Kuvendin me krerët e Nëntë maleve të Dibrës,  ku u morën vendime të rëndësishme për luftën kundër turqve. Duhet theksuar se vetëm nën kryesimin e Mersim Demës deri në vitin 1905 ishin zhvilluar në Grykën e Vogël gjashtë kuvende, dy tek Varret e Shupenzës, tre tek Gurra e Mazhicës dhe një tek Gropat e Ujkut mbi Homesh. Në vitin 1909 malësorët e Grykës së Vogël u vunë në mbrojtje të Hazis Xhekës.

TË NANDË MALET E BASHKUAR

Akoma është e freskët në kujtesën e dibranëve beteja e Mikoreshit, lagje e Shupenzës, matanë zallit, më 26 prill 1909, kur forcat turke kësaj here me topa të rinj goditën kullën e Azis Xhekës, një prej simboleve të trimërisë dibrane. Malësorët e krahinave përreth, Grykë e Madhe, Grykë e Vogël, Luzni, Muhurr, Reç, Dardhë etj erdhën menjiherë në ndihmë sapo dëgjuan krismat e topave dhe u sulën forcave turke të cilat i shpartalluan. Topi krisi në Mikoresh, u dëgjua krisma në Hotesh dhe në Miresh. Lajmi u përhap në të gjithë Dibrën dhe të nëntë malet u gjendën në Shupenzë në ndihmë të Azis Xhekës. Muhurri, Reçi e Dardha vunë të parë Kurt Hoxhën, Gryka e Vogël Kurt Demën. Forcat turke u zprapsën matanë Drinit ku pati shumë të mbytur.

Një muaj më vonë në maj të vitit 1909 krerët e Dibrës së Epër bashkë me krerë e malësorë të Grykës së Madhe, të Grykës së Vogël e Bulqizës mblidhen në Kuvend tek Gropat e Ujkut midis Vlashajt dhe Bllacës, ku u vendos që dymijë vetë të komanduar nga Mersim Dema nga Homeshi e Zenel Hoxha  nga Gjurasi të shkonin në ndihmë të Dibrës së Poshtme e të Kukësit në luftë kundër turqve.

Për këtë  ngjarje populli ngriti këngë

Nat Shupenzë këndohet mevludi

Në Gjuricë digjet baruti

Krisi topi në Migoresh

I shkoi krisma në Homesh

N’at’ Homesh ke Kurt  Dema

Atij bimbashit i ngriu zemra

U dindën malet Reç e Dardhë

At  Kurt  Hoxhën e vunë të parë

Hazis Xheka, trim dai

E ban gjakun në Zall e në Dri….

Ban gajret Hazis Xheka i zi

Në maj të vitit 1910, me vendim të përfaqësuesve të Grykës së Vogël, Grykës së Madhe dhe të Bulqzës, nën drejtimin e Mersim Demës 2000 dibranë shkuan në ndihmë të Kosovës. Nën kryesinë e Mersim Demës, Zenel  Hoxhës nga Gjurasi, Isuf Lekës, Liman Markes, Liman Lleshit nga Zogje, Zenel Kajës, Hazis Xhekës, Maliq  Kazanit, Destan Tolës e Ali  Camit  nga Gjorica, Islam Krosit nga Bllaca, Sulë  Dacit nga Kodër Zogje, Islam Murrës nga Shupenza, Sheh Sulës nga Zerqani dhe Elez Isufit, 2000 dibranët marshuan në ndihmë të vëllezërve të tyre kosovarë. (H.Stërmilli, Dibra në rrjedhën e shekujve , faqe 55, 56)

Në vitin 1912 luftimet e dibranëve kundër turqve, luftime  të drejtuara  nga Mersim Dema,  intensifikohen. Gazeta  Dielli e datës 25 maj 1912 shkruan se Mersim Dema, Mbreti i Malësisë së Dibrës, ka bërë dhe po bën çudira. Ky trim do të zbardhë Shqipërinë  me qëndrimin e tij kundër qeverisë halldupe. Me anë të tij, Malësia ka lidhje me Dibrën e Poshtme, Matin dhe tërë Shqipërinë e Sipërme dhe me Kosovën.

GROPAT E UJKUT  NË HOMESH, SELI PARLAMENTARE  E KOHËS

Kuvendi i Dheut, ose Parlamenti i kohës, thirrej në vendin e quajtur Gropat e Ujkut mbi Homesh, një vend i rrethuar në të katër anët me male.

Në fillim të marsit 1912, Mersim Dema thirri në Kuvend të Dheut, 5000 malësorë nga Gryka e Vogël, Gryka  e Madhe dhe Bulqiza.

Në këtë kuvend erdhën edhe përfaqësuesit  nga Labëria, Braho  Kanina dhe Ceco Gjera.

Në këtë kuvend u morën vendime shumë të rëndësishme jo vetëm për Dibrën, por edhe me rëndësi mbarëkombëtare. U zgjodhën edhe delegatët e Kuvendit të Junikut.

Më 19 dhe 20 maj 1912 në Junik të Kosovës, midis 250 pjesëmarrësve morën pjesë edhe Mersim Dema dhe Sheh Sula i Zerqanit . Në këtë kuvend historik,  ku u morën vendimet përfundimtare për pavarësi, ata u takuan me Isa  Boletinin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe Idriz Seferin.

Fillimi i kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912

kundër turqve që çoi  në shpalljen e pavarësisë

Pushteti turk nga frika e daljes  nga duart e Dibrës e rindan atë në 16 nahije të reja, por kjo nuk e pengoi Mersim Demën të organizonte kryengritjet përfundimtare kundër tij. Urdhërin e kryengritjes në Dibër e solli Eqerem  Cami.Kjo kryengritje u koordinua në të gjitha drejtimet me drejtuesit e luftimeve në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën. Shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe shporrjen e turqve e shfrytëzuan serbët që hynë ushtarakisht në territorin shqiptar dhe konkretisht në Dibër dhe në Lumë. Por luftëtarët e udhëhequr nga Mersim Dema, Elez Isufi dhe Islam Spahia i detyruan serbët të largohen me turp.

Lufta e Grykës së Vogël (26 dhjetor 1912/13 janar 1913), kuvendi në Varret e Shupenzës , organizimi i qëndresës tek Ura e Topojanit dhe tek Ura e Spiles janë  qëndresa më e madhe popullore e luftarake e kësaj zone nën drejtimin e Mbretit të maleve Mersim Dema.

Jo rastësisht në takimin me Princ Vidin, ky i fundit i thotë Mersim  Demës se ka kënaqësinë si princ i Shqipërisë të takohet me Mbretin e Maleve të Dibrës.

Luftimet në Topojan e Mazhicë, ose Lufta e Malësisë,

nën drejtimin e Mersim Demës, sipas librit

“Ballafaqime politike” , të Sejfi Vllamasit

Një fuqi serbe kalon urën e Topojanit dhe del në Malësinë e Grykës së Vogël. Në katundin Mazhicë kërcet pushka, së pari me barinj, dhe menjëherë fillon lufta me armikun. Pas kësaj Malësia e Madhe, Gryka e Vogël e Gryka e Madhe, Bulqiza dhe Golloborda dhe gjithë populli lajmërohen nga patrioti Mersim Dema që të bëjnë një mbledhje në varret e Shupenzës, e cila quhet Kuvendi i atdheut dhe sipas zakonit lidhin besë (bëjnë itifak) për ta luftuar ushtrinë serbe.

Pak ditë pas besëlidhjes, serbët, për t’i okupuar të gjitha krahinat e Dibrës, kalojnë Drinin dhe dalin në Grykë të Vogël, në katundet Topojan e Mazhicë.

Atëherë populli, sipas besës që pati lidhur, u ngrit kundër ushtrisë serbe duke e filluar luftën në katundin Mazhicë e Topojan, ku mori pjesë edhe Malësia e Peshkopisë.

Serbët thyhen dhe tërhiqen me anë të Drinit në rajonin e Maqellarës, në fshatin Vojnik, ku mbetet i vrarë komandanti i ushtrisë serbe gjeneral Ferdinandi.

Atëherë Mersim Dema i ndan fuqitë në tri pjesë: 

1. Te ura e Topojanit; 

2. Në kodrat e katundit Gjoricë; 

3. Te Ura e Spiles.

Në këto vende lufta vazhdon tri javë. Atëherë serbët, duke e parë të pamundshme zbërthimin e frontit në këto drejtime, marrin një drejtim tjetër dhe, duke kaluar nga malet e Strugës e të Gollobordës, u marrin krahët fuqive dibrane, të cilat tërhiqen dhe marrin pozicione të reja duke zënë Qafën e Murrizës (mali i katundit Bllacë) dhe shkrepin e katundit  Gjuras, ku lufta vazhdoi 5 ditë.

Në këtë luftë u vranë mjaft dibranë, midis të cilëve u vra edhe Hysen Dema. Shqiptarët përpara fuqive të mëdha serbe tërhiqen në Mat. Këta, mbasi u organizuan në Mat, bashkë me matjanët e zunë pozicionin e tretë në Qafë të Murrës dhe në Qafë të Buallit. Këtu lufta vazhdoi për një kohë të gjatë dhe serbët nuk përparuan më.

Kësaj lufte iu dha emri “Lufta e Malësisë”.

Mersim Dema  u vra nga serbët,  i tradhëtuar nga Esat Pashë Toptani , në vitin 1915 dhe mbeti i pavdekshëm në memorien e popullit të Dibrës si mbret i maleve.

Ky shkrim është marrë me shkurtime dhe përshtatur për botim nga monografia “Mersim Dema, Mbreti i Maleve”,  të historianit Moisi Murra

S'KA KOMENTE