EMIN CAMI, “Qytetar Nderi” i Gjoricës

Këshilli i Komunës nderon z.Emin Cami me titullin “Qytetar Nderi” drejtorin e parë të Shkollës 8-vjeçare Viçisht.

162

Ceremonia

Këto ditë Komuna e Gjoricës zhvilloi një ceremoni solemne për dhënien e titullit “Qytetar  Nderi” disa intelektualëve më në zë të komunës që kanë shërbyer në komunë dhe jashtë saj, duke qenë krenaria e Komunës dhe duke kontribuar vazhdimisht për vendlindjen dhe mbarëvajtjen e saj. Njëri nga ata që u nderua me këtë titull ishte Emin Cami, drejtori i parë të Shkollës 8-vjeçare Viçisht.

Historiku i Shkollës Viçisht

Zyrtarisht shkolla në Viçisht  u hap më 28 dhjetor 1944, një muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Hapja e shkollës, sipas kujtimeve të mësuesit të parë nga Dibra e Madhe, Fehmi Kodra, u shoqërua me një festë të madhe të shoqëruar me të shtëna armësh.

Filloi mësimi vetëm në klasën e parë në të cilën u regjistruan 31 nxënës. Një nga mësueset më të sp
ikatura të viteve të pas çlirimit në shkollën fillore të Vicishtit ka qenë Femije Cami, (Nderi i Komunës së Gjoricës) e bija e Ahmet Camit, dëshmor i atdheut, ish komandant i Çetës së Gollobordës.

Më pas vazhduan Tahir Velia, Ilmi Gjura, Razije Gjura, Fisnik Manjani etj. Në këtë kohë  shkolla fillore e Vicishtit varej nga drejtoria e shkollës 8 vjecare Gjoricë me drejtore shkolle  Bukurie Kaja (Lleshi).

Në vitin shkollor 1967-1968 u hap për herë të parë klasa e pestë. Mësues i klasës së pestë u caktua Emin Cami, biri i këtij fshati, që sapo kishte përfunduar studimet në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Ai zhvillonte të gjitha lëndët, megjithëse kishte mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi.  Pas një viti u hap klasa e gjashtë. Mësuese erdhi Fiqirete Lila. Lëndët i ndanë në të dy klasat në mënyrë të barabartë. Në ciklin e ulët jepnin mësim Rexhep Lika dhe Ferit Gugushi. Më pas vjen nga Fushë Studna Destan Cami. Në vitin shkollor 1969-1970 shkolla e Viçishtit kaloi me drejtori më vete dhe drejtor i parë u emërua Emin Cami.Filloi edhe klasa e shtatë dhe shkolla mori fizionomi të plotë. Erdhën si mësues Hashim Suti, Liljana Skuka dhe Fatmira Skuka. Hapja e shkollës 8 vjeçare krijoi mundësinë e regjistrimit  edhe për shumë fëmijë të zonës së Gollobordës. Shkolla fillore e Tërbaçit kaloi në vartësi të Shkollës 8 vjecare të Viçishtit. Në Tërbaç jepnin mësim Vesel Shabani dhe Tahir Velija.   Në klasën e tetë erdhi një tjetër mësues nga ky fshat, Fehmi Lika, që më vonë do të bëhej një nga drejtuesit  më jetëgjatë të kësaj shkolle.

Emin Cami në kujtimet e tij shkruan: Duke parë nivelin e ulët të kuadrove dhe bashkëfshatarëve të mi hapa shkollën 8 vjeçare të natës, paralel me klasën e pestë ditën jepja mësim edhe në klasën e pestë të mbas dites. E filloja mësim fill mbasdite që të mbaroja pa na zënë nata sepse ishte malësi  dhe zonë e ftohtë, bënte dimër i jashtëzakonshëm. Njerëzit më donin dhe më respektonin. Mësuesi ishte figurë e dashur dhe e repektuar. Ne mësuesit nga ana jonë punonim fort. Jepnin shpirtin tonë në mësimdhënie.

Gëzimi më i madh ka qenë  si mësues dhe drejtor shkolle ka qenë provimi i lirimit me nxënësit të parë dhe me ato kuadrot dhe bashkëfshtarët e mi, që ndonëse ishin më të moshuar më respektonin më shumë se fëmijët e tyre. 

Kush është Emin Cami

Emin Cami ka lindur në Viçisht më 17 janar 1947. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me mësuese Femije Camin. Shkollën 7 vjeçare e kreu në qytetin minator të Bulqizës me mësues  kujdestar Myfit Dervishin dhe drejtor Ramiz Gjoka. Shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Peshkopi. Më pas kreu Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës për gjuhë dhe letërsi shqipe. Pas përfundimit të Institutit fillon punëdirekt në  fshatin e tij dhe është i pari mësues dhe drejtues i shkollës 8 vjeçare të këtij fshati, shkollë që tanimë ka një histori 70 vjeçare.

Në vitin 1971 Emini thirret për të kryer shërbimin ushtarak. Forcat e Armatosura e pikasën aftësinë dhe talentin e tij dhe e mbajtën si kuadër të Forcave të Armatosura për 19 vjet me rradhë. Ai ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri.

Pas largimit për të kryer shërbimin ushtarak, vendin e Emin Camit si drejtor  shkolle e mban e shoqja e tij, Lirije Cami, e bija e Veli Zogut, që vinte nga Kruja, me arsim të lartë dhe me përvojë të madhe. Ajo shërbeu edhe 4 vjet të tjera si drejtore shkolle duke lënë gjurmë me punën e saj pasionante.

Drejtuesit e shkollës në vite

Për rreth 20 vjet kjo shkollë funksionoi si shkolle 8 vjeçare. 

Në kujtimet e tij ish drejtori i kësaj shkolle Avni Mera shkruan : “Me mbështetjen e ministres së arsimit znj.Tefta Cami, në fshatrat Viçisht dhe Gjoricë, në vitin 1985 nisi ndërtimi i shkollave të reja të cilat u inaguruan në vitin 1986. Me kërkesën e banorëve të fshatit Viçisht në vitin shkollor 1986-1987 u hap arsimi i mesëm. Shkolla e mesme, sot shkolla 9 vjeçare e Viçishtit mban emrin e mësuesit dëshmor Fasli Cami. Edhe shkolla 9 vjeçare e Gjoricës mban emrin e Ahmet Camit, dëshmorë, komandant i Çetës së Gollobordës, pjesë e batalionit të Dibrës.

Në shkollën e mesme u regjistruan 40 nxënës në vitin e parë. Në këtë shkollë u regjistruan edhe shumë nxënës nga Çereneci, Lubaleshi, Tërbaçi, Sepetova, Mireshi, Pasinka etj.

Pas vitit 1990 për shkak të lëvizjes së popullsisë  drejt qendrave urbane si Peshkopi, Bulqizë, Durrës, Tiranë etj u mbyll shkolla e mesme dhe ndërkohë bie shumë edhe numri i nxenësve të shkollës 9 vjeçare.

Drejtues shkolle në vite kanë qenë Emin Cami, Lirie Cami, Xhavit Sulku, Avni Mera, Dritan Ramizi, Fisnik Manjani, Rushit Suma, Femi Lika, Idriz Mera, Ajet Suma, Xhevrie Cami etj.

Shumë ish nxënës të kësaj shkolle kanë vazhduar  studimet e larta. Disa prej tyre  kanë marrë edhe grada shkencore.

S'KA KOMENTE