Prof.asc.dr. Islam Dauti, intelektuali i shquar me përmasa mbarëkombëtare

231

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Këshilli Bashkiak i qytetit të Bulqizës e nderoi me titullin ’’Nderi i Qytetit’’


Dr.Islam Dauti është autor dhe bashkautor në monografi të profilit për tekste mësimore të kirurgjisë. Ka marrë pjesë në kongrese e konferenca shkencore si brenda dhe jashtë shtetit. Është anëtar i klubit mesdhetar të djegjes me qendër në Itali, anëtar i shoqatës të kirurgjisë plastike të Ballkanit dhe të Europës.

          Si rezultat i një pune intensive praktike dhe pedagogjike si pedagog i jashtëm, arriti që të plotësojë kushtet dhe kështu fitoi titullin ’’Profesor i Asociuar’’ në vitin 1999. Edhe pas kësaj nuk e ndërpreu asnjëhere aktivitetin shkencor për thellimin e dijeve shkencore për aftësimin profesional

Dr.Islam Dauti është padyshim një nga figurat më emblematike të trevës së Bulqizës, me përmasa dhe kontribute mbarëkombëtare.

I njohur si kirurg plastike i specializuar për operacionet plastike të barkut dhe të gjirit, Dr. Dauti ka një përvojë shumëvjeçare në fushën e ndërhyrjeve kirurgjikale trupore. Gjithashtu është i specializuar në ndërhyrjet kirurgjikale pas djegieve.

FËMIJËRIA

Ka lindur më 23.03.1941 në fshatin Vajkal të rrethit Bulqizë.Shkollën fillore e filloi në vitet ’50, kur ekzistonte vetëm një shkollë fillore në të gjithë fshatin, e cila e ushtronte aktivitetin në verë, nga muaji Mars deri në Nëntor. Kjo për arsye të kushteve atmosferike dhe vetë shtrirjes së fshatit në një territor të gjerë, por edhe për faktin se nxënesit ishin të një moshe të vogël, nga 7-11 vjeç.

Pasi mbaroi klasën e IV me rezultate të mira, ambicja e tij, qoftë edhe për atë moshë, ishte që të vazhdonte më lart.

Në vendlindjen e tij nuk kishte variant për të vazhduar 7 vjeçaren, apo siç i thonin atëhere uniken, pasi e vetmja shkollë në atë zonë ishte në Zerqan, pra duheshin 2-3 orë me këmbë për të shkuar atje. Një pjesë e vogël e moshatarëve të tij që kishin të afërm në atë zonë filluan shkollën në Zerqan. “Unë isha me fat mbasi xhaxhai im Hajdari, që kishte dalë nga lufta oficer dhe ishte caktuar me punë në Tiranë më ndihmoi për të vazhduar ëndrrën e shkollimit. Ndërsa shumë nga moshatarët e mi, me gjithë se dallonin qysh në femijëri për zgjuarsi, zell e intuitë për të mësuar, nuk  e patën mundësinë dhe mbeten vetëm me arsimin fillor apo unik”, rrëfen Dr.Islami.

NË TIRANË, NË SHKOLLËN 7 VJEÇARE

Xhaxhai, Hajdari banonte me bashkëshorten e tij  Kadifen në lagjen Ali Demi, në një dhomë të vetme të një shtëpie përdhese tiranase të asaj kohe. Duke qenë në këto kushte shtëpie, por edhe ato ekonomike, pasi në atë kohë paslufte funksiononte sistemi i triskëtimit, si 400gr. bukë misri etj., xhaxhai e futi në gjirin e familjes së tij dhe e trajtoi si fëmijën e vet.

Shkolla ishte shumë afër shtëpisë dhe quhej Shkolla 7 vjeçare “Ali Demi”. Islami, klasën e IV e mbaroi në Bulqizë në muajin Nëntor dhe erdhi në Tiranë në muajin Dhjetor, ku ndërkohë shkolla këtu kishte filluar qysh në muajin Shtator. U paraqit në Drejtorinë e Shkollës me xhaxhain e tij, ku i pritën shumë ngrohtë. Do të fillosh si degjues sivjet, i thanë. Të këtij mendimi ishin Islami dhe xhaxhai, duke qenë të ndërgjegjshëm, pasi kishin kaluar 3 muaj që nga fillimi i shkollës dhe kështu u vendos. Nga ana tjetër, për vogëlushin nga Vajkali ishte hera e pare që dilte nga fshati në një qytet si Tirana. Fillimi ishte mjaft i vështirë, nuk njihte njeri e i dukej vetja i huaj dhe i humbur. Mësuesja e klasës së V-të, një grua relativisht e moshuar, me një zë të ëmbël dhe zemrën e një nënë të vërtetë, qysh ditën e parë e mbajti afër dhe i gjëndesh në çdo moment. Ajo filloi t’i vërë detyra suplementare për mesimet që kishin kaluar, duke bërë edhe punë jashtë orëve të mësimit.

Këtë detyrë ajo e bënte me shumë zell pa asnjë shpërblim dhe detyrim, kështu që, me këmbënguljen e kësaj zonje (zysh Dallëndyshja), Islami mundi të arrij në përparim shokët e klasës dhe të kualifikohet bashkë me të tjerët. Në klasën e VI-të ishte më i qetë pasi ishte më i ambjentuar; kishte krijuar shoqëri të reja dhe nuk kishte vështirësi. Viti mësimor kaloi mirë dhe rezultatet e këtij viti ishin shumë më të mira nga ato të klasës së V-të.

Në verën e këtij viti xhaxhai i tij, Hajdari, transferohet në Tropojë. Ndërkohë që Islami ishte në Bulqizë te prindërit, vjen dhe xhaxhai në fshat me pushime të lejes së zakonshme dhe më pas do të shkonte në Tropojë. Në këto rrethana Islami vendosi që të mos shkonte në Tropojë pasi në qytezën e Bulqizës ishte hapur një shkollë nate 7 vjeçare për punëtorët e minierës ku sapo kishin filluar punimet për ndërtimin dhe shfrytëzimin e saj dhe mendoi ta përfundojë aty klasën e VII-të.

JETA NË BULQIZË

Kushtet ekonomike në fshat ishin të vështira. Filloi të kërkonte për një punë ditën dhe të vazhdonte shkollën natën. Në Bulqizë veç ndërmarrjes së kromit ishte hapur edhe ndërmarja e furnizimit të punëtorëve (NFP), ku drejtor i saj ishte Hamit Koçi, një bashkëfshatar i tij, të cilit iu drejtua për ndihmë që ta sistemonte në ndonjë punë. “I ndjeri Hamit më vështroi nga koka  e deri te këmbët dhe me pyeti: ’’Po çfarë mund të bësh ti’’?,. Çfarë të mendoni Ju, u përgjigja. ’’Po Jashari (im atë) e di për këtë’’?. Po i thashë. Ai tundi kokën. Pas një heshtje, më tha që të vish të më takosh nesër. U largova me pesimizëm dhe për këtë e bisedova në shtëpi edhe me prindërit, që në fakt deri në këtë moment nuk dinin gjë për çfarë kisha bërë dhe natyrisht që nuk ma miratuan. Megjithatë unë të nesërmen shkova tek drejtor Hamiti, aty në zyrë gjeta edhe një burrë të moshuar që e thërrisnin xha Rrema. Mbasi u përshëndetëm, drejtori i thotë xha Rremës se ky është djali i Jashar Dautit dhe ka dëshirë të punojë si kamarier tek klubi jot. Po qenka shumë i vogël more drejtor, thotë xha Rrema. Nuk ka gajle se ka 6 klasë shkollë, ia priti drejtori”,-shprehet Dr.Dauti në kujtimet e tij.

PUNA SI KAMARIER ME XHA RREMËN

Xha Rrema (Muharrem Bala), asokohe ishte një burrë rreth të 60-tave po nga fshati Vajkal. Nuk kishte asnjë klasë shkollë, por kishte një zgjuarsi natyrale dhe intuitë të jashtëzakonshme. Kishte hapur klubin siç i thonin atëhere, ku me vonë u quajt ’’Kino-klubi’’. Xha Rrema ishte banakier, ndërsa Islami kamarier, por më tepër shërbente si ndihmësi i tij për plotësimin e dokumentacionit dhe problemet e tjera si, inventarizimi i mallit, derdhja e lekëve në llogari, e të tjera shërbime të kësaj natyre dhe natyrisht me pastrimin, sistemimin e sallës, larjen e filxhaneve, gotave etj. Xha Rrema bënte kafen turke, servirte raki, konjak, fernet, uzo e vodka nga banaku me parapagim e vetshërbim. Ai vinte në punë që në orën 6 të mëngjezit dhe largohej në orën 10-11 të darkës e bashkë me të edhe Islami.

Nga një herë, sidomos dimrit që ishte akulli e bora Islami i thoshte:

– Xha  Rrema e mbyllim tani se nuk vjen njeri?!

-Jo me dajën – i thoshte ai – s’kemi si e mbyllim se tani është nxhira më e madhe se vijnë sulfetikët. Në fakt në atë kohë punonin disa inxhinierë sovjetikë edhe me turne dhe ktheheshin nga turni i dytë. Futeshin në lokal që ishte i vetmi i hapur në atë orë dhe pinin vodka me gota uji e natyrisht xha Rrema ua kishte zbutur pak.

Kështu vazhdoi ky vit, ndërsa shkollën e “harroi”. Vajti disa herë dhe në fakt xha Rrema nuk e pengonte, por Islami, sa futej në klasë pas pak e zinte gjumi dhe lëre më për të mësuar. Më vonë pas një farë kohe drejtor Hamiti u transferua në Rubik dhe drejtor vjen Vaso Shqevi, i cili pa mbushur muajin në detyrë e mbyll klubin dhe Islamin, që të mos quhej ’’pushim nga puna’’, e transferon në ekonominë ndihmëse të NFP-së në Homesh. Natyrisht që nuk shkoi, dhe kur xhaxha Hajdari vjen nga Tropoja me pushimet e verës në fshat e mori me vete për të përfunduar klasën e VII-të në Tropojë.

VAZHDIMI I SHKOLLËS NË TROPOJË

Jetonin në shtëpinë e një fshatari që quhej Syl Mehmeti. Shkolla ishte 5 minuta larg nga shtëpia. Tropoja e vjetër deri në atë kohë kishte qenë qendër administrative e krahinës dhe aktualisht administrata ishte transferuar në Kolgecaj (Bajram Curri i sotëm). Në Tropoje kishin mbetur shumë pak zyra si, gjendja civile etj., por Reparti Ushtarak i kufirit e kishte qendrën aty, efektiv i të cilit ishte edhe xhaxha Hajdari.

Islami vazhdoi rregullisht shkollën duke e përfunduar atë me rezultate shumë të mira.

NGA TROPOJA NË TIRANË, PËR MJEKËSI USHTARAKE

Me të përfunduar 7-vjeçaren në Tropojë, Islami bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e mesme, ku dëshira e tij ishte të bëhej mjek, gjë të cilën ia ushqente dhe xhaxhai. “Kërkesa për shkollë bëhej duke kërkuar 3 degë. Unë shkruajta në kërkesë mjekësi, mjekësi, mjekësi. Në mesin e muajit Gusht vjen një fletë-thirrje për t’u paraqitur në Degën Ushtarake me datë dhe orë të caktuar. U çuditëm pasi unë isha nën moshë për t’u mobilizuar ushtar dhe mendja më shkonte mbase mund të më kenë ngatërruar me vëllezërit e mi më të mëdhenj. Megjithatë në ditën dhe orën e caktuar, i shoqëruar nga xhaxhai dhe korrieri i repartit shkuam në Kolgecaj në Degën Ushtarake ku na priti një nga oficerët e degës. Pasi u prezantuam, më komunikoi se më ka dalë bursa për mjekësi ushtarake. Unë menjëherë ia ktheva se nuk kam bërë kërkesë për shkollë ushtarake, por për mjekësi. Mos u mërzit se për mjekësi po të çojmë edhe ne, por për llogari të ushtrisë pëgjigjet ai, prandaj firmos këtu duke më vënë përpara një formular dhe kur të lajmërojmë do të paraqitesh këtu”,-kujton Islami me nostalgji

Në fundin e Gushtit i vjen përsëri lajmërimi për t’u paraqitur në Degën Ushtarake dhe do të nisej për Tiranë. Përsëri së bashku me xhaxhain u paraqitën në ditën e caktuar. Nga Tropoja ishte caktuar edhe një tjetër po në këtë degë, të cilin nuk kishin mundur ta lajmeronin pasi ai ishte për verim në bjeshkë. U kishin zënë hotel dhe i porositën që të ktheheshin të nesërmen. Shoku tjetër, që e kishte emrin Nuredin Malaj erdhi mbas dite, kështu që e shtynë udhëtimin për në Tiranë ditën tjetër. Të nesërmen, të shoqëruar nga një kapter i degës u nisën me një makinë kamion tip Ziz, e përshtatur si autobus, me disa stola druri dhe e mbuluar me tendë mushama. Mbërrijnë në Shkodër rreth drekës dhe pastaj me autobuz të rregullt u nisën për në Tiranë. Mbas shumë peripecish e gjetën adresën, që ishte Shkolla e Bashkuar ku përgatiteshin kursantët për oficerë.

FILLIMET NË SHKOLLËN E MESME

Kapteri që i shoqëronte nga Dega Ushtarake e B.Currit u paraqit në postobllokun e shkollës, ku para tyre u paraqit një kapter mesoburrë, i shëndoshë, më shumë i gjerë se i gjatë. Pasi pa dokumentat që i dha shoqëruesi, i mori të dy, Islamin dhe Nuredinin dhe ata e ndoqëm nga pas. Shkojnë në magazinë ku i furnizoi me materialet e fjetjes, si çarçafë, batanie e jastekë dhe pastaj u tregoi kapanonin ku gjetën edhe 10-15 shokë të tjerë të moshës së tyre. U caktoi krevatin, që natyrisht ishte tip marinari lart e poshtë. Nuredinit që ishte një djalë i hollë dhe i gjatë, Islami i vinte deri nën sqetull. Ai u ngjit lart dhe Islami poshtë. “Ishim shumë të mërzitur dhe mendja na rrinte tek ata që na e punuan, pasi mendonim se nuk ishim në vendin e duhur, por më vonë e kuptuam se destinacioni ynë ishte mjekësia.

Filloi shkolla. Në mëngjes, në komandën e një kujdestari, shkonim në rresht nga Shkolla e Bashkuar në teknikumin mjekësor, që ishte aty ku sot është ’’Medreseja’’. Pra hanim e flinim ne Shkollën e Bashkuar dhe mësonim në shkollë civile bashkë me nxënësit e tjerë. Jeta në shkollën ushtarake na vinte përballë disa detyrave të rregullores ushtarake që për ne ishin të rënda dhe jo shumë të tolerueshme. Shpesh ne bënim shkelje të rregullores së brendshme e për këtë dënoheshim edhe me burg ditor, konform rregullores së disiplinës që ishte në atë kohë.

Kjo periudhë zgjati vetëm dy vjet, mbasi komanda e shkollës e kuptoi që nuk mundnim që në një moshë 15-16 vjeçare të zbatonim rregullat e një shkolle që përgatiste oficerë të moshës 20 vjeçare. Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes kaluam në konviktin e nxënësve të teknikumit mjekësor”, rrëfen Dr.Dauti.

JETA NE KONVIKT

Këtë ndryshim e mësuan ditën e parë të vitit të tretë, kur u kthyen nga pushimet e verës. Duhet të hiqnin uniformën dhe të kalonin civila. Kjo nga një anë i gëzoi por edhe i hidhëroi, pasi nuk ishin përgatitur për uniformë civile. Nuk kishin asnjë rrobë civile, kështu që bluzat verore që kishin, i adaptuan duke u futur llastik dhe i sajuan në një farë mënyre deri sa erdhën ndihmat në konvikt dhe i furnizuan me këmisha, xhaketa e pantallona civile, ndërsa këpucët i kishin ato të ushtrisë. Ushqimi në konvikt ishte shumë më i pakët si në sasi dhe cilësi nga ai që hanin në ushtri, por shpejt u ambjentuan. Dr.Islami kujton se duke qenë se vinte në këtë shkollë nga B.Curri, u njoh përveç Dr.Nuredinit që erdhën së bashku, me shokë të tjerë tropojanë si Dr.Dine Abazi, Dr.Shaban Malaj, Dr.Sali Berisha, Dr.Hazir Malaj e shumë të tjerë. Jeta rridhte natyrshëm. Kjo kohë mjaft e bukur e kësaj periudhe të bukur të moshës së fundmi mbaroi. Përfundoi shkollën e mesme ku u titullua Ndihmësmjek. Rezultatet e përfundimit ishin shumë të mira, se edhe kërkesa ishte mjaft e lartë. Para se të mbaronin provimet e diplomës u kërkua që të plotësonim kërkesën për të vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë. “I plotësuam të gjitha kërkesat, të cilat u dërgoheshin rretheve përkatëse për shqyrtim dhe miratim, ndërkohë ne kaluam në pushimet verore. Unë shkova në fshatin tim të lindjes pranë prindërve, mbasi dhe më kishin fejuar me një vajzë nga fshati, nga një familje e mirënjohur në fshat.

Më 15 Gusht 1959 postieri më sjell një shkresë të firmosur nga shefi i seksionit të arsimit ku shprehej se më ishte aprovuar e drejta e studimit për në fakultetin e mjekësisë. Gëzimi im ishte i pallogaritshëm, por nuk zgjati shumë kohë se pas 10 ditesh vjen një tjetër shkresë nga Ministria e Mbrojtjes ku kërkonte që me datë 25 Gusht të paraqitesha në Drejtorinë e Kuadrit të MM. Ky lajm na çoroditi shumë. Interesoheshim në seksionin e arsimit por ata nuk kishin dijeni për këtë problem.

U paraqita në Ministrinë e Mbrojtjes së bashku me 9 të tjerë, të cilët kishin të njëjtin lajmërim. Aty na priti shefi i shëndetësisë  të ushtrisë Gjeneral Ibrahim Dervishi, i cili na komunikoi kalimin në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, ashtu siç kishim qenë qysh në fillim. Nga ana jonë u kundërshtua pasi kërkonim që të vazhdonim studimet meqenëse na ishte dhënë e drejta e studimit nga Ministria e Arsimit. Përgjigja ishte se për këtë vit nuk qe e mundur, mbasi janë repartet bosh nga ata që kishin ardhur në fakultet. Ne nuk e lamë me kaq, prandaj i bëmë një kërkesë Ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe Gjeneral Beqir Balluku. Shpresa jonë ishte se në radhët tona kishim edhe shokë të cilët lidheshin me strukturat e larta të asaj kohe si ministra, anëtarë byroje etj. (veç meje). Për t’i dhënë përgjigje kërkesës tonë ishte ngarkuar drejtori i drejtorisë së kuadrit Gjeneral Et’hem Gjinushi, i cili komunikoi përgjigjen e kërkesës sonë, natyrisht negative dhe na urdhëroi që të paraqiteshim në Spitalin Ushtarak për të pritur emërimet. Drejtoria e spitalit ishte urdhëruar për të marrë masa duke na sistemuar në një dhomë për fjetje dhe për të ngrënë në mensën e spitalit. Pas një muaji qëndrimi aty, një ditë na vjen shefi i shëndetësisë Gjeneral Ibrahim Dervishi bashkë me një instruktor të kuadrit, ku na komunikuan urdhërin e MM për titullim oficer me gradë Nëntoger dhe emërimin tim në Brigadën e 8-të Korçë, në batalionin e parë të këmbësorisë Bilisht. Brënda 5 ditësh duhet të paraqiteshim në detyrë. Urdhërohej prapavija e spitalit për të na pajisur me uniformën përkatëse dhe të shkonim në detyrë”,-rrëfen Dr.Dauti.

PERIUDHA NË REPART

BUL2 Islam Dauti tav punesNë Korçë nuk kishte shkuar asnjë herë. Sapo mbërriti pyeti shokun e tij nga Erseka por që u emërua në Tiranë, se çfarë hotelesh kishte Korça, ku ai midis të tjerëve i tha: Hotel “Borova’’. Dhe në çast Islami i bën një telegram hotelit që t’i rezervonte një vend për atë ditë që kishte vendosur të nisej.

Arriti në Korçë rreth darkës. Mori një taksi ku i kerkoi ta më çonte te Hotel “Borova’’. Pasi u sistemua në hotel, të nesërmen duhet të shkonte të paraqitej në brigadë. Ja si e kujton Islami atë ditë: “Sapo dal nga hoteli para meje ishte një ushtar i cili ecte me shpejtësi. Mendova se ai duhet të shkojë në repart dhe ju vura pas dhe pasi e pyeta ai më dërgoi në parkun e makinave dhe më orientoi për të shkuar në Brigadë. Paraqitem në postobllok ku i jap shkresën që tregonte pozicionin tim. Më thanë të presë në një dhomë pasi tani vjen dhe komandanti. Pas pak minutash dëgjoj një zë të kumbueshëm duke raportuar -’’shoku kolonel …etj’’. Vështroj nga dritarja një burrë të pashëm veshur me një uniformë të rregullt ushtarake. Ky është komandanti i brigadës kolonel Xhafer Peçi me thotë një nga ushtarët. Pasi mbaroi ceremonia e mëngjesit, oficeri i rojes më dërgoi tek shefi i kuadrit të brigadës i cili kishte dosjen time përpara, e cila kishte ardhur para meje. Po të prisnim më tha ai dhe më rikomunikoi emërimin në batalionin e I-rë Bilisht apo siç emërtohej Rep.Usht.Nr.5777”.

NË BILISHT

Të nesërmen u paraqit në këtë komandë ku si fillim e sistemuan në shtëpinë e beqarëve në një dhomë të madhe ku banonin 4 oficera dhe ai. Në repart e kompletuan edhe me pajime vetjake si çantë shpine, kundragaz, pistoletë etj.

Batalioni i Bilishtit ishte artmitralier me gjysëm kompletim efektiv aktiv dhe pjesa tjetër plotësohej me rezervistë këmbësorie, mitraljere dhe një bateri mortaje. Kishte një infermeri ku shërbente veç Islamit dhe një infermier ushtar. Kjo njësi ishte në mbështetje edhe të forcave të kufirit të kësaj zone që mbulonte mbrojtja e batalionit në të gjithë Devollin.

Bilishti në atë kohë kishte një spital të vogël me një mjek. Kur Dr.Vexhi Subashi (mjeku i vetëm) dilte për vizita, Dr.Dauti e shoqëronte dhe shpesh here ai ia linte vizitat atij, pasi vetë ai vizitonte edhe në shtëpi privatisht pasi atëherë lejohej.

ALARMI I PARË NË BILISHT

“Isha shumë i ri vetëm 19 vjeç. Shokët e mi akoma nuk ishin mobilizuar ushtarë, të cilet u mobilizuan pas 1-2 vjetësh, ndërkohë unë isha graduar nëntoger dhe e njihja shumë pak ushtrinë.

Nuk e mbaj mend mirë rreth një javë apo 10 ditë që kisha filluar punë, një natë rreth mengjesit troket në derë korrieri që lajmëron ’’Alarm’’!. Menjëherë në dhomë filloi zhurma ku secili kërkonte të vishej sa më shpejt dhe të pajisej me kompletin e nevojshëm. Edhe unë e kisha përgatitur çantën e shpinës sipas kërkesave i ndihmuar edhe nga shokët e dhomës. U vesha shpejt, mora pajimet dhe me vrap shkuam në repart, i cili ishte shumë afër nga dhoma jonë. Në fushën e repartit ishin rreshtuar forcat ushtarake me armatimet përkatëse. Mushkat u ngarkuan me artileri dhe arkat e municioneve. Kudo mbizotëronte heshtja dhe serioziteti. Shtabi në krye të batalionit dhe pastaj kompanitë e baterite me rradhë. Në mes qëndronte shefi i shtabit i cili i paraqiti forcën komandantit të batalionit major Zarif Poloska, i cili pasi mori përshëndetjen urdhëroi që oficerat të futeshin në klasë.

Zumë vendet në sallën e mbledhjeve, pas pak minutash futet komandanti me një seriozitet jo të zakonshëm për mua. Hapi një hartë mbi tavolinë dhe mbasi mbështeti dy duart në dy cepat e hartës me gishtat e hapur në formë kthetrash dhe tha: -’’shokë oficera, gjendja është reale. Monarkofashistët grekë me regjimentin aq e kaq kanë sulmuar në drejtim të vendit tonë…’’. në sallë ra heshtja e plotë, dëgjohej me vëmendje çdo fjalë e komandantit dhe të gjithë me kokë ulur mbanim shënime. Une nuk dija se çfarë të bëja, nuk e kisha fare idenë se ç’po bëhej, vetëm me naivitet mendoja ’’po mirë mua pritën këta grekët që të sulmonin’’. Dukesh gjithçka reale. Komandanti vazhdonte të jepte detyra. Kompania e parë do të vendoset këtu, e me rradhë baterite e së fundmi dëgjoj, vendmjekimi i batalionit të vendoset në Poloskë, me qëllim që të tërhiqen të plagosurit etj.etj.

Pasi u dha urdhër për të zënë pozicionet e caktuara, shkoj te ushtari infermier dhe i them po tani që erdha unë e gjetën këta grekët. Mos u merzit më thotë shoku nentoger, një herë e bën këtë punë komandanti i batalionit, një herë tjetër vijnë nga brigada e nga ministria, kjo është lojë më thotë ushtari. Atëherë u qetësova pak. I them se ku është vendmjekimi i bataljonit dhe ai më thotë mos u bej merak se ta tregoj unë. Në organiken tonë kishm dy kuaj, të cilët i ngarkuam me materjalet e shëndetësisë, e kështu zumë pozicionet që na ishin caktuar, duke hapur vendmjekimin e batalionit ku qendruam deri të nesërmen në drekë e pastaj u dha urdhëri për t’u kthyer në repart. Gradualisht u ambjentova me këtë regjim, por mendjen e kisha të vazhdoja fakultetin. Çdo vit bëja kërkesë e më në fund pas 4 vjetësh në Bilisht u riaprovua e drejta e studimit në fakultetin e mjekësisë, por kjo periudhë me gjeti të martuar dhe me një fëmijë”,-rrëfen Dr,Islam Dauti.

FAKULTETI

Shkëputja prej një periudhe 4 vjeçare, shtuar këtu edhe problemet familjare, ia vështirësuan procesin mësimor në fakultet. Ju desh të gjente shtëpi për të sistemuar familjen, mbasi nuk kishte të drejtë strehimi, sepse ishte student dhe jo i transferuar me punë në Tiranë. Këtë gjendje e vështirësonte mospasja e pashaportizimit në Tiranë dhe si i tillë nuk ishte i regjistruar në asnjë nga listat që furnizohej popullata me ushqimet bazë, si buka, mielli, gjalpi, mishi e vaji dhe të gjitha ushqimet e shportës. Etapa e parë ishte strehimi, të cilin ia zgjidhi një bashkëfshatar me banim në Tiranë, ku ai kishte 2 dhoma nga të cilat njerën ja liroi Islamit. Kishte një sipërfaqe 12m katror, banjo e përbashkët jashtë, po ashtu e ndihmonin edhe për bukën që merrnin mbi normë duke i llogaritur edhe Familjen Dauti. Ekonomikisht ishte shumë e vështirë të përballej vetëm me bursën që jepte shteti. “Familja ime dhe ajo e sime shoqeje na ndihmonin me sa mundeshin, por edhe ata nuk ishin në gjendje të mirë me të ardhurat e kooperativës bujqësore. Gjatë vitit të parë në fakultet më lindi dhe fëmija e dytë dhe i treti në vitin e IV. Kështu që vështirësitë shtoheshin, por me vullnet dhe me rini s’ka gjë që nuk kalohet  dhe kështu përfundova studimet me rezultate të mira”, -shprehet Dr.Dauti.

Pas përfundimit të studimeve në fakultetin e mjekësisë, fillimisht u caktua në Institutin e Kërkimeve Mjekësore Ushtarake (IKMU), sot Spitali Ushtarak, në repartin e kirurgjisë, specialitet të cilin e dëshironte shumë. Në këtë specialitet mjekët kirurgë Dr.Ismail Feta, Dr.Spiro Dede e Dr.Maksut Dërrasa që drejtonin këtë repart ishin shumë dashamirës me Islamin dhe me gjithë specializantët e tjerë. Qëndrimi i tij këtu zgjati veç 6 muaj, mbasi një urdhër i MM e transferon në Korpusin e Shkodrës dhe prej aty në Kukës, me detyrë Shef i Shëndetësisë së Brigadës 24K (Rep.Usht.Nr.6600), me vend dislokim në Kolsh.

Puna në Kukes fillon me vështirësitë e zakonshme si për çdo fillim. Komanda e brigadës ishte mësuar me paraardhësin e tij që mjeku të rrinte vetëm në repart ku kthehej thjeshtë në një administrator. Dr.Islami, tashmë, për një periudhë të shkurtër, kishte marrë nga Spitali Ushtarak në Tiranë nocione të nevojshme për kirurgjinë, ku nën drejtimin e mjekëve kirurgë kishte kryer edhe disa operacione të kategorive të lehta. Në spitalin civil të Kukësit kishte vetëm një kirurg, me një volum mjaft të madh operacionesh. Pra, ndihej nevoja për një ndihmës të tij. Kështu që ai, fillimisht jashtë orarit të punës dhe ndonjëherë edhe në kohë pune shkonte e punonte atje bashkë me kirurgun e rrethit Dr.Reshit Zusi, i cili e mirëpriste. Me kalimin e kohës, me propozim të tij, Komiteti Ekzekutiv i Rrethit i kërkon komandës së repartit që të mos e pengonte për të qenë në spital në rast operacionesh. Kjo u bë me kalimin e kohës për të një ’’trampolinë’’ për t’u lidhur më shumë më punën në spitalin civil, po ashtu për të kërkuar kompletimin e specializimit që kishte lënë në mes. Për këtë i duhej që të kryente edhe një periudhë tjetër specializimi pranë Spitalit Qëndror Ushtarak (SQU), të cilin e kreu me sukses duke marrë dëshminë si ’’kirurg i përgjithshëm’’. Tashmë u zyrtarizua vijimi i punës në këtë spital dhe formalisht figuronte në repart.

Çdo vit bënte kërkesë për transferim për në SQU por refuzohej nga MM me arsyen se nuk kishin zëvendësues.

Në vitin 1974, me riorganizimin e ushtrisë, u krijua Korpusi i ri në Pukë, ku përfshinte në vartësi edhe brigaden ku ai bënte pjesë. Me qenë se vendi i Shefit të Shëndetësisë së Korpusit ishte bosh, u muar vendim nga Komiteti i Partisë së  Korpusit dhe e emëruan në këtë pozicion, ndërkohë që ai kishte kërkuar të transferohej në SQU. Në atë kohë këto vendime  e urdhëra nuk diskutoheshin, por zbatoheshin. Kështu bëri edhe Dr.Islam Dauti, filloi punë në korpus që përfshinte Pukën, Tropojën, Krumën, Kukësin, e në thellësi Rrëshenin. Për mua ishte një punë shumë e padëshiruar, por nuk kisha rrugë tjetër. Korpusi i Pukës ishte njësi e vijës së parë që mbronte gjithë vijën kufitare nga Shkodra e deri në Korab të Dibrës. Prandaj edhe gatishmëria e asaj kohe ishte gjithmonë e lartë, e në këtë kontekst bëheshin shumë stërvitje gatishmërie, me shtabe dhe me trupa.  Mendoja se më ishte bërë një padrejtësi shumë e madhe, por për fat kjo u zgjidh shpejt dhe së fundmi më erdhi transferimi i shumëpritur në SQU Tiranë””,-kujton Dr.Dauti. 

PUNA NË INSTITUTIN E KËRKIMEVE MJEKESORE

USHTARAKE (IKMU)SPITALI QËNDROR USHTARAK

BUL2 Islam Dauti me kolekt mjekVitet e punës në Kukës i kishin dhënë një eksperiencë mjaft të madhe praktike. Kukësi një qytet në veri të vendit, me një industri minerare të zhvilluar në atë kohë, por edhe me një uzinë për shkrirjen e bakrit, uzinën mekanike e disa punishte të tjera që bëheshin shkas të aksidenteve të herë pas hershme. Kështu që u binte që të përballeshin me forma të ndryshme traumash, që nga ato të kokës, gjoksit, barkut apo të ekstremiteteve. Pajisjet diagnostike ishin mjaft të cunguara. Duhej të vendosej shumë shpejt diagnoza dhe të merreshin masa për ndërhyrje për shpëtimin e jetës. Këto raste nuk ishin aq shumë të rralla, por në një farë mënyre të detyronin që të vrisje mendjen, të shfletoje libra e literaturë të kohës për t’ju përgjigjur situatave.

Në Spitalin Ushtarak kishte kolegë që ishin emëruar qysh në fillim, duke marrë specialitete të veçanta. Një pjesë e mirë e tyre kishin marrë bursa specializimi në Kinë apo në vende të ndryshme perendimore, pra ai ishte me mungesa në këtë drejtim, por kishte një epërsi tjetër, atë të përvojës praktike në shumë degë të kirurgjisë. Megjithatë i duhej një punë shumë e madhe për të rikuperuar kohën 10 vjeçare të shkëputjes nga institucioni qëndror mjeksor, për këtë nuk i mungonte vullneti për të mësuar. Në specialitetin që e caktuan, atë të kirurgjisë plastike dhe të djegjes nuk e kishte menduar dhe pëlqyer, por Islami nuk kishte lluksin që të zgjidhte. Ju fut punës në drejtim të kësaj dege dhe krahas saj për likuidimin e provimeve pas universitare dhe përgatitjes për të mbrojtur në komision të specialitetit qe kishte marrë, si dhe nga ana tjetër për të vazhduar punën me temën e mbrojtjes së doktoratës për Doktor të Shkencave Mjekësore. Me familje në Tiranë u sistemua shpejt, e në këtë drejtim, siç pohon ai vetë, e ndoqi fati. Kështu që kjo ishte një avantazh. Mbas një viti pune praktike dhe teorike arriti të marrë çertifikatën e specialistit në kirurgjinë plastike dhe të djegijeve me rezultate të shkëlqyera.

Puna për mbrojtjen e temës për gradën shkencore ’’Doktor’’ vazhdonte, dhe në vitin 1987 mbrojti dhe përfitoi gradën shkencore ’’Doktor i Shkencave Mjekësore’’. 

Puna e mjekut dhe e të gjithë personelit që punon me të djegurit është shumë e rëndë krahasuar me specialitetet e tjera të kirurgjisë.

Në spitalin ushtarak funksiononte një repart i veçantë për djegjet e destinuar për ushtarakët. “Për vetë karakterin e punës në kohë paqe të tyre nuk kishim pacientë ushtarakë por kryesisht civilë, që paraqiteshin me djegje të rënda dhe shumë të rënda nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Rastet e rënda apo shumë të rënda shpesh përfundonin me vdekje, gjë e cila linte mbresë shumë të keqe te personeli dhe veçanërisht për mjekun ishte një traum. Pra, për ne veç lodhjes se madhe fizike që kërkonte shërbimi i këtij të semuri me ditë, javë e ndonjehere edhe me muaj, përfundimi, i sëmuri nuk shpëtonte. Kjo të vriste shumë, por kjo qe puna ime dhe duhej përballuar me të mirat dhe të këqijat e saj. Por nuk ishin të gjitha rastet fatkeqe, shumica, falë punës të këtij ekipi që të sëmurët të shëroheshin plotësisht dhe të shkonin pranë familjes ku merrnin përgëzimet e familjarëve”,-kujton Dr.Dauti.

Gjatë jetës së tij, me punë në këtë specialitet ka kaluar me qindra apo mijëra raste që i kujton edhe pas shumë vitesh me respekt.

Tregon Dr.Islami dhe një rast që i ka ndodhur kohët e fundit: “Po ecja rrugës dhe para meje një grua relativisht e moshuar u drejtua drejt meje duke hapur krahët, kthej kokën pas dhe nuk pashë njeri, ndërkaq ajo u afrua dhe më pushtoi me të dy krahët dhe pastaj po më puthte duart. Për një moment u ndjeva keq, por shpejt ajo ma shuajti kureshtjen. Nuk më njeh më tha, jam Liza nga Fushë-Arrësi, kam qenë e djegur në mes e poshtë. Isha vajzë e re në ato vite dhe më keni shpëtuar jetën, të jam shumë mirënjohës. Të them të drejtën u ndjeva shumë i emocionuar dhe i kënaqur që kam bërë mirë në këtë botë sa kam mundur”.

Në vitet 1989-1990 u ndërtua ndërtesa e re në  Qendrën Spitalore Universitare ’’Nëne Tereza’’. Kështu që, me një vendim të përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Shëndetësisë, u suprimua reparti i djegjes në Spitalin Ushtarak dhe u bashkua me atë civil, kështu që i gjithë efektivi mjek e infermier kaluan në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë.

Puna në këtë institucion të ri ishte më e organizuar. Stafi mjek kirurg dhe reanimator ishte më i madh, baza materiale shëndetësore më e grupuar, investimi për kushtet që kërkonte kjo sëmundje qe i konsiderueshëm për kohën që kalonte vëndi ynë. Vazhdimësia e tij ishte po e njejtë. Kishte gradën shkencore në fushen e mjekësisë ’’Doktor shkencash’’, po ashtu një CV shkencore mjaft të pasur, me publikime në periodikun shkencor mjekësor si dhe në revistat tona e të huaja. Ambicja e tijpër të zhvilluar dijet edhe më shumë në klinikën e djegies të QSU-së gjeti ambient të përshtatshëm duke fituar aftësi profesionale që të kryente tëgjitha operacionet nga me të vështirat e kirurgjisë plastike dhe asaj estetike.

Dr.Islam Dauti është autor dhe bashkautor në monografi të profilit për tekste mësimore të kirurgjisë. Ka marrë pjesë në kongrese e konferenca shkencore si brenda dhe jashtë shtetit. Është anëtar i klubit mesdhetar të djegjes me qendër në Itali, anëtar i shoqatës të kirurgjisë plastike të Ballkanit dhe të Europës.

Si rezultat i një pune intensive praktike dhe pedagogjike si pedagog i jashtëm, arriti që të plotësojë kushtet dhe kështu fitoi titullin ’’Profesor i Asociuar’’ në vitin 1999. Edhe pas kësaj nuk e ndërpreu asnjëhere aktivitetin shkencor për thellimin e dijeve shkencore për aftësimin profesional.

Mbas daljes në pension u punësua me kohë të plotë në pozicionin e zv.Dekanit të Fakultetit Mjekësor dhe Shefi i Departamentit të Infermierisë, si dhe Pedagog i lëndës së kirurgjisë në universitetin jo publik Medikom.

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Këshilli Bashkiak i qytetit të Bulqizës e nderoi me titullin ’’Nderi i Qytetit’’ me motivacion: – ’’Për kontribut të vlerësuar shkencor e profesional, të nivelit të lartë në fushën e mjekësisë, si dhe përkushtim të madh në punë në shërbim të jetës njerëzore, ku u bë i njohur si kirurg i kirurgjisë plastike dhe djegieve me tituj e grada shkencore, që ia kanë rritur emërin trevës së Bulqizës ku ai lindi’’.

Ceremonia e dorëzimit të këtij titulli u zhvillua në kinemanë e qytetit ku e nderuan shumë bashkëqytetarë e personalitete të qytetit, deputetë të zonës, familjarë dhe miq e shokë. Ishte një ceremoni mbresëlënëse, ku u përshëndet nga shumë qytetarë të Bulqizës. Pikërisht për këto vlerësime Dr.Islam Dauti i shpreh mirënjohen familjes së tij, popullit dhe institucioneve të Bulqizës dhe ndjehet shumë krenar që është bir i kësaj treve. Ndaj dhe është i gatshëm qësa të ketë fuqi, të jetë kurdoherë në shërbim të këtij populli të mrekullueshëm.

S'KA KOMENTE