Pesha e votës së 21 Qershorit

OPINION Nga Ymer Keta | Shkrimtar

109

Mëngjez i freskët maji. Kur po ndiqja  shtypin e ditës në televizion, më vjen një mesazh në telefon. E hapa, pashë emrin e mikut tim Bashkim Lami. Kishim  muaj  që lidhja jonë ishte prerë në mes, pasi unë për rreth dy muaj,  janar dhe shkurt isha jashtë  shtetit tek fëmijët dhe më pas kisha shqetëime shëndetësore. E hap mesazhin nga i cili mësova se ishte krijuar Shoqata “Bulqiza”. Gjithashtu  kishinbotuar edhe numrin e parë të gazetës “BULQIZA”. Ai më ftonte të bëhesha pjesë e këtyre aktiviteteve.  Lidhem në telefon  me Bashkimin dhe pasi u përshëndetëm, e pyes konkretisht, duke u justifikuar për humbjen e lidhjes pasi kisha probleme me shëndetin, e ndaj s’ishim takuar. E urova, i mora dhe adresën e gazetës dhe u ndamë, për t’u takuar më pas. Hapa kompjuterin dhe lexova një e nga një faqet e gazetës. Mora fletën e bardhë dhe nisa të shkruaj: “Jam i gëzuar që edhe Bulqiza (vendlindja ime) tashmë do të ketë gazetën e vet, ashtu si dhe Televizionin. Gazeta kishte rinisur rrugën e ndërprerë para disa vitesh. Koshienca më thotë se Shoqata, së bashku me gazetën do të jenë, ose do të bëhen një zë më shumë në dobi të atdheut, të banorëve të Bulqizës (qytetit të thesarit) e të krahinave që bëjnë pjesë në ketë rajon, që me ndarjen e re teritoriale behet një bashki. Ajo të ngejë zërin për mbrojtjen dhe zhvillimin në të gjitha fushat. Kjo gazetë duhet të përçojë zërin e bulqizakëve për vlerat e pakrahasueshme, duke qenë se akoma vazhdon dëmtimi i këtyre vlerave të çmuara e të pa kthyeshme të kulturës e të natyrës, deri në shkatërrimin e ekosistemit, duke hapur rrugë për të prerë pyjet për t’u pasuruar individë të lidhur me pushtetarë e jo për t’i ardhur në ndihmë komunitetit.

Bulqiza ka histori dhe për të, pak është shkruar. Por ka edhe resurse të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Nëntoka e saj është më e pasura në botë për mineralin e kromit si rajon, ndërsa banorët e saj, janë më të varfërit në vend.

Që nga shkurti i vitit 1948, në këtë minierë janë nxjerrë miliona ton krom, nga minatorë bulqizakë e nga treva të tjera të Dibrës, apo dhe nga gjithë Shqipëria. Me këtë punë kanë mbajtur familjet minatorët bulqizakë, dibranë, matjanë e mirditorë. Por brenda këtij bilanci janë edhe tragjeditë për humbjen e jetëve të mbi 500 minatorëve, të lirë e të dënuar. Sa e sa janë plagosur e kanë ngelur invalid e për to, se merr mundimin asnjeri të flasë, qofshin sindikata, apo dhe pushtetarët.

Është për të ardhur keq, kur pushtetarët lokalë bënin sehir, kur minatorët ishin futur në grevë për të drejtat e tyre, për të marrë “Statusin e Minatorit” e policia i nxirrte  me forcë, duke i rrahur e keqtrajtuar, ashtu siç vepronin serbët me kosovarët në minierën e Staritërgut.

Reforma ishte e dhimbshme pasi miniera u privatizua dhe disa minatorë dolën të pa punë. Ata që  dje vunë gjoksin e hapën galeritë, puset, traverbankët, sot  janë në gjendje të mjerueshme ekonomike e shëndetësore.

Është për t’u theksuar se politika s’ka qenë dhe akoma s’është në mbështetje të tyre. Në këtë kohë fushate elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, politikanë të të gjitha partive shkojnë në Bulqizë e u bien në gjunjë për t’u marrë votën e jo për t’u zgjidhur hallet, për t’u bërë rrugët, për  t’i ardhur në ndihmë fermerit apo blegtorit.

Ka invalid minator apo të afërm të tyre, që janë në gjendje kritike për jetën. Ata s’gjejnë dot kurim as në spitalet rurale, pasi në Bulqizë, s’ka as kirurg, as aparatura, por duhet t’i drejtohen Burrelit, Peshkopisë dhe Tiranës pasi spitalit të Bulqizës i mungojnë specialistët.

Mungon edhe energjia elektrike, që dikur ishte e siguruar për çdo shtëpi e fshat.  Ajo kishte mbërritur deri tek repartet ushtarake në Mal të Bardhë, dhe sot mund t’u vinte në ndihmë banorëve për të organizuar ndonjë mundësi për turizëm, por dhe ajo linjë pësoi fatin e pasurisë ushtarake!

Sot djemtë bulqizakë që kthehen nga emigracioni e kanë të vështirë të punësohen në galeritë e nëntokës, aty ku punuan prindërit e tyre për dekada, pa  përfituar asgjë, vetëm një pension simbolik, sa për të mbajtur frymën. Emigrantët e sapo kthyer, kanë parë jashtë shtetit se si bëhet turizmi, si punësohen njerëzit, ç’ndihma ju jep shteti, (pushteti lokal) e kur s’ju vjen kush në ndihmë ata bien pre e depresionit, sa që humbin dhe jetën ose i futen rrugës së kriminalitetit.

Banorët e Bulqizës, duhet t’u kërkojnë kandidatëve për kryetar bashkie, projektet dhe strategjitë e zhvillimit. Se po të ishte asfaltuar rruga e Malit  të Bardhë,  apo të ketë rrugë në Murriq e Balgjaj, mjaft biznesmenë apo emigrantë, do të vinin dhe të investonin fitimet e tyre në vendlindje, e jo të rrinë në Greqi e Itali vetëm për bukën e gojës.

Kam marrë kontakte me emigrantë dibranë (bulqizakë) në Itali e Greqi, deri në Amerikë të cilët më janë shprehur se janë të pakënaqur, pasi kur vijnë në vendlindje, heqim të zitë e ullirit për të pajisur fëmijët me pasaporta për jashtë shtetit. Me keqardhje ata thonë se shteti shqiptar nuk ju vjen në ndihmë kur për hiçgjë u grisin letërnjoftimet në dogana dhe kur presin me orë të tera, me gra e fëmijë, nga veprimet e qëllimshme të doganierëve grekë,  duke  i kthyer mbrapsht.  Për më keq, punonjës të pa kualifikuar në gjendjet civile të komunave e bashkive ua shkruajnë emrat e fëmijëve në pasaporta me gabime. Kjo ndodh se ka prej tyre që janë militantë të partisë, ashtu siç pati ndodhur që 40% e atyre mësuesve që jepnin mësim në shkolla ishin jashtë profilit.

E kanë  ngritur mjaft zërin,Abdurrahim Ashiku, e të tjerë si ai, po zëri i tyre po shkon në vesh të shurdhër.

Jemi në pritje të “miratimit të fondit për “Rrugën e Arbërit”, por me sa dëgjojmë dhe këtu ka zera kundër nga disa pushtetarë, qofshin këta dhe deputetë, se po  bëhet korrupsion. Nuk e hapën gojën asnjë nga pushtetarët lokalë apo deputetët, kur loti i Rrugës Arbërit, u devijua nga projekti dhe u arnua rruga nacionale. Bulqizakëve, veçanërisht banorëve përbrij kësaj rruge, ky devijim po ju kushton mjaft shtrenjtë nga aksidentet automobilistike, pasi s’kanë lënë asnjë nënkalim e mbikalim.

Deputetët duhet të ngrenë zërin e tyre për gjëra që s’shkojnë, ashtu siç bëri i nderuari Ismail Lleshi, që la mandatin, kur nuk ju realizua premtimi për “Rrugën e Arbërit”. Për të tillë ka nevojë Bulqiza e Dibra. Bulqizakët duhet ta shohin forcën e votës, e jo të gënjehen për një thes miell. Është koha të matemi shumë kur ta hedhim votën!

S'KA KOMENTE