BULQIZA KËRKON ZËRIN E BASHKUAR TË TË GJITHË QYTETARËVE PËR ZHVILLIMET QË PRESIM

Qytetarët presin që menjëherë pas zgjedhjeve të rinisë puna në të gjitha hallkat e organizimit të ri të qeverisjes vendore –Bulqiza ka resurse të mjaftueshme për të arritur në jetën e normalizuar dhe të ecet përpara si popujt e tjerë që kanë si këto pasuri. Të gjitha këto probleme që ka shpalosur koha kërkojnë vizion të ri konstruktiv dhe jo premtime që harrohen porsa merret pushteti.

393

Ardhja e demokracisë ishte për popullin një shpresë e re për një jetë më të mirë. Hapja solli për shqiptarët njohjen e realitetit europian për të drejtat e njeriut, për jetën dhe për zhvillimin industrial. Reformat e deri sotme kanë qenë të dhimbshme pasi privatizimet lanë të pa punë pjesëtarë në shumë familje që akoma bëjnë një jetë të vështirë. Me gjithë punët që janë bërë në këto vite pasi në disa aspekte jeta ka ndryshuar dhe është drejt përmirësimit, evidentohen plot probleme që kërkojnë zgjidhje. Problemet sociale janë prezent në komunitet për arësye të organizimit jo transparent dhe për financime që nuk i plotësojnë minimumin jetik për shumë familje. Gjëndja e rëndë ekonomike i shtyn të rinjtë të zgjedhin emigrimin si zgjidhje pasi nuk gjejnë punë. Shfrytëzimi i minierës sot është në një kaos organizimi dhe të moszbatimit të ligjit, me shumë humbje jetësh njerëzore dhe organizim ku nuk sigurohet zbatimi rregullave të sigurimit teknik.  Gjithashtu në minierat e Bulqizës e të Martaneshit kërkohet të futen rregulla ligjore që të përfitojnë më shumë i gjithë komuniteti dhe jo vetëm një grup njerëzish që pasurohen duke shkelur të drejtat e punëtorëve.

Investimet në infrastrukturë kanë qenë të paplota sidomos në brëndësi të jetës komunitare. Rruga e Arbërit është nisur ka shumë vite dhe janë bërë vetëm 34 km që kanë qenë rikonstruksion i aksit të vjetër të ndërtuar nga italianët në vitin 1941. Akoma nuk kanë filluar punimet në segmentin Ura e Vashës – Tiranë. Çmimet e mallrave janë të rritura ndërkohë që prej dy vitesh nuk ka rritje rrogash e pensionesh.

PAMJE E BULQIZES 2015Bujqësia akoma është në nivele ku toka punohet me krah duke mos sjellë nivel mirëqenie, por vetëm mbijetesë. Parcelizimi i tokës nuk ka si të arrihen rendimente bashkëkohore. Mungesa e ujit vaditës gjithashtu kërkon akoma shumë investime por edhe shkallë të lartë administrimi. Njerëzit akoma e kanë frikë emrin “kooperativë” dhe roli i specialistëve të bujqësisë është shumë i pandjeshëm. Mungojnë iniciativat private për shoqëri aksionere të bujqësisë. Turizmi lokal as nuk është prekur për mungesë vizioni dhe investimesh në infrastrukturë. Administratat e deri tanishme kanë qenë të mbushura me njerëz të paaftë. Asnjë komunë e derisotme nuk arriti të vetëfinancohet por vetëm prisnin fonde nga qeveria qendrore. Polarizimi politik ka dëmtuar rëndë anën cilësore të organizimit efektiv të punëve. Financimet kanë qenë shumë më të pakta se nevojat për zhvillim.

Në këtë fushatë zgjedhjesh të qeverisjes lokale me organizimin e ri të Bashkisë Bulqizë, Shoqata Atdhetare Kulturore “Bulqiza” mbështet çdo iniciativë konkrete që është në dobi të zhvillimit të këtij komuniteti. Banorët e Bulqizës, sot kërkojnë nga kandidatët për “Kryetar bashkie” dhe “këshilltarë bashkiakë” të shpalosin projekte sa më reale dhe strategjitë e zhvillimit duke qenë larg formave mashtruese të përdorura në disa raste të mëparëshme. Bulqiza ka resurse të mjaftueshme për të arritur në jetën e normalizuar dhe të ecet përpara si popujt e tjerë që kanë si këto pasuri. Të gjitha këto probleme që ka shpalosur koha kërkojnë vizion të ri konstruktiv dhe jo premtime që harrohen porsa merret pushteti.

Kërkojmë që fushata e zgjedhjeve lokale të vazhdojë deri në daljen e rezultateve pa sharje e konflikte, larg mashtrimeve e cënimit të votës së lirë, me konkurim të ndershëm të programeve e ideve që sjellin përmirësimin e jetës në këto vise me mjaft probleme që kërkojnë vizion dhe zgjidhje. Presim që menjëherë pas zgjedhjeve të rinisë puna në të gjitha hallkat e organizimit të ri të qeverisjes vendore për të bërë realitet premtimet që i janë dhënë popullit në çdo fshat.

S'KA KOMENTE