Donald Lu aksion për largimin e politikanëve dhe kandidatëve të inkriminuar, thirrje shqiptarëve për t’i ndëshkuar me votë

81

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka nisur një aksion të pazakontë politik kundër kandidatëve dhe politikanëve të inkriminuar shqiptarë. Pas rezistencës së dy partive kryesore për t’u ndarë nga bota e krimit, kryediplomati amerikan në Tiranë ka vendosur t’u drejtohet shqiptarëve, për të larguar kandidatët me rekorde kriminale. Me sa duket, negociatat mes ambasadës amerikane dhe krerëve të politikës së Tiranës, për largimin e kandidatëve të tjerë të inkriminuar, kanë dështuar.

Të gjitha mjetet e tjera diplomatike dhe politike, për dekriminalizimin, duket se nuk kanë funksionuar. Në këtë kuadër, ambasadori amerikan në Tiranë ka nisur një tur nëpër Shqipëri, duke u kërkuar shqiptarëve të ndëshkojnë me votë njerëzit e krimit, të cilët kërkojnë të drejtojnë njësitë bashkiake apo që janë sot deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë një fjalimi që ka mbajtur për studentët në Universitetin e Korçës, kryediplomati amerikan ka artikuluar disa mesazhe të forta politike.

“Ky është nje vend ku të rinjtë zotërojnë fuqinë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre dhe fuqinë për të ndryshuar të gjithë sistemin politik. Ju keni fuqinë të refuzoni politikanët kriminelë, blerjen e votës dhe retorikën e inatosur politike, por ju e keni këtë fuqi, vetëm nëse votoni. Gjatë zgjedhjeve të fundit në SHBA, 78 për qind e votuesve nën 30 vjeç qëndruan në shtëpi. Tre arsyet kryesore, që të rinjtë amerikanë thanë pse nuk kishin votuar, ishin ‘jam shumë i zënë’, ‘harrova të votoj’ dhe ‘nuk jam i interesuar’.  Shpresoj që të rinjtë shqiptarë të jenë më të interesuar sesa ata amerikanët. Më shqetësojnë veçanërisht ata që thanë se kishin harruar të votonin. Një nga gjërat më të rëndësishme që qytetarët mund të bëjnë është të jenë votues të mirinformuar”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Lu: Mos u ankoni Ndëshkoni me votë.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos ankohen për politikanët, por t’i largojnë me votë. Lu ka apeluar gjithashtu për pjesëmarrje masive në votime. “Ne kemi mbështetur forumet për kandidatët në Fier, Pogradec, Shkodër dhe Tiranë. Përvoja jonë ka treguar se kur kandidatëve u jep mundësinë, ata kanë gjëra të rëndësishme për të thënë mbi ato që duan të bëjnë për të përmirësuar bashkitë e tyre. Ka një shprehje që e përdorim ne amerikanët: nëse nuk voton, mos u anko. Të gjithëve na pëlqen të ankohemi për udhëheqësit tanë, ndaj dhe ju keni mundësinë të zgjidhni udhëheqësit tuaj, mos e shisni votën tuaj, mos e dëgjoni retorikën e inatosur politike, e mbi të gjitha, ditën e votimit mos rrini në shtëpi. Mos harroni të votoni”, deklaroi ambasadori Donald Lu. Adriatik Doçi

S'KA KOMENTE