BASHKIA E BULQIZËS DHE SFIDAT E REJA

121

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re.

Ndër problematikat kryesore të zonës mbetet papunësia, që shkon në rreth 40 për qind të fuqisë punëtore, po të kemi parasysh këtu edhe trendin e kohëve të fundit të kthimit të emigrantëve nga vendet fqinje në krizë.

Ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave urbane, veçanërisht për qytetin e Bulqizës mbeten sfida për bashkinë e re.

Si një zonë malore, Bulqiza ka problem mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve, gjë që mund të ndihmojë për shfrytëzimin e shumë maleve aktualisht të shkreta në ndihmë të banorëve. Turizmi malor dhe ndërtimi i rrugëve që ndihmojnë udhëtimin në këto zona si edhe vënia në eficencë e vjeljes së të ardhurave nga industria krom-nxjerrëse në rrugë ligjore do të ndihmonin në rigjallërimin e qytetit.

Disiplinimi i shfrytëzimit të rezervave të kromit si dhe transferimi i pjesës që i takon me ligj bashkisë së re mund të shërbejë për të fuqizuar buxhetin e kësaj bashkie.

Mbështetja me subvencione e fermerëve dhe blegtorëve, duke përmirësuar dhe infrastrukturën që lidh zonat e largëta me qendrën e Bulqizës konsiderohen gjithashtu nisma të rëndësishme për t’u ndërmarrë.

Hapja e një qendre sociale për të moshuarit dhe invalidët, ngritja dhe funksionimi i fushës së futbollit si dhe e një aneksi sportiv për grup-moshat do të përmbushnin disi shërbimet sociale në dobi të banorëve.

Bashkia e re do të duhet gjithashtu të mbrojë dhe promovojë kulturën e zonës së Gollobordës, pasi në këtë zonë mungojnë këto aktivitete për minoritetin maqedonas.

Profili elektoral i bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Bulqizës kanë të drejtën të shkojnë drejt kutive të votimit 29,150 votues. Votuesit janë të ndarë në 57 qendra votimi, nga ku do të kenë mundësinë të përzgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë, si dhe 21 anëtarët e këshillit bashkiak. Përzgjedhja e kryebashkiakut do të kryhet përmes votës për kandidatin në listën emërore në fletën e votimit. Ndërsa në fletën tjetër të votimit, votuesit do të përzgjedhin partinë e parapëlqyer dhe nga votat që merr secila parti ndahet numri i anëtarëve që i takon secilës forcë politike në këshillin bashkiak. Anëtarët e këshillit bashkiak më pas zgjidhen bazuar në numrin rendor që kanë individët në listat shumëemërore të kandidatëve të shpallur nga secila parti.

S'KA KOMENTE