Melaim Damzi: Do të diversifikoj punësimin në Bulqizë

Kandidati i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim për bashkinë Bulqizë premton autobuzë për nxënësit e fshatrave me pak fëmijë ku shkollat janë drejt mbylljes.

99

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Bulqizës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Kur themi bashkia Bulqizë duhet të mësohemi se nuk po flasim vetëm për qytetin, por për të gjithë rrethin e Bulqizës. Sigurisht që zonat Urbane kudo kanë probleme ndaj dhe do të kenë një trajtim të veçantë.

Qyteti i Bulqizës është një qytet industrial i cili është krijuar për shkak të pasurisë natyrore të Kromit dhe të mirat dhe të këqijat i kanë ardhur prej këtij minerali. Them të mirat dhe të këqijat pasi prej tij ka mbijetuar, por në jo pak raste ka qenë edhe burim aksidentesh. Konjuktura e çmimit të mineralit pas vieteve ‘90 ka qenë e lëvizshme sipas kërkesave të tregut. Fatmirësisht që ka vite që ajo ka pasur një çmim të leverdisshëm për investitorët. Por lidhja e fateve të një qyteti vetëm me këtë aktivitet përbën një risk, ndaj në strategjinë time për zhvillimin e Bashkisë Bulqizë do të kem hapjen e alternativave të tjera të punësimit sidomos të grave dhe vajzave, pasi puna në mineral e tyre është e lodhshme, por edhe shumë e papërshtatshme.

Kjo do të arrihet nëpërmjet hapjes së industrive fason, nxitjes së vetëpunësimit në aktivitete fitimprurëse.

Tashmë përfshirja në një të vetme edhe e zonave rurale do të japë mundësi të zhvillimit të turizmit rural dhe agroturizmit çka do të ketë impakt edhe në zonën urbane pasi do tu japë mundësi punësimi qoftë direkt por edhe indirekt në këtë sektor.

Do të nxisim shkollimin e të rinjve në shkolla profesionale dhe të mësimit të gjuhëve të huaja që të jenë sa më atraktiv në shërbim të këtyre sfidave dhe të punësimit të tyre.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Bulqizës?

Tashmë Bashkia e Re e Bulqizës me 7 njësi administrative ka nevojë për shumë investime dhe ndërhyrje në infrastrukturë qoftë kjo rrugore, arsimore apo shëndetësore. Sigurisht që sipas buxhetit në dispozicion do të përcaktohen edhe prioritetet. Kështu në infrastrukturën rrugore prioritet do të jetë rruga Qafe e Buallit Krastë, Ura Serbinit Zogje dhe Ostren Rruga e Librazhdit si nyje që nuk lidh një fshat por një njësi administrative apo një zonë.

Në infrastrukturën arsimore do të investohet në të gjitha shkollat në përmirësimin kryesisht me mjete logjistike dhe me pajisje të nevojshme për të bërë sa më efikas procesin mësimor. Do të shohim mundësinë që për të rritur cilësinë e mësimdhënies më mirë do të ishte investim për mjete transporti që për fshatrat me 3-4 nxënës për klasë dhe me klasa kolektive nga 1-5 të bëhet transporti i tyre në shkollat më të afërta që dhe cilësia e mësimdhënies është më e lartë.

Qendrat Shëndetësore megjithëse në disa zona janë ndërtuar të reja, ka nevojë të ndërtohen edhe konsultore në fshatra, por imediate është plotësimi me pajisje të nevojshme për shërbim të urgjencës si dhe për zonat e thella blerja e mjeteve specifike të transportit për raste emergjence.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Bulqizë dhe cilat janë ato?

Ligji për Organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal në ndryshimet e tij në përshtatje me reformën territoriale ka përcaktuar që Komunat aktuale të quhen njësi administrative dhe Kryetarët e këtyre njësive tashmë nuk do të quhen më Kryetar Komunash dhe nuk do zgjidhen me votime popullore por do të quhen administrator të njësisë administrative dhe do të emërohen nga kryetari i bashkisë.

Sigurisht që është një proces delikat dhe do kërkojë një trajtim të veçantë.

Për emërimin e Administratorëve të njësive administrative do të kem parasysh së pari aftësitë menaxheriale dhe organizative të individëve, integritetin moral dhe shoqëror por sigurisht pa lënë pas dore edhe kontributin politik të dhënë në këto zgjedhje.

Kur flasim për shkarkimin e tyre, në fazën e parë nuk kemi të bëjmë me një të tillë pasi kryetarët aktualë të njësive vendore u mbaron mandati në bazë të Ligjit, ndërsa për Administratorët e rinj, sigurisht që do të mbikëqyren dhe vlerësohen në punën e tyre. Padyshim që ata janë grupi më i afërt i punës së Kryetarit të bashkisë dhe çdo punë e mirë e tyre është vlerësim indirekt për mua dhe e kundërta.

Në rastet kur nga komuniteti i njësisë administrative por edhe nga mbikëqyrja e punës së administratorëve nga strukturat e bashkisë ka vërejtje, mangësi apo shkelje të ligjit sigurisht që shkarkimi është hapi i duhur që do të bëjë.

Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj.?)

Në fakt është bërë diçka rutinë shprehja politike në fushate që pas fitores do të vijmë tek Ju do të bisedojmë me Ju, do ti vendosim gjërat së bashku etj., por në fakt gjithmonë ka ndodhur ndryshe, që edhe në rastet kur është bërë ndonjë dëgjesë publike me komunitetin nuk janë marrë parasysh ata çka ata kanë kërkuar.

Nga natyra ime, që shumë herë për vendime që kanë lidhje me disa persona konsultohem me miq dhe shok.

Në këtë rast miq dhe shokë do të jenë komuniteti. Sigurisht jo për çdo gjë pasi dhe teknikisht është e pamundur, por për gjëra madhore që kanë ndikim direkt në jetën e komunitetit dhe që janë afat gjata do të ishte më se e domosdoshme marrja e mendimit të tyre.

Listimi i disa prej tyre në pyetjen Tuaj është adekuat. Pavarësisht se kryetari i bashkisë ka marrë qoftë gjatë fushatës por edhe më pas nga strukturat e tij problemet shqetësime nevojat e komunitet, radha e plotësimit të tyre do të përcaktohet nëpërmjet dëgjesave publike. Sigurisht që shtrirja e bashkisë tashmë në nivel rrethi e vështirëson këtë proces, por do të gjejmë forma të tilla bashkëbisedimi për të thithur sa më shumë mendimin e tyre. Pse jo edhe përdorimi i rrjeteve sociale sidomos për të rinjtë do të ishte një formë dhe dëgjesë shumë e mirë.

Nuk do të kishte kuptim, por as vlerë hartimi i planit urbanistik të bashkisë pa përfshirjen e të gjithë aktorëve të interesuar dhe komunitetit pasi është një dokument afat gjatë që le gjurmë për shumë vite në Komunitet. Të gjithë shohim pasojat e ndërtimeve të pa studiuara dhe të pa konsultuara.

Si do të përdoren të ardhurat nga renta minerare nga bashkia?

Një ndër pasuritë më të mëdha natyrore që ka sot bashkia Bulqizë është Kromi. Është ky mineral që ndër vite ka identifikuar dhe bërë të njohur edhe vetë Bulqizën. Dikur thuhej se ai çante bllokadën. Tashmë jetojmë në një sistem tjetër dhe sigurisht që miniera dhe galeritë e nxjerrjes së kromit janë privatizuar ose dhënë me koncension.

Janë dhjetëra subjekte që kanë privatizuar galeri të ndryshme në Bulqizë, por është dhe Kompania Balfin Group që ka me koncesion pusin e vjetër dhe po punon për hapjen e pusit të ri në thellësi të mëdha.

Këto subjekte kanë vërtet impakt në zhvillimin e qytetit nëpërmjet pagesës së taksave sipas Ligjit dhe të rentës minerare që është një taks e veçantë.

Do të isha me parimin që taksa aty ku paguhet aty edhe të përdoret për të bërë të mundur përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së komunitetit. Me këtë kuptoj që kjo taksë të përdoret specifikisht në qytetin e Bulqizës, në infrastrukturë të qytetit, në përmirësimin e jetës kulturore dhe arsimore të qytetit.

Padyshim që puna është bërë në qytet por ka akoma për të bërë. Kromi i jep vlerë dhe emër qytetit, por krijon edhe probleme në varësi të konjukturave. Me të ardhurat nga renta do të mundohemi që të investojmë edhe në projekte punësime të tjera që nuk kanë lidhje me kromin kryesisht për gratë dhe vajzat pasi puna e tyre në këtë sektor është e rëndë.

Çfarë masash do të ndërmerrni për rigjenerimin dhe mbrojtjen e pyjeve dhe për zhvillimin e turizmit malor?

Pak më lart përmendëm që kromi është një pasuri madhore për Bulqizën, por do të vlerësoja që pas tij pasuri tjetër me vlerë janë pyjet. Bashkia e Bulqizës, besoj se duhet të zëri vendin e parë në Shqipëri për sipërfaqe pyjore në territorin e saj. Duke filluar që nga kurora mbi qytet me malin e Dhoksit dhe duke përfunduar deri në kufi me Dibrën, Klosin dhe Librazhdin thuajse është e gjitha pyje.

Nuk i përmenda këta thjeshtë për të thënë se sa gjelbërim kemi por për të vënë në dukje se Bulqiza mund të jetë një atraksion turistik vërtet shumë i madh.

Por si është situata tashmë në këtë sektor. Ata janë dëmtuar si kudo tjetër në Shqipëri. Masive në Tërnovë, Prat, Ballenjë etj, janë prerë dhe dëmtuar masivisht. Por detyra jone nuk është që të rrimë dhe të bëjmë sehir se çfarë është bërë, por të mendojmë dhe hartojmë plane dhe strategji se ç’duhet të bëjmë. Një pjesë e tyre kanë qenë pyje komunal dhe padyshim që janë asete të bashkisë së re, por besoj që edhe ata parqe që kanë statusin parqe kombëtare do të kalojnë në administrim të bashkisë.

Detyra e parë është që të ruajmë këto pyje që nuk janë dëmtuar, duke mos lejuar vazhdimin e prerjeve të tyre por edhe duke qenë të kujdesshëm në dhënien e lejeve të shfrytëzimit të tyre. Edhe në rastet kur nuk do të jetë në kompetencën tonë dhënia e lejeve të shfrytëzimit ne do të ngremë zërin tonë fort për rastet e tentativave abuzive dhe në dëm të pyjeve.

Dhe së dyti do të jete hartimi dhe implementimi i projekteve për kthimin e pyjeve të dëmtuara në identitetin e tyre të mëparshëm. Sigurisht që është një proces i vështirë dhe i gjatë, por duhet të fillojmë ne që ta vazhdojnë të tjerët dhe tua lamë brezave pasi pylli do qindra vite të marrë formë.

Çfarë hapash do ndërmerrni për pjesëmarrjen minoriteteve të etnive të ndryshme në vendimmarrjet e Bashkisë Bulqizë?

Bulqiza nuk ka minoritete dhe as etnitete të ndryshme në këtë qytet. Sigurisht që është një qytet industrial dhe në krijimin e tij ka pasur ndikim edhe të ardhurit kryesisht nga rrethi i Dibrës, por këta kanë mbi 50 vjet që jetojnë së bashku me komunitetit autokton ose bulqizak siç quhet dhe nuk ka më dallime mes tyre. Edhe komuniteti rom dhe egjiptian në Bulqizë është në një numër të kufizuar dhe për pasoja kanë qenë dhe do të jenë të integruar.

Cilat janë rrugët lidhëse me fshatrat që ju gjykoni se kanë nevojë më imediate për t’u ndërtuar apo rikonstruktuar? Brenda çfarë afatesh synoni t’i ndërtoni këto rrugë?

Bashkia e re tashmë do të ketë në juridiksion të saj edhe zonat rurale që deri dje menaxhoheshin nga Komunat. Fatmirësisht që në një pjesë prej tyre është investuar, falë kjo edhe punës së Kryetarëve aktual të Komunave. P.sh. Gjorica ka të shtruar rrugën lidhëse me aksin nacional, po kështu edhe Zerqani.

Por akoma ka shumë nevoje për ndërhyrje në infrastrukturë. Bulqiza i ka fshatrat dhe njësitë të shpërndara në të gjithë territorin dhe thuajse të gjitha në terren malor dhe të vështirë. Do të përmendja këto: Njësinë administrative Krastë e cila në pothuajse të gjithë rrugën nga rruga nacionale deri në qytet me një gjatësi 17 km që kërkon ndërhyrje urgjente gjë që do ta bëjmë që në vitin e parë në bashkëpunim me qeverinë qendrore. Janë fshatrat e zonës së Zogjes në Komunën Shupenzë që kanë një nevoje emergjente për 5 km rrugë dhe do të jetë prioritet i vitit të parë të punës. Nuk do të lëmë jashtë vëmendjes zonën e Gollobordës me njësitë administrative Ostren dhe Trebisht. Do të vëmë si prioritet të vitit të parë rrugën nga rruga nacionale Ura Cerenecit Librazhd deri në qendër të Ostrenit të Madh.

Sigurisht që brenda mandatit të parë do të planifikojmë që një pjesë e tyre të ristrukturohen dhe të shtrohen me asfalt.

S'KA KOMENTE