Mos e shisni votën. Votoni kandidatin që ju respekton

126

Deklarata e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani në lidhje me zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015:

“Të dashur bashkëqytetarë, ka nisur tashmë fushata zgjedhore për të votuar drejtuesit vendor.

Votimi përbën një akt sublime, nga aktet më të rëndësishme njerëzore të shprehjes së vullnetit të lirë në një vend demokratik ku qytetarët shprehin preferencat për ata prej të cilëve do të qeverisen në 4 vitet e ardhshme me bindjen dhe shpresë se të zgjedhurit prej tyre do të mbajnë premtimet e ta bëjnë punën siç duhet.

Ju ftoj në këtë rast, që këtij momenti të rëndësishëm dhe delikat, t’i japim rëndësinë që meriton.

Vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve për ndreqjen e gabimeve, shërimin e plagëve, sigurimin e paqes sociale si dhe përmirësimin e gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me të tashmen e të ardhmen e individit dhe vendit në përgjithsëi.

Votimi u kujton njerëzve që nuk janë aq të ndryshëm, nuk janë shumë larg nga njëri-tjetri, se fatet e individëve janë të ndërlidhura se me vullnet pozitiv të përbashkët ndreqen shumë gjëra. Mund të përmirësohet jeta përditshmëria si dhe të gjallërohet e shtohet shpresa.

Duke votuar në mënyrë të gabuar ose duke mos votuar, jemi të pa mbrojtur e të pasiguruar. Vetëm nëpërmjet votës merrni në dorë fatet tuaja. Demokraci do të thotë të kesh dhe të respektosh një numër të drejtash themelore të individit në marrëdhënie me bashkësinë.

Një nga këto të drejta është edhe e drejta e votës, të cilën e arritëm me aq mund e sakrifica e që është një liri e paçmuar. Lirinë e votës nuk mjafton vetëm ta keni, po duhet të dini edhe ta përdorni. Përdoreni mirë lirinë e të votuarit. Nëse e përdorni si duhet, mund të jetoni të qetë në intervalin mes dy votimeve.

Nëse e përdorni keq, shpërdorimin e asaj lirie do ta vuani me pasoja, madje edhe dramatike.

Respektojeni dhe votojeni kandidatin që t’ju respektojë ju dhe veten e tij, që brengoset që sakrifikon, pse jo dhe që vuan më shumë për ju se për veten. Mos e shisni votën, ajo nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që i njollos të gjithë njësoj.

Kandidati që ua blen votën nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, ju përbuz e ju urren.

Fenomeni i shëmtuar i shit-blerjes së votës ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara. Është e mundur të ankoheni për atë që keni zgjedhur normalisht, por që nuk e ka përligjur atë besim të dhënë. Por të korrektoni dikë të cilit votën ja keni shitur, është e pamundur.

Vota nuk merret në këmbim të asnjë favori. Vota vetëm meritohet. Denonconi përpjekjet për blerjen e votës. Mos u bëni viktima të këtij gabimi fatal. Pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë.

Mbarësia e zgjedhjeve përcakton gjithçka që ka të bëjë me fatet tuaja në marrëdhënie me shtetin.

Mos lejoni që dita e zgjedhjeve të bëhet ditë pazari zgjedhjesh. Le të jetë dita e votimit siç i ka hije një vendi ku demokracia funksionon. Një ditë feste.

Zgjidhni kandidatët me vizion, bindje, vendosmëri, energji, pasion e frymëzim, kandidatët që e kanë dëshmuar se votën tuaj e meritojnë. U uroj një fushatë të mbarë e korrekte të gjithë kandidatëve në garë dhe stafeve të tyre zgjedhore”.

S'KA KOMENTE