Për ty, Bulqizë!

72

Qysh me krijimin e saj, Shoqata Atdhetare, Kulturore “Bulqiza” vendosi të nxjerrë gazetën “Bulqiza”. Për nga veprimi ky është një vendim që e marrin pothuajse të gjitha shoqatat simotra, të krijuara me shumicë në vendin tonë. Edhe misioni i tyre është i ngjashëm: promovimi i vlerave të krahinave, prezantimi i identitetit të këtyre vlerave si dhe i atraktivitetit të tyre, dobia për banorët e zonës, dobia për fqinjët e më gjerë. Natyrisht ajo që i dallon këto shoqata është suksesi i punës së tyre.
Është e qartë që për shoqatën e sapokrijuar “Bulqiza” nuk mund të flitet për suksese por, mund të flitet për një angazhim që premton suksese. Këtë pohim e bëjmë jo thjesht se “kështu na e do zemra” por edhe sepse Bulqiza, me historinë e saj, ka krijuar natyrshëm bindjen se është një trevë me një gjeografi interesante, që ofron edhe resurse “si gjithë të tjerët” por edhe resurse “jo si gjithë të tjerët”, që ka kontribuar në zhvillimet e vendit tonë edhe “si gjithë të tjerët” por edhe “jo si gjithë të tjerët” e, që për këtë arsye, duhet të zhvillohet në të ardhmen edhe “si gjithë të tjerët” por edhe “jo si gjithë të tjerët”.
A do t’a demonstrojë shoqata angazhimin serioz për t’u bërë e dobishme për Bulqizën? Brenda dëshirës sonë është vetëdija që suksesi në këtë drejtim kërkon, përveçse shumë dashuri për vendin edhe shumë punë të mençur, përveçse shumë fjalë të bukura edhe shumë vepra të arrira, përveçse shumë ëndrra edhe shumë realizime. Bulqiza e meriton këtë… Bulqizakët e meritojnë këtë.
Për të gjithë ne, banorëve të asaj treve, si dhe për të gjithë ata që kanë pirë “ujë Bulqize” ekziston vetëdija se “Bulqizës i është hyrë në hak”. Historia e kësaj treve dëshmon atdhetarizëm. Banorët e kësaj treve nuk kanë kursyer asgjë për të patur liri, punë, dije e mirëqenie… për të qenë aty në hisen e tokës dhe të qiellit të tyre me emrin e mirë të punëtorit, dijedashurit, dashamirësit, hallegjendurit, besnikut e trimit.
Vetë Bulqiza qysh herët ka hyrë në kujtesën e bashkëkombësve, si vendi i “Qafës së Buallit”, i  “Hanit të Duriçit” dhe i mirësisë së Dervish Çaushit e Baba Fejzës- simbole të të ftohtit, të bujarisë së strehimit dhe bekimit të Zotit. Pra, le të jetë e ftohtë klima e Bulqizës, atje do ketë gjithmonë një strehë të ngrohtë dhe njerëzit do jenë gjithmonë të bekuar nga Zoti për t’i dhënë vehtes punë të ndershme dhe për t’u ofruar të tjerëve ndihmë e miqësi. Por kur flitet për Bulqizën është e vështirë t’a rajonizosh atë. Shtrirja e saj nuk është thjesht gjeografi. Për shumë e shumë vite atë e ka populluar e gjithë Shqipëria. Sidoqoftë më afër saj, “bulqizakët e vërtetë”, banojnë aty përreth, e vizitojnë Buqizën më shpesh, pra bëjnë jetë Bulqize edhe pa qenë administrativisht Bulqizë. Kontributi i tyre, i djeshëm dhe i sotëm, trupëzohet në vlera Bulqize. Ja, le të ndalemi pak në këtë hartë kontributesh…
Në drejtim të lindjes, vjen  krahina e Zerqanit, kujtesa për të cilën është “fjala e mençur” dhe “pa hile”. Zerqanasit janë nderuar, por edhe kanë ditur të nderojnë. Ata i kanë dhënë emër krahinës së tyre jo vetëm duke e dashur dijen por edhe duke e përdorur atë, qoftë në vatrat e tyre qoftë atje ku u është kërkuar të kontribuojnë.
Krejt në lindje, gollobordasit, me cilësimin “ustallarë si ata”. Duke ndërtuar “çerdhen e jetës” ata kanë ditur dhe dinë t’i japin kuptim asaj për ta bërë më të mirë, si në trojet ku kanë lindur ashtu edhe në “lagjet e gollobordasve” kudo ku ato janë krijuar.
Tutje drejt veriut, në rrjedhën e Drinit, grykavoglasit kanë mënuar gjithmonë ta bëjnë “bahçe” tokën e tyre. Me përkushtimin për tokën ata kanë qenë dhe do mbeten “vitrina e lakmuar” për specat e domatet, për kastravecat e qepët, të cilat janë shijuar e do të shijohen si produkte bio. “Fushasit” e Maqellarës e kanë merituar dhe e meritojnë cilësimin “puntorët e ditur” për punët e tokës. Misri e gruri i tyre ta ngopin edhe syrin edhe barkun. Fusha e tyre i ka të gjitha kushtet për të “pjellë” edhe më shumë ato që njerzit i duan edhe në natyrë edhe në hambarë.
Në krah e përballë  lurakët e selishtasit i kanë dhënë emër blegtorisë duke shtruar “sofrën” e kullotave e pyjeve dhe kursyer në shekuj ruajtjen e virgjërisë së natyrës. Edhe pse sot zonat pyjore janë “për t’iu dhimbsur edhe hasmit”, banorët e këtyre zonave e dinë se çfarë duhet të bëjnë që pylli të mbetet pyll e kullota të mbetet kullotë. Bagëtia e tyre në treg është pranuar gjithëherë si “bagëtia e malit” dhe ne e dimë tashmë se çfarë vlere ka ky cilësim.
Të gjitha këto zona identifikohen lehtë prej gjuhës dialektore, prej veshjeve “tjetërsoj” apo prej folklorit me nerv… Nuk ka patur kurrë përplasje të fortë midis tyre edhe pse sejcila prej tyre vuante mungesën e hapsirës. Ajo që i ka bërë bashkë ka qenë rezistenca ndaj të huajit, kryesisht serbit dhe turkut, mjeshtëria për t’u kullandrisur sejcili me të tijat dhe mençuria për t’iu gjetur tjetrit në hall.
Kur për Bulqizën filloi “koha e kromit” ishin banorët e këtyre zonave që u bënë “ustallarët” e minierës, duke investuar jo vetëm punën e ndershme por edhe shpresën për një jetë më të mirë. Nëntoka ua dha me bujari pasurinë e saj dhe priti që kjo pasuri të bënte, në rradhë të parë Bulqizën, e më pas edhe Shqipërinë, ashtu siç e meritonin. Për fat të keq, nëntoka u zbraz dhe mbitoka nuk e mori atë që meritonte. Nuk është se punuan keq “ustallarët” veç djersa e tyre shkoi… “për dhjamë qeni”.
Mund të shkruash shumë sot për Bulqizën e halleve, për Bulqizën që s’e lanë të bëhej vetvetja.  Por, një “shi që bie nuk do xhuli”. Asnjëherë nuk është vonë për të bërë diçka të mirë. Dhe treva e Bulqizës i ka të gjitha për t’u bërë më e mirë. Dhe ne bulqizakët, tok me ata që kanë pirë “ujë bulqize”, duhet ta vemë vrejk “ujin në zjarr” për të “larë” Bulqizën. Me interesimin tonë, me dijen tonë, me punën tonë ne duhet të përpiqemi që “hirushen” Bulqizë ta bëjmë çdo ditë e më shumë “bijë mbreti”.
Na vaftë mbarë…për ty, Bulqizë.

Dr. Gafur Muka

S'KA KOMENTE