Udhëtim të mbarë e të gjatë

276

Udhë të mbarë e të gjatë Shoqatës Atdhetare Kulturore Bulqiza dhe organit të saj “Bulqiza”.
Jemi të  bindur se Shoqata së bashku me gazetën e saj “Bulqiza”, ashtu siç e përcakton edhe në program, do të bëhen përçuese të  evidentimit dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë njerëzore, etno-kulturore, historike dhe përvojave më të shquara të veprimtarëve, të kryera në dobi të atdheut, të krahinave e të fshatrave të Bulqizës, për mbrojtjen dhe zhvillimin në të gjitha fushat.
Unë besoj se në qendër të veprimtarisë së saj ka ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave  historike, kulturore, mjedisore të të gjithë trashëgimisë shpirtërore, natyrore, monumenteve kulturës, natyrës që në këtë trevë janë të shumta dhe që kanë nevojë jetike të promovohen e të ndihmojnë kështu në zhvillimin ekonomik nëpërmjetë turizmit. Shoqata në bashkëpunim me institucionet e tjera të qeverisjes qendrore e lokale  do të japë ndihmesë në evidentimin e vlerave, në mbështetjen ligjore, në sensibilizimin e opinionit për vlerat e tyre, duke qenë se akoma vazhdon dëmtimi i këtyre vlerave të çmuara e të pakthyeshme të kulturës e të natyrës sonë.
Sot Bulqiza ka resurse të veçanta e të pakrahasueshme me asgjë tjetër në vend. Ka shumë qendra dhe bukuri natyrore e kulturore dhe këto duhen  bërë të ditura për çdo vendas e të huaj. Që turizmi të mos kthehet në një “ëndërr” të humbur të zhvillimit ekonomik, duhet menduar dhe vepruar për një strategji të prezantimit të resurseve turistike, por edhe një prezantim të banorëve mikpritës e guidave në terren. Dhe këtë jemi të bindur se shoqata e gazeta “Bulqiza” do ta kryej më së miri. Përzemërsisht ju uroj suksese duke ju siguruar për mbështetje e bashkëpunim.
Halil BEGU
Kryetar i Këshillit Bashkiak Bulqizë

S'KA KOMENTE