Poezi nga Lumturie Gjura

437

GRI

Vendlindja ime është gri.
Aq gri, sa po kjo ngjyrë duket
edhe në ditët me diell, jo vetëm në ato me shi.

Vendlindja ime e gjitha gri.
Barku i tokës mban mineral gri
Malet po ashtu janë gri.

Ylberët i mungojnë e di.
Purgator do ta quante Danteja
Ferr a Parajsë kurrsesi.

Vendlindja ime dhe njerëzit i ka gri.

TOKËS A QIELLIT

Heshtje. Gjithëçka është në ngjyrë gri,
të kishte mbetur një copëz prej diellit.

Asgjë. Në mjegull s’të dalloj
je e tokës a e qiellit.

Apo nuk ke përkatësi?

ORË KRITIKE

Të bëhet urrejtja perëndi lumturie
të dalin duke qeshur egërsirat nga strofkullat e tyre,

të durojnë luftën njerëzit dhe të mos vdesin,
të ndihen LHL-të si aromë trëndafili.

Unë dhe ti duhet të mos gënjehemi
Mëngjesit të së nesërmes t’ia zgjasim duart.

PËLLUMBAT E MI

Unë i shoh pëllumbat e mi
që fluturojnë hapësirave.
Si njollë e bardhë duken lart
Mes brigjeve të kaltërsive
Herë afër, herë larg.

Unë i ndjell pëllumbat e mi
Gëzimin tim ndjell.

MUNDOHUNI

Nëse takoni  ndonjëherë errësirë
Mbusheni grushtin me yje.
Mundohuni ta mbyllni dritën e tyre.
Ndërmjet gishtërinjve
do të shpojnë errësirën e bardha, e verdha…

Mos u mundoni kot.
S’mund ta shuani dritën e tyre.

A KA VALLË TË TJERA?

Ka zëra që thonë se pranvera  ka ngjyrë argjendi
lulemollët përkundrazi çelin në vjeshtë,
gruri dimrit dallgëzon i artë,
vera, ah vera, për verën thonë se është thinjur.

Këta ishin zëra. A ka vallë të tjera?

EDHE PSE

Edhe pse nuk me fole
unë s’të mbajta mëri.
Edhe pse nuk të fola
Edhe pse nuk folëm,
Foli heshtja për të dy.

Pres

Malet me heshta  shpojnë qiellin
dhe ai i zemëruar shtrihet mbi të reve qefin.

Një tufë dallëndyshesh në ikje
nxitojnë si të kenë frikë prej teje.

Unë qiellin se shoh dot të vdekur
as dallëndyshet s’i duroj në të ikur.

Pres qiellin të bëhet përsëri i kaltër
dhe dallëndyshet në kthim po pres.

KERKOJ

Kërkoj kaltërsinë në ujërat e një liqeni
dhe më duket se ajo më gënjen.

Kërkoj kaltërsinë në pafundësi të qiellit
Përsëri më duket se ajo më gënjen.

Duke parë kaltërsinë në sytë e tu
e besoj dhe është e vetmja që s’më gënjen.

S'KA KOMENTE