Kontrata koncensionare me kinezët parashikon përfundimin e segmentit Qafa e Tujanit-Ura e Vashës

Rruga e Arbrit, Rruga e dytë e Kombit

326

•    Për publikun, dhe vecanërisht për banorët e Bulqizës e Dibrës, pavarësisht kundërshtive politike, rëndësi ka vullneti i përbashkët për ta nisur dhe përfunduar rrugën

Çështja e  ndërtimit të Rrugësse Arbërit, e konsideruar si Rruga e dytë e Kombit (pas asaj Durrës-Kukës-Prishtinë) duket se është drejt finalizimit. Kuvendi i Shqipërisë i ka hapur tashmë rrugën fillimit të një procedure të veçantë për negocimin e kontratës koncensionare me Shoqërinë kineze ““China State Construction Company”. Sipas kësaj procedure do të duhen   60 ditë për nënshkrimin e koncensionit për të vijuar më pas  parapërgatitjet për fillimin e ndërtimit të  segmentit më të vështirë prej 26.9 km, Qafa e Tujanit-Ura e Vashës.
Në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, gjatë diskutimit të projektligjit në fjalë, ministri Haxhinasto kishte deklaruar se “Autoriteti Rrugor Shqiptar e kishte llogaritur vlerën e projektit 28.8 miliardë lekë, ndërsa kompania kineze ka sjellë një ofertë prej 21 miliardë lekë. Bëhet fjalë për një rrugë me 10.5 metra gjerësi, ku përfshihen katër tunele, më i gjati i Qafës së Murrizës me gjatësi 2600 metra.
Sipas deputetit dibran të LSI,  Përparim Spahiu “fillimi i ndërtimit të këtij aksi rrugor është menduar të nisë në vitin 2016, nëse gjithshka shkon sipas parashikimeve, dhe do të përfundojë në vitin 2019.”  Brenda kësaj periudhe parashikohet edhe ndërtimi i Urës së Vashës dhe Tuneli i Murrizit.
Votimi në seancën plenare të datës 16 prill ishte parashikuar i ashpër, madje pati sinjale se opozita nuk do ta votonte, por në fillim të diskutimit, ish kryeministri Berisha tha se “ligji do të miratohej, pavarësisht paqartësive që e shoqëronin”.
Gjatë diskutimeve në parlament nga deputetët dhe ministrat,  kjo cështje u trajtua në disa aspekte, teknike dhe financiare, por më shumë në aspektin politik: nëse partitë dinë t’i mbajnë premtimet apo jo.
Deputeti i PD-së për Dibrën, Sherefedin Shehu tha se mbështeste përfundimin e Rrugës së Arbërit, pavarësisht kostos së saj. Por ai i kërkoi qeverisë që të mënjanojë një sërë kostosh të fshehta, të cilat do të bien në kurriz të qytetarëve. Kjo edhe për faktin se në projektin e hartuar nga qeveria e PD, vlera e projektit shkonte deri 180 milionë euro, ndërsa në parashikimet e qeverisë aktuale kjo vlerë rritet në 240 milionë euro.
Deri tani ka përfunduar segmenti Bulqizë-Ura e Çerenecit që ka kushtuar 21 milionë dollar, si dhe 60 milionë dollar kushtojnë segmentet Ura e Vashës-Qafa e Buallit dhe Tiranë-Qafa e Tujanit.
Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bulqiza” vlerëson kontributin e vyer të botuesve të gazetës “RUGA E ARBËRIT”, Musa Riçku, Bujar Karoshi dhe Shaqir Skarra, për sensibilizimin e opinionit publik e të institucioneve shtetërore, si dhe për promovimin e projektit e për trajtimin me kurajo të problemeve të hasura.
Për publikun, dhe veçanërisht për banorët e Bulqizës e Dibrës, pavarësisht kundërshtive politike, rëndësi ka vullneti i përbashkët për ta nisur dhe përfunduar rrugën.

S'KA KOMENTE