Melaim Damzi – drejtimi i duhur për Bulqizën

161

Në garën për kreun e bashkisë Bulqizë Melaim Damzi, hyn si kandidat i Koalicionit Për Shqipërinë Europiane. 47-vjecari Damzi premton të “zbardhë” Bulqizën. Ai ka kryer shkollën 8-vjeçare dhe të mesme në qytet Është diplomuar për mjekësi të përgjithshme dhe në vitin 1991 ka filluar punë për herë të parë në Bulqizë. Më pas, pas specializimit për kirurgji të përgjithshme, ka qenë mjek në spitalin rajonal të Peshkopisë, deri drejtor i këtij spitali. Deri para se të hynte në këtë garë ai ishte Prefekt i qarkut Dibër. Ka qenë kryetar i PS-së për Dibrën, por u shkëput prej saj në vitin 2011, duke kaluar tek LSI.
Melaim Damzi ka lidhje të veçantë me rrethin e Bulqizës që në rininë e tij të hershme. Ka qenë banori i këtij qyteti, ku prej kohësh punon dhe banonin vëllezërit e tij më të mëdhenj. Njohjet dhe lidhjet e tij me banorët e qytetit  të minatorëve janë të vjetra e të shumëllojta, me të gjitha zonat dhe shtresat sociale. Aty më vonë ka filluar edhe profesionin e mjekut ku ka lënë mbresa të veçanta dhe ka kultivuar ndjenjë të fortë mirësie dhe respekti për të gjithë qytetarët. Si kirurg në spitalin e Bulqizës ka shërbyer dhe ka punuar parreshtur, në përmirësimin e Shërbimit të Urgjencës së Kirurgjisë.
Në fillim të garës së tij elektorale ai u është drejtuar miqve nëpërmjët statusit të tij në fb me këtë mesazh:
“Të nderuar miq,
Vendimi i Koalicionit Për Shqipërinë Europiane, për të më besuar mua kandidimin për Kryetar të Bashkisë Bulqizë ishte sa përgjegjësi, aq edhe vlerësim.
Unë kam jetuar dhe punuar në qytetin e Bulqizës, duke filluar që nga punëtorë në Minierën e Kromit deri në kirurg në Spitalin e Bulqizës.
Kam aq shumë miq e shokë në këtë qytet dhe rreth, saqë e them me bindje që janë më të shumtë në Bulqizë se sa në Peshkopi. Nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë rast që të kem kaluar në Bulqizë dhe të mos jem detyruar të ndalem për shkak të këmbënguljes së miqve dhe shokëve.
Për mua Bulqiza është një, është e të gjithëve, qoftë e atyre që kanë origjinë nga Bulqiza por edhe e atyre që kanë ardhur nga të gjitha fshatrat e Dibrës dhe Bulqizës dhe kanë ndërtuar aty jetën. Ata janë nga të gjitha anët, që nga Reçi, Dardha, Luznia, Selishta e deri në Maqellarë. Ata tashmë janë bulqizakë dhe janë të lidhur me Bulqizën si me vendlindjet e tyre.
Unë mendoj se një ndarje në bulqizakë dhe jobulqizakë nuk ekziston përderisa të gjithë jemi pjesë e së tërës.
Lidhur me përkatësinë politike si përfaqesues i LSI-së ju sqaroj se unë jam kandidat i koalicionit PS – LSI dhe si i tillë nuk shoh dallime politike. Jemi të gjithë në një rrugë dhe për një qëllim: Ta bëjmë Bulqizën qytetin që meriton të jetë; dallimet janë të parëndësishme.
Dhe sigurisht që për të arritur një qëllim të tillë ne do të kemi nevojë mbi të gjitha për mbështetje dhe bashkëpunim reciprok. Me kontributin në qytetin tonë të vogël mund të kemi një ndikim të rëndësishëm në përparimin e të gjithë vendit tonë.
Ju uroj të gjithëve mbarësi dhe shëndet
Me respekt,
Melaim Damzi
Kandidat për Kryetar Bashkie i koalicionit PS – LSI

S'KA KOMENTE