“Qytetar Nderi” i Peshkopisë, Bulqizës dhe Fushë Bulqizës, Lutfi Hanku

LUTFI HANKU – PROFILI I MËSUESIT DHE SHKRIMTARIT DISIDENT QË SFIDOI DIKTATURËN

497

•    Pushteti i frikës pasi diktatura ekzekutoi drejtorin e parë të Shkollës Unike, Edip Tërshana – burrin e diturisë që formoi të parën Parti Demoktratike në Shqipëri
•    Si i shpëtoi arrestimit pas Fletë-Rrufesë ndaj policëve që nuk vrisnin qentë rrugaçë?!
•    Njolla në biografi, që e shoqëroi gjatë gjithë kohës së diktaturës si dhëndërr i  “armikut të Popullit”, Zenel Shehu

Para pak ditësh, mësuesi i talentuar dhe shkrimtari disident dibran, Lutfi Hanku mori titullin “Qytetar Nderi” i Peshkopisë. Në një atmosferë festive ku ishin të pranishëm shumë intelektulë të shquar dibranë, mësues, shkrimtarë e artistë, Këshilli bashkiak i qytetit verilindor nderoi mësuesin, ish normalistin, unikasin dhe pedagogjikasin e parë, shkrimtarin e mirënjohur Lutfi Hanku për kontributin e çmuar dhe fisnik në edukimin e brezave dhe progresin e diturive në lëmin e pedagogjisë e letërsisë.  Kjo për faktin se ai me përkushtim maksimal ka kryer misionin e shenjtë të arsimimit të gjeneratave të shumta. Këto merita të intelektualit, demokratit dhe kuadrit shembullor Lutfi Hanku i evidentoi më së miri kryebashkiaku Ilir Krosi, në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë së dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Peshkopisë”. Vlerat njerëzore çmohen kështu nga njerëzit e mençur. Kjo sentencë, bashkudhëtare e historisë së njerëzimit, gjen mishërim të plotë në propozimin dhe në vendimin e këshillit bashkiak të qytetit verilindor për t’i dhënë mësuesit dhe shkrimtarit disident titullin “Qytetar Nderi i Peshkopisë”. Kurorëzimi i këtij titulli sinjifikativ, ndodhi gjatë një ceremonie mbresëlënëse që bashkia e Peshkopisë organizoi më 7 mars 2015 në pallatin e kulturës të këtij qyteti. Këshilli Bashkiak i Peshkopisë vlerësoi kështu kontributin e jashtëzakonshëm të mësuesit e krijuesit të nivelit të lartë, vlerat kombëtare që ai përfaqëson në mbështetjen, zhvillimin dhe masivizimin e arsimit dhe kulturës në vendin tonë.
Lutfi Hanku, – një nga korifenjtë e vërtetë të kulturës dhe arsimit kombëtar në Dibër, ndjehet tejet i nderuar si “Qytetar Nderi” i dy qyteteve: Peshkopisë dhe Bulqizës dhe i komunës Fushë Bulqizë.Ai lindi në Zerqan të Dibrës më 4.4.1930 nga një familje e mesme, patriotike, me besim bektashian. U rrit jetim. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje. U aktivizua si pionier në luftën kundër pushtuesit italo-gjerman. Mbas çlirimit të atdheut vazhdoi studimet në Normale të Elbasanit dhe Uniken në Peshkopi. Më 1948-1952 ndoqi shkollën pedagogjike në Peshkopi dhe e mbaroi në Shkodër. Punoi me përkushtim si mësues në shkollën 7-vjeçare të qytetit të Bulqizës, Kastriotit, Zerqanit dhe inspektor arsimi. Më 1956-1960 mbaroi Universitetin Shtetëror të Tiranës, fakultetin Histori-Filologji. Nga viti 1960-1992 – mësues i gjuhës shqipe në shkollat e mesme të qytetit të Peshkopisë. Ka drejtuar rrethet letrare të shkollave, bibliotekat dhe aktivitetet shkencore, kulturore, artistike. Nga një rrëfim brilant del qartazi potenciali i tij intelektual, disidenca dhe krijimtaria tejet produktive e cilësore letrare, që e fut atë me dinjitet në analet e historisë së letërsisë shqipe.

Koha kur vuanim urinë e “komunizmit të luftës”

Në memorien e prof. Lutfi Hankut ruhet e freskët vjeshta e vitit 1945, kur në Peshkopi u ndez drita e diturisë. U çel Shkolla Unike në shtëpinë e Rushdi Shehut. Skllavëria e analfabetizmit u trondit.
Në vitin e dytë shkollor erdhën nga Normalja e Elbasanit tre nxënës:Zejnel Sula, Lutfi Hanku, Adem Sollaku dhe nga Shkolla Teknike e Tiranës,Mois Cami.
Kontigjenti i ardhur në Unike qe rezultat i kërkesës këmbëngulëse të intelektualit demokrat, Edip Tërshana, për të hapur pas dy vitesh Shkollën Pedagogjike.
Shkolla me konvikt kaloi në Dobrovë në shtëpinë e Abdulla Mehmetit. Uniken e vazhduan dibranët: Avni Agolli, Adem Sollaku, Emin Jashari, Halit Doçi, Ismail Hoxha, Ilir Ramizi, Ismail Erebara, Jashar Kaci, Lutfi Hanku, Mois Cami, Mefat Shehu, Nehat Tërshana, Rushdi Ndreu, Selaudin Trepça, Fehmi Ndreu, Vera Nura, Zejnel Sula, Zyber Ndreu.
Drejtonte shkollën Edip Tërshana që jepte lëndët shkencore, ndërsa lëndët humanitare i jepte mësuesi Hysni Alimerko nga Vlora.
Në dritë-hijet e asaj kohe L.Hanku veçon vetësinë, sakrificat e mbijetesës për të fituar dije që të varrosej errësira e padijes me atë mentalitet, dëshirë e botë të asaj moshe e kushtesh.
Ulej konviktori i mërdhisur nga të ftohtit pranë fenerit ose dritës së mekur të qiririt, duke nxjerrur sytë mbi dispencat e shkruara me ciklostin. Pa zjarr. Këmbët akull dhe të enjtura, të lagura në opinga të grisura.
Drejtori i Konviktiti, Prrenjasi, hetonte nën syzet miopike bisedat e fshehta të adoloshentëve. Më të tmerrshme vinin netët e acarta dhe parazitët. Sido, Prrenjasi shpirtkatil ndjehej mirë.
“Në kohën e lirë ne vraponim tek ndërtesat, që po ngriheshin për zyra në bulevardin e qytetit. Prisnim të kapim ndonjë thes bosh çimentoje. I bënim fletore për shënime dhe për detyra mësimore. Ky refren me zor kapërcëhej edhe pse shkollarët në netët e ditët e uritura mbanin shpirtin me 250 gram bukë misri në 24 orë. Ne vuanim urinë e “komunizmit të luftës”. Por, sido që vuanim, e quanim “lumturi”, të cilën e duartrokisnim duke falenderuar partinë që na hapi dritën e syve”,-kujton prof.Lutfiu, i cili në botën e nxënësit ka mbledhur copëza të jetës si më tipike të asaj kohe.
Edip Tërshana dhe Hysni Alimerko kanë mbetur të zgjuar si personalitete me plagë dhembjeje në vetësinë e Lutfiut e të disa shokëve të tij.
Diktatura nuk e la drejtorin Tërshana të ndezë i pari dritën e ëndrrës më të bukur të patriotizmit: – Hapjen e Shkollës së Mesme Pedagogjike! Akoma krismat e “sharrsit” që derdhi plumba mbi jetën e mësuesit demokrat, zhurmojnë në lëngatën e asaj nate të trishtuar të qytetit të Peshkopisë e të Lutfiut…E vranë burrin e diturisë që formoi të parën Parti Demoktratike në Shqipëri!

Kur qyteti ndrydhej nën kërcënimin e terrorit të kuq

Ambjenti i sajuar për shkollë i një shtëpie me oborr të ngushtë e dhoma studimi e fjetje si kotec, malli për prindërit, mosambjentimi me parazitët, uria dhe vetëm një banjë dërrasash për 50 nxënës, një ditë i detyroi konviktorët nga Homeshi të “arratiseshin”.Të nesërmen, burri i mençur, Rakipi, babai i Shemës, njerëzor e arsimdashës, mblodhi unikasit e larguar dhe i solli në kosha mbi kuaj në Peshkopi.
-Erdhën manjanët!-thirrën të gëzuar konviktorët.
Zhurma nxorri nga zyra dhe Prrenjasin e mërzitur dhe dimëror.Vështroi me cinizëm “të arrtisurit”. Ligësia e karakterit iu shfaq në buzët e dridhura me një nënqeshje të hipokritit të egër tek vështronte konviktorët që përqafonin Rakipin.
-Hajt, të gjithëbrenda. Ti nuk e dëgjove zilen?! – kërcënoi Lutfiun.
-Kadalë, bre drejtor! – ndërhyri babai i Shemës.
– E njeh atë?
– Si jo!….Zerqanas….. Ti je prind për të gjithë,- i tha me urtësi drejtorit.
Mesnanat mbyteshin në terror.Sharrsët korrnin jetë njerëzish. Ndërsa mëngjezet e ngrira zgjonin Peshkopinë me këngët e konviktorëve, nën presionin e zërit të çjerrë të Prrenjasit, një refren i detyruar. Por tek ura e qytetit mekeshin zërat e trembur të rreshtit. Në mes të sheshit të pazarit vazhdonte trekëmbëshi i vdekjeve me litar për kundërshtarët e komunizmit. Kënga shuhej nën mërmërima zërash. Nuri Prrenjasi tërbohej. Qyteti ndrydhej nën kërcënimin e terrorit të kuq.
Edhe mes klithmës së terrorit, unikasit u bënë promotorë të zhvillimit arsimor e kulturor të qytetit. Ata derdhnin vullnetet rinore përmes kulturës, artit e sportit si: Ismail Hoxha, Zejnel Sula, Vera Nura, Ismail Erëbara, Moisi Cami, Lutfi Hanku, Nuri Abdiu, Shemsi Manjani, Skënder Sharku. Nehat Tërshana, Mefat Shehu etj. Lutfiu i përmend me nostalgji prindërt e shokëve të shkollës, si: Nëna e Selaudin Trepçës, Netën e Vera Nurës, nënën e Halit Doçit që vinte mes dimrit nga Lura, nënën e Skënder Sharkut dhe të Selaudin Trepçës, etj.

Modeli i urtësisë, bukuria e ndjenja humane e karakterit të dibranit

Shkrimtarit të mirënjohur dibran Lutfi Hanku, nuk i shuhet nga kujtesa babai i Nuriut, Hazis Abdiu. Ai takonte jo vetëm “çunin” por dhe shokët e tij. Veçanërisht i pyeste për mësimet. Fjalët e ëmbla prindërore dhe të kursyera e me takt e bënin të adhuruar.
-Nuri, ato që të dhashë, mos i ha vetëm. Dëgjove?!”, e mban mend Lutfiu edhe sot porosinë e bujarit të paharruar. Çdo javë vinte Hazizi në Peshkopi.Nuriu nuk hante gjë, vetëm ç’i sillte i ati.Bënte dritë bulevardi i Peshkopisë nga burri i gjatë me hije dibrani.Ndritte qylafi i bardhë, i pastër borë mbi mijëra qeleshe të tjera pazarëlinjsh.Këmisha e xhaketa si t’i vishte taze nga dyqani.Tirqit me gajtana për marak e opingat lidhur me gjalma, temis.Aq të pastra sikur nuk kishte ecur një orë rrugë, nga Sohodolli në Peshkopi.
Të gjitha harmonizonin hijeshinë e kulturës së malësorit. Në unison me tiparet burrërore lexohej tek ai modeli i urtësisë, bukuria e ndjenja humane e karakterit të dibranit.
“Hazizi i heshtur, edhe me prezencë rrezatonte vyrtyte fisnikërie e prindërore. Atëherë mendoja për babanë tim që nuk arrita ta njihja…”,-kujton shkrimtari i mirënjohur dibran.
Edhe Lutfiu i mblidhte shokët tek “menxa e trapit”. Hanin bukë thatë për të shuar urinë. Ua gatuante kushërira, Hide Sinani (Hanku).
“Nuk vdesin këta njerëz në vetësinë time”,-thotë Lutfiu.

1948. Shtator i qeshur. Vit historik arsimor.

Bulevardi i Peshkopisë ndjeu hapa rinorë. Hapi krahët e ngrohtë miqësorë. Në anë të tij naltohej ndërtesa e Shkollës Pedagogjike. Sa kishte shkundur nga trupi skelat ndërtuese. I dhanë jetë nxënësit e kthyer nga aksioni tre mojor për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin..Këta vullnete të lodhura gjithë “pushimeve verore”, portë gëzuar, midis të cilëve Lutfiu me Zejnel Sulën, Skënder Sharkun e Ismail Erëbarën nuk e fshehën entuziazmin duke uruar ardhjen e peqinasve Besnik Bedalli e Milaim Peza dhe të kukësianëve Shefqet Hoxha, etj në kolektivin e parë të Pedagogjikes. Shkolla mori një krenari të heshtur dhe frymëmarrje të gëzuar jete.
Kur e pyeta për shokët e pedagogjikes, i qeshën sytë mësuesit e shkrimtarit, tashmë në moshën 82-vjeçare.Mendohet dhe derdh fjalë shpirti duke u ndodhur përballë vetësisë: “Çdo kohë vjen e shkon me njerëzit e vet”…

Kalvari i shkrimtarit disident. Mbështetja
që i dha ish ministri i arsimit Bedri Spahiu

Viti i dytë solli mësues indiferentë, të ftohtë me drejtorin, autoritarë e fashistë në karakter, si Pandi Cicin.
I zgjohen ato vite me një nerv të sëmurë, ankues e me dhëmbje.
Nxënësi Lutfi Hanku në atë kohë u pranua në parti. Bashkëkohësit kujtojnë se si sekretari i organizatës krijoi një urrejtje artificiale, sepse Lutfiu nuk u bindej urdhërave të mbrapshta të filozofisë të tij të spiunit dhe nuk zbatonte kështu detyrat e partisë.
Ai nuk harron profesor Sinjarin me “profecitë” e tij. Por nuk harron as “lugatin” N.Prrenjasin, sekretarin e partisë në shkollë. Ai mblodhi rreth vetes nxënës, “aristokratë” me rolin e hetuesve që raportonin çdo “mëkat” të shokëve. Ndodhi që një nxënës shkeli bishtin e  gjarpërit. Ndaj e thirri sekretari.
–    E di ti ç’është komunizmi i luftës? – më pyeti Prrenjasi.
–    I lë katundarët pa bukë?! Shkova të shuaj urine në Zerqan. Edhe ata vuanin për më keq e më keq.
–    Kështu iu përgjigje dhe drejtorit të shkollës?!.
–    Po. Më pyeti. I thashë të vërtetën.
–    Do ta vuash. Kupton?
“Hetuesit” e kishin informuar dhe për gjynahe të tjera.
Pedagogjikasi nuk i përballoi trysnitë amorale të shpifjeve të Nuriut e Pandit, as dhe tëdy “shokëve” të tij. Një ditë ata e larguan nga shkolla. E përcollën vetëm lotët e Skënder Sharkut.
“….Edhe vllau im kaloi kufirin. Serbët e vranë. Të mos e bëjsh atë gabim…Lutfi e quanin dhe atë”,-e këshilloi shoku.
Largimi nga ajo shkollë mbeti plagë e hapur që e shoqëroi si dhëmbje e hidhur, sa brenda karakterit të botës morale i dridhen edhe sot ato dritëhije të fshehta të shpirtit.
Ai punoi dy muaj në minierë. Mblodhi ca lekë.
“Plangprishësi” nuk u zhduk as si hije në terrin e natës. Lutfiu e duroi egërsinë.
Ministri i Arsimit, Bedri Spahiu, i dha të drejtën e vazhdimit të pedagogjikes në Shkodër. Ngrohtësia shoqërore, takti pedagogjik, veçanërisht i drejtorit Shaban Arra, e mësueses së gjuhës shqipe e letërsisë, Arsinoi Bino, korrektesa dhe respektimi i nxënësit si individ i lirë e me personalitet, ndërgjegjësimi i vetëgjyqësimit, nxitën premisat e dhuntive të përgjumura e melankolike të nxënësit dibran Lutfi Hankut, ashtu si dhe të kukësianit Havzi Nela, shokut të ngushtë.
Më 1952 mbaroi pedagogjiken dhe u emërua mësues në Fushë Bulqizë dhe në 7-vjeçare nate drejtor i shkollës së qytetit Bulqizë. Pas një muaji transferohet në shkollën 7-vjeçare të Kastriotit.Në Konferencën Kombëtare të Arësimit u cilësua “Mësues i dalluar”.
Më 28 Nëntor 1953 krijoi familje me të bijën e “armikut të popullit”, Z.Shehu.
Pas një viti shkon në 7-vjeçaren e Zerqanit dhe më 1954 Inspektor i Arsimit.
Më 1960 Lutfi Hanku mbaroi Universitetin Shtetëror të Tiranës, duke plotësuar kështu ambiciet arsimore, dëshirat e pasionet e të riut për dije dhe me përkujdesjen e heshtur të pakursyer të Rrahman Hankut të paharruar.

Pedagogjikja që u shndrua në “Universitet të Dibrës”

Porta e hapur e dashurisë së parë, – shkolla pedagogjike e priti dhe nxënësin e fillimit të saj më 1948, tani mësues.Aty gjeti Zenelin, Moisin, Ismailin dhe Shemsiun, të cilët mbaruan studimet e larta më parë.
–    Mirëse erdhe Lutfi Hanku! – uroi Ismaili.
–    Ikëm prej këtu nxënës dhe u kthyem mësues,-tha Zeneli, drejtor.
Këta mësues, e të tjerë pas tyre pasuruan me vlera shkencore dhe rritën emrin e pedagogjikes, sa e quajtën “Universiteti i Dibrës”. Prej saj mësuesit e ardhshëm fitonin dashurinë për profesionin e mësuesit, vyrtytet e karakterit dhe formonin personalitetin e tyre, krahas lëndëve shkencore e shoqërore.
“ Autoritetin shkencor dhe rrezatimin e kulturës së shkollës e drejtonte me art përmes këshillit pedagogjik drejtori i kompletuar shkencërisht Zejnel Sula. Ai, edhe kur ishte nxënës, “në kohën e lirë kur ne bënim zhurmë e loznim, rrinte si skllav mbi libra duke akumuluar dije”. U rrit e u formua në Unike e Pedagogjike si një simbol apo metaforë e bukurisë shkollore”,-shprehet shoku i tij, Lutfiu. Mësuesi e shkrimtari brilant nuk ndan nga vehtja shokun e universitetit, Osmanin merakli në përgatitje, Shemsiun, Munirin, Oruçin, Tahirin, Semiun etj. Kujton gjallërinë e Ismailit që hynte në Këshillin Pedagogjik me xhaketën e bërë bardhë me pluhur shkumësi, lëvizjet nga pasioni para tabelës së zezë që e mbushte me ekuacione, mes qetësisë e vëmendjes së nxënësve. Fol, shkruaj dhe fshij, i futur në magjinë e numrave me plus minuse deri sa t’ua regjistronte në mëndje nxënësve. Ndodhte kur në fanatizmin e ligjit të numrave “ikte” harmonia shkencore, atëhere nervoziteti “hante” mësuesin Ismail, por ai nuk “dorëzohej”, derisa t’u pjestonte shpirtin human e t’ua ndante secilit mësues të ardhshëm. Atëhere nxënësit e ndjenin se rriteshin dhe dilnin nga klasa të fituar e të kalitur me vullnet si mësues.
Në albumin e kujtesës së mësuesit Hanku gjelbëron emri i Nevrezit. Atë nuk mund ta fshehë mjergulla e harresës, as ta tresë mermeri i bardhë. Ajo rrezaton në jetësinë shkollore të nxënesve dhe kolegëve.Troket ajo ndërgjegjeve me sinqeritetin njomëzak të qytetares. Mësuesja “hap portën” e pedagogjikes dhe “hyn”brenda me hartë e çantën e librave, edhe sot:. Pedagogjikasit e njohin zërin e kthjellët metalik tek ecën shpejt, me elegancë qytetare. Krahas Shemsiut fol e qesh. Te nxënësit e kolegët ka mbetur përkushtimi i Nevrezit, ledhatimi e dhëmbshuria prindërore e mësueses.
Ajo jep mësim…! Dëgjojeni! Unë e dëgjoj!
E dëgjon shpesh Shemsiu zërin dridhës e nganjëherë nervoz. I pëshpërit malli për dy fëmijët: Shemso! Por vetëm ai e dëgjon.Mijëra imazhe të saj para syve ringjallen, e kujton kolegu Hanku.

Mësuesi që “nxinte” punën e Partisë nxori profesorët, ministrat e artistët ardhshëm

Në vitet ‘’60-të u shtua gramatura e bukës së konviktorëve. Disa filluan të gjuanin mbi njëri-tjetrin me saçme buke. Ky veprim ra në vesh të Komitetit të Partisë. Sekretari i Parë mblodhi kionviktorët. Ngriti të flasë ish konviktorin e vitit 1948 për vështirësitë e asaj kohe, Lutfi Hankun. Ai u kujtoi: “konviktori hante 250 gram bukë misri në ditë. Mbetej gjithnjë i uritur. Me drita feneri mësonim, të palarë e pa zjarr, e të tjera!?…”.
Mbledhja mbaroi në heshtje. Duke dalë sekretari i foli ish konviktorit Hanku:
–    Ti e nxive fare punën e Partisë!
–    Unë nuk i thashtë të gjitha,- u përgjigj i ndrojtur mësuesi.
Pas pak ditësh mësuesi u ndodh përballë me sekretarin e parë.
–    “Shoku sekretar!” – guxoi mësuesi.
–    Ç’deshe?,u përgjigj i vrejtur e mospërfillës.
–    “Konviktorët nuk lujnë më me bukë”.
–    Heu, vërtetë?!,-u përgjigj i çuditur sekretari i parë.
Por sekretari nuk e harroi se mësuesi L.H e kishte nxirë punën e Partisë.E hoqi ca vite nga shkolla pedagogjike.
I ndërgjegjësuar për misionin fisnik të mësuesit, Lutfiu, veç njohurive të programuara shkencore, mundohej që nxënësit të dilnin sa më të kompletuar e të pjekur, dhe me kulturë artistike.
Dramat e vëna në skenë me nxënësit aktorë nga mësuesi regjisor, si “Përmbysja”, “Cuca e Maleve”, “Përmbytja e Madhe”, “Duke gdhirë viti ‘’45”, “Shtëpia në bulevard”, disa numra estrade dhe ansamblet në shkollën pedagogjike e bujqësore e rritën emrin dhe vlerat në konkurimet me shkollat e mesme të Republikëssinë Elbasan, Shkodër, Rrëshën, Berat, Bulqizë e Peshkopi dhe pothuajse në gjithë zonat e Dibrës gjatë pushimeve të verës, duke sjellë çmime kombëtare, medalje e dëshmi të sukseseve artisike.
Profesor Luti i mban në mëndje pedagogjikasit, bujqësorët e gjimnazistët, ish nxënësit e tij: Kudusi Lama, Myqerem Tafaj, Fehmi Abdiu, Nexhmi Dumani, Qani Përtafi, Shaban Sinani, Agim Basha, Zymbyle Zeneli, Arian Kadiu, Lumturie Rexha, Enver Hysa, Lirie Rexha, Natasha Shehu, Përparim Sinani, Fiqiri Novaku, Alie Zhulali, Sali Onuzi, Alleta Martini, Kamber Farruku, Faik Xhani, Reshat Kola, Gëzim Shatku, Vangjel Petri, Latif Okshtuni, Fiqiri Duriçi, Hysen Uka, Baftjar Gazidede, Ramazan Ilnica, Bujar Pata, Bujar Shehu, Agim Shehu, Musa Riçku, Lavdrim Shehu, Syrja Stafa, Kujtim Leka, Shpresa Agolli, Defrim Methasani, Hasije Deva, Nexhmije Cani e shumë të tjerë.

Si shpëtoi mësuesi nga një “incident politik”

Kujton mësuesi edhe një datë: mëngjezin e gushtit 1967. Ai hypi shkallëve të ngushta të Degës së Punëve të Brendëshme, i shoqëruar nga polici.E kishte thirrur kryetari, Zija Kambo për një “incident politik”.
Një “Tacibao” (Fletë – rrufe) fajësonte policinë pse nuk vriste qentë rrugaçë që prishnin qetësinë e qytetit.Ajo mbante firmën e mësuesit L.Hanku.
–    “Ti ke fyer policinë e popullit! Policia nuk vret qen, por armiq e diversantë”,-bërtiti me ton të ashpër kryetari, sa hyri mësuesi në zyrën e tij.
–    “Nuk e paskam ditur që policia nuk vraka qen”,u përgjigj mësuesi me indiferencë.
–    “Ti ke nxjerrë mllefin për pushkatimin e vjehrrit tënd”.
–    “Mos më paragjykoni shoku kryetar”.
Si u qetësua pakëz, duke zhbiruar fytyrën e mësuesit, vazhdoi:
–    “Ti vjen nga një familje shumë e mirë. Por e ke mbyllur rrugën e avenirit. A kishe pak femra që të krijoje familje?!”
Mësuesi u kthjellua dhe e kuptoi hallin e tij.
–    “Faleminderit shoku kryetar! Me atë grua më lidhi fati. Ajo sot lindi vajzë…”.
Heshtja e kryetarit ishte e lexueshme. Por prapë e ngacmoi mësuesin:
–    “Përse nuk të mbajti Universiteti?!”
–    “Paragjykimi….Biografia…Telefoni…”
………………………
Mësuesi u kthye nga materniteti. Ndjeu të qarën e vajzës së sapolindur. Një jetë tjetër i gëzoi shpirtin për herë të parë, më 20 Gusht 1967, Kozeta, pas 15-vitesh martesë me Hazbie Shehun!

Në laboratorin krijues, një arsenal
veprash dinjitoze të Lutfi Hankut

Tingëllon përgjithësuese për mësuesin vlerësimi i gjeneralit Kudusi Lama në librin e shkrimtarit H.Katana, “Gjenerali i luftës”: “….Lutfi Hanku, si një psikolog i mirë kuptoi se kishte të bënte me një djalë të mprehtë, me zgjuarsi të theksuar natyrale që ngacmoi këtë dhunti, duke e inkurajuar të lexonte libra, veçanërisht artistikë. Futja në botën e librave i shtoi dëshirën dhe për të shkruar”. Ky mësues mbeti i paharruar dhe “idhulli im””,-shprehet në libër general Kudusi Lama.
Mësuesi e ndjeu si shpirtëzohet dashuria në vetësinë e tij për nxënësit që materializohen si emisarë të dritës. Me shpirt të ndezuar krijuesi fitoi besimin e hyrjes me vullnet e guxim në botën e vështirë të letrave. Ndonëse me vonesë, ai derdhi në letra frutet e mendimit me artin e fjalës së shkruar.
Mësuesi i gjuhës shqipe dhe letërsisë botoi mbi 100 shkrime, me të cilat ndjeu shijet e para të kënaqësisë së heshtur krijuese, nga skicat, tregimet, reportazhet, monografitë historiko-letrare. Këto i botoi në shtypin qëndror e lokal të kohës së monizmit e të pluralizmit demokratik dhe në pesë vëllime me autorë të njohur. Njëherësh Televizioni Publik Shqiptar shfaqi tre telefilma me skenarë të shkrimtarit, si dhe krijime poetike të këngëzuara nga kompozitorë dibranë. Redaktime të shumta e parathënie botimesh dhe kritika letrare mbajnë firmën e tij. Në 3 Almanakë “Dibra” ruhen pjesë të krijimtarisë së shkrimtarit. Si studjues e hulumtues ka referuar materiale historike, letrare e artistike dhe gjuhësore. Në konkurset e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Dibrës ka frituar 5 herë çmime të para.
Viti 1974 kënaqi më tej ambicjen krijuese të mësuesit.Botoi librin e parë “Nëpër gjurmët e Heroit”. Pas një viti ribotoi “Nazmi Rushiti”. Kritiku Xhezair Abazi në gazetën “Drita” nënvizonte se “Nëpër gjurmët e Heroit” zbulohet një roman i vërtetë, ku ndriçohet thelbësorja dhe shprehësja…”.Mbas disa vitesh dorëzoi veprën “Plaga e dhëmbjes” në shtëpinë botuese. Drejtori nuk e pranoi: “Kemi botuar mjaftë nga Veriu!..Nuk kemi letër”,u përgjigj. Shkrimtari e kuptoi barrierën klasore.Vetëm në vitin 2000 botoi librin “Kaçaku”, kushtuar Heroit të Popullit Gjokë Doçi. Shkrimtari Resul Bedo shkruan: “Kaçaku” i Lutfi Hankut është një dhuratë që prozatori i dha lexuesit për heroizmin dibran. E lexova me kënaqësi të veçantë dhe shpesh u shpreha: Bukur! Sa bukur! Të lumtë Lutfi Hanku!”.
Me triumfin e demokracisë, pas ’90-tës, ka drejtuar për disa kohë gazetën lokale “Dibra”.Shumë gazeta kanë firmën e tij me artikuj letrarë, analizë veprash etj.
Në “Dibra” shkrimtari Agim Hila vlerëson “Kaçakun”: Në imazhin e Heroit shkrimtari L.Hanku ka ditur të ndriçojë vijat qënësore të jetës me artin origjinal të mjeshtrisë së tij. Libri, i mbështetur në fakte dhe abstragime artistike të thith në imazhet, sa bindesh se po lexon një roman”.
Në vitin 2003 pa dritën e botimit “Drita e shpirtit”, me tematikë historike dhe mistike. Në analizën e tij të botuar, analisti dhe shkrimtari Mevlud Buci nënvizon: “…vepra përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e shkrimtarit.Atij i flet puna, dituria, brezat që mësoi dhe edukoi për jetën. Si relike gjurmëlënëse mbetet ajo më e çmuara: Fjala e artë e Lutfi Hankut”!.
Në dhjetor 2006 vitrinat e librarive u zbukuruan me romanin “Erdhi Çaushi”. Përmbajtja grish lexuesin për humanizëm në emër të dashurisë, mirësisë e urtësisë. Emërtimi i veprës me metaforën “Erdhi Çaushi” sintetizon idenë e shëtitjes së heroit në univers dhe kthimin e tij me ardhjen e demokracisë, duke ndezur nga një qiri për të ndriçuar errësirën që la egërsia e natës komuniste.
Para disa kohësh shkrimtari Hanku botoi dhe veprën historiko-letrare “Marsi i vrarë”, me ngjarje interesante, ku personazhi kryesor evolon në kohë dhe hapësirë. Në fund forcat e errëta e vrasin.
Për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë botoi romanin “Loti rebel” që është pritur shumë mirë nga kritika.
Ky krijues, edhe pse i moshuar prodhon emocione të freskëta, me origjinalitet të këndshëm e të besueshëm që gjelbërojnë humanizëm, me mesazhe befasuese, të ndjeshme e me sens dashurie njerëzore. Si të tillë, “intelektual fisnik trim, idealist, kurajoz, objektiv, me prirje të theksuara për të vërtetën dhe idealen” e portretizon shkrimtarin L.Hanku edhe filozofi Xhelil Gjoni në veprën e tij “Personalitete të jetës time”.
Është pikërisht edhe ky arsenal veprash krijuese dinjitoze në laboratorin krijues të Lutfi Hankut, në themel të vendimeve të këshillave bashkiake respektive, duke i dhënë atij titullin “Qytetar Nderi” i bashkive Peshkopi e Bulqizë dhe komunës Fushë Bulqizë.

LUTFI HANKUT…..

Dr.Jashar DEMIRI

Burrë trim të rriti vatani,
Me ajër Bulqize e ujë Zerqani;
“Ferrat”shtrove zinxhirë tanku
Shkrimtari ynë, Lutfi Hanku!

Ti Bulqizën aq shumë e deshe,
Për Bulqizën talentin shkrive;
Dhe i shkrove asaj histori,
Në prozën e bukur, derdhe poezi.

Shumë punove e ke vuajtë,
Nga diktatura të ruajti zgjuarsia;
Me penën tënde, magji të fortë
Ende në shkronja një mikrobotë.

Në shtypin e kohës ti shkrueje,
Me diktaturën aq shpesh u “krueje”
Edhe pse u ruajte si nga rrufeja,
Guxoje e thuaje ide të reja.

Bulqizën përshkrove, bukur, me tradita,
Me vajza t’ bukura e kalorës petrita.
Aty u rrit për ty dhe Hazbija,
Nuse e rrallë, të dha t’ artat bija.

Aq shumë të deshi ty mileti,
Për zemrën e artë e shpirt poeti.
Shkrimtar Lutfiu, në shkronja arkitekt
I këndoi jetës në çdo aspekt.

“Loti rebel”, lot idhnak,
Kënaq në shpirt çdo bulqizak.
Rrebeli bulzak, rrit me kandil e hastër
Me shpirt të butë e zemër të pastër.

Dibrës faqen ti ia ke zbardhur,
Heronjtë e saj i ke ringjallur;
Ringjalle Cemetën dhe heronj të ri
E rrite Dibrën me nder e lavdi.

Si trim që del nga instikami,
I pari demokrat, Bashkim Lami;
Luftë me “kuçedrën” dhëmbë për dhëmbë
Deri sa diktatura u shemb me gjamë…

Kështu ti Lutfi këndove për këto troje,
Me besë e mirësi si mjalti në hoje,
Me talent të rrallë, përshkrove me themel….
Si lulen e Batrrës, në pranverë kur çel..

Për Lutfi Hankun, shkrimtar emblematik,
I shkrova këto vargje me shpirt poetik;
Vajzat e tua, Kozeta dhe Amarda;
Të paçin me jetë edhe ca dekada!

S'KA KOMENTE