Atdhetari që shoqëroi në krahinën e Gollobordës dhe në Okshtun ideologun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Abdyl Frashërin

HOXHË HASAN MOGLICA, KLERIK DHE LUFTËTAR I SHQUAR PËR LIRINË DHE GJUHËN SHQIPE

460

Vendosja e familjes së Hasanit në Moglicë dhe fëmijëria

Hasan Sheremeti (Sula), Hoxhë Moglica, ka lindur në Moglicë  të  Okshtunit  më  1852,  në  një familje të dëgjuar  për ndjenja  të  thella  patriotike  e atdhetare.
Hasani është i biri i Sulë Sheremetit. Sheremeti erdhi nga Dibra e Madhe aty rreth fundit të shekullit 18 dhe u vendos në Moglicë. Bleu një copë tokë, e cila edhe sot njihet si Ara e Sheremetit.Ndërtoi shtëpinë e tij, e cila për nga ana sasiore, cilësore dhe arkitektonike bënte dallim për kohën.
Shkaqet e shpërnguljes së Sheremetit nga Dibra e Madhe ishin sa ekonomike aq edhe politike për kohën. Dibra e Madhe sundohej nga Hoxholli dhe Sheremeti nuk i bindej atij dhe regjimit perandorak turk. Mbiemri është trashëguar nga emri i babait. I biri i Sheremetit është thirur Sulë Sheremeti, ndërsa i biri i Sulës, Hasani, është thirrur Hasan Sula. Më vonë Hasani do të merrte për mbiemër, emrin e fshatit që e lindi dhe e rriti, Moglica.

ARSIMIMI

Që në moshë të vogël ai iu lut të atit që të arsimohej  e shkollohet. Kështu i jati e mori me vehte atje ku punonte, në Peqin të Elbasanit, ku krahas punës si specialist,usta, Hasani përveç bukës së gojës me punën e tij,  edhe do të mësonte në mejtepin e këtij qyteti të vogël, (shkollë fillore turke).
Hasani, pa u shkëputur nga puna, me zellin dhe zgjuarsinë që e karakterizonte, e mbaroi këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera, gjë e cila i dha mundësinë  të atit  t’a regjistronte në Medresenë e Elbasanit.
Edhe këtu, me vullnetin, talentin e etjen për dije e kulturë, mbaroi me rezultate të shkëlqyera  dhe përvetësoi në të shkruar e në të folur  osmanishten e vjetër, gjuhën turke,  persishten, dhe tinëzisht, edhe shqipen eshkruar.

Në vitin 1876,  në moshën 22 vjeçare,  mbaroi  Medresenë duke u titulluar Hoxhë (mësues dhe predikues) i fesë islame,  titull të cilin do ta  mbante përjetësisht.

Studimet në universitetin e Stambollit për teologji dhe për inxhinjeri

Pas mbarimit të Medresesë, Hasani studion në Stamboll për teologji dhe për shkencat inxhinjerike.
Të gjithë ata që studionin në Stamboll nga vendet jo turke e kishin detyrim që për të vazhduar studimet në një fakultet shkencor duhet të studionin më parë për teologji, për islamin.
Në një kohë kanë studiuar në Stamboll shumë hoxhallarë shqiptarë, të cilët më vonë pasi u kthyen në atdhe u bënë baza e formimit të gjuhës shqipe dhe e ndërgjegjes kombëtare si p.sh Vehbi Dibra, Hoxhë Vokrri, Hoxhë Lila i Steblevës etj. Shto këtu edhe klerikët katolikë Nikoll Kaçorri, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta etj si dhe ortodoksët shqiptarë Petro Nini, Papa Kristo Negovani etj.

Patriotët  okshtunas krah për krah me Hoxhën kundër pushtuesit.
Çeta e Okshtunit dhe e Hoxhë Moglicës

Veprimtaria patriotike e Hasan Moglicës kaloi kufijtë e Okshtunit dhe u shtri pothuajse në të gjitha fshatrat e Gollobordës e më gjërë. Ndërkohë për të përballuar  çdo rrezik e të pa pritur, me nismën dhe nën drejtimin e  Hasan Moglicës, u formua një çetë  vetëmbrojtje.
Këta bashkëluftëtarë të armatosur  mearmët e kohës, ishin jo vetëm përkrahësit  dhe ndjekësit e Hoxhës,  por dhe kushtrim dhënësit dhe mbrojtësit e lagjeve të tyre nga  çdo situatë e papritur.

Delegat i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Me Abdyl Frashërin në Moglicë dhe në Prizren

Ndërkohë, pas vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit për çështjen shqiptare, ngjarjet në Ballkan rrodhën në mënyrë të atillë që të krijoheshin kushtet  për mbajtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku së bashku me delegatët e tjerë të Dibrës,  mori pjesë dhe Hoxhë Moglica.
Ai shoqëroi në  krahinën e Gollobordës dhe në Okshtun  ideologun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  Abdyl Frashërin, i cili pasi bujti dy netë në shtëpinë e Hoxhë Moglicës u shoqërua nga ky  i fundit për në Teqenë e Martaneshit.

Hoxhë Moglica , delegat  i Kongresit të Elbasanit
Më 1909, Hoxhë Moglica mori pjesë në Kongresin e  Elbasanit , ku midis të tjerave u vendos edhe  hapja e Shkollës Normale për të përgatitur  mësues për gjuhën shqipe.
Kuvendi i Fushë Klenjës

Hasan Moglica organizoi shumë kuvende ku propagandonte vendimet e këtij Kongresi. Ndër këto kuvende, me rëndësi, është ai i Fushës së Klenjës.
Për këtë, patrioti dhe publicisti Haki Stërmilli shkruan: “ Hoxhë Moglica e mblodhi popullin e Gollobordës  e mbasi ua shpjegoi gjatë e gjerë  vendimet e mara në Manastir, u foli mbi rëndësinë e Shkollës Normale të Elbasanit dhe përfundoi duke kërkuar prej çdo dere  të parisë së Gollobordës të dërgonin nga një djalë në këtë shkollë. Mbasi i dhanë të gjithë besën se fjalët e tij do të realizoheshin, mbledhja u shpërnda krejt entuziaste nga fjalët e Hoxhës, tue qit edhe pushkë nga gëzimi pushtues”.
I entuziasmuar thellë nga këto suksese, Hoxhë Moglica e dendësoi veprimtarinë e tij, duke kaluar fshat më fshat për të përgatitur nisjen e djemve për në Normalen  e  Elbasanit. Por  një pjesë e mirë e parisë së   Gollobordës nuk  e  mbajti fjalën e dhënë dhe në vend që ta ndihmonte hoxhën në fakt e sabotuan nismën e tij.

Dergimi  i  8 nxenesve nga zona e Gollobordes ne Normalen e Elbasanit.

Vetëm okshtunasit, e në radhë të parë vetë Hoxhë Moglica, nuk u tundën nga presioni i gjithanëshëm, por përgatitën dhe dërguan 8 djem  në normalen e Elbasanit. Tre nga këta ishin nga shtëpia e Hoxhë Moglicës e të nisur me shpenzimet e tij, midis tyre edhe djali i vetëm i Hoxhës, Osmani.  Edhe nga Sebishti Hoxhë Moglica dërgoi djalin e patriotit  Sulë Lila, të cilin e kishte edhe mik shtëpie.
Dërgimi i 8 nxënësve nga zona eGollobordës në Normalen e Elbasanit, në vitin e parë të hapjes, kur numri nga e gjithë Shqipëria ishte 29 nxënës, jo vetëm tregon prirjet dhe etjen arsimdashëse  të popullit të Gollobordës, por edhe  punën durimplotë që kishte bërë Hoxhë Moglica dhe rëndësinë që ai u jepte përgatitjes së njerëzve të dijes me gjuhën amtare shqipe.

DELEGAT I KONGRESIT TË  DYTË  TË MANASTIRIT (2-3 PRILL 1910)
Në  gjendje të acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjet e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarët shqiptarë mblodhën një Kuvend tjetër kombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit. Ky tubim u thirr me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj.
Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer Kolonja etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.
Kongresi do të merrte masa të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi.
5000 abetare për nxënësit e Okshtunit dhe të mbarë Gollobordës

Hoxhë Moglica nuk e ndërpreu asnjë çast veprimtarinë  në funksion të shkollimit tëfëmijëve të Okshtunit e Gollobordës, duke e kthyer shtëpinë  e tij në një shkollë të vërtetë. Ai u bë sjellës e përcjellës i Abetares shqipe, duke e sjellë nga Stambolli  fshehur në thasët e sheqerit.
“Ai solli  5000 abetare të tilla” , shkruhet në revistën e kohës “Zani i Naltë”.

HAPJA E SHKOLLËS SHQIPE NË MOGLICË, MË 1904

Me dashurinë  për librin  që ndihmonte më tej  të dritës së diturisë, me shpenzimet e tij dhe me ndihmën e miqve që i kishte kudo, Hoxhë Moglica e ktheu shtëpinë prej 28 dhomash në Moglicë në një bibliotekë-shkollë, krahas shkollës  turke që e kishte hapur tek Ara e Martinit që në vitin 1904.  Këtë bibliotekë  më 1908,   së bashku me 15 shtëpi të tjera të Okshtunit e dogjën forcat turke të Durgut Pashës..

Ngritja e flamurit kombëtar në Moglicë të Dibrës më 28 nëntor 1912

Me dëshirën e madhe të Hasan Moglicës për të marr pjesë në shpalljen e Pavarësisë më1912 në Vlorë,  ai, për arsye të angazhimeve dhe ndjekjes nga pushtuesit, nuk mundi t’u bashkëngjitet delegatëve dibranë. I entuziazmuar për këtë eveniment, ngriti flamurin kuq e zi mbi pullazin e shtëpisë në prani të njerëzve dhe bashkëfshatarëve të tij.

Hoxhë Moglica edhe një inxhinjer i aftë e projektues

Më 1879, kur mbaroi studimet e larta në Universitet në Stamboll, me rezultate të shkëlqyera në Enciklopedinë turke do të shkruhej: “Stambolli nëpërmjet Hasan Moglicës  i ka dhënë arnautllëkut mësuesin e fesë Islame”.
Është për t’u nënvizuar  se përveçse një dijetar, klerik dhe atdhetar i flaktë, Hasan Moglica ishte edhe një projektues e inxhinier me zë në të gjithë krahinën e Dibrës. Shpella tek Shkëmbi i Patës, ishte shtëpia e dytë e tij.
Ai projektoi  kanalin e famshëm të vaditjes  në lagjen Ballaj, muri i të cilit ngrihet mbi një shkëmb të thepisur 9 metra të lartë.
Ai ndërtoi për herë të parë  një valanicë për ngjeshjen dhe përpunimin eshajakut si dhe një farkë( kovaçhanë)  për  mjetet  dhe armët e luftimit etj. Valanica u ndërtua midis Moglicës dhe lagjes Ballaj.
Përveç valanicës Hoxha ndërtoi edhe një mulli që shërbente për të gjithë zonën. Kanali dërgonte ujë tek valanica dhe tek mulliri si dhe shërbente edhe për vaditje. Kjo vepër ujitëse ka egzistuar deri në ditët e vona dhe tregohej nga të gjithë. Hysen Sula, një okshtunas i vjetër, u tregonte fëmijëve të shkollës tek Ara e Martinit se ky kanal dhe kjo valanicë është ndërtuar nga biri i këtij fshati që studioi  në Stamboll, Hoxhë Hasan Moglica.
Këtë e thotë edhe Hasan Moglica i ri, që e ka babagjyshin e tij Hasan Moglicën dhe që fëmijërinë e tij e kaloi në këtë shkollë dhe në këtë fshat. Më vonë Hasani i ri studioi për ushtarak në Stamboll të Turqisë, por këtë herë në kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Momenti i vdekjes dhe varrosja për së gjalli

Kur  ka ardhe serbi për me e vra ka pas kushuririn e vet Qazim Meta këshilltar i Okshtunit i cili e mbrojti nga serbët por Hasani ra në dorë të serbëve për të shpëtuar të tjerët, si edhe djalin e tij të vetëm.
E morën në shkollën e Okshtunit afër xhamisë sipër shtëpisë së tij, ku serbët e kanë detyruar të hapë varrin e vet me duart e veta. Hasani ka qenë bashkë me Avdi Cenin (Sallakun) nga Okshtuni të cilët ishin të detyruar të hapnin varrin me duart e veta. Hasani nuk ka kërkuar mëshirë dhe ka shprehur besimin se shqipen do e gëzojmë dhe unë do të vdes me nder. Dhe me këto fjalë  kanë rënë që të dy përmbi varrin e hapur me duart e tyre.

Rivarrosja pas dy ditëve

Futja në gropë për së gjalli ka ndodhur më 15 qershor 1915. Dy ditë më pas, pas largimit të serbve, bashkëfshatarët e hoxhës që e donin dhe  e kishin shenjtin e tyre Hasan Moglicën e nxorrën nga gropa ku e kishin mbuluar me dhe’ serbët dhe së bashku me Avdi Sallakun i rivarrosën në varr të rregullt në Moglicë.

DEKORIMI PAS VDEKJES

Hoxhë Moglica është ndër të parët patriotë të Shqipërisë dhe të trojeve tona amtare që është dekoruar për kontributin e tij patriotik. Ai është dekoruar me Urdhërin “Për veprimtari patriotike” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor më rastin e 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Dekreti mban datën 26 nëntor 1962.
Emri i tij qëndron në një listë përkrah Ismail Qemalit, Abdyl, Sami dhe Naim Frashërit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit,  etj, burra dhe gra të nderuara dhe luftëtare për çështjen kombëtare.

DIBRANI I SHEKULLIT

Eshtrat e Hoxhë Moglicës prehen në Varrezat e Dëshmorëve  në Peshkopi. Shkolla 9 vjeçare në Okshtun mban emrin e Hoxhë Moglicës.
Gazeta “Dibra”, në mbyllje të shekullit të 20-të dhe në vigjilje të shekullit të 21-të organizoi një  anketë popullore, me votime dhe letra të lira të lexuesve ku  ka vlerësuar  Hoxhë Hasan Moglicën “Dibrani i Shekullit !”.
Ky vlerësim nuk është thjesht një anketë gazete, por zëri i plotë i dibranëve dhe i mbarë shqiptarëve sepse figura e Hoxhë Hasan Moglicës është një figurë patriotike me përmasa kombëtare.

S'KA KOMENTE