Bulqiza në fokusin e intelektualëve vendas dhe të diasporës

131

Lajmin se do të dilte numri i parë i Gazetës “Bulqiza”, ma dha gazetari i talentuar Halil Rama, i cili së bashku me drejtorin e gazetës z.Edmond Isaku më kërkuan të shkruaj pak rrjeshta me këtë rast. E pranova me kënaqesi ftesën duke e vlerësuar si një rast ideal për t’ju drejtuar një komuniteti të një treve ku u lindëm e u burrëruam, komunitet i cili mendoj se do të jetë lexuesi kryesor i kësaj gazete. Gazeta po lind në një kohë vështirësish e shpresash. Pak ditë më parë u njoha me raportin e përvitshëm mbi lirinë e shtypit në botë dhe ndjeva trishtim kur pashë se Shqipëria renditej mes vendeve afrikane me shtyp pjesërisht të lirë. Uroj që kjo gazetë të jetë një kontribut për përmirësimin sado pak të gjendjes, për garantimin e parimit kushtetues të lirisë së shprehjes e të shtypit.
Kam bindjen se kjo gazetë do të nxjerrë në pah historinë e lavdishme të Bulqizës e fshatrave rrotull saj dhe historinë e Dibrës mbarë, pjesë e së cilës është edhe Bulqiza, pavarësisht ndarjeve administrative të bëra. Kur jemi tek historia jam i bindur se kjo Gazetë do jetë një derë e hapur për dibranët mendjendritur, të cilët kanë ende për të thënë e shkruar për këtë trevë që ka qenë arenë e luftrave kundër turqve, serbëve, e çdo pushtuesi tjetër. Shpresoj qe kjo gazetë të nxisë mes të tjerash ndërtimin e përmendoreve që do t’i përjetësojnë trimëritë e dibranëve me kryetrimin e tyre e të gjithë shqiptarëve, Skënderbeun.        Konkretisht ngritja e një përmendoreje tek “Gurët e Skënderbeut”, apo e një përmendoreje “Në fushë të Gjoricës tek Kalaja” aty ku “Hajredin Pashën e ka gjet belaja” do ishin vetëm dy nga shumë punët e mira që duhen bërë, e që i shërbejnë jo vetëm historisë e edukimit të brezave, por edhe turizmit historiko-kulturor.
Veç të shkuarës së ndritur, gazeta do të jetë një pasqyrë e së sotmes së Bulqizës, këtij thesari që në dekada me kromin e pasur të nëntokës së saj, ka dhënë një kontribut të madh në ekonominë kombëtare. Ka dhënë shumë, por shpresoj që në të ardhmen edhe të marrë atë që i takon nga ekonomia kombëtare, e hapi i parë do të ishte “Rruga e Arbërit”.
Jam i sigurtë se gazeta do të jetë një zëdhënëse e shkëlqyer e “Shoqatës Atdhetare Patriotike Bulqiza” sikurse edhe zëdhënëse e interesave e nevojave të komunitet bulqizak e më gjerë. Meqë jemi tek Shoqata Bulqiza, e cila u krijua vetëm pak muaj më parë falë përkushtimit të një grupi nismëtar ku spikaste z.Bashkim Lami, i uroj edhe asaj jetëgjatësi e gjithpërfshirje! Është kjo shoqatë dhe bujaria e z. Edmond Isaku që mundësuan lindjen e Gazetës Bulqiza, sikurse do të jenë edhe mbështetësit e saj të gjithanshëm. Udhë të mbarë Gazetës Bulqiza!

Me dashuri ,
Vladimir Skenderi

S'KA KOMENTE