Bulqiza, “qyteti i arit”, të cilin po e mbyt varfëria.Të varfër që jetojnë mbi thesar

454

Në këto ditë të ngrohta pranvere nisemi të udhëtojmë drejt qytetit verilindor të Bulqizës, apo të  njohur ndryshe si “qyteti i thesarit”. Qytet që  prodhon mijëra ton krom dhe pasuron gjysmën e botës, por që  në fakt vetë po shuhet dhe rrënohet çdo ditë dhe më shumë, po e mbyt pak nga pak varfëria ekstreme. Varfëri, e cila ndihet thellë sapo hyn në territorin e tij. Sa hyn në zonën e njohur si Qafa  e Buallit hasesh me një panoramë që për ndonjërin mund të duket e bukur, por në fakt është një “bukuri që vret”. Qëllimi i udhëtimit është  takimi me disa nga të rinj, jeta e të cilëve është e lidhur ngushtë me minierën.

Takimi me të rinjtë

Takuam Blerimin, djalin që mbante një emër shqiptar, por edhe Klintonin, një 19 vjeçar, i cili mban emrin e një burri shteti në SHBA, ish-presidentit, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për luftën e Kosovës,  dhe shqiptarët  ndoshta ndaj e duan aq shumë, sa iu kanë vënë edhe emrat fëmijëve të tyre. Me dy të rinjtë nuk arritëm të rrinim gjatë, pasi ashtu siç na thanë ata, nxitonin për të shkuar në punë. Ne orën  13:00 ata merrnin turnin e punës, pra do të hynin në minierë. Në atë gropë të zezë që ju merr atyre orë të tëra të jetës së tyre. Në ato pak minuta që qëndruam me ta, nxituam t’i pyesnim për të mësuar disa gjëra konkrete. Sa orë punonin, a ishin të siguruar, me sa turne e kishin punën, çfarë privilegjesh kishin, a i kishin të gjitha kushtet në punë, sidomos ato të sigurisë teknike, që janë më të rëndësishmet, pasi vihet në pikëpyetje jeta e tyre. Ashtu siç na kishin thënë edhe të tjerë, djemtë hezitonin të përgjigjeshin për shumë pyetje. Kanë frikë se mos bie ndonjë fjalë në vesh të pronarit dhe i heqin nga puna. Për rrogën të dy njëzëri shprehen se, “është e mirë, nëse e llogarit me ata që s’kanë fare”, ndërsa me sasinë e punës që bëjnë nuk shpërblehen as sa gjysma e minatorëve në Gjermani e vende të tjera, megjithëse si kohë pune punojnë më shume sesa ata. Paga që marrin është rreth 600 mijë lek të vjetra, gjysmën e saj e marrin në bankë siç u shprehen dhe për këtë ju paguhen edhe  siguracionet, ndërsa gjysma tjetër merret në dorë pasi kompania nuk iu paguan sigurime për rrogë të plotë.  “Nuk i leverdis pronarit të paguaje sigurime për rrogë të plotë”, shprehen djemtë ndaj paguan vetëm për gjysmën e pagës, duke i paguar kështu shtetit vetëm një pjesë minimale të kontributeve, që këtu, shprehen ata,  nis vjedhja e parë zyrtare.  Sipas djemve kjo për ta është gjë e mirë, pasi ka punonjës që nuk janë fare të siguruar, punojnë në të zezë dhe nëse ju ndodh diçka nuk ju njeh askush asgjë. Për shtetin këta ‘uritha’ siç e thërrasin njëri-tjetrin me shaka, nuk ekzistojnë.

Turnet e punës dhe galeria

Orari i punës është nga 8 orë dhe djemtë, të cilët punojnë në kompani private e ndiejnë veten të privilegjuar, sepse punojnë vetëm dy turne, turni i parë që nis në 6 të mëngjesit dhe turni i dytë  që nis në 2 të drekës dhe mbaron në 9 të mbrëmjes. Ata ndihen të lumtur se nuk kanë turne të treta, ashtu siç ndodh me minatorët që punojnë në galeritë shtetërore, të cilat janë me tre turne. Kur ju përmend galerinë e errët, ulin sytë në tokë dhe nuk ndihen fare mirë. “Nuk na pëlqen fare, po ç’të bëjmë. Këtu përveç minierës dhe punës në fushë nuk ka asnjë mundësi tjetër pune. Puna në bujqësi është e kufizuar për shkak të tokës së pakët dhe në pjesën më të madhe të vitit ka borë dhe temperaturat e ulta s’të lënë të bësh ndonjë gjë të madhe, kështu që shpresa e vetme mbetet miniera, sytë andej i kemi”, shprehen djemtë. Megjithëse të rinj fare ne moshë 19-20 vjeç flasin si burra të moçëm, me një mal hallesh në kurriz. Shkarazi pasi nuk duan të ndalen shumë në atë pikë, të përmendin faktin se ata punojnë shumë bashkë me minatorët e tjerë, nxirret shumë krom, por vidhet shumë. “Këtu tashmë është ngritur  një mafie, nuk merret vesh se çfarë ndodh, më mirë bëj punën tënde, merr ato lek dhe ik mos u ndiej, se nuk dihet se çfarë ndodh”, të thonë me gjysme zëri. Në të vërtetë ashtu është në “qytetin e arit” shumë gjëra kanë ndodhur këto 23 vite, por asgjë nuk ka ndodhur për mirë dhe që t’ju shërbejë banorëve të këtyre zonave, i bindur në atë që thotë, Blerimi shprehet se, “nëse vetëm një kamion krom po të ishte shkarkuar në ditë për Bulqizën, vetëm një, kush e di si do ishte bërë sot ky vend, ndoshta Zvicër e dytë’’’, megjithëse ai vetë se ka parë kurrë këtë shtet, për të cilin  thotë se është shumë i bukur, megjithëse i ftohtë dhe me borë shumë ashtu si vendi i tyre. “Miniera është një gropë e zezë, ha koka djemsh here pas here sidomos të të rinjve, që nuk kanë shumë eksperiencë dhe bëjnë gabime fillestare, të cilat ju kushtojnë shumë rëndë deri edhe  jetën e tyre”, deklarojnë djemtë të shqetësuar. Të rinjtë largohen nga ne, por ne nuk mund ta lëmë me kaq, duam të takojmë dhe të flasim me të tjerë njerëz, që kanë dhe nuk kanë lidhje me minierën.

Të burrërohesh para kohe

Kjo shprehje mund t’ju duket paksa pa kuptim, por kuptimin e plotë e merr kur takon Endrin, një djalë 13 vjeçar, që mban një emër të bukur, por që emri e humbet krejtësisht kuptimin kur ti e shikon se çfarë pune po bën dhe sesa e rëndë është jeta e tij. Endrin e gjejmë tek pirgu i madh i gurëve të kromit, aty ku bashkë me të ndodhen edhe shumë fëmijë të tjerë të moshave të  ndryshme, gra, vajza, pleq e plaka, të cilët nuk lejohen të hyjnë e të punojnë në galeritë e minierës, por ata ju bëjnë karshillëk tuneleve të errëta duke gërmuar në pirgjet e mëdha të gurëve të kromit, për të fituar një grusht me para.  Ndalemi të bisedojmë pak me Endrin megjithëse duket se është fjalë pak, por kjo nuk e pengon aspak atë të na hedhë një vështrim të ftohtë  nga koka tek këmbët, sikur donte të na lexonte çdo mendim tonin. E pyesim sa vjeç është dhe pse nuk ka vajtur në shkollë, sepse në bazë të orës e cila ishte rreth 12-30 ai duhet të ishte ende në mësim, për të mos e fyer e pyesim se mos ndoshta sot ka mbaruar më herët. Prerazi na e kthen se nuk ka shkuar në shkollë. Pa u menduar gjatë e pyesim, Pse? Endri na hedh edhe një vështrim tjetër, por këtë herë therës, sikur donte të na thoshte se nëse doni të talleni shkoni diku tjetër. Pa dashur ta mërzisnim më shumë i kërkojmë të ulet dhe të pushojë pak me në. Nuk bën zë, ulet dhe na ndiqte me sytë mendueshëm çdo lëvizje që bënim. Unë për të hyrë në bisedë i them se kam një djalë gati në moshë të tij. E pyes sa fëmije janë në shtëpi dhe me kë jeton. Ashtu i qetë me përgjigjet se janë tre fëmije, dy vëllezër dhe një motër, të cilët janë më të vegjël se ai. Endri punonte në pirgun e gurëve të kromit gati 4-5 orë në ditë dhe kishte raste kur fitonte edhe 10 mijë lekë të vjetra në ditë. Ai na tha se jo gjithmonë arrin të gjesh krom aq sa duhet,  ka  shumë punëtore këtu dhe nuk ka shumë gurë kromi. Largohemi prej tij, pa ditur se çfarë t’i themi, por ai e di se shumë si ne do të shkojnë e do ta takojnë, do ikin të mbushur me dhimbje dhe dhembshuri prej tij dhe shokëve të tij, por asnjëri nuk do t’i japë fund dhimbjes së tij.

S'KA KOMENTE