Bashkim Lami: Projektet zhvillimore për Bulqizën të futen në ritmin e duhur

Kryetari i Shoqatës Atdhetare-kulturore “Bulqiza” flet për organizimin dhe synimet e saj Intervistoi: Sakip CAMI

284

Zoti Lami, si lindi nisma për të krijuar “Shoqatën Atdhetare Kulturore Bulqiza”?

Në shtypin e shkruar dhe në TV vazhdimisht jemi njohur me veprimtari të organizuara nga OJF-të, që në opinionin tim dhe të shumë bashkëbiseduesve janë të dobishme për komunitete të veçanta. Aty për aty lindi idea që edhe Bulqiza duhet të ketë një shoqatë të tillë si tribunë e organizuar ku të debatohet e të shprehen opinione që lidhen me interesat e komunitetit të krahinave të Bulqizës. Në biseda gjithashtu binte fjala për rolin e rëndësishëm të shoqërive të njohura “Vatra”, “Bashkimi”, etj për çështjet kombëtare. Natyrshëm bëhej pyetja: A është e nevojshme që të kemi edhe ne bulqizakët shoqatën tone ? Mendimet dhe opinionet e dobishme ekzistuese do të na inkurajonin që të krijojmë shoqatën “Bulqiza”. Kështu filluam konkretisht të njohim bazën ligjore dhe përvojat ekzistuese shumë të nevojshme për të realizuar këtë nismë. U hartua një projekt statut i cili u debatua në disa grupe shoqërore për të përshirë në të variantet më të gjetura të organizimit e të funksionimit. Pasi u bindëm se u plotësuan kushtet e nevojshme grupi i intelektualëve nismëtar, Lutfi Hanku, Bashkim Lami, Islam Dauti, Hamit Dervishi, Halil Rama, Jashar Demiri, Muharrem Hidri, Bujar Kurti u mblodhën me 7 janar 2015 dhe morën vendimin për krijimin e “Shoqatës Atdhetare Kulturore Bulqiza”.

logo 02 pa backgSi vazhdoi më tej puna dhe si u prit lajmi?

Ne ishim të vendosur në vazhdimin e rrugës ligjore dhe në propogandimin e nismës tonë. Natyrshëm kemi gjetur përkrahjen e duhur tek njerëzit por edhe ide skeptike e frenuese që nuk na kanë stepur. Vështirësitë po kapërcehen me kujdes dhe sot kemi vendimin miratues të gjykatës, jemi në regjistrin kombëtar të shoqatave, kemi stemën dhe vulën tonë, kemi faqen tonë në FB, “Shoqata Bulqiza OJF” dhe regjistrin e anëtarësisë. Janë marrë vendime të rëndësishme nga kryesia për caktimin e detyrave për secilin, për ngritjen e departamenteve dhe miratimin e disa rregulloreve për funksionimin e shoqatës si: rregullorja e tubimeve, rregullorja e titujve të nderit, etj. Eshtë miratuar plani i punës për muajt mars-prill-maj të këtij viti, ku janë parashikuar si prioritete ngritja e vënia në funksionim të degëve në Tiranë, Bulqizë e Durrës dhe në disa vende jashtë Shqipërisë kudo ku gjënden bulqizakë. Po punohet nga Kryesia dhe anëtarësia për forcimin e strukturave tona sipas statutit dhe për zbatimin e disa projekteve në interes të komunitetit. Prioritet kemi botimin e gazetës “Bulqiza” si organ mediatik i shoqatës që do të jetë tribuna e fjalës së lirë për gjithë komunitetet e trevave të Bulqizës, Zerqanit, Okshtunit, Martaneshit, Shupenzës, Gjoricës, Ostrenit, Trebishtit e Klenjës që janë krahina tradicionale dhe do të jenë në përbërje të Bashkisë Bulqizë. Prioriteti kryesor është ngritja e imazhit dhe gjetja e përkrahësve për të futur në funksionim strukturat tona ku rol të dobishëm do të luajë gazeta “Bulqiza” e shtypur dhe në internet me drejtor Z.Edmond Isaku; kryeredaktor gazetarin jurist Halil Rama; me këshill botues Lutfi Hankun, Jashar Demirin, Hajri Mandri, Sakip Cami, Eva Gjura e Ylli Pata, të cilët mbulojnë rubrikat e gazetës që do të shpërndahet në të gjithë qendrat e banuara dhe për të gjithë përdoruesit e internetit për të siguruar vazhdimësinë në përmbushjen e qëllimeve tona të shpallura.

Ç’mund të thoni lidhur me statusin e shoqatës?

“Shoqata Atdhetare Kulturore Bulqiza” është bashkim vullnetar i anëtarësisë pa dallime fetare, politike e shoqërore. Është organizatë e pavarur jo qeveritare, jofitimprurëse që gëzon liri e autonomi të veprimtarisë së saj të mbështetur nga të gjithë ata që duan të ngremë në lartësinë e duhur imazhin e vendlindjes tonë duke zbatuar ligjet në fuqi dhe statutin e rregulloret e shoqatës.

Po në lidhje me organizimin e funksionimin?

Anëtarësia e shoqatës do të organizohet në seksione që funksionojnë në çdo vendbanim ku ata ndodhen brënda e jashtë Shqipërisë. Seksionet do të kenë Kryesi, “kryetar” dhe “sekretar”. Degët e shoqatës do të jenë bashkësi të disa seksioneve në përshtatje me qeverisjen lokale, në Tiranë, Bulqizë, Durrës, etj. Degët do të kenë gjithashtu “kryesi”, “kryetar”, “sekretar” dhe disa departamente. Do të kemi “Mbledhjen e përgjithëshme” dhe Presidentin e Kryesinë që dalin nga zgjedhjet e lira demokratike në këtë mbledhje të formuar nga përfaqësues të strukturave të bazës. Kryesia qëndrore zgjedh “kryetarin”, “sekretarin e përgjthshëm”, “drejtorin e gazetës” e “kryeredaktorin” dhe miraton departamentet e rregulloret për funksionimin e shoqatës. Synojmë të kemi lirshmëri organizative larg kornizave të ngurta që frenojnë veprimtaritë, në përshtatje me kushtet reale të anëtarësive lidhur me vendndodhjen e tyre.

Organet drejtuese të shoqatës si do të funksionojnë?

“Shoqata Atdhetare Kulturore Bulqiza” do të ketë selinë qëndrore me Presidentin dhe Kryesinë e saj që del nga “mbledhja e përgjithëshme”. Kryetarin, sekretarin e përgjithshëm”, “drejtorin e gazetës” e “kryeredaktorin” që zgjidhen nga kryesia. Kryesia gjithashtu miraton departamentet e funksionet e tyre si dhe projektet që do të zbatohen. Po kështu do të funksionojnë edhe degët e shoqatës me kryesitë e tyre bazuar në statutin e shoqatës. Edhe seksionet do të kenë “kryesi”, “kryetar” dhe “sekretar” që përgjigjen për organizimin e funksionimin e njësisë bazë sipas statutit dhe për përmbushjen e detyrave të tyre.
Në vitin e parë të funksionimit, veprimtaritë do të drejtohen nga nismëtarë në të gjitha nivelet. Pasi të ngrihen e funksionojnë seksionet dhe degët e shoqatës do të organizohet “Mbledhja e përgjithëshme” e përfaqsuesve të zgjedhur sipas statutit prej ku do të dalin me votim të lirë e të fshehtë organet drejtuese e drejtuesit në të gjitha nivelet e shoqatës në bazë dhe në qendër.

Cilat janë disa nga qëllimet që synon të realizoj kjo shoqatë?

Ne kemi renditur disa qëllime në statutin tonë, por nisur nga emri ne synojmë që të fusim në rrugën e debatit e të realizimit çdo qëllim që përmbush interesat e banorëve në territoret e Bulqizës dhe jashtë tyre.
Synojmë të bëhemi zëri i bashkuar i qytetarëve për të arritur më të mirën e mundëshme në bashkëpunim me të gjitha institucionet e këtij vendi ku mund të mbështetemi në bazë të ligjeve, për zhvillimet e mëtejshme të Bulqizës në të njejtin hap me zhvillimin e viseve të tjera të Shqipërisë.
Ne kemi si qëllim: Të sensibilizojmë në të mirë dhe interes të publikut opinionin qytetar të zhvillimit tek individi dhe shoqëria të vlerave shpirtërore e humanitare, të vlerave historike të trashëgimisë njerzore, etno-kulturore dhe përvojave më të shquara të njerëzve të kryera në dobi të Atdheut e të krahinave e fshatrave të Bulqizës.
Ne synojmë të luajmë rolin tonë që të futen në ritmin e duhur projektet zhvillimore për Bulqizën. Për këtë do të bashkëpunojmë me të gjithë aktorët politik e drejtues si dhe OJF=të në të gjitha nivelet ku marrin zgjidhje problemet.
Ne synojmë të motivojmë brezin e ri me frymën e paqës e të dashurisë për të marrë pjesë gjallërisht në rrugën e ndryshimit që ka nevojë Bulqiza për rritjen e nivelit jetesës duke shfrytëzuar resurset ekzistuese që rinia jonë ta dojë më shumë vendlindjen duke e parë në rrugën e mbarë të integrimit europian.
Moto e shoqatës: “Mos pyet se çfarë bëri Bulqiza për ty, por pyet se ç’mund të bësh ti për Bulqizën” ka domethënien e vet. Është thënie e një presidenti amerikan që na intrigoi ta përdorim si moton tonë pasi të gjithë sot e shohin si është bërë Amerika për qytetarët e vet dhe për të tjerë. Mendoj se duke patur në qendër të vëmendjes çdo anëtar këtë thënie, i takon që secili të bëjë diçka për vendlindjen e tij. Një ide e tillë do të bënte që pjesmarrja në “Shoqatën Bulqiza” të jetë reale me mundësitë e secilit. Disa investojnë kohën e tyre të çmuar, disa mbështesin financiarisht, disa bëjnë organizimet e duhura në kohën e vendin e duhur dhe të gjithë bashkë arrijmë që zëri i bulqizakëve të bëhet i dëgjueshëm aty ku mund të realizohen kërkesat dhe problemet të futen në rrugën e zgjidhjes.
Një bashkësi shoqërore indiferente nuk ka se çfarë të presë për zhvillim e ndryshim.Pra është e qartë që ndryshimi i hapit të zhvillimit ka nevojë për të gjithë. Indiferentët dhe ata që shohin vetëm interesat e tyre nuk janë në rrugën tonë. Me këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve që të jenë më aktivë dhe të bëhen më të dobishëm për Bulqizën.

A do të ketë në shoqatë modele të vlerësimit të njerëzve të dobishëm ?

Kanë kaluar qindra vite dhe ruhen në kujtesën popullore modelet pozitive të heronjve e të burrave që kanë bërë histori me talentin e tyre dhe ne i marrim si shëmbuj me të cilët krenohemi.U tentua nga periudhat diktatoriale që sunduan vendin tonë të errësohen e baltosen të vërtetat për shumë figura, por populli nuk i harroi kurrë. Nuk u harruan kurrë burrat drejtues të maleve të Dibrës. Mersim Dema që drejtoi e organizoi qëndresën e “Malit të Grykës Vogël”, Sheh Sula për “Malin e Grykës Madhe”, Dalip Karaj e Mehmet Duriçi për “Malin e Bulqizës”, burra të shquar Fasli Malja, Baba Fejza, Sheh Hyseni, Hoxhë Muglica, Sheh Hajredini, etj. Njerëzit e shquar dallojnë vetëvetiu për punët e tyre të dobishme, por edhe ne do të bëjmë kujdesin e duhur që në rrugë institucionale të publikojmë përpara komunitetit veprimtaritë e shquara të kohëve të kaluara dhe të kohëve të tanishme me forma e mënyra nga më të ndryshmet.

Si ta kuptojmë misionin gjithëpërfshirës të “Shoqatës Bulqiza”?

Në “Shoqatën Atdhetare Kulturore Bulqiza” marrin pjesë individë me bindje politike të ndryshme, me besime fetare të ndryshme apo dhe tipa asnjanës. Secili mund të shpalosë ide e vlera të dobishme në fusha të ndryshme sipas aftësive e talentit real dhe kjo do të pasuronte aktivitetet në shoqatë dhe do të gjallëronte e bënte të dëgjueshëm zërin e qytetarëve.
Vetë pavarësia e shoqatës që na e garanton kushtetuta e ligji demokratik dhe bashkëpunimi midis individëve që na bashkon dashuria për vendlindjen,  mënjanon  ndasitë duke marrë prioritet afrimiteti e dashuria për njëri-tjetrin.
Pjesëmarrja në shoqatë është vullnetarizëm dhe nuk mund të lidhet me interesa të tjera përveç se dëshira për patriotizëm, për humanizëm, për kulturë pjesëmarrje, pasi dihet që çdo njeri ka në karakterin e tij ndjenja të tilla, por që duhet të nxiten nga ne për t’u shpalosur.
Synimi për të bashkuar energjitë pozitive të njerëzve në shoqatë nuk ka si të gjejë kundërshtime, por duhen moderatorë që krijojnë bindje reale për nevojën e pjesëmarrjes. Çdokush e ndjen veten shumë të motivuar kur merr pjesë në një akt dobiprurës dhe e shijon suksesin e arritur. Kjo ndodh me grupet kulturore-artistike, në misionet social-humanitare, në zgjidhjen e problemeve ku përfshihen kolektivisht grupet e interesit, etj.

Si është menduar për burimet financiare që nevojiten për aktivitete?

Çdo aktivitet që do të organizohet nga shoqata shoqërohet me shpenzime. Kjo është shoqatë joqeveritare e jofitimprurëse. Burimet financiare do të jenë kuotat e anëtarësisë, sponsorizimet nga bizneset dhe kuota të projekteve. Po punohet intensivisht për ngritjen e kulturës së mbështetjeve siç e shohim të zbatuar në vendet demokratike. Ishin e janë shoqatat e huaja humanitare që përkrahën popullin tonë në tranzicion dhe në luftën e Kosovës. Me rritjen e nivelit të jetesës në vendin tonë është koha të futen në veprim edhe shoqatat vendase, pra edhe “Shoqata Bulqiza”.
Garancia e përdorimit korrekt të fondeve është “thembra e Akilit” për të siguruar financime. Në kryesinë e shoqatës Bulqiza ne sigurojmë transparencë maksimale me kontroll të kryqëzuar të shpenzimeve të garantuar me statut dhe me ligj. Sigurohen të gjithë dhuruesit që fondin e akorduar shoqatës do ta kontrollojnë vetë ata në bashkëpunim me organizatorët e aktiviteteve që të përdoren saktësisht me përcaktimin e parathënë për të cilin është arritur dakortësia. Me organizimin e kontrollit nga drejtuesit, nga dhuruesit dhe nga anëtarësia projekt pas projekti, është i pamundur shpërdorimi. Kjo është pika më e fortë e organizimit tonë për të garantuar burime financimi pa të cilat nuk mund të realizohet asnjë aktivitet. Për drejtuesit e shoqatës në të gjitha nivelet nuk do të ketë rroga. Veprimtarëve do t’ju paguhen vetëm shpenzimet që lidhen me realizimin e aktiviteteve të miratuar sipas ligjit dhe statutit.

Si do të garantohet vullnetarizmi antarëve në realizimin e qëllimeve?

Garantimi i pjesëmarrjes vullnetare është problemi kryesor që kërkon vëmendjen e duhur. Përgjithësisht në komunitet nuk mungojnë individë që pranojnë me dëshirë të krijojnë projekte falë aftësive të tyre në fusha të ndryshme dhe që planifikojnë dhe sigurinë e zbatimit të tyre për mundësitë e financimit. Natyrshëm që kërkohet më shumë punë për të motivuar kulturën e pjesëmarrjes vullnetare duke bërë reale kënaqësinë që ndjejnë ideatorët dhe organizatorët për projektet e tyre, kur i shohin të realizuar në dobi të komunitetit. Shëmbulli konkret i shumë aktivistëve po formojnë opinionin pozitiv të arësyes për të dhënë kontribute të menduara me kujdes. Është e rëndësishme që individëve të mos u jepen mbingarkesa që të thyhen, pasi shumica e kanë kohën të kufizuar.
Kështu mund të shtohen çdo ditë pjesmarrja në veprimtari të organizuara nga shoqata. Fillimi ka vështirësitë e veta, por nga dita e krijimit të shoqatës shohim që janë shtuar aktivistët.

S'KA KOMENTE