Përshëndetje redaksi e Gazetës “Bulqiza”!

Së pari ju falenderojmë për interesimin dhe konsideratën që keni për Klubin tonë dhe aktivitetet tona. Kjo dëshmon kualitetin që keni dhe kulturën sportive që shfaqni në tërësi.
Klubi jonë është rithemeluar në vitin 2013, gjë që e konkretizoi në pjesëmarrjen në Kampionatin Kombëtar të Futbollit – Kategoria e Tretë.
Gjithçka nisi me vështirësi dhe zemër të madhe nga ana jonë dhe e futbollistëve të qytetit. Me ndihmën e Kryetarit të Bashkisë u bë regjistrimi në Federatë, ndërsa me gjetjen e sponsorit të përgjithshëm, Z. Shkëlqim Llagaci u bë mbarëvajtja dhe ecuria gjatë këtyre dy kampionateve.
Kampionatin e parë ne e nisëm me shumë vështirësi dhe mungesë ekperience, ngase Bulqiza nuk aktivizohej prej më shumë se 23 vitesh. Gjithsej në sezonin 2013-2014 ne grumbulluam në total 25 pikë, duke u renditur në vendin e 6-të nga 10 skuadra.
Ndërsa në sezonin 2014-2015 ne kemi 43 pikë: 14 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, ku kanë mbetur edhe 6 javë, dhe jemi në vend të dytë nga 12 ekipe.
Problemet janë të shumta, sidomos ato financiare. Ngase prej dy vitesh ne kemi bërë kërkesa të shumta në Bashki që të financohemi si gjithë ekipet e tjera në Shqipëri, por burokracia dhe mungesa e perspektivës lënë për të dëshiruar. Ne kemi ngritur strukturën sportive në Bulqizë dhe duam që të gjithë të rinjtë të ingranohen në sporte të shëndetshme, gjithnjë me ndihmën dhe efikasitetin e njësisë vendore.
Kontribuesi kryesor dhe njëkohësisht edhe president i ekipit është biznesmeni nga Bulqiza, Shkëlqim Llagaci, njeri i përkushtuar dhe sportdashës.
Ambiciet e ekipit janë të mëdha. Ne synojmë të ngjitemi në Kategorinë e Dytë. Nga bisedimet që kemi bërë me përfaqësues të Federatës na është komunikuar dhe lënë detyrë zbatimi i disa pikave:
–    Rrethimi i fushës aktuale në Bulqizë;
–    Rikonstruksioni i dhomave të zhveshjes aktuale;
–    Drenazhimi dhe sistemimi i fushës;
–    Garancia financiare gjatë edicionit.
Vlen të theksohet ndihma e madhe e Kampionëve Keta që dhuruan 45 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e fushës së futbollit, i cili pritet të nisë së shpejti.
Në bashkëpunim me Bashkinë dhe Presidentin e Klubit ne po mundohemi që këto pika t’i realizojmë, gjithashtu po mundohemi që të zgjerojmë rrethin e sponsorëve të ekipit. Është lënë me Kryetarin e Bashkisë një tryezë e rrumbullakët ku do të ftohen biznesmenë dhe menaxherë që kanë interes dhe dëshirë në ngritjen e sportit në Bulqizë.
Ekipi ka logon e vet, numrin e vet të llogarisë, faqen e vet në internet, një strukturë organizative dhe objektiva të qarta.
Ne kërkojmë më tepër interesim nga ana e pushtetit lokal dhe qendror në konsolidimin e sportit në Bulqizë.

S'KA KOMENTE