Keta: Ndryshimet ligjore nuk japin decentralizim të pushtetit vendor

Deputeti i PD: Ligji i ri për pushtetin vendor, nuk jep autonomi për bashkitë dhe nuk do të sjellë risi për qytetarët

89

Fundvitin e kaluar mazhoranca votoi me 88 vota pro ligjin e ri për qeverisjen vendore. Por opozita nuk ka rënë në konsensus me qeverinë dhe siç thekson deputeti i PD, Roland, reforma është e rëndësishme, por nuk  mund të bëhet pa konsensusin e opozitës. Z.Keta si një ish-Kryebashkiak për disa vite e shikon si një problem reformën sepse një përqindje e madhe në këshillat bashkiak e përbëjnë këshilltarët nga qyteti dhe ish-komunat sipas tij nuk kanë përfaqësues të tyre në këshill. “Si rrjedhojë shton korrupsionin, ul transparencën dhe zvogëlon vëmendjen për ish-komunat”, ka shtuar Keta.
Më tej Keta e komenton ligjin si pengesë të autonomisë që duhet të ketë pushteti vendor dhe nuk sjell risi për qytetarët. Një tjetër problem që deputeti Keta e parashtron është dhe roli i Kryetarëve të Bashkive, e ku ai mban qëndrimin se janë rritur kompetencat e kryetarëve por janë ulur kompetencat e këshillave bashkiakë.
Si deputet në zonën e Bulqizës ai ka denoncuar dhe shfrytëzimin e pyjeve, ku dhe qytetarët kanë bërë një peticion. “Ky shfrytëzim sjell pasoja në furnizimin me ujë të pishëm dhe në sistemin vaditës. Institucionet nuk u janë përgjigjur banorëve, përveç institucionit të Prefektit ku u jep të drejtë banorëve”, ka theksuar më tej z.Keta
Miratimi i ligjit për qeverisjes vendore, ju si një ish-Kryebashkiak për disa vite në qytetin e Bulqizës, si do ta vlerësonit?
Ligji i Qeverisjes Vendore është një ligj i rëndësishëm dhe si ish-Kryebashkiak për shumë vite mendoj se vetëm decentralizimi dhe autonomia vendore do të rrisë aksesin e qytetarëve në vendimmarrje. Do të rrisë cilësinë dhe shtimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Mendoj se ligji detyrimisht duhej të ishte miratuar para zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit, sepse ka 6 muaj që solli ngërç ligjor dhe paralizë të shumë shërbimeve në Bashkitë e reja, si në mbledhjen e të ardhurave dhe në menaxhimin e territorit. Reforma Administrative Territoriale është reformë politike dhe nuk  mund të bëhej pa konsensusin e opozitës, kjo reformë largon shërbimin ndaj qytetarëve, ul ndjeshëm pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. Ul përfaqësimin në këshillat bashkiakë të banorëve të ish-komunave. Sot një përqindje më të madhe në këshillat bashkiak e përbëjnë këshilltarët nga qyteti dhe ish-komunat nuk kanë përfaqësues të tyre në këshill, si rrjedhojë shton korrupsionin, ul transparencën dhe zvogëlon vëmendjen për ish-komunat. Sot jemi në muajin dhjetor dhe akoma nuk ka përfunduar zgjedhja e Kryepleqve në fshatrat, ku me nenin 45 të ligjit 8652 duhet të kishin përfunduar brenda 6 mujorit të parë, pas zgjedhjeve lokale. Ligji i Qeverisjes Vendore që u miratua para një jave, u realizua pa u konsultuar me opozitën, me ekspertë të Qeverisjes Vendore. Shoqatave të Bashkive, sigurisht që duhet të merreshin opinionet e kryetarëve të bashkive dhe rekomandimet e kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale Europiane. Ndryshimet ligjore nuk japin decentralizim të pushtetit vendor por në shumë nene centralizohen kompetencat e tyre. Ky ligj nuk jep të drejta ekzekutive dhe të plota bashkive të reja. Këshillat bashkiak dhe kryetari nuk mund të marrin 100% vendime të pavarura (si rregullatore dhe e drejta për shërbime, e drejta për burimet njerëzore në arsim, shëndetësi apo shërbim pyjor ) pa u konsultuar dhe pa udhëzimet e qeverisë. Qeveria ndërhyn në transfertën e pakushtëzuar, nuk ua transferon fondet për investime të zhvillimit të rajoneve. Në këtë ligj cenohet rëndë  autonomia e qarqeve duke shkelur mënyrën e konstituimit dhe përfaqësimit politik duke shkelur nenin 110  pika 3 të kushtetutës. Mendoj se ky ligj nuk jep autonomi të pushtetit vendor dhe nuk do të sjellë risi për qytetarët. Me reformën territoriale a kanë ndryshuar kompetencat e kryetarëve të Bashkive? Kalimi i disa shërbimeve në Bashkitë, a e ka vështirësuar mekanizmin e punës në komuna?
Po, kompetencat dhe autoriteti i kryetarëve është rritur dhe janë ulur kompetencat e këshillave Bashkiakë. Kryetarët ushtrojnë të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të Bashkisë dhe në ish-komunat. Ka më shumë kompetenca në strukturën e Bashkisë, ku në ligjin e mëparshëm këtë të drejtë e kishte këshilli Bashkiak. Centralizohen dhe politizohen emërimet e administratorit, kryepleqve dhe të gjithë administratës dhe institucioneve në varësi. A e ka vështirësuar mekanizmin e punës në ish-komuna? Sigurisht e ka vështirësuar, se ka ulur shërbimin dhe vëmendjen në ish-komuna, ka hequr të drejtën kushtetuese të banorëve dhe fshatrave dhe komunave për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Kjo nuk është liri, kjo nuk është Demokraci pasi që banorët e fshatrave dhe të ish-komunave duan 1-2 ditë për të marrë shërbime në qendrat e bashkive, kjo është kosto financiare për to, kjo sjell stres te qytetarët.

Po kryetarët e Bashkive nën vlerësimin tuaj, a janë të adaptuar me ndryshimet e fundit?
Kryetarët e bashkive një pjesë e tyre janë zgjedhur për herë të parë dhe akoma nuk kanë asnjë informacion dhe nuk është marrë mendimi i tyre për këtë ligj. Prandaj ne si opozitë kërkuam që ky  ligj të miratohet para zgjedhjeve lokale dhe ja ku jemi sot, ka 6-të muaj që shumë shërbime për qytetarët dhe njësitë vendore janë paralizuar. Mendoj që edhe viti 2016 do të ketë të papritura me transferimet e kompetencave gjysmake gjoja të reja dhe do të ketë dështime në shërbimet ndaj qytetareve. Kjo qeveri nuk ka vullnet  për decentralizim, por vetëm ka centralizuar shërbimet e pushtetit vendore nga dy vjet.

Çfarë u miratua në komisionin e çështjeve sociale, në buxhetin e shtresave në nevojë si për rininë dhe për ish-të përndjekurit?
Buxheti 2016 nuk zgjidh problem sociale, nuk nxit punësimin por e shton papunësinë. Ka ulur fondin e ndihmës ekonomike, ka hequr kompensimin e energjisë elektrike për shtresat në nevojë. Ka planifikuar heqjen nga skema e 10 mijë invalitëve pa asnjë studim, pa asnjë analizë  sëmundshmërie. Nuk rrit fondin për ish-të përndjekurit, ku u premtoi se brenda dy viteve do të përfitojnë të gjithë ato të ish-persekutuar që janë gjallë por ku jemi sot asnjë fond shtesë për ish të përndjekurit, nuk rriten fondet për rininë dhe nxitjen e punësimit të tyre.

Në Fushë Bulqizë, qytetarët kanë nënshkruar peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama, për shfrytëzimin të paligjshëm të pyjeve, çfarë është bërë deri më tani?
Po është e vërtetë, banorët e ish-komunës Fushë-Bulqizë janë drejtuar Kryeministrit dhe të gjithë institucioneve për të drejtat e tyre, për shfrytëzimin të paligjshëm të pyjeve. Shqetësimi i tyre është i drejtë dhe ligjor sepse prek interesat ekonomike të tyre, cenohet siguria dhe jeta e tyre  nga orteqet dhe nga erozioni. Ky shfrytëzim sjell pasoja në furnizimin me ujë të pishëm dhe në sistemin vaditës. Institucionet nuk u janë përgjigjur banorëve, përveç institucionit të Prefektit ku u jep të drejtë banorëve. Personalisht i kam mbështetur dhe do ti mbështes për këtë të drejtë ligjore të tyre.

Deri më tani keni kritikuar shëndetësinë, por a po ofrohen më shumë shërbime në reja dhe më cilësore krahasim me dy vite më parë?
Shëndetësia është një sektor që kërkon buxhet shumë të madh. Se sa është buxheti i dy viteve, ai është më i vogli në Ballkan. Në 2013 Rilindja premtoi shërbim shëndetësor falas, ku jemi sot ? Mungesë medikamentesh e aparaturash në spitale, mungesë specialistësh, asnjë investim në qendrat shëndetësore e spitalet bashkiake, në buxhetin e 2016 shkurtohen me qindra mjekë dhe infermierë. Po tentohet mbyllja e spitaleve bashkiake, po shkatërrohet sistemi shëndetësor me ligjin për barnat, me koncesione të panevojshme si ai i check-up, i dializës, i sterilizimit ku të gjitha së bashku janë 300 mil dollarë. Mendoj që këto fonde të dërgoheshin në spitale apo shërbim parësor, do të kishim më shumë shërbime, më shumë medikamente për qytetarët. Këto janë koncesione abuzive, klienteliste dhe kanë krijuar monopole. Sot shëndetësia është në ditët më të vështira të saj.

Keni denoncuar se në Spitalin e Bulqizës mungon stafi profesional. Këto zona janë dhe në kushte terreni të vështira për sa i përket stinës së dimrit. Çfarë masash keni marrë ju si deputet i zonës, për të përcjell këtë shqetësim?
Besoj se është për të ngritur zërin dhe për tu alarmuar për gjendjen e spitalit të Bulqizës. Unë jam mjek dhe e njoh mirë atë spital, ai sot rënkon, ai sot kërkon vëmendje nga politika dhe qeveria. Bulqiza një rreth me 45 mijë banorë me mbi 2500 mijë minatorë ku aksidentet mund të ndodhin në çdo momente. Por çfarë ndodh në spital? Ka dy vite që nuk ka investime, nuk ka mjek kirurg, gjenekolog, reanimator, kardiolog. Në buxhetin e 2016 shkurtohet dhe numri i mjekëve dhe rritet numri i shoferëve, a thua kanë në plan ta kthejnë park shoferësh. Spitali po nuk pati mjekë e specialistë nuk funksionon, qeveria duhet ta kthejë vëmendjen nga spitali i Bulqizës.

S'KA KOMENTE