Fondit të punimeve me vlera dhe me prurje të arrira i shtohet studimi që kemi në duar, një punim i realizuar me cilësi, me seriozitet, me kujdes dhe me kërkesa shkencore që e bëjnë atë të vetëqëndrueshëm dhe monografik.
Studiuesi Besnik Rama, me një përvojë shumë të mirë shkencore, pedagogjike e botuese (autor edhe i një botimi monografik për esenë në maturë, autor i disa librave të gjuhës shqipe për mësuesin e pjesëmarrës në shumë veprimtari shkencore e kualifikuese) në këtë punim është në një truall që e njeh mirë, është, me plot gojën, në shtëpinë e tij. Në vazhdim po listojmë disa nga veçoritë e punimit që mishërojnë çka pohuam.
Nën udhëheqjen shkencore profesionale të prof. dr. Mimoza Gjokutaj, punimi është ideuar, konceptuar, strukturuar e realizuar saktë shkencërisht, duke e trajtuar një problem shumëplanësh nga disa këndvështrime, që dalin të lidhura organikisht. Lënda është konceptuar në disa kapituj, të strukturuar në nënkapituj, me sythe shumë të imëta e të frytshme, duke sjellë dhe për çdo kapitull edhe përfundime të sakta shkencore e me interes shkencor, pedagogjik e metodik.
Studiuesi sjell një lëndë të vëllimshme dhe argumenton saktë shtysën për trajtimin e temës përmes pohimit se “mësimi i gjuhës amtare në shkollën tonë është shoqëruar nga përpjekje të vazhdueshme për ndryshime e përmirësime me qëllim zhvillimin e një kurrikule që u mundëson nxënësve zotërimin sa më mirë prej tyre të kompetencave gjuhësore”. Si punonjës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (sot Ministria e Arsimit dhe Sportit), dr. Besnik Rama ka ndjekur nga afër këto ndryshime e përmirësime, ndaj bashkë me udhëheqësen shkencore sipërmorën realizimin e punimit për një vështrim bashkëkohor të kurrikulës, të mësimdhënies e të të nxënit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë.
Studimi ka marrë përsipër të trajtojë, dhe trajton, një sërë problematikash me synimin kryesor për të evidentuar “zhvillimin historik e bashkëkohor të mësimit të gjuhës shqipe, traditat e përvojat më të mira në këtë fushë, si dhe hapësirat e mundësitë për ngritjen e nivelit të mësimdhënies duke synuar realizimin e kërkesave të sotme, në mënyrë që nxënësi të zotërojë kompetencat gjuhësore për të komunikuar e për t’u shprehur qartë, rrjedhshëm e bukur me gojë e me shkrim në shumëllojshmëri situatash e nevojash vetjake e më gjerë”. Pasi përfundon së lexuari punimin, vëren me kënaqësi se ky synim është realizuar me sukses.
Dr. Besnik Rama, nën udhëheqjen e prof. dr. Mimoza Gjokutaj, ka përfshirë në punim shumë çështje, të cilat mund të formonin tema të mëvetësishme doktoratash, si: kurrikula e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në kontekst bashkëkohor, mësimdhënia e të nxënit, formimi gjuhësor e letrar përmes punëve me shkrim, mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, ndihmesa e gjuhëtarëve tanë në fushën e studimeve të gjuhës dhe në atë të hartimit të teksteve shkollore etj. Kjo shumësi problemesh e kthen natyrën e punimit në vlera binare: lineare e mozaike, trajtimet janë bërë shkencore dhe qëndrojnë organikisht të lidhura e të gërshetuara mirë.
Studimi ka informacion të shumtë që vjen i shkallëshkallshëm, duke ndjekur përgjithësisht një renditje historike, të lidhur me zhvillimet e shoqërisë shqiptare e të arsimit në Shqipëri, 150 vitet e fundit. Kjo ka mundësuar që të bëhen edhe përqasje, krahasime dhe ndjekje të zhvillimeve e të përmirësimeve nga pozita përgjithësimi, për të kaluar te vështrimi bashkëkohor i mësimdhënies së gjuhës shqipe e të letërsisë. Studimi, edhe pse përqendrohet apo organizohet rreth temës bosht, ka lëndë të shumëfishtë, madje enciklopedike për shumë zëra e fusha, qoftë kur shihen figura me peshë në historinë e arsimit e të shkollës shqiptare, qoftë kur shihen ngjarje me peshë përcaktuese në historinë e kombit tonë, por edhe të gjuhës shqipe, lidhur pazgjidhshmërisht me procesin e përvetësimit e të nxënies së gjuhës shqipe. Në punim ka paraqitje statistikore e diagramore me interes jo vetëm metodik e pedagogjik, por edhe historik. Autori ka punuar me kujdes e pasion dhe mënyra e paraqitjes së statistikave dhe diagrameve është atraktive.
Punimi, në fund, është i pajisur me përfundime e rekomandime, që tregojnë një profesionalizëm shkencor, por edhe një proces të gjatë vëzhgimi, pune, debati në mjediset e shkollës e jashtë saj.
Punimi shoqërohet me literaturën shkencore të domosdoshme, por edhe të bollshme, në formën e printuar apo elektronike, që i ka shërbyer autorit të studimit për të trajtuar sa më mirë, sa më plot e saktë shkencërisht e metodikisht lëndën e synuar. Studimi karakterizohet përgjithësisht nga një gjuhë shkencore e konsoliduar dhe me rrjedhshmëri e qartësi shprehjeje, duke treguar se dr. Besnik Rama jo vetëm ka një formim të qëndrueshëm, por di ta pasqyrojë atë dhe në ligjërimin e shkruar në mënyrë shkencore, të kujdesshme e me kërkesa në rritje.

S'KA KOMENTE