Kur takon një person, pasi të pyet si quhesh, ç’profesion ke, pyetja e tretë në radhë në 99% të rasteve është se nga vjen. Mua personalisht, kohët e fundit më është dashur të takoj shumë njerëz të rinj dhe në diskutim e sipër më është shtruar pyetja se nga vjen. Këtë pyetje të bërë ndaj meje, unë e përdor për të bërë paksa lojra me ta, ju drejtohem me një kundra pyetje: po nga mendon se jam!? Fytyra ju merr një teh mendueshmërie, rrudhosen dhe fillojnë të mendojnë. Pasi japin disa përgjigje të pasakta, ju tregoj origjinën. Bulqiza… Ke dëgjuar ndonjëherë për Bulqizën, i pyes? Nuk ngurojnë të më përgjigjen se nuk ja kanë idenë për këtë qytet, veçse faktit se në Bulqizë ka miniera dhe vriten shumë persona në të, dhe këto informacione kishin pasi kaq kishin dëgjuar të flitej në media. Pak ditë më parë takoj një profesor nga Bulqiza, të dalë në pension, që ditët e pensionit nuk dëshiron t’i kaloj duke qëndruar në shtëpi, por punon që t’i jap sadopak zë këtij qyteti. E takoj në një ditë me një shi të rrëmbyeshëm në Tiranë. Pasi diskutuam ato çështje të cilat na interesonin, në fund më jep disa kopje të gazetës lokale. I mora, i mblodha dhe i vendosa në çantë. Me këto kopje të gazetës vendosa të bëj një eksperiment. Të nesërmen kisha një orë leksioni që studentët e Gazetari dhe komunikimit në Universitetin e Tiranës nuk e humbisnin. Mendova që këto gazeta t’i shpërndaj në auditor, për të parë se çfarë qëndrimi do të kishte tek studentët e Gazetari dhe komunikimit. Ata që nuk janë konsumator të zakonshëm të gazetave dhe mediave, por i shikojnë me një sy më tjetër.
Shikoja që ngelën shumë të habitur teksa shikonin një gazetë me emrin e një qyteti, që ashtu siç e thashë në fillim e dëgjonin vetëm kur vritej ndonjë minator. Po shikoja që një pjesë e madhe ishin shumë të interesuar për të shfletuar këtë gazetë të qytetit të humbur; çfarë kishte? Një nga miqtë e mi, me origjinë nga Durrësi, nga ata durrësakët 24 karat, një nga studentët që i pëlqen të lexoj shtypin e shkruar, më afrohet dhe më uron për të dhe më thotë se po shikonte diçka ndryshe: “Kemi nevojë për një media lokale” – u shpreh ai.
Në fillim të janarit, televizioni më i madh kombëtar, i kushton një hapsirë rreth 30 minuta në programacionin e tij, për të folur mbi Bulqizën dhe mundësitë turistike që të ofron ky qytet. E ndoqa nga fillimi në fund, me një frymë, sepse ishte hera e parë që qyteti im i humbur mes maleve, nuk diskutohej më për minator të vrarë, por për mundësitë turistike që të ofronte kjo zonë.
Kur takova një mikun tim nga Pogradeci, në bisedë e sipër më kërkon t’i flisja diçka për qytetin nga unë vija. Kishte kompjuterin përpara. I kërkoj që të shkonte tek një faqe lokale në facebook, aty do kishte informacionin e domosdoshëm, sa për të krijuar një ide për këtë qytet. I kërkoj që të shikoj disa video, ndër to edhe të emisionit “Në Shtëpinë Tonë”. Fytyra i mori një shprehje tjetër, po e ndiqte me shumë vëmëndje. Nuk e ndërpreva dhe e lash që ta ndiqte deri në fund, pastaj ju drejtova të më tregonte se çfarë mendonte, përpara se të flisja unë: “Qenka me të vërtetë një qytet shumë interesant” – u shpreh ai.
“Më bën përshtypje fakti se ju flisni një gjuhë shumë të pastër, nga vjen kjo!? – më pyeti ai. Rrudha krahët dhe i thashë se nuk e dija, unë kështu flas, edhe ata personazhet e emisionit ashtu flasin, pastër, thuajse shumë afër gjuhës standarde. “Por ju vetëm për galeritë, aksidentet, varfërinë e banorëve ju kanë përmendur” – mu drejtua ai. I’u kundërpërgjigja duke i thënë se nuk kemi vetëm galeritë, por edhe gjëra të veçanta, për të cilat rrallë është folur.
Nga kjo zone, sa nga rrethanat e krijuara, sa nga paaftësia jonë, sa nga paaftësia e institucioneve të kulturës, kemi arritur të përcjellim për masën e popullsisë vetëm një anë të medaljes, kurse atë pozitiven e kemi lënë të ndryshket. Për mendimin tim, e gjitha kjo ka ardhur për faktin se ne e kemi pasur shumë të dobët pjesën e komunikimit me pjesën tjetër të shoqërisë, dhe nuk kemi arritur t’i promovojmë aq sa duhet cilësitë pozitive tonat.
Mungesa e infrastrukturës rrugore ka bërë që shumë turistë, vendas por edhe të huaj, të mos dijnë se ku mund të ndodhet Bulqiza. Çfarë resursesh ka? Çfarë mund të vizitoj? Ku mund të akomodohet? Si janë njerëzit? Informacion mbi traditën dhe kulinarinë? E shumë e shumë të tjera, kanë çuar në këtë mungesë informacioni.
Turizmi kësaj zone do t’i sillte mundësinë që burimin e saj të jetesës të mos e shikonte vetëm tek kromi, emigracioni por edhe në ato se çfarë zoti i ka dhënë. Vetë ndërtimi i zonës do të na sillte që ta shfrytëzonim në të gjitha stinët e vitit. Tani që jemi në dimër, nëse do të kishim një infrastrukturë të ngritur, do të ishim bërë një vend pritës i turistëve të cilët janë të apsionuar rreth sporteve dimërore. Nuk janë të paktë ata të cilët zgjedhin të shkojnë në një vend tjetër të Shqipërisë, apo edhe jashtë, ku në realitet, ajo se çfarë mund të ofroj kjo zonë në këtë drejtim, është shumë herë më lart se shumë destinacione ekzistuese të turizmit dimëror.
Të mos flasim pastaj për elemente të tjera të kulturës dhe historisë, të cilët kësaj zone nuk i mungojnë, por kanë ngelur thjeshtë në kuadrin e takimeve të vogla lokale, që në thelb mbeten vetëm lokale. I ashtuquajturi turizmi kulturor është shumë i preferueshëm nga turistët perëndimor dhe vitet e fundit kemi edhe një interes të shtuar edhe tek vendasit. Kjo zonë ka aq shumë objekte dhe monumente të kulturës, të cilat do të ishin kthyer në destinacion turistik. Por kemi një mungesë të madhe informacioni. Nëse mua do të më kërkonte një mik i imi që do të bënte një vizitë në Bulqizë, për të vizituar një monument të caktuar kulturor, me siguri unë mund të di tre-katër, por kaq. Për mendimin tim, ky kushtëzim në informacion ka ardhur pasi institucionet e kulturës kanë ngelur vetëm në kuadrin e organizimit të shfaqjeve për festat e nëntorit, ose të fundvitit, kaq. Nuk kemi asnjë material të shkruar, qoftë edhe në formë guide, që të dimë pak më shumë për vendlindjen tonë.
Shqipëria njihet edhe për turizmin e gjuetisë, por edhe në Bulqizë ka individë të caktuar të cilët e ushtrojnë këtë lloj sporti. Por a kemi pasur ndonjëherë një organizim të denjtë të tij, për ta shfrytëzuar edhe në drejtime të tjera, jo!!! Pasi jam shumë i sigurtë se një pjesë e madhe edhe të atyre që e ushtrojnë këtë sport, nuk kanë asnjë informacion në lidhje me speciet të cilat janë në mbrojtje dhe që ndalohet gjuetia e tyre. Ndoshta në një të ardhme të afërt do të jemi përballë një problemi shumë të rëndë, zhdukjen e specieve karakteristike të zonës dhe shkaktimin e një dëmi të rëndë.
Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Bulqizë u ndërtuan bunkere (ose fortifikime) gjatë periudhës së Komunizmit. Vitet e fundit ato u shkatërruan me eksploziv, ca në mënyrë ilegale nga vetë banorët, e ca të tjerë me firmë dhe me vulë. Por mjafton të shikojmë vendet e rajonit, të cilët ashtu si ne dolën nga diktatura në fillim të viteve ‘90, për të kuptuar se si kanë vepruar me të tillë objekte (fortifikime). I kanë kthyer në vlera të historisë, duke i shfrytëzuar në mënyrë shumë efikase në drejtim të turizmit, duke i kthyer në objekte shumë të vizitueshme, por edhe si tregues të një periudhe të historisë së vendit. Po tek ne, si “ekspert të shkatërrimit të vetvetes”, çfarë bëmë, u vendosëm eksplozivin, dhe me hekurin që nxorëm ndërtuam objekte betoni duke zënë hapsira publike pa plan urban. Por kjo situatë nuk është krijuar se rrjedhat e kanë çuar këtu, por sepse nuk ka pasur një politikë të mirfilltë shtetërore, por edhe lokale të drejtuar nga sektori i turizmit. Ky sektor akoma mbetet në pikë të hallit, pa vizion, pa projekte, pa një strategji zhvillimi për të ardhmen, por vetëm me idenë se një ditë do të bëhet më mirë.   Ashtu siç thotë edhe Aristoteli që qenia njerëzore shkatërron një të mirë të madhe për të fituar një të mirë të vogël, edhe ne, me keqardhje e kemi bërë diçka të tillë. Por, po vazhduam të ecim në këtë rrjedhë, besoj se akoma do të na njohin si qyteti i galerive.

S'KA KOMENTE