NJOHURI PËR FSHATIN DUSHAJ NË BULQIZË

Në këtë fshat gjëndet Teqja e Madhe ku prehet Baba Rrafmani që ishte i pari i fisit që erdhi nga Iraku

294

Fshati Dushaj është fshat i Bulqizës, që ndodhet në një lartësi 740 – 2100 m mbi nivelin e detit. Ka klimë të freskët në verë dhe dimër me temperaturë të ulta e reshje dëbore, që krijojnë vështirësi për kushtet e jetesës. Nga ana jugore kufizohet me fshatin Fushë-Bulqizë; në   perëndim me fshatin Koçaj; në veri me Malin e Bardhë që e ndan me Kacni e Selishtë; në lindje me Malin e Temlës që e ndan me fshatin Peladhi.
Banorët e parë erdhën në fshatrat Dushaj e Koçe, që ndërtuan shtëpi të tipit kullë me mure guri e balte, me çati druri, shumica me dy kate, ku në katin përdhe mbanin bagëtitë e në katin e dytë rrinin banorët. Zjarri  vendosej në mes të shtëpisë, për t’u ngrohur e gjithë familja. Për shtresa e mbulesa përdoreshin pjafë e velenxa prej leshi e lëkura gjysëm të regjura. Veshjet e banorëve ishin të gjitha prej lëkure e leshi të bagëtive. Emërtimi i fshatit, sipas gojëdhënave, vjen nga lashtësia, por nuk ka të dhëna të sakta. Në tefterin turk të vitit 1467 shkruhet vetëm “Fshati Bulqizë” si fshat derbend i përjashtuar nga taksat dhe këtu përfshihen të gjithë fshatrat që janë sot. Në regjistrimin e Austro-Hungarezëve në vitin 1916, Dushaj shënohet si lagje e fshatit Lepuraku të komunës “Sheh Hysenaj” (Zerqan) dhe së bashku me lagjet Ciraj, Dushaj, Gropa e Lepuraku, kanë 115 shtëpi dhe 679 banorë.  Historikisht ky fshat nuk është zotëruar plotësisht nga pushtuesit e huaj, në sajë të disa faktorëve, ku del se kryesore ka qenë rebelimi e kryengritja shumë e organizuar e dusharëve.
Në këtë fshat gjendet Teqja e Madhe ku prehet Baba Rrafmani që ishte i pari i fisit që erdhi nga Iraku dhe u vendos të banojë në fshatin Dragu të Bulqizës. Mulla Hasan Dedja (i biri) mori tokën e Xhaferr Roçit dhe ndërtoi teqen në Kome. I biri i Mulla Hasanit  ishte Sheh Rrafmani (i ri), që pati djem Sheh Zyberin e Jashar Deden dhe vajzë Zelien që u martua tek Cangët në Vajkal dhe lindi Baba Fejzë Cangën. Pinjollët e këtij fisi kanë qenë të mënçur, të drejtë e trima sa populli i ka dëgjuar dhe ju ka besuar si prijës në rrugën e besimit shpirtëror tek Allahu.
Teqja e Madhe e “Tarikatit Kadri” , ndodhet në Lagjen Kome të fshatit Dushaj. Themeluesi i kësaj Teqeje , është prijësi shpirteror Sheh Rrahmani që thuhet se ka ardhur ne Bulqizë në shek.XVI si misionar për përhapjen e islamit në Shqipëri. Edhe sot vlerësohet roli i rëndësishëm në popullin e zonës së Bulqizës , ku të gjithë në shenjë respekti e thirrnin “Baba”. Si prijës shpirtëror i kësaj teqeje ai ka qenë ndër njerëzit me mistikë mbresëlënëse. Ai ishte prijës shpirtërorë i tarikatit të zgjedhur të ardhur nga radhët e dijetarëve nga Horosani ne Shek.XVI, Horosani ka qenë një nga qendrat e misionarëve, të islamit në atë kohë.
Themeluesi i Tarikatit Kadri, është Abdu’l-Kadir Gejlaniu që ka lindur në vitin 470/1077 dhe ka vdekur në vitin 561/1165, ka jetuar 91 vjet. Ata arritën të mbrohen nga këto devijime modalitetesh. Konkluzioni figurativ i famshëm, “këmba e palëvizshme (gjilpëra) e kompasit është sheriati (ligji kanonik)” mbi besnikërinë ndaj të vërtetave kanonike. Teqeja e Madhe e Bulqizës është një ndër shtatë Teqetë e Dibrës .
Shehlerët e kësaj teqeje kanë dhënë kontribut në trevën e Bulqizës, në jetën shoqërore, në predikimet fetare dhe në zgjidhjen e konflikteve e pajtimin e gjaqeve. Dihet nga banorët e Bulqizës se Sheh Zyberi, në vitet 1800, ka organizuar e bashkëfinancuar me disa familje të Bulqizës , Valikardhës e Peladhisë ndërtimin e Urës së Qytetit duke lehtësuar kalimin e Zallit të Bulqizës. Teqeja e Madhe nga ajo kohë e deri sot përfaqësohej nga shehelerët: Sheh Rrahamani; Sheh Zyberi; Sheh Saliu; Sheh Aliu; Sheh Zyberi dhe Sheh Aliu i ri.
Shehlerët e Teqes së Madhe së bashku edhe me Shehlerët e Teqes së Zerqanit kane mbështetur përpjekjet e popullit për liri në luftrat çlirimtare, si dhe për çështje jetike të trevës së Bulqizës. Bashkëpunim shumë të mirë kishin me Teqen e Sheh Fejzës (nipi i Teqes se Madhe). Sheh Fejza ka qenë 20 vjet imam në xhaminë e Teqes së Madhe dhe më pas përqafoi Tarikatin Bektashi. I veçantë është fakti se Shehlerët e Teqes së Madhe, pranë teqes kanë ndërtuar dhe xhaminë e cila shërben për kryerjen e shërbesave fetare.
Sheh Aliu, Dushaj, klerik intelektual, atdhetar e nacionalist që e donin e gjithë Bulqiza në kohën e tij për qëndrimin e tij burrëror në mexhilise për të drejtat e popullit të tij. Familja e tij gjatë regjimit komunist u shpallën kulakë dhe u përfshi në kalvarin e vuajtjeve të pashembullta. Sheh Aliu është e do të mbetet i paharruar në kujtesën popullore të Bulqizës.
Staf Çakalli nga lagja Qyre e fshatit Dushaj  ishte me Baba Fejzë Cangën (Bulqizën) në Xixull më 27 prill 1860. Stafa ishte  bektashiu trim, që vetë i dymbëdhjetë ranë dëshmor në atë luftë. Ishin në krahun e Dalip Karajit dusharët Veli Xhaferri, Ismail Çakalli, Tuç Karakoçi (Ismaili), Miftar Meta, Sulë Hupi, etj që dhanë shembull bese e trimërie në qëndresën e “Çetës së Bulqizës” që kishte emër në trevat dibrane.
Në fundin e muajit qershor të vitit 1874 ka ndodhur  ngjarja në Qafën e Kamavecit, që ka mbetur në kujtesën e bulqizakëve e pa harruar. Stani i Shehlerëve ishte vendos në Lugun e Menës, me 1500 kokë dele. Zenel Cenmeta një djalë 25 vjeçar, me bukuri trupore e bujari shpirtërore, trim i pashoq ishte mertelloz (roje) në këtë stan. Zeneli kishte shkuar të mbushte ujë tek gurra e Meshkës, kur 28 burra grabitës nga Zogjaj lëshohen mbi stan, vrasin qentë dhe lidhin plakun dhe djalin e vogël që ishin aty. Ali Shkinën që ishte stopa (përpunues i qumështit) i stanit u iku me shpejtësi banditëve dhe lajmëroi Zenelin. Të dy bashkë i dalin tufës para në Qafën e Kamavecit. U kërkojnë grabitësve të heqin dorë nga ky veprim e të linin tufën, por ata si të tërbuar vazhdojnë të shtynë dhentë. Këtu ka plasë lufta dhe Zeneli e Aliu si dragonj do të luftonin me 28 veta. Pas qëndresës heroike arritën të vrasin 12 grabitës, kurse të tjerët e lanë tufën e ikën të tmerruar. Kështu u shpëtua pasuria e popullit të Bulqizës. Zeneli e Aliu morën plagë të randa dhe kur arritën ndihma e luftëtarëve nga fshati, i gjeti të cfilitur nga plagët e rënda. Zenel Cenmeta (Xhaferri) dhe Ali Shkina vdiqën në krahët e vëllezërve të tyre si heronj dhe mbetën në historinë e Bulqizës të pavdekshëm.
Luftëtarët bulqizakë me gryka të pushkëve ende të nxehta nga luftrat me turqinë deri në shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, përballen me pushtuesit mizor serbë që i pritën me luftë të ashpër. Beteja të njëpasnjëshme qëndrese u bënë edhe me serbët në 1913 – 1914 e në 1918 – 1921 në Dushaj e në të gjithë Bulqizën. Historikisht ky fshat është goditur rëndë nga pushtuesit e huaj në të gjitha kalimet e tyre në viset e Bulqizës. Luftëtarët e këtij fshati të fiseve Xhaferri, Çakalli, Dani, Meta, Alla, Curri, Hupi, etj. ju kanë bërë ballë kërcënimeve të pushtuesve dhe kanë mbrojtur me vendosmëri trojet e tyre duke bashkëpunuar me “Çetën e Bulqizës” dhe me patriot të tjerë si Baba Fejzë Bulqiza, Sheh Sula, Dalip Karaj, Eba Myslimin, Mehmet Duriçi, etj. Në Dushaj,serbët hasën në rezistencë të fortë të vendasve të udhëhequr nga patriot e luftëtarë që ishin të lidhur në besë për të mbrojtur vatanin dhe për të kërkuar të drejtat e tyre për sigurinë e jetës në këtë fshat.  Për çdo rrezik që i kanosej fshatit Dushaj, do të shtinte tre herë me pushkë njëri nga luftëtarët dhe e gjithë çeta do të vraponte në drejtim të krismave për të qenë të bashkuar në çdo situatë. Për këtë rast ishte bërë itifak që gjatë grumbullimit të luftëtarëve, askush nuk mund të vepronte për hasmëritë e familjes së tij, pasi në mbrojtje të fshatit  të gjithë ishin vëllezër, kështu ishte arritur një organizim i shkëlqyer i qëndresës popullore. Çeta e Dushaj bashkëpunonte me luftëtarë e patriotë nga Gryka e Madhe e Katër Grykët dhe kjo e bënte atë me nam për gjitha viset dibrane. Hasan Alla u bashkua me Mehmet Duriçin dhe në krye të luftëtarëve bulqizakë, me të marrë vesh se ushtritë e pushtuesve serbë janë në Sopot dhe ecin në drejtim të Zerqanit, Valikardhës e Bulqizës, vrapuan nëpër Bulqizë për të shtuar radhët, dolën mbi fshatin Peladhi e zunë pozicionet në shkëmbinj, për t’i prerë rrugën pushtuesve të pabesë. Hasan AlIa doli vrojtues për të ndjekur rrugën e ushtrisë serbe dhe me të rënë në përpjekje me patrullën, ndizet luftë e ashpër. Një syshqiponjë lufton me qindra dhe nuk mposhtet. Pasi vrau e plagosi shumë serbë, plumbat e malIkuar të armiqve të tërbuar e goditën këtë trim rëndë. Hasan Alla edhe i plagosur luftën nuk e ndali deri sa dha jetën duke u thirrur shokëve që të sulen mbi armikun e pabesë me guxim e trimëri. Qëndresa e Hasan Allës, ka mbetur nga ajo kohë në historinë e kësaj krahine si një shembull i shkëlqyer i trimërisë e guximit në luftë për mbrojtjen e atdheut.
Në këtë fshat burra trima e të mençur si Veli Xhaferri, Staf Çakalli, Ismail Çakalli, Tuç Karakoçi (Ismaili), Zenel Cemeta (Xhaferri), Sulë Hupi, Miftar Meta, Hasan Alla, etj qëndruan në kohë të vështira përballë të gjitha problemeve të kohës kur kanë jetuar, rendën pas lirisë me dinjitet njerëzor dhe i dhanë emër të mirë të gjithë fshatit në rrugën e gjatë të mbijetesës.
Përpjekje për të hapur shkollë në Dushaj janë bërë qysh në shekullit XIX nga burra patriotë, që sollën disa “Abetare” nga Dibra, por mbetën në nivelin e kurseve, pasi nuk kishte mësues. Disa të rinj nga ky fshat janë shkolluar në Stamboll, Zerqan, Tiranë, para se të hapet shkolla në fshat.

S'KA KOMENTE