Osman Miha dhe arsimi profesional në Bulqizë

269

Bulqiza ndër vite, si një kantier i madh punëtorësh, mbi dhjetë mijë minatorë, nuk mund të kuptohej pa shkollën e mesme të arsimit profesional, të degës gjeologji-miniera. Shkolla e Mesme e Minierave të Bulqizës, përgjatë viteve 80’, fitoi një përvojë dhe arritje mjaft të lartë në harmonizimin teoriko-praktik të lëndëve dhe moduleve profesionale. Prapa kësaj veprimtarie mësimdhënieje dhe mësimnxënieje, natyrisht ishte një intelektual i aftë, inxhinieri Osman Miha.  Osmani, me një përkushtim dhe njohje të thellë të shkencave gjeologjike dhe minerare, shfrytëzim dhe ndërtim miniera, që në rininë e tij, e shfaqi ambicien për të studiuar dhe për t’iu kushtuar studimeve të thelluara teorike dhe praltike në hartimin e kurrikulave, programeve  dhe teksteve të shkollës së mesme profesionale të minierave. Si ekspert i aftë dhe i talentuar, Osmani  u arsimua në Shkollën e Mesme Gjeologjike dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin Gjeologji-Miniera, duke e pasuruar njohuritë e tij teorike me përvojën e tij praktike në Minierën e Bulqizës, ku nis karrierën si teknik miniere, teknik Markshedër, përgjegjës Sektori dhe kryeinxhinier në ndërmarrjen e Ndërtimit të Minierave.  I kompletuar kështu me një përvojë teorike dhe praktike, Osmani emërohet më 1975, drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Bulqizë.  Në këtë shkollë përmblidheshin disa degë: Miniera, Gjeologji, Shpim, Elektrike, Mekanike, Bujqësore dhe të Përgjithshme. Kjo qe një zgjidhje mjaft e volitshme për kohën dhe për kushtet e Bulqizës, ku kontigjenti që vazhdonte shkollën, pas mbarimit të saj sistemohej në punë duke rritur efektivitetin në prodhim dhe duke ofruar interes kualifikues dhe leverdi në pagesë të të rinjëve,  me rritjen në kategori. Madje kjo ishte një zgjidhje dhe për ata të rinj që punonin në Minierë, Gjeologji apo Ndërtim-Miniera dhe  në moshë të kaluar, ndiqnin studimet me kohë të shkurtuar. Kuptohet që një rol të rëndësishëm këtu ka luajtur me aftësitë e tij , drejtori i shkollës Osman Miha. Ai me intuitën e tij kishte një vision mjaft modern për arsimin ku përputhja e diplomës me vendet e punës, përshtatja e moduleve për sektorë konkretë të ekonomisë dhe të prodhimit, lidhja e teorisë me praktikën ku njohuritë gjenin zbatim konkret në puën e gjallë të sektorëve minerarë, nxjerrës dhe përpunues, kërkime e ndërtime. Kjo është për Osmanin një meritë intelektuale duke vërtetuar vizionin e tij mbi filozofinë arsimore dhe edukimin, si intelektual dhe drejtues. Si mësimdhënës i kësaj shkolle, Osmani filloi të shkruante tekste shkollore në module profesionale me cilësi shkencore dhe pedagogjike si teksti Makina Miniere (1978), Transport Miniere (1979), Makina Transport-1 (1981) dhe Makina Transport-2 (1982). Këto tekste me miratim të Ministrisë së Arsimit u licensuan si tekste kombëtare për degën gjelogji-miniera për shkollën e mesme me profil gjeologji-miniera në gjithë vendin. Inxhinier Osman Miha u aktivizua në grupe ekspertësh, pranë Ministrisë Minierave dhe Energjetikës dhe pranë Ministrisë së Arsimit për recensimin e teksteve: Art Miniere    1-A;  Art miniere 1-B;  Art Miniere-3; Teknika e Sigurimit në Miniera, si dhe në planprogramet e arsimit profesional.  Po kështu kontributi i tij shkencor pati ndikim edhe në grupin studimor të pagave të punonjësve të Minierës Bulqizë, gjatë vitit 1999-2000. Në gjithë veprimtarinë e tij si drejtues në ndërmarrje ekonomike dhe si drejtues i arsimit, Osmani  realizoi një performance të shkëlqyer si një personalitet me integritet të lartë moral, profesional e shkencor. Ai dinte të motivonte dhe të nxisë stafet drejtuese për rezultate të larta dhe realizim objektivash. Me korrektësi dhe përkushtim, ai ishte shembull në punë duke objektivizuar kërkesa të larta ndaj vetes dhe të tjerëve. Inxhinier mësues dhe edukator i brezit të ri, Osmani do të formatonte një familje dinjitoze në shoqëri, duke u nderuar dhe respektuar nga gjithë komuniteti i Bulqizës dhe më gjerë. Osmani harmonizonte idetë e reja dhe progresive me traditën e vyer të dibranit të Katër–Grykëve, zonë që shquhej për urtësi, bujari dhe fisnikëri njerëzore. Motivet e fuqishme kombëtare dhe vlerat kulturore qytetare, përbënin principet bazë, nga motivohej dhe prirej në punë e në jetë, Osman Miha. Sot atë e takojmë në veprimtaritë kulturore dhe letrare që zhvillojnë intelektualët dibranë në kryeqytet, duke u ndjerë i respektuat midis kolegëve ku ka qenë shef i zonës “D”, punonjësve të administratës që e kanë patur dikur si kryeinxhinier, apo zyrtarët kolegë që e kanë patur kryespecialistin e pagave dhe normave gjatë vitit 1999-2000. Ai vazhdon të punojë në firmën e ndërtimit Andi Konstruksion Sh.p.k ku e drejton vëllai i tij, inxhinieri i talentuar Latif Miha, një biznesmen i suksesshëm dhe korrekt. Begraundi i Osman Mihës shtrihet edhe në fushën e studimeve etnografike, si njohës  dhe hulumtues në fushën e folklorit dhe etnografisë si dhe njohja e mirë dhe përkthimi në gjuhët angleze dhe ruse. Në këtë fushë dosja krijuese e tij është premtuese për libra të ardhshëm. Më 1975 u dekorua nga Kuvendi Popullorm e motivacion : “ për punë të shquar në miniera dhe gjeologji”. Për moshën dhe jetën e tij edhe tani, për Osmanin, puna është kuptimi, gëzimi dhe krenaria e jetës. Kështu ai vazhdon ta jetojë jëtën me familjen e tij të mrekullueshme plot dashuri, humanizëm dhe dinjitet.

S'KA KOMENTE