Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ishte më 5 shkurt 2016 në Bulqizë për të inspektuar punimet në pedonalet e qytetit dhe unazën e poshtme një investim i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.
Në fjalën e saj gjatë takimit me kreun e bashkisë, ministrja Gjermeni u shpreh se qëllimi i investimeve të fondit nëpër bashkitë e vendit është rivitalizimi i qendrave qendra urbane duke kthyer më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët, sheshe dhe parqe.“Më vjen mirë të shikoj transformimin që ka pësuar tashmë qyteti i Bulqizë falë zbatimit të këtij projekti të financuar në vitin 2015 nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve me vlerë 100 milionë lekë.
Projekti i zbatuar ka konsistuar në rehabilitimin e plotë të lagjes duke filluar nga asfaltimi i rrugës, ndriçimi, vendosja e sinjalistikës rrugore, trotuaret dhe lulishtet për banorët e të gjithë qytetit por jo vetëm.
Më vjen mirë që vij në Bulqizë për të inspektuar punimet e dy projekteve tashmë të përfunduara të cilat pas as më të voglin dyshim i ka dhënë një ndryshim qytetit dhe ka rikthyer shpresën te banorët e Bulqizës.
Sot folëm me kryetarin edhe për projektin tjetër të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në vitin 2015 , “Rruga Pedonale në Lagjen Minatori” punimet e të cilit janë pezulluar për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Jam e bindur që me një angazhim maksimal qoftë nga bashkia por edhe firma zbatuese dhe duke uruar që moti të na mbështesë në këtë angazhim tonin brenda qershorit të këtij viti edhe ky projekt do të ketë përfunduar.
Në fakt, e gjithë puna jonë si qeveri dhe si Ministre e Zhvillimit Urban gjatë këtyre dy viteve ka qenë e fokusuar në rivitalizimin e qendrave urbane Fondi i Zhvillimit të Rajoneve duke kthyer më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët, sheshe dhe parqe”, tha Gjermeni.
Për vitin 2014 dhe 2015 Bashkia Bulqizë ka përfituar në total fondin rreth 173 milionë lekë. Viti 2014: Sistemim-asfaltim rruge blloku i poshtëm, lagja Gjeologu – 303 metër rrugë, realizuar në masën 100% në vitin 2014 me vlerë23,381,340 lekë. Viti 2015: Pedonalja e qytetit dhe Unaza e Poshtme, realizuar në masën 99.5%, me vlerë 101,550,698 lekë. Rruga pedonale, lagjia Minatori, Faza 2, kontratat e nënshkruar në 24.12.2015, vlera e projektit 48,642,308 lekë – aktualisht punimet janë ndërprerë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

S'KA KOMENTE