ZENEL SULA – Pedagogu i talentuar që derdhte tek mësuesit e ardhshëm shkencë e dashuri

295

Më 31 janar 2016 (0ra 14.00 e ditës së hënë) mbylli sytë profesori i nderuar dhe babai i mbështetur në gjoksin e të birit, Rolandit të përvajshëm dhe në duart e sytë e lotëve të dashurisë së duarve të cucës, Monda e të shoqes së jetës, Sanijes. Mbylli sytë dhe shoku i paharruar shpirtëror dhe drejtori i nderuar me pushtet shkencor e emër të madh: Zenel Sula ndrroi jetë!
Celularët shpërndanë në eter lajmin e hidhur. Të dashurve dhe ish nxënësve të tij u foli shpirti, pa zë: “Jo. Profesori nuk vdes!
Si ngushëllim dua t’i them lexuesit: Një filozof e kishin pyetur: Cilët njerëz doni më shumë?
Ai ishte përgjigjur: “Nënën dhe mësuesin! Këta nuk duhet të vdesin…” –ishte përgjigjur filozofi.
Zeneli lindi në Zerqan të Dibrës me 7 prill 1931 nga një familje e mesme me besim bektashian e me kërkesa shkollore për t’u arsimuar.  Unë jam rritur me dashurinë për të kullotur shqerra, dhe me Zenelin kam mbaruar shkollën fillore, sidomos Zeneli me nota shkëlqyeshëm.
Në vitin 1945 filluam shkollën Normale të Elbasanit dhe, pas një viti, Ministria e Arsimit na transferoi të dyve të vazhdojmë Shkollën Unike të Peshkopisë me bursë shteti, me konvikt e në kushte të vështira. Megjithatë Zenel Sula gjithmonë në krye të të parëve nxënës në mësime e në aktivitete kulturore-artistike. Edhe pse mësonim pa zjarr, me një dritë feneri e me 250 gramë bukë misri, Zeneli në të gjitha lëndët vlerësohej “shkëlqyeshëm”.
Me të njëjtën ambicje për përgatitje shkencore filloi e mbaroi edhe shkollën e mesme Pedagogjike sa i hapi rrugën e intelektualizmit vetes dhe fitoi të drejtën për të shkuar në Bashkimin Sovjetik. Atje mbaroi Universitetin “Lomonosov” të Moskës dhe u kthye i vlerësuar me medalje të artë e me diplomë “Atliçno” për gjuhë ruse e letërsi. Atë vit u emërua drejtor i Shkollës Pedagogjike të Peshkopisë, ku kishte studjuar vetë katër vite më parë. Ai erdhi me personalitet të formuar ku ndjehej dinjiteti i intelektualistit në drejtim të përgatitjes metodiko-shkencore të këshillit pedagogjik. Shkolla filloi të gëzojë një tjetër autoritet, dritë e nur shoqëror e seriozitet me vlera shkencore.
Në vitin 1960 Ministria e Arsimit më emëroi edhe mua mësues të gjuhës e letërsisë në pedagogjike. Mua nuk më pëlqeu ky emërim për interesat e mia. Por pata fatin të më presë në portën e shkollës me 15 shtator 1960 drejtori.
–Ikëm prej pedagogjikes nxënës e u kthyem mësues.
-Mirëse erdhe! –më uroi.
–Gëzohem që kam drejtues Zenel Sulën, shokun e vegjëlisë, – i thashë duke i shtrënguar dorën. Ishim nxënës të Edip Tërshanës që krijoi Partinë e parë Demokratike Shqiptare, i pushkatuar nga komunizmi. Por pritja e Zenelit tek porta e pedagogjikes, freskia e dashurisë, më hapi një botë tjetër njerëzore. Një drejtor me një botë tjetër, kulturë e sjellje intelektuali e fisnikërie, që më krijoi ndijime respekti të ringjallura si vite më parë, kur ishim të dy nxënës të pedagogjikes. Ai diti të më afroi dhe të më besoi në ngarkesa pune, të cilat i kryeja. Si drejtues ai ishte fenomenal, i respektueshëm, i dashur për kuadrin e nxënësit pedagogjikas, i urtë, i zgjuar nga natyra, njohës i letërsisë kombëtare e botërore dhe i gjuhës shqipe, por dhe i lëndëve të tjera shoqërore e shkencore. Këto dije i rrisnin autoritetin në mbledhjet e këshillit pedagogjik, ku ne, si kuadro mësimor fitonim prej tij vlerat e mendjes.  Pedagogjikja eci në rrugën e kërkesave të këshillit pedagogjik, angazhuar nga vullneti e pasioni i drejtorit Zenel Sula. Nuk e pagëzuan kot intelektualët dibranë me emrin: Universitari i Dibrës. Në atë emër xixëllojnë 36 shkronjat e alfabetit të Manastirit që dritërojnë emrat e pedagogëve mësimdhënës, mes të cilëve ndrit Zenel Sula me pushtet mendor të pjekur pedagogjik. Ky pushtet derdhte në orët mësimore tek mësuesit e ardhshëm shkencë e dashuri. Prandaj u vunë themelet e saj, por pas pak vitesh, “reformat komuniste” çuan përpara revolucionin…
Sido që partiakët ndrruan e hoqën kuadro, dashuria e mbjellur në Pedagogjike për profesionin mbeti e hekurt, bashkë me formimin e personalitetit me virtyte karakterin, moralin, krahas lëndëve shkencore e shoqërore. Autoriteti i Zenelit edhe pse e larguan mbeti i përmendur si simbol apo metaforë bukurie e mendjes, si drejtues i talentuar me peshë në jetësinë me nxënësit e pedagogët.
Dritërimi i mendimit të arsyeshëm e i tjerrur mirë nga intelektuali i pjekur me thjeshtësinë e fjalës së urtë e bindëse, me vlera edukative  bëri që kuadrot dhe nxënësit të gjenin mbi të gjitha njeriun, intelektualin e devotshëm, pedagogun e talentuar. Këto veti edukuan shkollarët pedagogjikas, pse jo, edhe kuadrot mësues.  Zeneli si autoritet human manifestoi dashuri e drejtësi për kuadrin. Ai i doli në mbrojtje mësuesit të muzikës M.Shehu, edhe pse diktatura e shikonte me sy të shtrembur. Kjo qe arësyeja që e hoqën nga pedagogjikja Zenelin dhe e çuan në seksionin e kulturës për pak kohë. Pastaj e mori gazeta “Bashkimi”.
Në vitin 1966 e emëruan si kryespecialist i kulturës në Ministrinë e Arsimit e Kulturës. Pas disa kohësh e përjashtuan nga partia dhe e dërguan në Mat për riedukim. Si u reabilitua, e kthyen në Tiranë në detyrën e redaktorit, pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, njëherësh edhe pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve. U shqua si redaktor i aftë në gjininë e romanit. Në fushën e krijimit ka botuar për botën e mistikës bektashiane: “Drita e bekuar rrezaton” si dhe kritikë për autorë të ndryshëm.
Zenel Sula në vitin 2014 botoi librin familjar, ku trajton formimin e personalitetit e fisnikërisë intelektuale të tij.
Kur i hodha në Tufinë një dorë dheu, m’u kujtuan vargjet e Naimit, që aq shumë e adhuroi dhe e deshi Zenel Sula.
“Dhe kur dheu t’më ketë tretur,
Mos kujtoni se kam vdekur,
Jam i gjallë, jam në jetë,
Jam në dritën e vëtetë”.
Ai mbeti simbol i arsimit dhe në panteonin e kujtesës: Idealist e humanist.

S'KA KOMENTE