RRUGA E ARBËRIT NË UDHËKRYQ

Projekti i Rrugës së Arbërit duket se do të mbetet vetëm në letër

187

Projekti i Rrugës së Arbrit duket se do të mbetet vetëm në letër. Edhe pse u reklamua si një nga idetë më të mëdha infrastrukturore të qeverisë, duket se kjo e fundit ka hequr dorë përfundimisht nga ndërtimi i saj. Pak kohë më parë Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi se ishte shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me kompaninë kineze “China State Construction Company”, por burime nga ministria konfirmojnë se kinezët janë tërhequr nga projekti i tyre. Arsyeja lidhet me faktin se ata kërkuan uljen me 25% të vlerës së investimit, por ministria nuk negocioi në këtë pjesë. Sipas burimeve, vetë Ministria Transporteve në thelb nuk e dëshiron ndërtimin e Rrugës së Arbrit me arsyetimin se ndërtimi i saj kushton shumë, rreth 300 milionë euro, dhe se investimi nuk mund të kthehet. Zyrtarisht, ministria nuk e pohon këtë dyshim, pasi i trembet reagimit të publikut. “Vlera totale e përfundimit të Rrugës së Arbërit shkon rreth 300 milionë euro. Në një përllogaritje të thjeshtë është shumë e vështirë që ky investim të kthehet pas. Edhe nëse ndërtohet segmenti nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të madh në ekonominë e vendit, ndaj për këtë arsye realizimi i saj është me shumë risk dhe i pamundur. Edhe sikur rruga të përshkohej nga 5 mijë makina në ditë me një taksë mesatare 5 euro për makinë, përsëri kthimi pas i investimit është shumë i vështirë të realizohet”, konfirmojnë burime nga Ministria e Transporteve. E thënë ndryshe, deklaratat e viteve të fundit në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbërit kanë qenë një propagandë boshe, pasi tërheqja nga gara e kompanisë së vetme që kishte kërkuar ndërtimin e saj tregon qartë se qeveria nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht ndërtimin e këtij segmenti rrugor dhe realizimi i saj do të mbetet thjesht një utopi.
Premtimet

Rruga në fjalë në fakt u premtua që në kohën e qeverisë “Berisha”, kohë në të cilën u bë edhe një projekt për studimin e zonës. Me ndërrimin e pushteteve, qeveria aktuale pranoi se do ta mbështeste projektin, madje edhe vetë Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa vizita në zonë nga ku ka premtuar edhe ndërtimin e rrugës. Pavarësisht kostos së madhe të pretenduar, Rruga e Arbërit do t’i jepte frymëmarrje një krahine të tërë si Dibra, por edhe më tej deri në Shkup e në treva të tjera në Maqedoni, të cilat do të afroheshin ndjeshëm me Tiranën. Projekti për rrugën nisi me bujë e me deklarata të mëdha politike, që më pas ia lanë vendin paqartësisë e problemeve të tjera që e penguan në mënyrë të vazhdueshme përfundimin e saj. Leverdia që ka kjo rrugë është se shkurton distancën rreth 100 km dhe përmirëson jetesën e 1.5 milion banorëve, që lidh popullsinë e Maqedonisë Perëndimore e Kosovës me portet e Durrësit dhe të Shëngjinit Lezhë, me Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovine e Kroacinë. Hapja e kësaj rruge është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Rrugëve që në vitin 2004. Edhe pse nuk ka të njëjtin impakt në ekonominë shqiptare si Rruga e Kombit, nëse do të realizohej, kjo vepër do të ishte një urë e mirë lidhëse për Dibrën e Madhe dhe për të gjithë zonat rreth saj.

S'KA KOMENTE