Kryeministri: Po vonojmë firmën për Rrugën e Arbërit në interes të publikut

125

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për negociatat për rrugën e Arbërit. Gjatë fjalës së tij në takimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar më 26 Janar, ai ka deklaruar se vonesat në firmosjen e marrëveshjes kanë të bëjnë me interesin publik. Duke iu përgjigjur sulmeve që qeveria ka marrë nga opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile në lidhje me koncesionet që kjo qeveri ka dhënë gjatë mandatit të saj, kryeministri ka theksuar se “Ne do të vazhdojmë të bëjmë koncesionet publike-private dhe dua t’i siguroj të gjithë sipërmarrësit që ne, jo vetëm nuk tërhiqemi nga këto sulme barbare balte, por do të vazhdojmë vendosmërisht që të ftojmë partnerë privatë për të ndërtuar shkolla, për të ndërtuar infrastrukturë sociale, për të ndërtuar rrugë, për të bërë shërbime të tjera”. “Por kushti ynë, parimi ynë themelor është që të mos ngarkojmë qytetarin”, ka theksuar kryeministri. “Kjo është dhe arsyeja pse, për shembull, ne vazhdojmë edhe sot e gjithë ditën dhe nuk e çojmë deri në firmën përfundimtare, partneritetin publik-privat për rrugën e Arbërit. E duam me gjithë mend ta bëjmë, kemi kaluar në Parlament për negocim dhe në negocim vazhdojmë të insistojmë se nuk duam t’ia lëmë barrën brezit tjetër, por duam të kemi një formulë të arsyeshme. Do ta kishim shumë të thjeshtë ta bënim, sepse ndërkohë e kemi përgjysmuar nga ajo që trashëguam nga paraardhësi ynë, shumë i dashur”.
Në lidhje me negociatat për rrugën e Arbrit, media citoi ministrin e transportit Edmond Haxhinasto në fillim të janarit, i cili ka thënë se “jemi në procesin e vlerësimit përsëri, pasi kompania kineze ka sjellë ndryshime në projekt”. Këto ndryshime, sipas ministrit, reflektohen në vlera të ndryshime nga parashikimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar. “Është e nevojshme të verifikohen propozimet e tyre, të konfirmohen në mënyrë institucionale nga ARRSH dhe konsulencat përkatëse. Kur të fillojmë këtë projekt, ta fillojmë dhe ta mbarojmë me cilësi të lartë”, ka deklaruar Haxhinasto. Haxhinasto e diskutoi këtë çështje edhe në takimin me ambasadorin Ambasadorin e Maqedonisë në Shqipëri Stojan Karajanov. Në takim u fol për një koordinim më të mirë mes dy vendeve, për projektet e infrastrukturës.
Ata diskutuan për vendosjen e një standardi të përbashkët për “Rrugën e Arbërit” mes dy vendeve. Por se cilat janë këto standarde mediat nuk e theksojnë, ndërsa një njoftim i tillë nuk gjendet as në faqen e internetit të Ministrisë së Transportit. Nën kritikat e medias ishte këtë muaj edhe ministri Arben Ahmetaj, i cili u akuzua se e ka shtyrë për vitin 2023 përfundimin e Rrugës së Arbërit. Sipas një liste projektesh prioritare që Ministria e Ekonomisë publikoi, Rruga e Arbërit llogaritej në rreth 205 milionë euro dhe përfundimi i saj parashikohej mes viteve  2016-2023. Me ardhjen në pushtet të koalicionit PS-LSI në vitin 2013, për rrugën e Arbërit u parashikua zgjidhje dhënia me koncension. Por, megjithë lehtësitë që parlamenti parashikoi në pranverën e vitit të kaluar për negociimin me një kompani kineze, rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme. Disa ekspertë e kanë kritikuar ligjin për faktin se nuk e kanë parashikuar me detaje vazhdimin e punës. “Afati i përcaktuar është 60 ditë, i pamjaftueshëm për ekspertët për të studiuar çështje financiare të studimit, fizibilitetit etj.”, i tha ekonomisti Ervin Minarolli një medie online. Gjithashtu, media qendrore raportoi në fillim të Janarit 2016 se FMN i ka kërkuar qeverisë të vlerësojë riskun që vjen nga konsencionet. FMN ka llogaritur se 2% e prodhimit të brendshëm bruto është kosotoja që llogaritet për rrugën Milot-Morinë dhe rrugën e Arbrit. Nga ana tjetër qeveria vazhdon ta ndjejë presionin e shoqërisë civile ndaj kësaj çështje. Ndërsa rruga aktuale për Dibër është në gjendjen më të keqe të mundshme në këto dhjetë vitet e fundit, presioni për rrugën e re po rritet. Tashmë, një peticion i nisur online në mars 2013 po vazhdon të përhapet edhe në mediat e tjera sociale. “Përveç 2 000 nënshkrimeve në formularë, nisma jonë tani ka edhe mbi 8 000 përkrahës online”, – thotë për gazetën nismëtari i peticionit, Gëzim Alpion, pedagog në universitetin e Birmingamit. Ai thekson se “gjatë këtyre tre viteve ne e kemi mbajtur premtimin se peticionin nuk do ta politizojmë, pavarësisht sjelljes së Kryeministrit aktual dhe të ‘besuarve’ të tij dibranë. Se ç’kemi përshtypjen se në prag të zgjedhjeve të 2017-ës, qeveria do të gjejë, ose të paktën do të shtiret se i gjeti, fondet për këtë vepër sa për t’u hedhur përsëri hi syve dibranëve me qëllimin e vetëm që të sigurojnë një mandat të dytë. Kur të afrojnë zgjedhjet, ne nuk do të bëjmë dallim ndërmjet deputetëve dibranë të majtë apo të djathtë. Me përjashtim të Tryezës së Rrumbullakët, që Grupi Lobues organizoi në Tiranë në Maj 2014, deri tani kjo gjysmë duzinë parlamentarësh nuk është bërë kurrë bashkë për të ngritur zërin në Kuvend për rrugën e Arbërit. Po qe se ndonjë zë i mekët është dëgjuar, kjo është bërë jo në interes të Dibrës dhe dibranëve, por për të dëshmuar besnikërinë ndaj eprorit të tyre partiak”, thek- son Alpion. Segmenti i pafilluar i rrugës së Arbërit ka një gjatësi prej 26.8 km, i parashikuar me një gjerësi 10.5 m, me dy korsi të asfaltuara, me gjerësi nga 3.75 metra dhe me shpejtësi të projektuar 50-60 km/orë. Në këtë segment parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1 500 metra linearë, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2 600 dhe 560 metra linearë. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i rreth 106 copë tombinove si dhe ndërtimi i katër intersektimeve.
(Marrë nga “Rruga e
Arbërit”, Nr. 117, Janar 2016)

S'KA KOMENTE