Industria e nxjerrjes së kromit, pas një dekade me trend të pandalshëm rritës në volumin e mineralit të nxjerrë si edhe në vëllimin e lëndës së eksportuar, mbart sot rrezikun e shembjes. Shembje, figurativisht e thënë, e cila në rast të “derës së shurdhët”, mund të marrë nën vete qindra e mijëra vende pune në fshatrat ku miniera është burimi i vetëm i punësimit, si edhe dhjetra milionë dollarë që arkëtoheshin në arkat e buxhetit të shtetit nga kompanitë e licensuara. Aparati shtetëror duhet të mpreh shqisat e medeomos ta shohë me vëmendjen që meriton një situatë alarmante!
Nga sektori i nxjerrjes së kromit, në të cilin zhvillojnë aktivitetin në zonën e Bulqizës afërsisht 130 ndërmarrje private, duke qenë gjeneruesit e punësimit për shumicën e familjeve të zonës, dëgjohen këmbana alarmi. Në kontakt të vazhdueshëm me zhvillimet lokale të Bulqizës, zonës sime elektorale, vërej një frikë dhe pasiguri të shtuar në radhët e familjeve minatore të atjeshme. Në forma të ndryshme komunikimi, ngritura mbi ligjërime e arsyetime prekëse, që rendisin si pamundësinë e shkollimit të fëmijëve e deri te pamundësia e sigurimit  të ushqimit në rast të ndërprerjes së aktivitetit nxjerrës, e për rrjedhojë edhe ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, jam vënë në dijeni të shqetësimeve. Pasi mora kontakt dhe dijeni me sipërmarrësit e sektorit, mora dy vendime të njëpasnjëshme: Duke parë se kjo çështje i tejkalon kufijtë e lokalitetit (vendi ka thuajse 1000 operatorë të licensuar në fushë që punësojnë mijëra shqiptarë; edhe pse jo të gjitha e zhvillojnë aktivitetin), nëpërmjet artikullit të sotëm po e ngre çështjen në nivelin e opinionit publik dhe, në rastin më të parë, si ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë, do e shtrojë atë edhe në hullinë e mekanizmave të diskutimit parlamentar.
Ç’po ngjan në sektorin e kromit dhe çfarë rreziku imediat qëndron pas porte? E shpjeguar thjeshtë e shkurtimisht: Në FOB Durrës çmimi i shitjes në treg i mineralit kokërr me bazë 42%Cr203 është 125$-140$, nga 220$ që shënonte jo më larg se një vit më parë. Çmimi aktual i shitjes së kromit shkon kësisoj fare pranë nivelit të kostos së përllogaritur për nxjerrjen e tij në vendburim, përkatësisht 100-120$/ton. Shpenzimet e transportit  nga vendburimi deri në port shtojnë 10-18 USD/Ton mbi çmimin e nxjerrjes. Shpenzimet portuale janë në vlerën 15USD/Ton, e po t’u shtohe edhe renta minerare prej 6 %, verifikohet aritmetikisht se aktiviteti i nxjerrjes se kromit në ditët e sotme është me humbje. Duke operuar kësisoj, sipërmarrësit duket se kanë vendosur të ndërmarrin politika të brendshme për të reduktuar koston mbi vete: kryesisht pezullimin e aktivitetit deri në lëvizjen me kah rritës të çmimeve të bursës. Pezullimi i aktivitetit me afat të pacaktuar, pashmangshmërisht shoqërohet me nxjerrjen në asistencë të punonjësve të sektorit, që vetëm në zonën e Bulqizës regjistron 4,000 punonjës. Tashmë, fatkeqësisht, është korrekte të thuhet: 4,000 punonjës të rrezikuar. Në këtë fazë është politika që duhet të ndërhyjë. Ndaj, le të ketë ky artikull, vlerën e zëpërcjellësit të shqetësimeve të këtyre familjeve.
Të gjitha Fabrikat e Pasurimit në Bulqizë, Batër, Kukës, Has dhe në Kosovë, në kushtet kur për koncentratin e kromit me bazë 40% nga blerësit sot ofrohet vetëm 80-85$, kanë ndaluar së punuari. A duhet pritur derisa edhe të gjitha minierat nxjerrëse të ndalen? Unë radhitem ndër kundërshtarët kategorik të heshtjes. Heshtja duhet shprishur.
Shqetësimi i sipërmarrësve, i bërë publik prej tyre edhe në media të ndryshme të vendit dhe i punonjësve të sektorit pikëtakohen diku: aktiviteti i kompanive në sektorin minerar duhet stimuluar që të vazhdojë.
Duke e vlerësuar situatën në plan kombëtar, në raport me të dhënat e përgjithshme të papunësisë, qëndrimit në pozitat e pritjes, heshtjes dhe vëzhgimit duhet ndërprerë. Paketa e lehtësive fiskale që përfaqësia e operatorëve të sistemit i kërkuan ministrisë së linjës vlen të rilexohet përplot kujdes.
Mes syresh, propozime si ai i segmentimit të rentës minerare për minerale të varfra e të pasura, duke e ulur njërën dhe zeruar tjetrën, është një kërkesë e operatorëve të cilën kushtet dhe nevojat parësore të ekonomisë së vendit e përligjin. Si lëvizje do të krijonte një terren që çmimi i tregut të kapërcente mbi atë të kostos së nxjerrjes, e për pasojë, bilanci pozitiv mund të stimulonte njëfarë vazhdimësie të veprimtarisë nxjerrëse nëpër minierat e vendit. Në mungesë të logjikës financiare, pra të operimit me humbje, stimuli është zero. Është detyrim i vetkuptuar i mekanizmave shtetërore ta gjejnë e përshtasin, qoftë edhe përkohësisht, stimulin e nevojshëm. Ka mjaftueshëm vend që renta minerare për mineralin e varfër  me përmbajtje 12-28 % Cr2O3  nga 6% të zerohet, ndërsa për mineralet e pasura me çmim mbi 100 USD, renta minerare të ulet nën nivelin 6%, sa më ndjeshëm të gjykohet e arsyeshme. Sigurisht që nga ana e institucionit përgjegjës mund të vlerësohen si më efikase ulja e njërës e mosprekja e tjetrës, ulja e të dyjave pa zeruar asnjërën etj. Vetëm se, si them edhe më sipër, patjetë diçka duhet të lëvizë në favor të lehtësimit të kompanive të tregut, me fatin e të cilave është ngushtësisht i lidhur edhe ai i mijëra punëtorëve shqiptarë.  Një tjetër pikë në të cilën kërkesat e sektorit janë të legjitimuara është çmimi i shërbimit portual, i cili parë në rrafsh krahasimor me vendet e rajonit , mbart çmim të lartë: 15$/ton, nga 6-7$ që është kostoja e anijeve që ngarkojnë mallra rifuxho.  Gjithashtu, skema e re e çmimeve të energjisë elektrike për industrialistët, mbase përkohësisht, nisur edhe nga rrethanat specifike dhe pesha e këtij sektori, vlen të rishihen.
Gjithsa shkruaj më sipër kanë në qendër punëtorin, tashmë të rrezikuar, në sektorin minerar. Fati i vendit të pasigurt të punës për minatorin lidhet me paraqitjen e kompanisë punëdhënëse në tregun ndërkombëtar. Barra fiskale ekzistuese e rëndon mjaftueshëm kompaninë për ta vazhduar aktivitetin e për pasojë, e vendosin përpara zgjedhjeve ekstreme si pezullimi i aktivitetit. Në këtë pikë, për hir të luftës së pakursyer ndaj papunësisë, shtetit i mbetet që në rrethana specifike, me afat të pacaktuar, të lëshojë pak prej pozicionit të tij për t’i bërë më operative në tregun ndërkombëtar kompanitë e nxjerrjes së mineraleve. Përndryshe, faqja e një mali financiar rrezikon që, duke e shembur, të na zërë përposhtë.

*Deputet i LSI për Qarkun e Dibrës

S'KA KOMENTE