Ulet çmimi i kromit, mbyllen disa kompani shfrytëzuese

379

Rënia e çmimit të kromit në tregun ndërkombëtar ka mbyllur disa kompani të nxjerrjes së këtij minerali në Bulqizë. 30 është numri i minatorëve të regjistruar si të papunë, ndërsa numri atyre që kanë humbur punën është shumë më i madh.
Çmimi i kromit ka rënë nga 230 në 110 dollarë dhe së fundmi deri në 70 dollarë për ton. Ky çmim nuk mbulon kostot e nxjerrjes dhe transportit deri në portin e Durrësit. “Shkurtimi i vendeve të punës dhe rënia e punonjësve do ndikojë ndjeshëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të banorëve të zonës. Ka biznese që po shkojnë drejt mbylljes, ndërsa një pjesë e mirë e subjekteve që po bëjnë shkurtime janë ato që kanë nga 15 në 75 punonjës”, ka deklaruar Asllan Daxha nga Zyra e Punës në Bulqizë.
Kromi është mundësia e vetme për jetesë në qytetin e Bulqizës. Të parët që penalizohen janë kompanitë që ia shesin kromin eksportuesve.
Pavarësisht se në Durrës çmimi arriti në 110 deri në 70 dollarë toni, në Bulqizë çmimi është akoma më i ulët, duke bërë që seria e mbylljes së kompanive të vogla, që punësojnë deri në 75 punonjës secila, të vazhdojë. Përfaqësuesit e firmave të kromit i kërkuan pak ditë më parë ministrit të Financave, Shkëlqim Cani rishikimin e rentës minerare për ta, nisur nga çmimet ndërkombëtare.

S'KA KOMENTE