Pas monografive për kompozitorin e tangos shqiptare Muharrem Xhediku dhe legjendën e qëndresës ndaj okupatorit nazifashist dhe genocidit komunist – Nderin e Kombit, Rrahman Parllaku; për qëndrestarin e paepur ndaj diktaturës, Bajram Ndreun e Zall Dardhës si dhe Historikun 20-vjeçar të OBVL, Halil Rama dhe Sakip Cami promovuan më 4 mars dy botime të reja, të mirëpritura nga opinioni akademiko-shkencor dhe kritika letrare.

Prezantimi i librave “Memoria historike e kombit” dhe  “Histori brezash të familjes së shquar Kazazi të Durrësit”  u bë në Akademinë e Shkencave, në praninë e qindra përfaqësuesve të botës së letrave dhe artit e kulturës, midis të cilëve ish- Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, Prof.Dr.Bujar Kapexhiu, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Abas Hado, Mjeshtri i Madh Zhani Ciko, Dr.Arian Starova, shkrimtarët e mirënjohur Shefki Karadaku e Lutfi Hanku, etj.
Ishin gjithashtu të pranishëm drejtuesit e Shoqatës Atdhetare-Kulturore Bulqiza, kryetari Bashkim Lami dhe sekretari organizativ Hamit Dervishi.

“MEMORIA HISTORIKE E KOMBIT”
Dr.Hajri Mandri – shkrimtar dhe publicist i njohur, gjatë moderimit të këtij aktiviteti promovues, vlerësoi shkrimtarin dhe publicistin Halil Rama për arritjen e një niveli të lartë në artin e të shkruarit. Kjo sipas tij për faktin se “Halili di të përveçojë me inteligjencë, fakte dhe ngjarje, si pjesë substanciale e karakterit të personazheve realë, duke e bërë librin e tij me vlera njohëse, edukuese dhe estetike. Ndërkohë që karakteret humanë shfaqen si shëmbëlltyra të përzgjedhura nga dora e një shkrimtari dhe publicisti me përvojë dhe talent, duke të bërë për vehte me stilin e rrëfimit”. Në këtë linjë u shpreh edhe recensenti i librit, prozatori i njohur Andon Andoni, sipas të cilit, ajo që e bën të veçantë librin “Memoria historike e kombit”, në raport me krijimtarinë e mëparshme të Halil Ramës është fakti se ai rrok brenda tij një periudhe të gjatë, gati njëshekullore, duke derdhur dashuri dhe mirënjohje për dhjetra personazhe dominantë të historisë sonë kombëtare. Ndërsa Sakip Cami tha se gazetaria dhe hulumtimi e kanë ndihmuar autorin H.Rama, që nëpërmjet personazheve jetësorë të futet fuqimisht dhe estetikisht tek jeta dhe historia shqiptare. Këtë veçori e evidentoi në fjalën e saj edhe gazetarja Lule Nela, e cila u ndal në përshkrimin brilant që autori i ka bërë historisë 80-vjeçare të shkollës Vau i Dejës, ku kanë shërbyer si mësues kolosët e letrave shqipe dhe të mësimdhënies, Kolë Jakova dhe Fadil Kraja.

“Histori brezash të familjes të shquar Kazazi të Durrësit”
Me mjaftë interes u ndoq nga pjesëmarrësit edhe prezantimi i monografisë “Histori brezash të familjes të shquar Kazazi të Durrësit”, të bashkëautorëve Halil Rama dhe Sakip Cami.  Redaktori i këtij libri Xhemal Meçi – Mjeshtër i Madh, tha se monografia kushtuar Sefer Efendiut dhe trashëgimtarëve të tij, Hamdi, Vesel dhe Ruf Kazazi si pinjollë të një dinastie të rrallë, është pasqyrim vlerash të një prej familjeve më të shquara të Durrësit. Studjuesi i mirënjohur pukjan vlerësoi këtë botim serioz të bashkëautorëve Rama&Cami, hulumtimin dhe studimin me ngulm prej tyre duke kapur, dalluar, vëzhguar, vrojtuar e veçuar gjithçka që përbën burim ngjarjesh dhe faktesh, si produkt jetësor të kësaj monografie. Ndërsa për recensentin Shpendi Topollaji – shkrimtar dhe kritik i njohur letrar, shprehja “Jam nga Sefer Efendiu”, jo vetëm u bë shprehje krenarie, por i dha asaj zone dhe privilegjin e përfaqësimit të vlerave dhe cilësive të larta të qytetit të lashtë të Durrësit.  “Duke përshkruar jetën dhe veprën e patriotit të shquar Sefer Efendiu, apo të djalit të tij të vetëm, Hamdi Kazazit – ish kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Durrësit, autorët Halil Rama dhe Sakip Cami, ndjekin me besnikëri linjat e kontekstit historik, politik e shoqëror, si Pavarësia Kombëtare, Periudha e Princ Vidit, Mbledhja e Durrësit, Shoqëria “Bashkimi”, dëbimi i italianëve, Kongresi i Lushnjës, rezistenca antifashiste, etj”, tha z.Topollaji. Kjo sipas tij i jep librit më shumë vërtetësi e besueshmëri. Personazhet e këtij libri janë pjesë e këtyre zhvillimeve, ndaj dhe shkrihen natyrshëm brenda këtyre shtjellimeve, ashtu si edhe profilet e djemve të Hamdiut, Vesel, Hysni e Ruf Kazazi. Pikërisht në këtë aspekt u vlerësuan këto dy botime, gjatë përshëndetjeve të tyre edhe nga ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, gjenerali 97-vjeçar Rrahman Parllaku, nga diplomati dhe politologu i shquar Arian Starova, nga skënderbegasi nga Çidhna, Lavdrim Krashi, i ngjitur me dinjitet në administratën e Londrës, nga emblema e disidencës shqiptare Besim Ndregjoni, nga Velo Cfarku etj. Promovimi i këtyre dy librave shërbeu veç të tjerash si një takim i ngrohtë e miqësor mes krijuesish letrarë nga të gjitha trevat e vendit.

S'KA KOMENTE