USHTOJNË GRYKAT E BULQIZËS

1169

Mehmet Duriçi në istikam,
ca dibranë e ca matjanë.
Bini burra për n’at anë,
Hasvmin e vjetër mos ta lamë.

Dyqind burra janë ba gati,
ushton fusha e Vajkalit.
N’Zall të Mures kanë vu topa,
shiko serb, si dridhet toka.

Qëndrojnë burrat për Atdhe,
lidhur n’besë, lidhur në fe,
Qafën e Buallit, s’e kalon,
për pa shkel’ në trupat tonë.

Tue dal drita, tue ndrit’ dielli,
n,kamë asht ngritur daj Meti.
Përnjiherë janë ngrit’ të t’anë,
këtu na ke, o hasmi jonë.

Kërcet topi, kërcet pushka,
ushton gryka, luftojnë burra.
Serbët marrëzisht  janë hutue,
kështu kurrë s’e kanë mendue,
kanë fillu’ me shti ca pushkë,
Ik o serb, je futur ngushtë.
Shpejt e shpejt, kan’ nis’ me ikë.
tue dredhue nëpër grykë,
Nëpër grykë e nëpër zallë,
ca plagosur, e ca të gjallë,
nuk po dinë, sa mbetën t’vrarë.

Mblidhet dhimbja nëpër kulla,
Vranë Tahirin! Qëndroni burra!
N’zall të Fejzës kullon gjaku,
Nuk e ul flamurin bulzaku!

Mbyten Duriçet n’vaj e gjamë
Nuset qajnë me lot, oj nanë!
Në gjamë Kurti e Hasani,
Për atë burrë, trim zamani.
Uj’ i kulluar, zbret nga bjeshka,
skuqur n’gjak shkumbëzon nga lufta,
Vranë Tahirin! Qëndroni burra!
Jehon gryka, e buçasin kullat.
Gryka e Bulqizës, po ushton,
Zalli i Fejzës fort gurgullon,
rreshti i burrave n’heshtje afron,
n’supe rand’, kryet lart e kanë.

Mos qani burra, mos qani gra,
ku e mori plumbi due me  pa.
N’kraharor, curril rrjedh gjaku,
Përjetë i gjallë, mbeti bulzaku.

Gryka e Bulqizës, po ushton,
Zalli i Fejzës fort gurgullon,
Briti çeta, Muriqin shkundi
Shporru serb, të erdhi fundi!

SHËNIM I AUTORIT:  

Në vitet 1918-1921 Serbia kishte pushtuar shumë vise shqiptare ndër të cilat edhe ato dibrane. Në krahinën e Bulqizës serbët gjetën rezistencë të fortë nga luftëtarët vendas, të udhëhequr nga patrioti Mehmet Duriçi, i cili në atë kohë e bllokoi me luftë ushtrinë serbe, që donte të vendoste kufirin në Qafën e Buallit. Kjo u arrit në sajë të bashkëpunimit të Mehmet Duriçit me luftëtarë e patriot nga Bulqiza, Gryka e Madhe, Martaneshi e Mati, si dhe nga organizimi i shkëlqyer i qëndresës popullore, ku dhanë jetën në luftime Tahir Duriçi, Adem Duriçi, Hasan Duriçi, etj.
Edhe motivet e kësaj vjershe (kënge)  pasqyrojnë moment të paharrueshme të përpjekjeve për liri, në krahinën e Bulqizës, në pushtimin nga Serbia në vitet 1918-1921.

 Fjalor:

Mehmet Duriçi – Udhëheqës popullor i luftëtarëve të Bulqizës, Grykës Madhe, Martaneshit e Matit në luftrat me pushtuesit serbë.
Tahir Duriçi – Një ndër luftëtarët më besnikë të çetës së Mehmetit, i cili u vra në luftë me ushtrinë pushtuese serbe tek kulla e Muçës.
Kurt Duriçi e Adem Duriçi – Luftëtarë të paepur në çetën e Mehmetit. Ademi me pushkën e lënë amanet nga Tahiri në krah, nëntë ditë pas vrasjes së Tahirit, bie befasisht në pritë me serbët dhe pas një lufte që zgjati katër orë, i mbarohen fishekët e vritet tek Gurët e Skënderbeut, në Fushën e Vajkalit. Fusha e Vajkalit, Zalli i Mures, Qafa e Buallit, Kulla e Muçës, Fushë Bulqizë, Zalli i Fejzës, etj, janë emra vendesh në krahinën e Bulqizës.
*Gusht 1997

S'KA KOMENTE