Gjatë viteve që kam qëndruar në Bulqizë, më ka qëlluar të njihem me shumë njerëz që ia kishin vënë shpatullat minierës, jo vetëm në emër të sakrificave që duheshin bërë për të mbajtur me bukë familjen, por edhe në emër të një sedre, tipike e njeriut të thjeshtë. I tillë ka qenë miku im i dashur dhe i paharruar Xhevat Elezi. Për mua ky emër është mishërim i njeriut të thjeshtë, i bashkëshortit të ndershëm, i prindit të devotshëm, i mikut besnik, shumë punëtor, inteligjent dhe me një humor të paparë.
Isha njohur me të krejt rastësisht në një mbledhje të Këshillit të lagjes “Minatori” ku unë banoja, në ditën kur do të bëheshin zgjedhjet. Xhevatin e zgjodhën kryetar kurse mua sekretar të Këshillit. Nuk e kisha fare idenë se kush ishte dhe as se si do të bashkëpunoja me të. Pas mbledhjes na ftoi për një kafe. Do festonim zgjedhjen e kryetarit dhe kafja do të ishte e denjë për një ngjarje të tillë. Ishim gati dhjetë veta dhe lokali ku vajtëm u kthye në një skenë të vërtetë humori. Kishte kaq shumë humor sa na u shkulën brinjët. Nuk tregonte histori për të qeshur por gjithçka thoshte e trajtonte me një stil krejt origjinal, a thua se ishte aktor i lindur humori. Shkurt, më ngjiti që në takimin parë. Në Këshillin e lagjes bashkëpunuam për gati tre vjet por shoqërinë e vazhduam deri në sekondat e fundit, deri atëherë kur miku im i shtrenjtë po shtrëngonte dhëmbët për ta larguar edhe ca vdekjen vetëm për të përjetuar edhe pak momente në shoqërinë time dhe të Ilirit Dishës me të cilin shkova për ta vizituar.
Në punë ishte ndër njerëzit që nuk i bënin kurrë bisht vështirësisë, situatës së rëndë, por mjerisht këtë karakteristikë të tij shumë njerëzore, të tjerët që punonin me të ia kishin shfrytëzuar shumë për keq. Sapo paraqitej ndonjë situatë e vështirë në minierë, dhe të tilla kishte pothuajse çdo ditë, dihej emri i atij që do të shkonte për ta zgjidhur. Dhe Xhevati nuk thoshte kurrë “jo”. Njëherë iu desh të qëndronte dyzet e tetë orë në galeri, pa gjumë, me pak ushqim dhe shumë orë i varur me litar në grykë të pusit. Por ai nuk u tërhoq, derisa problemi i ujit që kishte shpërthyer dhe po përmbyste galeritë u zgjidh. Autoritetet vendore dhe ato partiake ishin mobilizuar për të zgjidhur situatën. Dhe lajmin se u zgjidh, e morën në restorantin e vetëm të qytetit ku kishin shkuar të dendnin barkun me mish e raki. Xhevati i rraskapitur shkoi të takonte familjen dhe u ushqye me çfarë i kishte përgatitur e shoqja që ashtu si ai nuk kishte vënë gjumë në sy për dy net rresht. Ndërkohë autoritetet gjysmë të dehur ngrinin shëndetin e tij. I mori të gjitha galeritë me radhë, atje ku ishte fronti më i vështirë i punës, nuk tha kurrë “jo” a thua se këtë pjesëz mohuese nuk e kishte mësuar kur kishte qenë në shkollë. Bëri gjithçka që familja të funksiononte. I rriti djemtë mes gjithë atyre vuajtjeve fizike dhe shpirtërore por nuk u la gjë mangët. I edukoi të ishin fëmijë të mirë e më pas burra dhe bashkëshortë e prindër të mirë si ai vetë. E shoqja e plotësonte më së miri. Fjalë pake, punëtore e palodhur por dhe ajo me shumë humor a thua se kishte lindur e ishte rritur bashkë me të shoqin.
Me Ali Metën, mikun tonë të përbashkët farmacist, ishim ulur shpesh të pinim kafe dhe herë-herë edhe ndonjë gotë raki me turshi a me çfarë të na gjendej. Ishim mbledhur edhe në shtëpitë e njeri-tjetrit dhe gjithmonë me shumë humor. Kanë mbetur në memorien time me dhjetëra histori të treguara prej tij, në mënyrë kaq origjinale, me plot sarkazëm, a thua se ishte jo vetëm autori i tregimit por edhe aktori interpretues i tij. Dhe gjithmonë buzagaz. Nuk e mora kurrë vesh nëse kishte apo nuk kishte halle i shtrenjti miku im.
Për të gjitha meritat në punë u dekorua me medaljen “Hero i punës socialiste”, medalje e cila më shumë i shërbeu pushtetit për të thënë se sa shumë e vlerësonte punën e njeriut të thjeshtë se sa atij vetë. Nuk pati asnjë lloj përfitimi nga ajo medalje përveçse iu desh të sakrifikonte edhe më shumë në punë. Vite më vonë, kur u sëmur dhe iu desh të operohej, për të përballuar shpenzimet për kurim dhe për të mbajtur familjen ngaqë nuk punonte më, iu desh të paraqitej tek Riu, argjendari i qytetit që të shiste medaljen të cilën e kujtonte si të bërë krejt prej ari. Kur argjendari i tha se vetëm është e larë me flori, u dëshpërua shumë sepse kishte imagjinuar më shumë para nga shitja e saj por për të shitur e shiti përsëri.
Sëmundja, i vetmi shok i lig i tij, e vuri poshtë shumë shpejt. Nuk mund të shkonte më as në punë. Pas operacionit, sajoi një barake në Lagjen e Re, buzë rrugës dhe afër shtëpisë dhe aty i kaloi vitet e fundit të jetës. E kam takuar shumë shpesh kur punonte në atë barake dhe shiste cigare e çokollata për fëmijët e lagjes. I njihte të gjithë “klientët” e tij dhe të gjithëve u shërbente ashtu buzagaz, plot humor sikur sëmundja të kishte kapur dikë tjetër dhe jo atë vetë. Dhe vazhdoi kështu deri sa fuqitë iu prenë, derisa sëmundja e pabesë e vuri poshtë për të mos e lënë të ngrihej më. U shtrua në Sanatoriumin e Tiranës në gjendje të rënduar. E gjeta në dhomën ku ishte shtruar dhe u mundua të ma mbushte mendjen se nuk kishte gjë. Të njëjtën gjë bënte edhe me djalin që rrinte me të në spital. Djali më tha se gjendja shëndetësore e babait nuk paraqitej aspak e mirë. Të nesërmen e sollën në Spitalin Onkologjik. Mjeku i tha se nuk kishte nevojë të shtrohej por mund ta vazhdonte mjekimin në shtëpi. Një formulë e përdorur shpesh nga mjekët në raste të tilla. Nguli këmbë që të shtrohej dhe unë fola me doktorin ndonëse e kisha marrë me mend përgjigjen e tij. Pasi i thashë se kush isha, doktori u shpreh qartë: “Mikut tuaj i kanë mbetur edhe pak ditë ndaj mendoj se është mirë t’i kalojë ato në shtëpi, pranë familjes”. Tavani i dhomës më ra mbi kokë. Mezi e mblodha veten, dola nga dhoma e doktorit dhe u përpoqa t’ia mbush mendjen të vëllait të përlotur se do të bëhej më mirë por ashtu si unë edhe ai e kishte qartë situatën. I premtova se do të shkoja ta takoja në shtëpi kur të bëhej më mirë por e dija që koha do të ishte shumë e shkurtër dhe…
Herën e fundit, kur bashkë me Ilirin shkuam që ta shihnim se si ishte, gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar shumë. Mbaj mend që u futëm në kuzhinë dhe iu lutem të shoqes që të mos e trazonte nga dhoma ku dergjej prej shumë ditësh. Por ai e dëgjoi zërin tonë dhe ashtu me shpirt ndër dhëmbë hyri në kuzhinë e na përqafoi. Përsëri u mundua të buzëqeshte, si gjithmonë por qe pothuajse e pamundur. Që nga koha kur ishte operuar në laring, nuk arrinte të shprehej dhe komunikimin e bënte me gjeste, por ne miqtë e tij kishim arritur ta kuptonim në një farë mënyre ndonëse jo plotësisht. Nuk ndenjëm shumë që t’i jepnim mundësinë të kthehej në dhomë. U përqafuam dhe u ndamë. U ndamë për të mos u takuar kurrë më. Sapo mbërrita në shtëpi, Iliri më telefonoi dhe më dha lajmin e kobshëm. Ishte shuar për të mos u ngritur më fill pasi i kishim dhënë përqafimin e fundit njeri-tjetrit. Ashtu ishte ndarë edhe me të birin që punonte dhe jetonte në Itali duke ia mbushur mendjen se ishte mirë. Por sapo u ngjitën në traget, ai dhe nusja e tij italiane u njoftuan se babai kishte ndërruar jetë. Ne miqtë e tij që e kishim njohur prej vitesh e dinim se si do që t’i vinte fundi, ai do të ndahej nga kjo botë gjithmonë i qeshur a thua se ishte njeriu më i lumtur i këtij planeti.

S'KA KOMENTE