Kur doli në qarkullim historia e Dibrës e shkruar nga historiani  Prof. Kristo Frashëri besova se pjesa më interesante do të ishte pjesa e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare e saj, por u befasova kur pashë se historiani  i nderuar e kishte mbyllur në vitin 1939. Mendova dhe besova se ndoshta do ta shkruajë më vonë, por kur vitet dhe sëmundja bënë të vetën dhe profesori ndërroi jetë më lindi pyetja se përse Kristo Frashëri nuk e shkroi historinë e Luftës  Antifashiste Nacionalclirimtare të Dibrës. Kjo pyetje m’u kristalizua edhe më shumë pas një botimi në internet të një bisede të ish Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi me historianin Kristo Frashëri. Bisedën nuk do ta analizoj dhe komentoj pasi  do ta lexoni dhe gjykoni vetë.
Kam lexuar maketin e Luftës Nacionalçlirimtare të Dibrës të para vitit 1990 dhe shumë libra të tjerë të autorëve shqiptarë dhe të huaj, por nuk kam gjetur realitetin historik të luftës në Dibër. Mendova se Kristo Frashëri si historian, si aktor në këtë luftë dhe si jabanxhi do të thoshte drejt realitetin e kësaj lufte që në Dibër ka vecori për të cilat unë kam shkruar në një shkrim tjetër. Si historian, Frashëri do ta trajtonte mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve dhe jo të fisit e të mikut, si veprimtar në këtë luftë konkretisht edhe në Dibër të Madhe edhe në Peshkopi do ta rrëfente edhe si tregimtar sepse e kishte parë me sy dhe si jabanxhi, si përmetar dhe frashërlli nuk do të mbante anën e asnjë fisi apo eksponenti komunist apo të parisë.
Por duke lexuar procesverbalin e bisedës midis tij dhe Haxhi Lleshit u befasova se si arrihej ti bëhej presion edhe një historiani me emër dhe të mësohej se si ta shkruante historinë e Dibrës. Historiani nuk ra pre e presionit politik të asaj kohe dhe të kohës post komuniste dhe kjo ka qenë ndoshta arësyeja që nuk e shkroi historinë e Dibrës edhe pas vdekjes së Haxhi Lleshit.
Sic e pohon edhe historiani  Frashëri lufta në Dibër ka patur vecori që nuk kanë egzistuar në ndonjë zonë tjetër. Dibra vazhdon të jetë  e ndarë në dy shtete të ndryshme dhe lufta u bë nën presionin dhe udhëzimet e të dy shteteve, herë me marrëveshje e herë me mosmarrëveshje. Pra duhet të pasqyrohen dhe të pranohen këto marrëveshje dhe mosmarrëveshje. Dibra nuk ka patur organizata të mirëfilltë balli dhe legaliteti, por ka patur pari, të parë fisesh dhe malesh historikë (zonash), të cilët nuk kanë pranuar as komunizmin dhe as pushtuesin. Nuk mund të hyje në këto zona pa pyetur parinë dhe kjo duhet shkruar dhe pranuar. Jo rastësisht nga Dibra ka patur ministra dhe kryeministra të qeverisë shqiptare në kohën e pushtimit fashist dhe nazist, të cilët duhen studiuar dhe marrë në konteksin e kohës. Dy djemtë e patriotit Elez Isufi ishin njëri pari dhe tjetri anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Nacionalçlirimtare. E vërtetë e pamohueshme është se dibranët në tërësi dolën në luftë kundër pushtuesit dhe ranë dëshmorë në këtë luftë në brigada të ndryshme. Kështu Gjok Doci ishte në Brigadën e Parë, Selim Ndreu në Brigadën e IV dhe ra dëshmor për clirimin e Tiranës, shumica në batalionin e Dibrës dhe në brigadën e 18 që komandohej nga biri i saj dibran Esat Ndreu. Kishte të rreshtuar edhe në Brigadën e IV shqiptaro maqedonase dhe në formacione të tjera. Askush nuk e mohon rolin e Haxhi Lleshit në këtë luftë si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, por jo më pak të rëndësishëm në këtë luftë ishin ushtarakët e mirëfilltë dibranë si Dali Ndreu, Gafur Korca, Ahmet Cami etj të cilët ishin drejtues të mirëfilltë formacionesh dhe nuk lejonin që partizanët të vriteshin si mish për top sepse ishin oficera të sprovuar, ashtu sic kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë luftë Spiro Moisiu, Tahir Kadarea, Dali Ndreu, etj që kishin studiuar në akademitë ushtarake të Shqipërisë dhe të Italisë.
Askush nuk ka folur hapur dhe konkretisht për luftën e Peshkopisë në tetor 1943, përse u bë, kush ishin palët ndërluftuese, ku ishte pushtuesi…Akoma nuk ka dalë e vërteta e luftës në Dibër në korrik 1944. Do ta marrim vesh nga libri i majorit anglez Reginald apo do ta shkruajmë e pranojmë vetë ashtu si ka ndodhur. Era e luftës për pushtet bashkëshoqëruese edhe në flakët e luftës reale me topa dhe mitrolozë.
Dibra ka historianë  dhe studiues të mirëfilltë. Ka ardhur koha që historia e luftës antifashiste tani pas 72 vjetëve të shkruhet me realizëm.

S'KA KOMENTE