Në shpirt më ndrit një yll,
Çeli sytë një shpresë,
se ky muzg, kjo natë e zezë
do të vdesë! *

Viti 1991 i shekullit njëzetë po mbyllej i plakur, me sëmundje të rënda, i mbytur në ethet e varfërisë, në dhimbje e gjak. “Liria”, si një gojëdhënë e shekullit, u torturua në burgje, internime dhe u përgjak në plumba. Zemrat ndizen, edhe pse sytë e veshët e spiunëve gjuanin “rebelimin” demokrat. Dosjet sekrete rihapi viti ‘91 për të mbytur e ndaluar nisjen e marshimit të ndryshimit politik pluralist.Mësuesit të gjimnazit të qytetit nuk mundën t’ia shuanin shpresat e rilindura dhe shpirtin kryengritës. Ai doli nga shtëpia pa puthur dielli gjoksin e Plakthit të zhveshur dhe zbriti në “Rrugën e Arbërit”.
Eh, ajo natë…
Mësuesit iu tremb gjumi. Pas lajmeve “Radio Tirana” dha përsëri me ton tronditës: Studentët e Universitetit në demonstratë!
– Edhe ty nuk të zuri gjumi? – pyeti Zelijen.
– Arjani s’më la të flej. Ai futet si miza në dhallë.
– Kush do ta ndryshojë botën?
– S’e di më. Kam frikë…
– M’i shtove xixat, – tha Bashkimi dhe ngriti zërin e radios na dëgjoi emrin e artistes shkodrane
Shantoja si t’ishte porositur nga çifti bulqizak:

“Oj bareshë?
Oja…
………………..
Bulqizake faqekuqe
Xhingla-xhingla
Dallaman’e kuqe.
Dridhe, dridhe, të lumtë dora,
Je e bardhë porsi bora…
Oj bareshë!
Oja…
– Të lumtë! – uroi Zelija.
– Artiste! Ishalla i këndon edhe ndryshe Bulqizës! – tha Bashkimi duke hapur perden e dritares.
– Paska çelë agimi. Gurët e Skënderbeut sikur bëkan dritë sot. Po nisem për Tiranë.
– Është rrëmujë atje.
– Nuk më rrihet, Zelije.
E shoqja e përcolli. Diçka i pëshpëriti te porta…
I trembi vetminë. Hyri te ai si lot…
– Motet e zymta të frikës mbyti në gjol! – i tha ai.
Asaj iu duk si Hizër. I dha shpresë. Gëzimi i gurgulloi.
Në pëllëmbët e ngrohta e në zemër gruaja mban jetën e burrit. Gratë, gjak hyjnishë!

* * *
Intelektuali u kthye nga Tirana me një botë tjetër, me atmoserën e gjëmimeve e thirrjeve: “Poshtë komunizmi”. Kuraja dhe vullneti rritën prestigjin e mësuesit dhe vetëdijen.
Prapë, më 22 dhjetor: në “Qytetin studenti” u bë pjesë e qelizave të uraganit rinor. U shpall Partia Demokratike e Shqipërisë. Qelizat politike të saj u shtrinë dhe në Dibër…
Shkolla e qytetit, më 27 dhjetor 1990, dëgjoi dhe forcën e fjalës politike nga mësuesi i matematikës.
Sakaq, zëra të trembur. Hija e frikës veshi sallën, sa hyri sekretari i komunistëve. Por salla, për herë të parë, nuk u ngrit në këmbë. Frika tek intelektualët ishte tronditur.
– Ç’tu desh ty, shoku mësues, të hysh në partinë fashiste?! – shpërtheu helmin sekretari i partisë.
Salla pëshpëriti nën zë.
– Do të keni pasoja të rënda, shoku Bashkim, – kërcënoi tjetri.
– Morali ynë nuk e përdor më fjalën “shoku”, kundërshtoi mësuesi.
– Tërhiqu! Bëje një deklaratë në gazetë…, – e këshilloi.
Mësuesi gjakftohtë, me urtësi u ngrit nga banga dhe i ftoi:
– “Lëreni partinë tuaj dhe ejani në Partinë tonë të re!”.
Tërbimi inatçor shpërtheu me arrogancë në sallë.
– Lajthitje, lajthitje, për ideal! E dëgjuat demokratin? E tmerrshme! – gulçoi sekretari.
– Partia demokratike është e ligjshme! – tha mësuesi duke e shqiptuar çdo fjalë me ton trimërisht.
Heshtje. Frika ulej në banga. Të tjerat qeshnin nën vete.
– Ti kërkon plumbin në lule të ballit, kupton?
Ky kërcënim dhune me plumb krijoi urrejtje. Grupe qytetarësh e minatorësh bashkuan zemrat kundra frikës.
– “Duam të drejtat tona, u bë motiv i qytetit minator.
Dielli i qeshur dhjetorit e nxiste turmën e revoltuar me shkëlqimin e ftohtë. Befas sheshi shpërtheu, kur hyri mes njerëzve të revoltuar Bulzak Cebegu duke thirrur: “Eja mblidhuni këtu!”. Turma e ngriti “hopa”.
Sigurimsa e policë veçonin me sy qytetarët simpatizantë. Anës sheshit kundërshtarët me çejre të nxirë e të trishtuar, shtrëngonin grushtat dhe shanin me fjalor të pistë.
– Hej, kujdes policët!
– Po vijnë me armë, o Bashkim! – thirri mësuesja nga ballkoni i pallatit.
– Mos shkoni pas Bashkimit! U pret burgu, heej! – thirri inxhinieri partiak.
– Do ta hani, o të shkretë! – zëri i fortë i oficerit të kampit të të burgosurve.
Por Bashkimin e ngrohnin bulqizakët tek e nderonin kryengritësin me dy gishta “liri-demokraci!”.
Ndonjëri me vështrim urrejtës e shante nën zë.
Në “Gurrën e kuqe”, ulur këmbëkryq si roje, Bulzak Cebegu. Një shekull me një peshë mali të rëndë hallesh, sa sytë ia kishin vjedhur kthjellimin e dritës së luginës.

*  *  *
Pse aq herët? A të trembi nata?
-Ta njoha zërin, o bir. Ulu, se ti nuk je gjak i prishur, por rrënja e rrënjës se cangëve të drejtë, të mençur e trima. Hallall, o bir! – uroi dhe i shtrini portretin e fotografuar të diktatorit të përbaltur e
të zhubravitur.
Mësuesi i gjimnazit nënqeshi. Mjergulla i hirtë Vajkalore u tret në luginë.
– Tirana u dridh nga tërmeti! – i dha lajmin figurativ Bashkim Lami.
– Vërtetë? Heu! Ma tha miku yt dhe u kap për gurit zebsh e u ngrit në këmbë Bulzak Cebegu.
– Studentët e shembën diktatorin. E tërhoqën zvarrë në rrugët e Tiranës. Unë isha atje…
– Mos fol hapur. Ruaju, o çuni i Shahinit. Vallahi të fusin ku pjerdhin gomarët! – e këshilloi Bulzaku.
Mësuesi u kapit së qeshuri.
– Ndryshoi bota, Bulzak Cebegu! – u përgjigj ai, pa e përmbajtur energjinë e përtëritur të ëndrrës së lirisë së intelektualit me personalitet.
– Ishalla, bir! Por mos harroni se kulçedra nuk ka vetëm një kokë. Vjet mora nipin, i hypa “Skodës” dhe drejt në Tiranë për t’u gjetur derma syve. Iu afrova njeriut në bronz. Vallahi m’u bë se ngriti dorën grusht.
– Frika, Bulzak, frika. Hiqe frikën e lepurit dhe hidhe në sajzin e gjolit, – i tha mësuesi.
– E ke lexuar “Zeherin e Popullit?”.
– Po. Ata dualën nga arkivolet me emrin “Socialistë”. Gazeta akoma vret shpirtra njerëzorë…
– Nuk e lëshon kulçedra, o bir.
– Koha e diktatorëve u shemb. Pluralizmi do ta ngrohë klimën, – o Bulzak! – e qetësoi burrin Bashkimi duke i rrahur krahët e kërrusur dhe eci drejt qytetit të Minierës.

* * *

Në ethe nata për mëkate të ngrira,
Ngordhi kulçedra e moteve të nxira.
Retë çau dielli, loti rebel gjëmon:
Liri duam, bukë e ozon

Agimi Vajkalor i 14 janarit 1991 çeli i acartë. Retë u shtrydhën duke zbrazur në sitën mëngjesore shi të imët që spërkatën luginën e Bulqizës dhe Grykën e Madhe si të ishin lotë zemërakë të rebeluar.
Koha i ruan gjurmët të ngrira e të shkrira…
Sapo tretej eklipsi i mërdhisur i diellit mbi Muriq, Bashkim Lami zbriti në Rrugën e Arbërit duke marrë me vete fjalët e nënës si t’i kishte regjistruara në USB-në e trurit…
– Bir, do të burgosin…
Nuk iu zu fryma. Qau nën vete me ankth e  frikë.
– Mos me lotë rebelë. Mos kij frikë. Kam shumë demokratë, – e qetësonte Bashkimi.
Vërshëllimën e fortë nga Gurët e Skënderbeut, e solli në Vajkal. Rrezet e diellit të ftohtë mundën të çajnë retë e të derdhen mbi supet me borë të ngrirë të shtatit gjigant të Plakthit. Gurra merrte jetë tek mblidheshin tek-tuk simpatizantët e përqafoheshin me kryetarin e Partisë së tyre.
Dielli i mblodhi rrezet dhe i uli tek Gurra e Kuqe, simbol patriotik, ku u derdh më 1465 gjaku nga luftëtarët bulqizakë të Skënderbeut kundër urdive turke të Ballaban Pashës. “Ja, këtu ka rrjedhë gjaku i Nikës, Palit, Petës e Ketës dhe të tjerëve bulqizakë…” .
Që atëherë ky ujë u pagëzua “Gurra e kuqe”.  Prandaj dhe ne e bëjmë nisjen tonë demokratike nga kjo gurrë e bekuar, në shenjë nderimi për të  vrarët, – përfundoi Bashkimi.
U mblodh rreth gurrës orteku njerëzor i Bulqizës e Grykës së Madhe.
– Mal m’u bë zemra, bir. Të zgjodhën kryetar të demokratëve? – pyeti i lumturuar Bulzaku. E gëzofsh!
– A ia shkule emrin nga toka janë atij?…
– Of ma, o kryetar! Me nipin e Jesharit…
Sakaq, një lëmsh drite u rrokullis kataraktit sa fërkoi qoshen e kullës së Jeshar Duriçit.
– Ugur, Bashkim, ugur! – thirri Bulzaku.
– Heu, pa shiko?! – u çudit kryetari tek pa Myfitin me Ylberin që u bashkuan me demokratitët.
– Edhe ju?
– Me kohën…
Turma e nismëtarëve duartrokitën.
– Të pëlqeu Myfiti në Kodër të Hasmirës? – e pyeti Bashkimi.
– Tigër. I kapte gurët si të përleshej me egërsirat, deri sa ia shkuli emrin, – shpjegoi Bulzaku.
– Biri i Naimit, – tha Bashkimi.
– Iku shpejt, i shkreti. Do ta kishim në krahun tonë.
– Më thoshte: Jemi bërë për derë xhamije, o Bashkim. Nuk ka mileti pikë qumështi për një fëmijë të sëmurë… Po i vjen fundi komunizmit.
– Zoti Cebeg, u diktuan për heqjen e emrit të diktatorit.
– Shefi i policisë ma tundi gishtin para syve.
– Nuk i paskan ra fletët në llucë të gjolit?
– Jo gjithë fletët. Më pyeti urtë e butë: “Ç’bëre  mbrëmë?” “Hëngra bukë e gjizë, thera një ftujë (qepë) dhe e thava faqoren me raki. Pastaj, gjumë me plakën time për shtatë palë qejfe. .. në pyllog me trung nën kokë.
A e di ti se ne, edhe mizën e shohim nga lëviz natën, o Bulzak? Ç’e keqe të vinte ty nga ata gurë që i rrokullise kodrës së Hasmirës? Gurë janë, shoku shef, u përgjigja.
“Po, gurë… Jo gurë, por shkronja të një emri të madh”, tha me zë të lartë dhe i ra “bam” me grusht tavolinës.
“Ti me Myfitin e ndërlidhjes e keni bërë copa-copa Enverin që s’i gjendet nami e nishani.
Kupton?
Qyteti nuk e lexon më emrin e udhëheqësit. Kupton? Bëtë si demokratët e Tiranës…” – tha dhe tundi kokën duke më vështruar me egërsi.
– Myfitin e thirri?
– E solli polici. Nuk e pyeti fare. Vetëm na tha: “Të dy bëjini duva kohës. Mësojeni mirë notin, se në turbullira mbyteni, sidomos ky axhamiu”.Bum-bumet e lodrave dhe zjarret e ndezura e zgjuan Bulqizën e Grykën e Madhe. Kullat u  shprazën nga njerëzit. Grykamëdhenjtë kaluan “Urën e qytetit”. Te fusha e Kalasë bashkuan zërat e këngës së urës me bulqizakët, sa dëgjohej deri te “Gurra e kuqe”.
……………………..
Hap, oj bij, atë flegër dere!
Nga po vjen gjith’ kjo potere?

Turma duartrokiti. Sheh Zyberi e spërkati turmën me ujë të bekuar.
– Pa shiko! – foli i çuditur Shpëtim Duriçi, tek u afrua pranë kryetarit Zaku si i vrerosur.
– Më mirë të dëgjoja se ke vdekur se të bëheshe kryetar i këtyre demokratëve”.
Befas. Sakaq. Yyyyy mosaprovimi.
– Heu bre, ia nxive faqen kullës! – iu drejtua Bulzaku.
– E mban mend rrugën nga erdhe? – i tha me urtësi Bashkimi.
Si hije e plagosur u largua.
– Lotët tanë rebelë e mbytën frikën e djallëzuar.
Nuk tradhtojmë të vrarët – shpërtheu kryetari demokrat duke ngritur dorën drejt qytetit: Drejt Perëndimit rruga jonë.
Shpirtrat kryengritës u bënë grusht. Tunelet e minierës shfryjnë padrejtësinë e regjimit kanceroz duke ujit tunelet me lotë rebelimi.
Brenga nisi të shprazej. Minat dridhën Muriqin e Plakthin si të jepnin alarmin e demostratës. Zyrat e Minierës dhe të Gjeologjisë i kyçën.
Oficeri i policisë dhe ushtaraku Belliu ia bëri me dorë turmës demokrate të ndalonte. Në shesh të qytetit buçitën nostalgjikët si të dehur. Pastaj zhurmë e mbytur grindjesh.
– Kujdes. Ruajuni nga kurthet e provokatorëve!, – dëgjohej thirrja e Bashkimit.
– Poshtë komunistët! – thirrën njëherësh Kozeta Hanku me Jene Kadiun nga ballkoni i pallatit.
Sigurimsi i veshur civil, me kapele kinezi, u shënoi emrin në bllokun e xhepit. Hetonte. Fijet e padukshme të frikës këputeshin. Demokratët u burrëruan.
– Heu! E paskan vu Enverin karrabeç! – bërtiti sa i mori goja Petrit Shehu.
– E përzunë nga Tirana dhe e sollën në internim këtu! – thirri Agim Kaçani.
– Tirana e bëri copë-copë, – tha Myfit Duriçi me dy gishtat lart.
– Para demokratë! Poshtë kriminelët! – thirrte Shefqet Tançi.
– Në gjol frikën. Enver-Hitler! – Thirrte Gani Keta me Mentor Lalën të ndezur nga urrejtja.
– Drejtor bre, gjiti drejtor, vishi Enverit xhupin! Zëri i megafonit dëgjohej gjithë Vajkalit. Pas
hekurave të natës kërciti geni fisnik e rebel i zemëruar i diellit të ftohtë.

* * *
Errësira i lau sytë në kthjellimin e ngadaltë të agimit. Kupola e qiellit u zhvesh nudo duke zbuluar sekretet në blunë shokuese.
Yjet e ndezur u rrokullisën në galaktikën misterioze. Sytë e hirtë  fërkoi me duart e gurtë Shkëmbi i Skënderbeut, tek vështroi duke zbritur gjoksit të Plakthit kalorësit e dashurisë.
– He-he-heeej!
Kush thirri? -Zë i dëgjuar. Zë pa emër. I fshehur në natën e gjatë.
Zëri gjëmimtar zgjoi kullat nga gjumi.Tumaleku pikla-pikla mblodhi dashuritë si pikla loti. Gëzimi jeshiloi. Vesa e Lotit rebel nuk u tha…
-Çohuni! Bulqiza zien! -thirri Bulzak Cebegu.
Parrullat e demonstruesve të qytetit, të djathtë e të majtë hyjnë nëpër kulla. Drita e mëngjesit eltroi. Gurët u rrokullisën nga shkëmbi i Skënderbeut si prozhektorë gjigantë me rreze mbi lum. Ata ndjenë buzëqeshjen e Zotit tek dëgjuan nga larg këngën:
Qielli ta fal diellin ty
Të shohish Zotin me dy sy.
Në Bulqizë aq fort dielli shndriti. Aty u mblodh bota e dashurisë.
U gris cipa e natës në kurthet e e trishtimeve.
Sa mirë!

* Fragment nga romani historik “Loti rebel”

S'KA KOMENTE