Jonuz Muça, një emër i spikatur në historinë e arsimit shqip

Mësuesi që për dekada të tëra krijoi hapësira qytetarie dhe komunitarizmi në mjedisin e edukimit

107

Për shërbimin me devotshmëri e përkushtim maksimal, për nivelin e lartë të dijeve dhe profesionalizmin në përçimin e tyre, Jonuz Muça mbetet një emër i spikatur në historinë e arsimit shqip. Të tillë atë e njohin dhe e kujtojnë breza nxënësish e prindër të tyre, në zonën e Gollobordës, të Bulqizës, në krejt Dibrën arsimdashëse, si edhe në metropopolin shqiptar, Tiranën.
Nxënësit e tij të shumtë, sot inxinierë, mësues, mjekë e deputetë e kujtojnë me respekt mësues Jonuzin për horizontin e ideve, horizontin e dëshirave, të ambicieve dhe aspiratave të nxënësve. Ai, më mirë se askush tjetër ishte i orientuar për të shkuar përtej orës së mësimit, për të shkuar përtej marrëdhënies së ngushtë që i lidh bashkë nxënësit me mësuesit dhe për të krijuar hapësira qytetarie dhe komunitarizmi në mjedisin e edukimit. Në funksion të këtij angazhimi, për dekada të tëra, Jonuz Muça i dha një mbështetje shumë të fortë komuniteteve përmes shkollës si qendër komunitare, duke u  angazhuar me projekte jashtëshkollore, të natyrave të ndryshme.  Ai lindi më 7 Maj 1939 në Sebisht, Dibër dhe pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera të gjitha shkallët e shkollimit, shkëlqeu për dekada të tëra edhe në sferën e mësimdhënies.

Studimet
Studimet fillore i kreu në fshatin e lindjes Sebisht, ndërsa shkollën shtatëvjeçare e kreu në Peshkopi.
Më pas, nga viti 1953-1957 ndjek Shkollën Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë.
Në vitin 1962 përfundon studimet në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë në Degën Biologji-Gjeografi.
Në vitin 1966 përfundon studimet ne Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, në Degën Biologji-Kimi.

Eksperienca në punë
Pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike, fillon punë si mësues në fshatin e lindjes dhe më pas në Ostren.
Nga viti 1962 deri në vitin 1967 ka punuar si inspektor arsimi, më pas u emërua mësues në Bulqizë, fillimisht në Shkollën e Bashkuar Bulqizë, dhe më pas në Shkollën e Mesme Bulqizë ku vazhdoi deri në vitin 1991.
Si një nga intelektualët e shquar dibranë, Jonuz Muça edukoi dhe përgatiti breza të shumtë nxënësish. Në profilin e mësimdhënësit punoi me devotshmëri, përkushtim e pasion të rrallë. Ky pasion e bëri fatlum në jetë duke përjetuar gjatë karrierës pedagogjike kënaqësinë dhe lumturinë magjepsëse të orëve të mësimit. Një klasë e tërë përhumbej në sytë dhe fjalën e mësuesit të tyre..mësuesit që nuk u shpjegonte vetëm mësimin e ditës, por i pasuronte me dije për të përballuar vështirësitë e jetës. Dije që do i bënin më të mençur, më të duruar, më të besuar…Ai besoi dhe dëshmoi se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme.
I qetë, i pjekur, shumë i kulturuar nuk pajtohej me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore, por mbante qëndrim. Shpërthyes dhe autoritar në ndëshkimin e tij individual, sepse përherë qëndronte në vendin e nderit, sinqeritetit dhe dinjitetit.
Në përditshmërinë e jetës ai mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale dibrane. Personaliteti dhe karakteri i tij në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos kuddoherë dinjitoz. Si përfaqësues i së resë, diti të orientohej mirë në jetë dhe t’í përgjigjet jetës me dinjitet, me burrëri dhe fisnikëri. Nga viti 1991 deri në vitin 1997, punoi në administratën e Këshillit të Rrethit Bulqizë si Drejtor i Drejtorisë Arsimore dhe Sekretar i Këshillit të Rrethit. Unë pata fatin të punoj me të gjatë këtyre viteve të vëshira. Janë të shumta rastet, kur jo si eprori me vartësin, por si dy bashkëpunëtorë të përkushtuar për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor dhamë kontributin tonë modest në formësimin dhe konsolidimin e këshillit të rrethit Bulqizë dhe të strukturave të vartësisë së tij. Gjithsesi kontributi i J.Muçës mbetet në themel të këtyre institucioneve, aso kohe të brishta, por që njohën histori suksesi gjatë viteve në vijim.
Edhe pasi doli në pension ka punuar si mësues në Medresenë e Tiranës “H. Mahmud Dashi”.
Ai ishte një mësues që e drejtonte  klasën në mënyrë shumë të organizuar dhe me etapa të qarta, duke e vënë theksin tek përmbajtja intelektuale e lëndëve mësimore.
Mbi të gjitha, Jonuz Muça krijoi një familje model të qytetarisë, në Bulqizë e Tiranë.

S'KA KOMENTE