Rrallë ndodh që një njeri të përjetojë tri gëzime në një ditë, siç i përjetoi Musa Riçku më 20 Mars të këtij viti, kur në një nga sallat kryesore të Hotel Tirana, u mblodhën qindra familjarë, të afërm e miq, në ditëlindjen e tij të 60-të. Një ditëlindje qëështë ngulitur thellë, jo vetëm në memorien e Musait, bashkëshortes, Hasijes, djemve e të afërmëve të tyre, por të të gjithë dibranëve e miqve të tij përtej Dibrës, gjer në Kosovë, Vlorë e Devoll….Një ditë vërtetëmbresëlënëse. Mbresa nga dokumentari kushtuar jetës dhe veprës së Musait, përgatitur me fantazi e profesionalizëm nga gazetari i talentuar, Defrim Methasani.., vlerësime dhe fjalë zemre për Musain në promovimin e livrit  “MUSAI – Portret i njeriut fisnik„ me autor Shaqir Skarrën, dhe si  “qershia mbi tortë„, titulli “QYTETAR NDERI I DIBRES„  akorduar nga këshilli bashkiak i rrethit verilindor.
Fisnikëria e Musait është në një kuotë aq të lartë sa si rrallëkush arrin të bëjë bashkë krerët e politikës dibrane: deputetët e të gjitha partive, si dhe pothtujse të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak të Dibrës, pa dallime partiake.
Dhe në këtë ditë të shënuar për njeriun fisnik, që përveçse në Dibër e Tiranë ka shërbyer me devotshmëri edhe në Bulqizë, s’kishte si të mungonin edhe miqtë e tij bulqizakë.
Shkrimtari i mirënjohur Agron Tufa, jo pa qëllim u shpreh se:  “duke folur për dajë Musain në mendje më ulet natyrshëm një krahasim me personazhet e suksesshëm të romancierit amerikan Theodore Dreiser….Personazhet e Drajzerit e nisin karrierën e tyre nga hiri, për të mbërritur majat e suksesit në shoqërinë amarikane të fillimit të shekullit XX. Edhe Musai e nisi ngjitjen e tij nga pika më e ulët…Por suksesi i dajë Musës është radikalisht i ndryshëm, sepse ai është i bazuar në themelet e etikës njerëzore, gjë tepër e rrallë kjo për parallinjinjtë tanë „.
Dhe vërtetë: Mjafton të lexosh ditarët e Musait ndër vite për t‘u bindur në thelbin e argumentit moral të këtij suksesi…
Një tjetër shkrimtar i suksesshëm dibran, Lutfi Hanku do të shprehej se: “Musa Riçku e çliroi shpirtin, duke e tjerrë zgjuarsinë me fjalët e botës së dijes që mblodhi nga gjuha e mësuar e shkollës, në odat e kullave dibrane dhe nga valët e fjalës së Drinit, duke i shijuar këto fjalë nga shpirti i lirisë…Fryma e botës së vlerave të Musait nuk e shijon jetën përtej dëshirave të tij, sepse nuk është formuar si intelektual pa dritërimën e bindjes. Ndryshe nuk do t’i jepte emër jetës e të dritërohej në 36 shkronja nëpër libra„.

Familjar i mirë, mik i vërtetë, shok i papërtuar……

Janë të shumtë personalitetet e botës së letrave, akademikë e profesorë që kanë dhënë vlerësime pozite për Musa Riçkun. Prof.Dr.Edlira Haxhiymeri – Kryetare e Shoqatës  “Lidhja Intelektuale Dibrane„ , duke u ndalur në dimensionin njerëzor të Musa Riçkut, e vlerëson atë si familjar të mirë, mik të vërtetë, shok të papërtuar, qytetar të ndërgjegjësuar dhe si dibranin me zemër të madhe. “Eshtë fat, themi ne shpesh, të kesh një familje të mirë. Por është zotësi„. Ndaj, Znj.Haxhiymeri beson se Musai ia ka dalë, me ndihmën e bashkëshortes, të ngrejë një familje që reflekton të gjitha vlerat e tij.
Në të njejtën linjë, edhe Dr.Hajri Mandri shprehet se formacioni shpirtëror i Musait është përmirësuar dhe zhvilluar nën ndikimin e nxitësve dhe stimujve socialë, i cili, duke pasur një përthithje inteligjente dhe mishërim të vetive më të mira, zhvillon përgjigje të vlefshme ndaj indikatorëve socialë, si reagim estetik që i shkaktojnë ndjenjën e kënaqësisë e të përmbushjes morale.
Madje, për Dr.Mandrin “Ajo që të lë mbresë të thellë në jetën, personalitetin dhe veprimtarinë e Musa Riçkut është vargu i gjatë i sponsorizimeve në fushën humane, dhuratë pa menduar këmbimin e tyre, kohëzgjatja në dekada e këtij inspirimi, sjellja ndaj vlerave dhe qasja ndaj njerëzve që përpiqen t’i përhapin ato„.
Këto anë të veçanta të karakterit të këtij dibrani të shquar, vepra e të cilit ka rrezatim mbarëkombëtar, i evidentuan më së miri në këtë aktivitet mbresëlënës, jo vetëm deputetët Sherefedin Shehu e Ulsi Manja, por dhe kreu i Komunës së Dibrës së Madhe, z.Rushdi Lata, vlonjati Vullnet Sina – President i  “Big Market„ , kreu i bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, si dhe dhjetra të tjerë që folën fjalë zemre për Musa Riçkun.
Dhe vërtetë, siç përshkruhet në librin që u promovua në dilëlindjen e tij të 60-të: “Musai është përfaqësues i denjë i Limjanit, intelektual e punëtor i palodhur, familjar e bashkëshort i mirë.
Ai vazhdimisht ka pasur si qëllim evidentimin e vlerave humane e njerëzore të limjanasve dhe dibranëve. Musai është një gjysh i kujdesshëm, që nuk harron t’u përçojë nipave e mbesave dashurinë për vendin dhe origjinën. Ata janë tashmë frymëzimi dhe optimizmi i tij për të punuar edhe më shumë….„.

Misionari që mban gjallë vlerat e mëdha të artit dhe kulturës popullore dibrane

Si nënkryetar i Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë„ Musai do të mbante ndër vite peshëm kryesore, si një ndër kontribuesit kryesorë. Disa nga veprimtaritë e Shoqatës, ku kontributi financiar i Musait është i konsiderueshëm janë: Sesioni Shkencor për Rrugën e Arbërit (2007), “Dibra në sytë e të huajve„ (2008), “Përkujtimi i 100-vjetorit të Kongresit të Dibrës„ (2009), “Kontributi i Dibrës në pavarësimin e Shqipërisë„  (2012), si dhe mjaftë veprimtari të tjera që Shoqata ka organizuar gjatë këtyre 10 viteve të ekzistencës së saj.
Musa Riçku, edhe për shkak të një trashëgime familjare, ka pasur një vëmendje të shtuar ndaj objekteve të kultit. Që nga viti 1996 vazhdimisht ka ndihmuar në rikonstruksionin e xhamive të ndryshme në Dibër, por edhe me iniciativën e tij për të ndërtuar një xhami për komunitetin mysliman në Laprakë. Janë me qindra veprimtaritë e sponsorizuara prej tij, që nga botimi i librave të autorëve dibranë, e deri tek ato me karakter humanitar në ndihmë të të varfërve.
Musai ka qenë gjithmonë mbështetje edhe për vëllezërit boksierë nga Bulqiza, Ismail e Gjetan Keta, të cilët na kanë nderuar në arenën ndërkombëtare, duke ngritur lart emrin e Bulqizës, të Dibrës dhe Shqipërisë. Edhe në aktivitetin e organizuar më 19 shkurt 2016, ku Gjetan Keta u shpall nënkampion i botës, „Big Market Ken“ ishte një nga sponsorët, duke ndihmuar kështu një veprimtari sportive, e cila u transmetua drejtpërdrejtë në mbi 100 shtete të botës.
Nga libri “MUSAI – Portret i njeriut fisnik„ , ndër të tjera mësojmë se ai është një nga misionarët e vetëm të Dibrës, që me kontributin e tij financiar ka bërë të mundur të mbajë gjallë vlerat e mëdha të artit dhe kulturës popullore dibrane.
Madje, “Oda Dibrane„ , një ndër veprimtaritë mbarëkombëtare që zhvillohet çdo vit në Dibër, prej 21 vitesh ka patur si sponsor kryesor edhe Musa Riçkun.
Për të gjitha këto, ky njeri që rrezaton mirësi në çdo aspekt të jetës së tij e meriton plotësisht titullin “Qytetar Nderi„ i Dibrës dhe mirënjohjen e gjithë dibranëve..

S'KA KOMENTE