Lamtumirë Hamza Gurra

NDAHET NGA JETA INXHINIERI i TALENTUAR i MINIERËS SË BULQIZËS – ISH – KRYETARI I BASHKISË NË VITET 1996-2000

115

E hëna e parë e prillit na befasoj me lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të shokut dhe mikut tonë të paharruar, Hamza Gurra. Pas një sëmundje të rëndë kardiake që nuk mundi më ta përballonte, ai ndërroi jetë në krah të fëmijëve të tij e familjes, duke lënë pas një histori të  burrit që nuk do të harrohet.
Hamza Gurra ka lindur më 18 qershor 1941 në Zerqan. Babai i tij, Ali Gurra ka qenë burrë i zgjuar dhe me shumë kulturë.
Përpjekjet e tij për të ndërtuar jetën e familjes së tij, kishin kaluar në situata tepër të vështira të kohëve që ai jetoi. Ishte patriot  i  vendosur, por puna i mori keq me komunistët që e burgosën politikisht, e dënuan me pushkatim, por më pas i falën jetën pasi akuzat ndaj tij ishin të pavërteta dhe e lanë tre vjet në burg  për “fajin” se gjithë jetën e tij ishte patriot dhe burrë i ditur, duke e lënë familjen e tij me cen biografik. Aliu, më pas, bashkë me bashkëshorten Fitije, përveç vështirësive të jetës, pati shqetësim të madh çështjen e shkollimit të gjashtë fëmijëve të tij, Hamzait, Tajarit, Zijait, Lumturies, Sabait e Fatimes. Iu gëzua shkollimit të Hamzait që mbaroi me rezultate të larta si teknik i mesëm miniere, politeknikumin e Tiranës më 1960 dhe Aliu vdiq në vitin 1961 duke i lënë shumë të rinj fëmijët e tij.
Hamzai në vitin 1960 filloi punën në Thekën të Martaneshit ku punoi deri në vitin 1965. Më pas shkoi të studionte në Universitetin e Tiranës, ku gjatë të gjithë viteve ishte student me rezultate të larta dhe u diplomua “inxhinier minierash” në vitin 1970.
Hamza Gurra sapo mbaron studimet universitare, emrohet në Minierën e Bulqizës. Filloi punën në “Zonën D” që ishte bërë një labirinth tunelesh, katesh e nënkatesh prej 22 vitesh, por gjeti shef zone Kamber Duriçin, që e njihte çdo pëllëmbë të galerive.
Ai krijoi marrëdhënie shumë të mira me të që e ndihmuan në kryerjen me sukses të detyrës dhe në vendosjen e komunikimit rezultativ me të gjithë personelin e asaj zone. Zona D në këtë periudhë rriti prodhimin, hapi sektorë të rinj dhe përmirësoj mekanizimin. Hamzai dha kontributin e tij në disa vite edhe si mësimdhënës i lëndës “Shfrytëzimi i minierave” në përgatitjen e teknikëve të rinj në shkollën e mesme profesionale të Bulqizës.
Si inxhinier me përvojë, Hamzain, më pas e caktojnë tek “Pusi 2” që po hapte nivele të reja dhe gjithashtu kishte edhe probleme të organizimit e të zbatimit të teknologjive të reja në shfrytëzim. Pasi Hamzai specializohet në ISPM për projektimin e minjerave të reja, punoi në ndërmarrjen e “Ndërtimit të Minierës” në Bulqizë si hartues dhe zbatues projektesh për zgjerimin e fronteve të reja të prodhimit e sigurimin e kushteve për shfrytëzim të thellësive.
Hamzai gjatë gjithë punës së tij në sektorët e minierës ruante me kujdes marrëdhënje korrekte në kolektivin e punonjësve si me Bujar Patën, Jashar Demën,  me të cilët kishte shoqëri studentore, por edhe me Todo Mançon, Ferit Allën, Nazmi Përkolën, Kamber Duriçin, Arif Jasharin, Veli Kolën, Izet Ketën, Faiz Kacin, Jorgo Kolën, Niko Lulën, Ismail Memën, Fatmir Beqirin, Martin Cukallën, Rustan Lokën, Kujtim Gjokën, Gëzim Dautin, Afrim Okshtunin, Vehbi Mustën, Agim Vargun, e shumë të tjerë drejtues, inxhinierë, teknikë, shefa e brigadierë me të cilët e lidhi puna. Hamzain e dëgjonin me vemendje kur analizonte problemet me shumë profesionalizëm, por që ishte edhe mjeshtër i humorit në biseda që i përdorte sa herë shikonte shenja lodhje tek shokët. Si e mësuan këtë shokët filluan ta “detyrojnë”  Hamzain t’iu bëjë humor sa herë u duhej të thyejnë monotoninë.
Në vitin 1992, emrohet drejtor tek “Miniera Veriore”, deri në vitin 1994 kur ai caktohet “Përgjegjës i Seksionit të Industrisë dhe Ekonomisë” në Këshillin e Rrethit të Bulqizës. Në këtë detyrë ai ishte autori kryesore i Buletinit “Bulqiza” ku u renditën treguesit kryesor të gjëndjes së zhvillimit të Bulqizës në të gjitha ndërmarrjet, në vitet e para të pasdiktaturës.  Në vitin 1996, Hamzai që ishte në kryesinë e degës së PD, kandidohet  dhe zgjidhet Kryetar i Bashkisë së Bulqizës, detyrë që e kreu me nder deri në vitin 2000. Edhe në këto vite Hamzai me urtësinë e tij u qëndroi afër qytetarëve në zgjidhjen e problemeve të shumta dhe përballoi tranzicionin e egër të vitit 1997 kur armët kërcisnin nga të gjitha anët dhe ishte në rrezik shkatërrimi i minierës.
Ai ishte në krye të detyrës i vendosur për ta mbrojtur minierën pasi e dinte më mirë se kushdo rëndësinë e ekzistencës së saj, që ishte dhe është shpresa e jetës së banorëve të këtij qyteti e të gjithë zonës. Mbahet mend që Bulqiza dhe miniera u mbrojtën nga çfrenimi i njerëzve të krisur në ato momente shumë të vështira. Hamzai edhe në pension përsëri nuk iu nda punës, si konsulent dhe përkthyes i rusishtes me ekipin e DARFO-s . Gjatë kësaj kohe ai shkroi librin e tij “Bulqiza një minierë me histori.” Në këtë libër ai ka hedhë në letër të gjithë historinë e “Minierës së Bulqizës” që nga fillimi në vitet 1948, duke përshkruar ngjarje dhe njerëz që e lidhën jetën e tyre me këtë minjerë. Aty janë renditur rast pas rasti metodat e shfrytëzimit, përmirësimi i teknologjisë, hapja e sektorëve të rinj, investimet që janë bërë në vite, tabela e prodhimit të kromit në çdo vit dhe më interesante është pjesa e librit ku Hamzai kujton me shumë dashuri njerëzit e thjeshtë që lidhën jetët e tyre me këtë minierë ku disa u flijuan në lule të rinisë.
Hamza Gurra ishte inxhinieri i talentuar, projektuesi e zbatuesi i teknologjive të reja të shfrytëzimit, bashkëhartuesi i projektplaneve në vite dhe drejtuesi vizionar e zemërgjërë i sektorëve të minierës dhe i qytetit të Bulqizës, që aq shumë e deshi gjatë gjithë jetës së tij e që u shkri në mbi 50 vite po në këtë qytet bashkë me familjen.
Hamza Gurra, gjithashtu ishte bashkë me bashkëshorten e tij, mësuese Zanën, familja shëmbullore në qytet për sjellje të kulturuar dhe marrëdhënje dinjitoze me bashkëqytetarët, si dhe në edukimin e të dy djemve të tyre, Gojartit dhe Dorianit që mbeten gjithashtu vazhdues të denjë të kësaj familje. Hamza Gurra është vlerësuar për sukseset e arritura në punët që ka kryer dhe detyrat që i janë ngarkuar duke qenë gjithnjë në anën e arritjeve nga të gjitha institucionet e ndërmarrjet  ku ka shërbyer.
Këshilli Bashkiak i qytetit të Bulqizës e ka dekoruar Hamza Gurrën me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Bulqizës”.
Ndarja e Hamza Gurrës nga jeta, për familjen e tij, për bashkëfshatarët e Zerqanit, për bashkëqytetarët e Bulqizës dhe për shokët e miqtë që e njohën, është mjaft e dhimbëshme, por Ai do të mbetet për të gjithë i paharruar.

S'KA KOMENTE