Zhulali – Mësuesi i talentuar dhe politikani dinjitoz që rriti emrin e Shqipërisë në botë

SI E NJOHA SAFET ZHULALIN, DEMOKRATIN E URTË E LARGPAMËS, QË ISHTE AFËR ME DIBRANËT, SI ASNJË PUSHTETAR TJETËR

2092

Safet Zhulalin, para se të na lidhnin punët si nismëtarë të demokracisë, unë e pata njohur në disa takime kualifikuese si mësues matematike. Kishim përshëndetur njëri-tjetrin në shëtitoren e Peshkopisë, pasi ai e dinte që unë kisha punuar në Bulqizë si mësues me motrën e tij Zymbylen.
Në njërin takim metodik në Peshkopi, unë referova një temë që m’u caktua, të cilën e pata përgatitur me kujdes. Ai, pasi mbaruam, m’u afrua dhe më tha: “Tema që paraqite më pëlqeu. Trajtove disa forma të realizueshme të mësimdhënies së matematikës, sidomos ajo pjesa e punës së diferencuar me nxënësit e përparuar ishte mjaft i nteresante”.
Kisha dëgjuar se Safeti ishte ndër mësuesit më të talentuar të matematikës në shkollat e mesme të Peshkopisë.
Më 7 janar1991 ishim në Peshkopi bashkë me Dashamir Jasharin e Adrian Shehun. Shkuam në shtëpinë e Shpëtim Shehut, afër xhamisë, ku u mblodhëm disa nga nismëtarët demokratë dibranë “si fshehtas”, për të biseduar rreth formave të afrimit të mbështetësve të lëvizjes demokratike në Rrethin e Dibrës. Fshehtas, sepse ishte një pasiguri e presion i madh nga pushtetmbajtësit.
Komisioni Nismëtar i Degës së PD-së në Peshkopi, në fillim përbëhej nga 13 veta, nga të gjitha trevat e Rrethit të Dibrës: Safet Zhulali (Kryetar), Shkëlqim Hoxha (zv.kryetar), Mirush Mati (sekretar), Mit’hat Hoxha, Spartak Topollai, Shpëtim Shehu, Naim Mera, Selami Nazifi, Bashkim Lami (Rajoni i Bulqizës), Arben Dedja (Maqellarë), Naim Mandri (Shumbat), Jashar Hoxha (Kala), Riza Dida (Vakuf), që më pas u plotësua me përfaqësues të zonave të tjera të rrethit, si: Aqif Lala (Reç), Hasan Kuta (Kastriot), etj.
Në Komisionin nismëtar të qytetit të Peshkopisë ishin: Genc Bardulla, Gjyzel Hasani, Lavdrim Shehu, Astrit Shehu, Shaban Mera, Hamit Xhaferri, Dashamir Jeshari.
Gjatë muajit janar komisionet u plotësuan me përfaqësues të tjerë nga të gjitha zonat e rrethit dhe u bënë përgatitjet e nevojshme për organizimin e fushatës elektorale, për zgjedhjen e deputetëve të Kuvendit të ri Pluralist të Shqipërisë.
Aty të gjithë pjesmarrësit i drejtoheshin Safet Zhulalit “profesori” dhe e dëgjonin atë tek fliste ngadalë e kuptueshëm me zërin e tij burrëror. Kujtoj se unë u përqëndrova në dëgjimin e porosive të tij, pasi përveç se kishim nevojë për kurajo në motivimin e iniciativës së fillimit të lëvizjes demokratike, unë Safetin po e dëgjoja për herë të parë tek arësyetonte me kujdes e llogjikë bindëse. Ai, duke ndezur cigaret njëra pas tjetrës, foli për format e punës tonë përballë represionit të komunistëve që ishin kthyer në egërsira nga frika që kishin për ndryshimet politike që po ndodhnin. Më pas me z.Zhulali patëm marrëdhënie intensive bashkëpunimi. Ai ishte shumë i interesuar si kryetar i PD-së Dibër, që në rajonin e Bulqizës asokohe, të gjenim përkrahje të gjërë tek njerëzit për shkak të gjendjes së rëndë që kishte pllakosur në jetën e punëtorëve si askund.
Ai brofi në këmbë, bashkë me Mirush Matin, kur ju tregova për ngritjen e Komisionit Nismëtar të PD-së në Bulqizë, që në fillim përbëhej nga: Bashkim Lami (Kryetar), Hajredin Dauti (zv kryetar), Alush Bunguri (sekretar) dhe anëtarët: Mustafa Trepça, Izet Keta, Ilir Xheka e Edmond Lala. Kjo është dita e fillimit të funksionimit të n/degës së PD në Bulqizë, që u njoh si degë e PD-së në muajin Qershor 1991, kur po krijoheshin Këshillat Pluraliste.
Bashkë me të gjithë demokratët dibranë përjetuam emocione të papara në zhvillimin e mitingut të parë publik në qytetin e Peshkopisë, ku ne dilnim në tribunë për herë të parë, për të shpalosur idetë e programit të PD-së.
Folën në miting Safet Zhulali, Mirush Mati, Bashkim Lami, etj.Në emër të PDSH-së përshëndeti pjesmarrësit i deleguari Bardhul Reso.
Mbeten të freskëta në kujtesën e secilit pjesëmarrës emocionet në sheshin përpara shkollës së mesme bujqësore që ishte mbushur nga të gjitha anët dhe brohoritnin fuqishëm me parrullat, “Liri-Demokraci”, “Poshtë diktatura”, “Shqipëria, si Europa”, “Partia Demokratike”,etj.
Më 13 Shkurt 1991 shkuam delegatë nga Rrethi i Dibrës, në Konferencën e Parë kombëtare të PDSH, ku ndër folësat me zë të dëgjuar me shumë vemendje qe Z.Safet Zhulali, i cili tregoi mbështetjen që po gjenim në shtresa të popullsisë dibrane, të rrënuara ekonomikisht. Ai tha se, na duhet të hedhim dritë mbi mënyrën si do të vijë e ardhmja e vendit tone, që populli të na besojë se ne do sjellim rimëkëmbjen e këtij vendi. Z. Zhulali denoncoi në konferencë me fakte se si vazhdohej të gënjehet populli nga demagogjia komuniste, duke krijuar idenë e mosbesimit e të anarshisë.
Safeti u dallua e vlerësua nga drejtuesit e PDSH-së për cilësitë e tij të gjykimit, komunikimit e organizimit efikas.
Në zgjedhjet e para pluraliste ne punuam së bashku në kushte shumë të pabarabarta me kundërshtarët e pushtetit dhe arritëm të fitojmë 33% të votave në vetëm tre muaj aktivitet politik. Kjo kohë ishte për ne një përvojë e rëndësishme për ditët që do të vinin.
Në korrik të vitit 1991, PD-ja arriti të bëhet pjesë e qeverisjes pluraliste. Ishte një detyrë që do të kishte vlera të mëdha nga menaxhimi i kujdesshëm për të fituar besimin e popullit të çoroditur dhe kjo, siç porosiste me këmbëngulje Z.Safet, kërkonte shembullin bindës të të gjithë përfaqësuesve tanë në detyrat e reja që kishim përpara.
Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, z.Safet Zhulali u vendos kandidat për deputet në zonën e Bulqizës dhe falë punës së palodhur të aktivistëve tanë në qytet e në çdo fshat arritëm të fitojmë.

MINISTRI QË PËRAFROI SHQIPËRINË ME NATO-n
Z.Safet Zhulali, me konstituimin e qeverisë u caktua në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Këtë detyrë ai ishte i përkushtuar për ta përmbushur me sukses dhe realizoi reformën e domosdoshme të ushtrisë sipas standarteve perëndimore, duke e futur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në NATO. Akoma opinioni publik e shihte këtë aleancë ushtarake si rrezik i madh dhe jo si aleat ku Shqipëria do të ndjehej më e sigurtë për mbrojtjen e vendit.
Safet Zhulali u prit me nderimet më të larta në Uashington për herë të parë si ministër mbrojtje i Shqipërisë dhe gjithashtu pritja e tij në Shtëpinë e Bardhë të SHBA-së u bë me ceremonialin zyrtar të nivelit më të lartë të titullarëv të shteteve, me të shtëna topash. Ambasadori i parë i SHBA-ve, Rayerson në i ntervistën e dhënë tek “Zëri i Amerikës” u shpreh: “Është diçka e mrekullueshme që Shqipëria është në NATO. E vetmja gjë që më vjen keq është që Safet Zhulali nuk arriti ta shikojë këtë sepse ajo ishte ëndrra e tij. Mendoj se është e rëndësishme për Shqipërinë se para së gjithash është një ekspozim më i madh ndaj Perëndimit dhe drejt BE-së…”.
Asnjëherë Zhulali nuk e nënvlerësoi rolin dhe detyrat e tij si përfaqësues i Bulqizës në parlament, edhe pse ishte shumë i zënë me detyrën e ministrit. Në takimet kordinuese ai më porosiste: “Bashkim! Mundësitë tona për t’i ndihmuar njerëzit që kanë shumë halle, janë shumë të pakta, pasi i gjithë vëndi është me industrinë dhe bujqësinë krejt të rrënuar. Prandaj do të bësh kujdes që në çdo rast të tregohesh i durueshëm në pritjen e njerëzve që t’i dëgjosh ata me vëmendje. Kur ke mundësi të zgjidhësh hallin e tyre, jepu fjalën e zbatoje dhe kur nuk është e mundur, duhet t’i bindësh se nuk ke mundësi, se edhe këtë njerëzit e kuptojnë, pasi jetojmë në të njejtin vend dhe gjëndjen e dinë i madh e i vogël.”
Shumë shpesh binte telefoni nga deputeti Safet Zhulali që njoftonte se do të bëhej takim në fshatrat e zonës elektorale, megjithëse detyra si ministër kishte shumë ngarkesë. Ai ishte vazhdimisht i interesuar të dinte me hollësi gjëndjen në çdo fshat, furnizimin me mallrat e shportës dhe funksionimin e komisioneve të tokës e zbatimin e detyrave nga zyrtarët e pushtetit lokal. Deputeti dhe ministri Zhulali ishte objektiv përpara kërkesave të njerëzve dhe përkrahte e gjente forma rezultative të kompromisit. Mbaj mend një rast kur ishim në zyrë, në Bulqizë, ku po e i nformoja për vështirësitë që kishim në ndarjen e tokave. Ai porositi dhe mbështeti komisionet e ndarjes së tokës që t’u rregjistrojnë fshatarëve atë tokë që duan. “Ne na duhet të gjejmë modalitetet tona, tha ai. Aty ku ligjin nuk mundemi ta zbatojmë duke konfliktuar njerëzit duhet të arsyetojmë, sepse po shmangëm konfliktet ne jemi në anën e duhur”. Është e vërtetë që vështirësi ka sjellë në mjaft raste copëzimi i parcelave për futjen e mekanizimit, vazhdoi ai, por në çdo kohë mund të arrihen bindja reale e pronarëve për gjetjen e rrugëve të reja të rritjes së prodhimeve bujqësore. Blegtoria është mundësia tjetër shumë e madhe për ekonomitë familjare, pasi prodhimet blegtorale janë impakti më i shpejtë që ndihmon në përmirësimin e nivelit të jetesës në këto kushte që kemi”.Ashtu si u veprua në Bulqizë, konfliktet qenë shumë të rralla ku dhe sot çështja e pronave është e stabilizuar më mirë se në çdo rreth tjetër.Tokën e morën familjet dhe filluan t’i shërbejnë me punë e djersë, të qetë dhe në kërkim të formave bindëse të rritjes së prodhimeve të mundit të tyre.
Safet Zhulali, në pesë vite që ishte deputet i zonës së Bulqizës nuk la fshat pa shkuar e njeri pa takuar e dëgjuar me shumë dashuri e respekt. Ai u kujdes për shumë familje në nevojë dhe për shkollimin e fëmijëve të tyre me rezultate të larta, që sot ata janë bërë kuadro të rëndësishëm të ushtrisë dhe ekonomisë dhe janë të shpërndarë në të gjithë vendin tonë. Safet Zhulali përfaqsoi zonën e Bulqizës në parlament me dinjitet, duke qenë gjithmonë në krah të njerëzve që e zgjodhën, si askush tjetër deri më tani dhe për këtë, populli dibran e kujton atë me respekt e dashuri.
Ne që punuam me Safet Zhulalin nuk mund të harrojmë përkushtimin e tij për fillimin e studimit të gjurmës së “Rrugës së Arbërit” dhe përpjekjet për investime në atë kohë që shteti i ri demokratik i kishte shumë më të pakta nga sa janë sot.
Ai guxoi të mbrohej mbi bazën e të vërtetave

Zhulali u kthye nga emigrimi pasi nuk mund të duronte shpifjet e ulta që bëheshin ndaj tij.Ai guxoi të mbrohej mbi bazën e të vërtetave.
Në gusht të vitit 1998 u vu nën akuzën për krime kundër njerëzimit nga Prokuroria e Përgjithshme, por ai mori pafajësinë pasi akuza nuk u provua.
Sëmundja e zemrës dhe diabeti, si dhe hallet e rebelimit komunist e shqetësuan padrejtësisht Safet Zhulalin, por ai në i ntervistën e fundit në RTSH bëri transparent qëndrimet e tij, duke deklaruar, se :“Ky rebelim është një dosje e zezë e politikës shqiptare që nuk do të hapet kurrë”. Për këtë, Ai ka mbetur i fiksuar në kujtesën e njerëzve që e njohën e punuan me të, shumë i vlerësuar.
Safet Zhulali u nda nga jeta më 13 prill 2002, pas një sëmundje zemre dhe diabeti që e vuante në disa vite.Ai është nderuar (pas vdekjes) me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Peshkopisë” nga Këshilli Bashkiak më 22 nëntor 2006 me motivacionin: “Qytetar, mësues, sportist, intelektual shembullor, themelues i pluralizmit politik në rrethin e Dibrës, projektues dhe zbatues i integrimit të Shqipërisë në NATO”. Gjithashtu një rruge në qytetin e Peshkopisë iu vendos emri “Rruga Safet Zhulali”.
Edhe Këshilli Bashkiak i Qytetit të Libohovës i ka dhënë më 17 gusht 2008 Safet Zhulalit titullin e lartë “Qytetar Nderi i Libohovës”.
Ish ministri demokrat i Mbrojtjes, në 2015 u vlerësua edhe nga Këshilli Bashkiak i Poliçanit, duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi” i këtij qyteti.
Safet Zhulali qe një mësues i talentuar, një politikan dinjitoz që rriti emrin e Shqipërisë dhe një prind shembullor që s’do të harrohet kurrë.
Vdekja e tij shumë e parakohëshme ishte e dhimbshme, jo vetëm për familjen e miqtë e tij, por dhe një humbje e madhe e shoqërisë shqiptare për këtë personalitet që tanimë është pjesë e historisë së vendit e kombit tonë, që provoi denjësisht shumë sfida në jetën e tij. Komunikimi i ngrohtë e i dobishëm i Safet Zhulalit, për mua personalisht e të gjithë miqtë tanë, që na bashkoi puna dhe përpjekjet tona në fillimet e jetës demokratike, do të ruhen në mendjet dhe zemrat tona përjetësisht.

S'KA KOMENTE