SOFRA E DIJES BULQIZAKE

Takim mbresëlënës me studentë nga Bulqiza që ndjekin studimet në Tiranë dhe Durrës

243

Përfaqësues të elites rinore u promovuan në këtë takim me sloganin sa tradicional aqë edhe modern: “Sofra e dijes”. Në këtë “sofër bulqizake” në mes të Tiranës ndjen admirim tek ndjek dokumentarin kushtuar dy të rejave nga Bulqiza, Erjola Lami dhe Denilda Keta, si dhe materialin video mbi Bulqizën
Shoqata Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, në bashkëpunim me Forumin Rinor të saj, organizuan në Pallatin e Kulturës, Tiranë, takimin “Sofra e dijes bulqizake”.
Takimi me studentë të cilët studiojnë në Tiranë dhe Durrës, i ideuar dhe moderuar mjaftë mirë artistikisht nga Kryetari i Forumit Rinor të Shoqatës, studenti i shkëlqyer bulqizak i gazetarisë, Sami Curri, ishte me të vërtetë mbresëlënës. Ai përçoi më së miri idenë e konsiderimit të rinisë si promotor i zhvillimit të një shoqërie. Zoti Curri ka patur fatin që gjatë kësaj periudhe që po merrej me organizimin e këtij takimi të takonte të rinj nga Bulqiza, të cilët kanë arritur të kenë një punë dhe të jenë në hapat e duhur të një karriere të suksesshme. Pikërisht përfaqësues të kësaj elite rinore u promovuan në këtë takim me sloganin sa tradicional aqë edhe modern: “Sofra e dijes”. Në këtë “sofër bulqizake” në mes të Tiranës ndjen admirim tek ndjek dokumentarin kushtuar dy të rejave nga Bulqiza.
E para, prezantohet Erjola Lami (Studente në Master për Drejtësi dhe Filozofi) që falë punës këmbëngulëse e përkushtimit maksimal ka arritur të ngrejë një studio ligjore.
E dyta, Denilda Keta – një talent i rrallë që na ka mahnitur vite më parë kur arriti gjer në Finale te “Gjeniu i Vogël 3”. Tashmë ajo studjon për kanto. E ndërsa në dokumentar e shohim me gishtat mbi piano, në atë sallë me dhjetra studentë e studente ajo interpreton disa këngë me zërin e saj melodioz.
Bulqiza ka vlera të shumta kulturore, turistike e humane, por që kanë ngelur thjeshtë në kuadrin e letrave. Studentët pjesëmarrës në këtë takim, Olsede Kamishi, Baki Shehu, Matilda Koçi e Andi Bora, tentuan të promvojnë natyrshëm këto vlera.
Dhe për këtë ato morën përgëzime edhe nga kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bulqiza”, Bashkim Lami, i cili i përshëndeti ngrohtësisht për misionin e tyre fisnik. Ai përcolli mesazhin e domosdoshmërisë së angazhimit të të gjithë studentëve e intelektualëve nga Bulqiza, për të qenë një gur themeli për ndërtimin e një shoqërie të re, me një frymë të re e model të ri, në funksion të realizimit të projekteve zhvillimore për Bulqizën.
Për të çuar përpara këtë nismë, rinia studentore bulqizake, u inkurajua edhe nga Drejtori i gazetës “Bulqiza”, z.Edmond Isaku, njëherësh Drejtor i TV Bulqiza dhe President i Rrjetit Kombëtar të Televizoneve lokalë. Ky biznesmen i suksesshëm, i njohur për humanizmin që ka treguar në vite, premtoi mbështetje të gjithanshme për ata të rinj që aspirojnë të realizojnë projkete të ndryshme kulturore-artistike, me fokus promovimin e vlerave të traditës dhe të resurseve të shumta që ka rajoni i Bulqizës. Këtij qëllimi i shërbeu edhe materiali video mbi Bulqizën që u shfaq për pjesëmarrësit në këtë takim.
H.R

S'KA KOMENTE