Përparim Spahiu: Qeveria të mbajë premtimin për Rrugën e Arbërit

Rruga e Arbërit është një korridor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare

204

Deputeti Përparim Spahiu kërkon që arteria e Shqipërisë Lindore, Rruga e Arbërit të nisë të ndërtohet brenda këtij mandati, si një premtim i dhënë ndër vite nda politika për komunitetin dibran. Ai shpjegon në një intervistë se vonesa e ndërtimit të këtij segmenti është e pakuptueshme, dhe se duhet parë mundësia që ky investim të bëhet me paratë e buxhetit të shtetit, nëse marrëveshja me kinezët zvarritet. Deputeti i Qarkut të Dibrës, thotë se pas tre vitesh në qeveri, mazhoranca tashmë duhet ta kthejë këtë korridor në një investim strategjik prioritar. I pyetur se ku kanë ngecur punët për këtë investim, Spahiu shprehet se nuk është i informuar, dhe për këtë do të kërkojë një interpelancë me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, si dhe me atë të Transporteve, Edmond Haxhinasto. Ai thotë se ndihet përgjegjës për zvarritjen e kësaj rruge të rëndësishme jo vetëm për banorët e qarkut Dibër, por edhe për frymëmarrjen e shkëmbimeve ekonomike e tregtare në rajon.Përparim Spahiu bën përgjegjës të gjithë deputetët e deritanishëm të Dibrës, duke përfshirë këtu edhe veten. Në intervistë, Spahiu thotë se mos realizimi i kësaj rruge brenda këtij mandati, do të përbënte për të një arsye për t’u menduar mirë nëse do të kërkonte apo jo një mandat të dytë në atë qark.

Rruga e Arbërit është një korridor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, por sidomos për banorët e qarkut Dibër. Në çfarë faze është ky projekt?
Keni plotësisht të drejtë, që përveç rëndësisë për banorët në qarkun Dibër, e quani edhe korridor i rëndësishëm për ekonominë kombëtare. Dibra është zonë me pasuri kombëtare, ndër më të rëndësishmet janë minierat, por edhe pasuritë hidrike, ku priten edhe investime serioze si ai i Skavicës. Kjo rrugë është edhe një lidhje e shpejtë me Maqedoninë e më larg përgjatë lindjes, korridor që me unazën e re të Tiranës, do të krijonte një anksesim më të shpejtë me Portin e Durrësit.

Zvarritja e këtij projekti, kë ka përgjegjës sipas jush? Kujt i mungon vullneti?
Unë kam planifikuar seancë pyetjesh me ministrin e transportit, edhe me atë të financës. Besoj do të jetë një mundësi e mirë që të kuptojmë më shumë për situatën aktuale, pasi edhe unë vë re momente vonesash, apo zvarritjesh, edhe pse e di që dëshira e të gjitha palëve nuk mungon. Mbase ne duhet të dalim përtej mekanizmit të zgjedhur: bërjes së saj me procedurën e veçantë që miratoi parlamenti me kompaninë kineze. Mbase duhet të diskutojmë rikthimin e idesë për investimin e vetë qeverisë, pra, jo me koncesion. Për mendimin tim duhet të vazhdojë investimi, përveç pjesëve të vështira, që kërkojnë fuqi monetare, siç është tuneli dhe një urë. Pra, nëse duhen tre vite financim për financimin e saj deri në përfundim, t’ia lejmë vitit të fundit ndërtimin e tunelit dhe urës, e të vazhdojmë me pjesën tjetër të shtrirjes së korridorit.

LSI drejton Ministrinë e Transporteve. A ka përgjegjësi subjekti suaj politik për mungesën e këtyre impulseve?
Asnjëherë nuk do ta ndaja qeverinë në grupe, LSI, PS apo të tjerë. Është e qartë që situata financiare që kaluam, vështirësoi investimin direkt, por tani, pas tre vitesh negociata, them që ka ardhur momenti që ky investim të jetë prioritar.

Do të jetë rruga e Arbërit “molla e premtuar” edhe në zgjedhjet e vitit 2017?
Nëse këtij projekti nuk do t’i jepet zgjidhje me këtë mandat, dua të deklaroj që unë do ta shoh me mjaft dyshim kandidimin tim për një mandat të dytë në Dibër. Do ta quaja veten bashkëfajtor me të gjithë personat që kanë premtuar ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Sa përgjegjës janë deputetët e Dibrës ndër vite për këtë zvarritje? Kujtoj se kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveri e financa…..
Jam shumë përgjegjës dhe e them pa droje. Di se projekti i mirëstudiuar ka qenë lidhja Tiranë-Dibër-Kukës-Prishtinë dhe në të njëjtën kohë, lidhja Dibër-Shkup. Kjo zgjidhje mjaft racionale do të mbulonte të gjithë zonën veriore dhe veri-lindore. Nuk di çfarë ka ndodhur dhe pse, ndryshoi.  Mbase rruga e Arbërit nuk mund të quhej Rruga e Kombit. Them se ka qenë vendimmarrje përtej postit të një ministri, dhe e kalojnë “rrethin” e dijes sime si politikan.  Ajo që më shqetëson është fakti se Tirana, kryeqyteti vazhdon akoma të jetë i pa lidhur me qytetet kryesore. Dhe rruga e Kombit quhet Durrës-Kukës-Prishtinë.

Së fundi, në një shkrim pak kohë më parë ju akuzonit kryebashkiakun e Dibrës për arrogance ndaj qytetarëve. Madje as ju nuk jua hapte telefonin. Vijon e njëjta situatë pakënaqësie prej jush ndaj z. Xhelili?
Para disa ditësh isha në Maqellare, për një problem mes fshatrash që nuk gjejnë dot zgjidhje për një burim uji. Kontaktova me administratorin dhe gjeta gatishmëri prej tij dhe bashkisë për të zgjidhur problemin. Nuk kam pasur rast tjetër për të kontaktuar me kryetarin e bashkisë. Nëse nuk do të përgjigjet, do t’ju njoftoj edhe juve.

S'KA KOMENTE