PD, ANGAZHIM SERIOZ PËR DEKRIMINALIZIMIN E ZGJEDHJEVE

    238

    • Përsa i përket Qarkut Dibër synimi është i qartë, dyfishimi i mandateve parlamentare të PD nga dy sa ka sot në këtë qark, në katër mandate parlamentare. Në planin kombëtar synimi është po aq i qartë. PD do të jetë shpejt në qeverisjen e vendit përmes një vote plebeshitare të shqiptarëve, si e vetmja alternativë për shpëtimin e Shqipërisë nga humnera ku e zhytën vitet e një qeverisje aventurierësh e gangsterësh

     

    Strukturat e Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës janë të angazhuara maksimalisht për të mos lejuar kriminalizimin e zgjedhjeve, siç ndodhi me zgjedhjet e shkuara vendore dhe parlamentare. Anëtari i kryesisë së PD-së, Kreshnik Çollaku – Kryetar i Departamentit të Politikës së jashtme të Partisë Demokratike që kryeson grupin e punës për procesin e riorganizimit të strukturave të PD-së në këtë qark, shpreh bindjen për fitoren e betejës kombëtare kundër faktorëve jashtë PD, që siç dihet janë kriminalizimi i zgjedhjeve përmes blerjes së votës e intimidimit të zgjedhësve.
    “Përsa i përket faktorëve apo difekteve të brendëshme ne kemi çdo kapacitet që në një kohë të shpejtë të bëjmë korigjimet e nevojshme, për t’u bërë në një kohë rekord gati dhe gjithashtu duke zhvilluar një betejë kombëtare kundër faktorëve jashtë PD që siç dihet janë kriminalizimi i zgjedhjeve përmes blerjes së votës e intimidimit të zgjedhësve”, -shprehet z.Çollaku në këtë intervistë ekskluzive për “Gazeta Bulqiza”.

    -Z.Çollaku, si kryetar i Grupit të punës, ku konsiston riorganizimi i strukturave të PD-së në Qarkun Dibër?
    Riorganizimi i strukturave është një proces që vjen në mënyrë të natyrshme si detyrim statutor në PD, në një periudhë të përcaktuar kohore. Zgjedhjet për të gjitha nivelet drejtuese të PD, nga ato të nivelit bazë të seksionit deri tek ato të nivelit më të lartë te kryetarët e degëve, Këshilli Kombëtar dhe Kryesia e re e Partisë Demokratike, janë një moment i rëndësishëm në jetën dhe organizimin e brendshëm të PD-së.
    Ky moment zgjedhor vjen fill pas një procesi të gjatë reflektimi dhe analize, i rezultatit zgjedhor të vitit të shkuar dhe situatës që pasoi në zhvillimet e brendëshme të PD. Zgjedhjet e reja bëhen në frymën dhe në respekt të Statutit të ri të PD, i miratuar në Kuvendin Kombëtar. Statuti sjell disa risi demokratike në jetën organizative të PD-së, siç është ajo e zgjedhjes një anëtar një votë e kryetarëve të grupseksioneve dhe mandatimi automatik i këtyre për shkak të këtij votimi si antarë të kryesive të degëve ku zgjidhen. Kjo është një ngjarje e një mënyrë e re në jetën organizative të PD-së. Fryma është demokratike dhe gjithërfshirëse dhe kemi besim të plotë se kjo do të reflektohet në fuqizimin e strukturave tona përmes një angazhimi e përgjegjshmërie më të lartë të çdo anëtari e të zgjedhuri në çdo nivel drejtues të PD.
    Qarku Dibër nuk bën përjashtim nga ky aksion i madh politik i brendshëm i PD.
    Edhe në Qarkun Dibër, në të tre degët e PD në këtë qark, në Dibër, Bulqizë dhe Mat do të zhvillohet pikërisht ky proces, zgjedhja me një anëtar një votë e drejtuesve të grupseksioneve dhe rrjedhimisht edhe kryesitë e reja të degëve të PD, për të vazhduar më tej me zgjedhjet e kryetarëve të degeve.
    Procesi ka filluar, ai po ecën me ritëm të mirë dhe është mirëpritur nga anëtarësia e PD. Numri i lartë i aëtarëve që kanë marrë pjesë në këto votime në çdo grupseksion është shumë inkurajues dhe një mesazh e provë e qartë se strukturat janë në një proces serioz rivitalizimi dhe fuqizimi.
    PD është partia e parë dhe e vetme deri më sot që po aplikon parimin një anëtar një votë në të gjithë hierarkinë drejtuese të saj.
    Kjo na jep besim se ky proces demokratizues e modern do të japë frute në fuqizimin e strukturës sonë.

    -Nga kontaktet tuaja parapprake me strukturat, cilat janë problematikat më evidente?
    Është një proces i ri, një praktikë e re dhe si e tillë ka sfidat e veta, por për të qenë i sinqertë është mirëpritur nga anëtarësia e PD dhe duket se deri më tani probleme nuk ka patur.
    Gjatë procesit të analizës problematika më e gjerë thuajse në tërë vendin ka qenë kërkesa e drejtë e aëtarësisë së PD që të ndihen sa më të përfaqësuar dhe ndikues në vendimmarrjet e mëdha politike nga strukturat më të larta të Partisë Demokratike.
    Votimi një anëtar një votë është një garanci e plotë se çdo i zgjedhur e çdo drejtues në çdo nivel do të ketë peshën, vlerën, forcën dhe përgjegjshmërinë e votës së çdo antari të PD-së në vendimet që duhet të ndërmarrë gjatë aktivitetit politik dhe sfidave që kemi përballë.
    Unë besoj se me këtë parim ka marrë një përgjigje të mirë thelbi i pretendimit thuajse të përgjithshëm të aëtarësisë sonë. Niveli i lartë i pjesmarrjes në këto votime në çdo grupseksion është gjithashtu provë se edhe aëtarësia jonë e vlerëson po ashtu shumë seriozisht këte proces.

    -Në zgjedhjet e fundit parlamentare, perveç Degës së PD Bulqizë që doli e para në rang rrethi e qarku, dy degët e rretheve Dibër e Mat patën rënie të dukshme. Sipas jush cilat qenë shkaqet?
    Kjo është një e vërtetë e hidhur që fatkeqësisht do të mbetet në kujtesë për një kohë të gjatë. Rezultati i 2017 në qarkun e Dibrës, një qark bastion i PD-së historikisht, ishte një rezultat i dhimbshëm. Por gjithashtu gjatë këtij viti kemi bërë analiza të plota dhe kemi evidentuar shkaqet e këtij rezultati. Ky rezultat erdhi për shkak të faktorëve të brendshëm dhe padyshim dhe të jashtëm.
    Përsa i përket faktorëve apo difekteve të brendëshme ne kemi çdo kapacitet, që në një kohë të shpejtë të bëjmë korigjimet e nevojshme, për t’u bërë në një kohë rekord gati dhe gjithashtu duke zhvilluar një betejë kombëtare kundër faktorëve jashtë PD, që siç dihet janë kriminalizimi i zgjedhjeve përmes blerjes së votës e intimidimit të zgjedhësve.
    Duhet pohuar se dega e PD Bulqizë pati një performancë të shkëlqyer në zgjedhjet e shkuara dhe arriti objektivin e dëshiruar. Edhe pse ky objektiv fatkeqësisht nuk mjaftoi për të marrë rezultatin e dëshiruar në nivel qarku, unë besoj se dega e PD Bulqizë dhe puna e saj vlen të bëjë krenarë çdo demokrat të Bulqizës, se pa punën e tyre dëmi elektoral në këtë qark do të kishte qenë edhe më i thellë.

    -Çfarë synoni në të ardhmen?
    Përsa i përket Qarkut Dibër synimi është i qartë, dyfishimi i mandateve parlamentare të PD nga dy sa ka sot në këtë qark në katër mandate parlamentare.
    Në planin kombëtar synimi është po aq i qartë. PD do të jetë shpejt në qeverisjen e vendit përmes një vote plebeshitare të shqiptarëve, si e vetmja alternativë për shpëtimin e Shqipërisë nga humnera ku e zhytën vitet e një qeverisje aventurierësh e gangsterësh.

    Intervistoi: Laureta Ceka

     

    Kush është Kreshnik Çollaku

    Student i Dhjetorit 90.
    Pjesmarrës i grevës së urisë, shkurt 91 (për heqjen e emrit “Enver Hoxha” nga Universiteti i Tiranës).
    Pedagog në Universitetin e Tiranës,
    Ish zv/ambasador i Shqipërisë në SHBA, Washington viti 2006-2011.
    Zv/ ministër i Punëve të Jashtme 2012-2013.
    Anëtar i Kryesisë së PD.
    Kryetar i Departamentit të Politikës së Jashtme të Partisë Demokratike.

    S'KA KOMENTE