TË NJOHIM VENDLINDJEN NJËSIA ADMINISTRATIVE E OSTRENIT

130

Pozita gjeografike

Ish Komuna e Ostrenit dhe ish komuna e Okshtunit, sot Njësia Administrative e Ostrenit, është një ndër 31 ish komunat e Qarkut Dibër, Bashkisë Bulqizë.
Shtrihet në pjesën verilindore të Bashkisë së Bulqizës në anën e djathtë të rrjedhjes së Lumit të Lubaleshit dhe të Okshtunit. Kufizohet në lindje me Maqedoninë, në verilindje me Trebishtin e Klenjën, në jug me komunën e Gjoricës, në perëndim me komunënn e Zerqanit dhe të Martaneshit.
Ostreni është 31 km larg nga Bulqiza. 60 % e territorit është mal dhe kodrina.
Ndodhet 800 m mbi nivelin e detit. Ka në administrim të plotë 13 fshatra: Ostren i Madh, Ostren i Vogël, Okshtun i Madh, Okshtun i Vogël, Radovesh, Kojavec, Orzhanovë, Oreshnjë, Lejçan, Tuçep, Lladomericë, Pasinkë dhe Tërbaç.
Okshtuni i Madh, Okshtuni i Vogël dhe Oreshnja kanë qenë pjesë e komunës së Okshtunit, komunë që u nda në dy pjesë një pjesë me Steblevën dhe Librazhdin dhe pjesa tjetër me Ostrenin dhe Bulqizën. Moglica, Prodani kaluan me Steblevën dhe Librazhdin. Okshtuni dhe Oreshnja kaluan me Ostrenin dhe Bulqizën.
Është një territor i hapur dhe i gjërë me 13 fshatra të largëta, ku largimet e popullsisë kanë qenë të shumta. Në vitin 2011 Njësia administrative e Ostrenit ka regjistruar 3034 banorë. Lidhet me rrugën nacionale nëpërmjet Urës së Çerenecit.
Njësia përshkohet nga rruga e kufirit, Klenjë – Ostren i Vogël – Tuçep, Lladomericë, Miresh, nga Rruga e Ramnagorës, Klenjë – Ostren i Madh, Ramnagorë, Ura e Çerenecit si dhe nga Rruga buzë Zallit të Okshtunit. Pra përshkohet nga tre rrugë, gjë që është pozitive, por të tria këto rrugë nuk janë të mirëmbajtura dhe të asfaltuara. Rruga kryesore Steblevë-Borovë – Lubalesh – Ura e Çerenecit ka 10 vjet që është projektuar dhe planifikuar për t’u asfaltuar dhe akoma nuk ka përfunduar. Buzë zallit të Okshtunit po ndërtohen një grup hidrocentralesh të vegjël.

Historia e Ostrenit dhe Gollobordës, histori e lavdishme e luftës së kësaj treve për liri, pavarësi kombëtare dhe gjuhë shqipe

Kjo njësi administrative bën pjesë në krahinën e Gollobordës së Dibrës. Pjesa lindore është dy gjuhëfolëse. Flasin dhe shkruajnë shqip. Vetëm flasin gjuhën e vjetër bullgare. Pjesa perëndimore që përmbledh Okshtunin e Madh, Okshtunin e Vogël dhe Oreshnjën flasin vetëm shqip. Në Okshtun dhe Moglicë është hapur shkolla e parë shqipe nga Hoxhë Hasan Moglica që në vitin 1908. Ndërsa në Ostren të Madh patrioti dhe luftëtari Elez Koçi ngriti flamurin kombëtar në qendër të Ostrenit me 28 nëntor 1912. Gjatë Luftës së I Botërore 1914 – 1918 në këtë zonë janë zhvilluar luftime tëashpra kundër serbve dhe bullgarëve. Popullsia civile është përballur me masakra të pashembullta nga pushtuesit sllavë. Në vitin 1915 serbët varrosin për së gjalli Hoxhë Hasan Moglicën dhe vranë patriotin Elez Koçi, emrin e të cilit mban shkolla e mesme e Ostrenit.
Në Radovesh, në maj të vitit 1943, tek shtëpia e Uruç Karasanit i ka fillesat e saj Çeta antifashiste e Gollobordës me komisar mësuesin e Radoveshit Spiro Velko nga Korça dhe komandant Ahmet Camin nga Golevishti, lagje e Viçishtit, pranë Radoveshit. Në të dalë të Ostrenit të Madh kur shkon për Shupenzë ndodhet lapidari i formimit të kësaj çete, që më vonë u rendit në Batalionin partizan të Dibrës që komandohej nga Haxhi Lleshi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Të shumtë kanë qenë bijtë e kësaj zone që morën pjesë me armë në dorë kundër pushtuesit në luftën antifashiste, të shumtë janë edhe bijtë e saj që dhanë jetën e ranë dëshmorë si:
Mexhit Tola nga Ostreni i Madh që ra në betejën e Sofraçanit në korrik të vitit 1943, Sabri Caka nga Okshtuni që dha jetën në Betejën e Tendës së Qypit me Brigadën e Parë, Myslim Abdulla Tola nga fshati Ostren i Madh, partizan i Brigadës së IV Sulmuese, ishte vetëm 18 vjeç kur u vra në Pezë të Tiranës, më 22 tetor 1944. Mahmut Ramadan Isaku nga fshati Lejçan, partizan i Brigadës së I. Sulmuese, ra dëshmor për në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 14 nëntor 1944.Dine Vano Bajrami nga fshati Tuçep, partizan i Brigadës së IV Sulmuese, ra dëshmor për në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 15 nëntor 1944. Hajdar Rexhep Stojku nga fshati Lejçan, partizan i Brigadës së I. Sulmuese, ra dëshmor për në operacionin për çlirimin e Tiranës, më 15 nëntor 1944. Tefik Adil Tola nga fshati Ostren i Madh, partizan i Brigadës së IV Sulmuese, u ra më 16 nëntor 1944 në Tiranë. Demir Bajram Sejdini nga fshati Ostren i Vogël, partizan i partizan i Brigadës së IV Sulmuese u vra në ditën e çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor 1944. Alush Emrulla Muça nga fshati Ostren i Madh, u vra në nëntor 1944 në Tiranë. Selim Nesim Rama nga fshati Radovesh 30.10.1944, rënë tek Ura e Topojanit.
Pas çlirimit të vendit gollobordasit janë shquar në ndërtim. Ata kanë ndërtuar në të gjithë Shqipërinë, në të gjithë hidrocentralet dhe veprat madhore të saj.

Arsimi

Ostrenasit nuk e kanë ndalur asnjëherë luftën për dije dhe dituri, për arsimim. Nga kjo trevë kanë dalë qindra intelektualë të shquar në të gjitha fushat.
Banorët e Ostrenit dhe Okshtunit janë popull arsimdashës dhe gjithmonë e kanë pasur në prioritet arsimin e fëmijëve të tyre. Komuna ka shkolla 9-vjeçare në Ostren të Madh, Okshtun dhe në Tuçep.
Largimi i mësuesve të kualifikuar ka ndikuar jo pak në nivelin e mësimdhënies. Ka mungesa përsa i përket bazës materiale apo infrastrukturës, gjë që e vështirëson punën e mësuesve.

Shërbimi shëndetësor

Gjendja e shërbimit shëndetësor dhe e qendrës shëndetsore lë për të dëshiruar. Pajisjet e qendrës dhe furnizimi me ilaçet e nevojshme nuk i plotëson kërkesat e banorëve. Nuk ka personel të kualifikuar mjekësor si mjek dhe ndihmësmjek.
Përgatiti: Sakip CAMI

S'KA KOMENTE