Në qoshe të oxhakut tërnovas flitej për histori

281

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ditë më parë miku im i hershëm Sakip Cami nga Dibra, më prezanton një autor të ri me emrin Eduart R. Ramçi. Ka shkruar një libër për fshatin e tij, Tërnovën, dhe ka një merak që nga ana historike të jetë i plotë dhe i saktë. Nëpërmjet një CV të thjeshtë mësova se Eduarti, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme për gjeologji-minera, kishte emigruar në qytetin e Perugias në Itali. Autori ka përfunduar studimet e larta për marrëdhënie juridike ndërkombëtare dhe ka pasion historinë.
Libri “Tërnova e Dibrës” kishte vite që ishte sistemuar dhe grumbulluar në memorien e autorit, i cili nga qoshja e Ramçi oxhakut, dëgjonte herë pas here histori të ndryshme nga babai, por dhe nga miq të familjes Ramçi.
Eduarti që në fillim, kur nis dhe shfleton faqet e librit i kujtohen shumë mirë netët e dimrit, fëmijët të mbledhur si çdo natë, që pasi mbaronin mësimet dhe detyrat e shkollës, uleshim të gjithë rrotull vatrës për të shijuar pasdarke patate dhe mollë të pjekura në prush. Nga qosheja e oxhakut, kur rrinte gjithmonë babai, tregonte përralla dhe histori të ndryshme. Në dimër dëbora arrinte deri në dy metër, dhe njerëzit të detyruar rrinin brenda në shtëpi. Nga këto netë dimri lindi dhe ideja për një libër për Tërnovën, ku babai pasi e pyeti, e udhëzoi të birin që kur të mbaronte shkollën, të shkruante një libër që ta kenë të tjerë më pas…
Eduarti e mbaroi librin për Tërnovën dhe ja dha një vlonjati, për ta parë, si dikur Ibrahim Shyti nga Vlora, i shkruante Josif Bagërit prej Dibre.
Libri fillon me fshatin, Tërnovën, që si një perlë e natyrës e fshehur mes maleve, ku jepet një mozaik shumë i ëmbël për të, me mrekulli, ku bjeshkët zënë vendin kryesor të përshkrimit. Më tej flet me shumë dashuri për bimësinë si dhe për ndërtimet karakteristike me gurë të gdhendur. Autori thekson se “Tërnova është e njohur dhe për prodhimin e rakive të ndryshme, si raki rrushi, kumbulle, por mbi të gjitha rakia e thanës e cila është me të vërtetë e pa krahasueshme, kurative dhe e shijshme”. Nëpërmjet disa fotove i bën një përshkrim tërë florës dhe faunës së këtij fshati që përfshihet në njësinë administrative të Zerqanit, ku shpalos bukuritë e natyrës dhe të shpirtit të tij atdhetar, gjithë lagjet që e përbëjnë Tërnovën.
Në prehistorinë e Tërnovës shpalos etnografinë e saj, jep kuptimin etimologjik të fjalës “Tërnovë” dhe argumenton se banorët e kësaj treve para ardhjes së sllavëve kanë qenë arbëreshë me etni të pastër arbëreshe. Edhe e folura e tyre ka qenë arbërisht. Autori shpjegon se pjesa e popullsisë në lindje të Zallit të Okshtunit ishin ortodoks, ndërsa pjesa në perëndim të tij kanë qenë katolik. Të tillë kanë qenë edhe banorët e Tërnovës. Në sythe të veçantë përshkruhet lufta dhe përpjekjet e tërnovasve për të mos u asimiluar nga sllavët.
Vend të veçantë zë dhe përshkrimi i Familjes Gropa, ku thekson se “midis Tërnovës dhe Zerqanit ndodhet Rrushi i Vogël ose Gropa. Nga shumë kohë nuk ekziston më, dikur vendbanim i Gropajve dhe i princit shqiptar Pal Gropa. I biri i Palit, Zaharia Gropa do të bëhej më vonë Princi i Ohrit dhe i Dibrës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Pal Gropa ishte zotërues i kësaj krahine sipas Urdhërit të Mbretit Karli I Anzhuin, Mbretit të “Mbretërisë së Arbërisë” të vitit 1273”.
Luftimet në kohën e Skënderbeut, trajtohen me gjerësi si beteja e Tërnovës, tek vendi i quajtur “Varret e Vrame”. Përshkruhen Gurët e Zogut, të cilit ishin dhe janë si pikë referimi për banorët. Nuk dihet dhe nuk ka të dhëna se si këto gurë kaq të mëdhenj kanë përfunduar aty. Dhe në të majtë të tyre sipër është Kodra e Palakuqit, e cila sipas gojdhënave ishte dhe vendmbledhja e banorëve për diskutime të ndryshme në kohët e hershme.
Qafa e Buallit-Portë e Adriatikut, kështu e quan Qafën e Buallit, studiuesi ushtarak Azis Keta, i cili shkruan se Ducellier, i cituar nga Noli na informon për “Dalja në det e Principatës së Kastriotëve, lokalizohet në kohë prej fundit të shek. XIV deri në vdekjen e Skënderbeut”. Nëse do ndjekim dinamikën e ngjarjeve dhe kalendarin historik të Adriatikut, mbi pesë shekuj Serbia, Venediku, Turqia, Bullgaria, Italia, etj., e kthyen “çështjen e Adriatikut” në arenë luftërash midis tyre. Ishte ky pozicion gjeostrategjik i Buqlizës që ajo do ishte pjesë e gjithë konflikteve të ushtrive të huaja sa herë diskutohej “ Çështja e Adriatikut”.
Përshkrim të rëndësishëm zënë dhe luftimet e Skënderbeut në zonën e Bulqizës, beteja të tilla që i ka trajtuar thjesht por saktë, si Vajkali, Gurët e Skënderbeut, beteja e Valikardhës. Një vend të veçantë zë dhe legjenda e sirenës së liqenit, Zana, (vajza) e liqenit të Zi të Tërnovës. Me përparësi është trajtuar dhe rezistenca e tërnovasve kundër Osmanëve, si dhe nga vjen emërtimi Njalla Ranë. Më tej përshkruhet vrasja e bimbashit osman në Shkodër në vitin 1909, si dhe kënga e Osman Gjokës.
Në disa faqe zë vend dhe kontributi i tërnovasve për pavarësinë e Shqipërisë. Qartë dhe me saktësi dokumentare përshkruhen masakrat serbe në Dibër dhe në Tërnovë të vitit 1913. Del një fakt interesant si ju bëri dredhia bullgarëve nga kryeplaku i Tërnovës Xhafer Isufi. Me kujdes është kapur dhe koha në Luftën e Parë Botërore, ku në vitin 1915, u duk dhe zija e bukës. Ky ishte viti më i vështirë në Tërnovë dhe autori thekson se “ka qenë dimri i vitit 1914-1915 pasi banorët ishin të goditur nga zia e bukës, si dhe nga barbarizmat serbe e bullgare të cilët u kishin marrë dhe plaçkitur gjithçka”. Gjyshja i tregonte se në këtë periudhë banorët të detyruar për të mbajtur shpirtin gjallë hanin lëvoret e ahishtave.
Një përparësi në libër gjen çeta patriotike e Tërnovës, e cila me çetën e Okshtunit dhe të Hoxhë Moglicës bashkëvepronin bashkë. Çeta e Tërnovës drejtohej nga Bajram Zeneli dhe Muharrem Rexhep Ramçi.
Brahim Gjika (i vjetër), ishte kryeplaku, që sakrifikoi veten, për të shpëtuar gjithë fshatin nga masakrat serbe.
Vend në libër zë dhe Tërnova gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe ndërhyrja ushtarake bullgare dhe austro-hungareze në Dibër.
Një përshkrim të detajuar i është kushtuar edhe Kuvendit të Dhoksit në vitin 1922, në Malin e Dhoksit, afër Bulqizës, ku u takuan Bajram Curri, Elez Isufi, Zija Dibra, Halit Lleshi, Ramiz Alliu, Mehmet Duriçi etj., për të diskutuar dhe për të zbatuar vendimet e Kongresit të Lushnjës.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Tërnovë, zë një vend të merituar. Fshati Tërnovë u shëndrrua i gjithë në bazë lufte. Nga Tërnova dolën 42 luftëtarë që u rreshtuan në Brigadën e XVIII Sulmuese. Nga Tërnova ranë Dëshmorë të Atdheut Halil Hasa (1920-1943), Fejzulla Sulejman Gjika (1924-1945) dhe Xheladin Avdi Murati (1927-1946). Autori trajton dhe bazat e luftës, të Asllan Zenelit, i cili ishte njëkohësisht dhe partizan i çetës së Gollobordës dhe i batalionit të Dibrës, të Bajram Zenelit, të Hasan Janës dhe Gani Janës nga Smolliku. Vend të rëndësishëm zë dhe takimi i Haxhi Lleshit dhe Qazim Prishtinës me Bajram Zenelin dhe bashkëfshatarët e tij Tërnovas në vitin 1942, zgjedhja e këshillave nacionalçlirimtare tetor-dhjetor 1942, roli i grave të Tërnovës në luftë, si Zyra Zeneli dhe gratë e Zenelajve, gratë e fisit Ramçi, Sibe Ramçi, gruaja e Muharrem Ramçit në Tërnovë etj., që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në pritjen dhe përcjelljen e partizanëve, në gatimin e bukës së ngrohtë dhe përgatitjen e ushqimeve.
Misioni ushtarak anglez në Tërnovë u vendos tek shtëpia e Bajram Zenelit. Anglezët mbetën të mahnitur nga natyra e bukur, të cilën e krahasonin me atë të Zvicrës. Mbi të gjitha u bëri përshtypje bujaria e fshatarëve.
Fshati Tërnovë më 20 nëntor 1943 strehoi njëqind partizanë. më 2 korrik 1944 partizanët përsëri gjetën mbështetje në Tërnovë dhe në zonën e Zerqanit. Organzimi tek “varret e vrame” dhe mësymja mbi Zerqan dhe Sopot, nga Br. IV S e Divizionit I Sulmues në gusht të vitit 1944, ku i ndihmuan me batalionin territorial për t’u çlodhur dhe për t’u furnizuar me ushqim, si dhe fshatarë të Tërnovës sollën 6 mushka me bukë dhe ushqime.
Këshilli nacionalçlirimtar i Tërnovës ishte një nga këshillat e parë të Dibrës dhe u ngrit në nëntor të vitit 1942, me Kamberr Canin, Bajram Zenelin dhe Bajram Xhaferin. Muharrem Rexhep Ramçi ishte një luftëtar i paevidentuar për liri, dituri dhe pavarësi.
Arsimi në Tërnovë dhe arsimtarët që kontribuan në formimin brezave zënë një vend nderi në libër ku autori thekson se “Historia e arsimit tonë është një histori luftërash, përpjekjesh, histori e një populli të vogël në numër, por të madh në botën e tij shpirtërore , në vullnetin e tij për të qenë i lirë dhe i pavarur”.
Gjerësisht përshkruhet veshja tradicionale e Tërnovës, madhështorja e finesës dhe elegancës së gruas, simbolika vijuese iliro-shqiptare etj.
Në fund vend zënë edhe personalitete nga Tërnova, si Agim Murati, futbollisti i “Partizanit” dhe i kombëtares së Shqipërisë, me origjinë nga Tërnova dhe rritur në Shijak, si dhe Isuf Xhaferi, biri i Tërnovës, mësuesi dhe drejtuesi i përkushtuar i krahinës së Zerqanit.
Për njeriun që nderon dhe vlerëson njeriun që në gjallje, duke shkruar për jetën dhe veprën e tij, aq më shumë për vlerat e një komuniteti të tërë, për këtë njeri, komuniteti dhe shoqëria duhet të ketë respekt maksimal, se e meriton.
Puna që ka bërë biri i Tërnovës Eduarti, me histori të shquar dhe familjare, me rrënjë autoktone në Tërnovë, është krenari për këtë vend të mrekullueshëm, për gjithë ata njerëz aq të dashur, të përzemërt, pritës e bujar, për atë vend, i cili, për ata që janë larg ju del në ëndërr, i merr malli dhe për gurët, edhe për drurët…
Theksoj se kur një njeri apo disa njerëz i pasqyrojnë këto vlera aq të bukura të atij vendi e kështu i jep pasuri e kuptim jetës, ai njeri, apo ata njerëz, bëjnë një punë fisnike që do të jetojë dhe nderohet në breza. Këtë na tregon edhe puna e madhe e Eduartit, në këtë libër të vyer. Ai na sjell në kujtesën e brezave ata që kanë ditur të bëjnë epokë, që me jetën e veprat e shembullin e tyre të madh, kanë ditur të prodhojnë e t’i japin dritë fshatit, brezave, historisë.
Libri është një enciklopedi për Tërnovën, është i çmuar, shumë i çmuar. Ky libër i Eduartit na jep gëzim, frymëzim e krenari për vendlindjen, për ata margaritarë vlerash që ka atje. Libri është skalitur me një penë, sa historike, aq edhe letrare, medituese, të mprehtë e të bukur. Ai dëshmon edhe për njohuritë e shumta që autori zotëron në shumë fusha, që di t’i japë ato me mjeshtëri.
Libri i Eduart R. Ramçi është unikal në llojin e vet, është një kontribut i shënuar në kulturën e sotme që zhvillohet në Dibër.

S'KA KOMENTE