Rruga e Arbërit mbaron në pranverë 2021

680

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri Gjiknuri dhe drejtori i Rrugëve pa nga afër kantierin për Rrugën e Arbrit. Ai tha se shtrati i rrugës është hapur në gjithë gjatësinë e saj, ndërsa punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta.
Rama i kërkoi inxhinierit të kompanisë private që të përfundojë punimet në pranverë të vitit 2021, ndërsa ai me të qeshur i tha nëse ministri do jetë korrekt me pagesat rruga do përfundojë edhe para afateve.
Punimet në kantierin e Rrugës së Arbrit vijojnë me cilësi e ritëm të lartë sipas planit që parasheh përfundimin e rrugës brenda këtij mandati të qeverisë Rama.
Ky aks rrugor kalon në Qarkun e Tiranës – në njësinë Administrative të Zall – Bastarit, dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e Bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, Fshati Fshat. Pas daljes nga tuneli i Qafë Buallit rruga kalon në Bashkinë e në afërsi të urës së Cerenecit, rruga kalon në gjurmë të re, në të djathtë të fshatit Shupenzë.
Ndërtimi i Rrugës së Arbrit me një gjatësi rreth 74 km, do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave. Kjo rrugë do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm i Lindje-Perëndimit.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu ky aks rrugor do te jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare. Ky investim infrastrukturor që kap vlerën e 240 milionë eurove parashikon shkurtimin e distancës nga Tirana në Dibër nga 180 në 69 km. Punimet me partneritet publik privat po i kryen kompania “Gjoka Konstruksion”.

S'KA KOMENTE