Nga rrënimi drejt ringritjes, si po ndryshon Miniera e Bulqizës

629

Historia e minierës së kromit në Bulqizë ka njohur uljet dhe ngritjet e saj që prej themelimit të këtij gjigandi nevralgjik të ekonomisë shqiptare. Qysh nga prodhimi i dikurshëm i centralizuar dhe i kontrolluar nga shteti e deri te degradimi total i kësaj industrie, të keqmenaxhuar dhe të shfytëzuar barbarisht dhe pa kriter gjatë viteve të tranzicionit shqiptar, kur të huajt u panë si shpëtimi i vetëm, por që në fakt e përdorën pa shpirt dhe në mënyrë cinike pasurinë kombëtare të shqiptarëve, do të duhej që të vinte viti 2012, që falë një grupi shqiptar investimesh të niste kthesa e madhe që do t’ia ndryshonte përgjithnjë faqen minierës.

Nga diktatura në tranzicion, degradimi i minierës dhe dhënia e koncesionit AlbChrome

Miniera e kromit në Bulqizë e ka filluar veprimtarinë e saj në vitin e largët 1948, tre vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kur Shqipëria ishte e raskapitur dhe rrënuar ekonomikisht nga lufta që gjunjëzoi gjithë Evropën. Kromi u kthye në burimin kryesor të eksportit për shtetin komunist që e udhëhoqi vendin deri në vitin ’91, duke u sjellë arkave të shtetit qindra milionë dollarë çdo vit.
Në vitet 1970-1990, Shqipëria ka qenë prodhuesi i parë i kromit në Europë dhe renditej e dyta ne botë në eksportin dhe prodhimin.
Sot, sasia e kromit që eksporton Shqipëria, nuk përbën më shumë se 1 përqind të sasisë globale të kromit dhe ecuria e tij, varet drejtpërdrejt nga tregjet botërore dhe nevoja e tyre për këtë lëndë të parë.

Gjendja e mjeruar e minierës dhe strategjia “kafsho dhe mbathja”

Me ndryshimin e sistemeve politike në Shqipëri, kolapsi që e shoqëroi një gjë të tillë solli edhe ndërprerjen e punës së minierës së Bulqizës. Në vitin ’92, eksportet e kromit shqiptar ranë në vetëm 20 milionë euro.
Kjo situatë vijoi deri në vitin 2001, kur miniera iu dha me koncesion kompanisë italiane Darfo, e cila dështoi me menaxhimin e saj dhe në vitin 2007 kompania në fjalë u shit tek ajo austriake DCM Decometal, e cila e ndryshoi emrin tregtar në ACR (Albanian Chrome) më pas. Edhe kjo kompani për shkak të keqmenaxhimit shkoi deri në faliment.
Në vitin 2012, pas falimentimit të firmës asutriake, çka kishte shkaktuar edhe greva të shumta nga ana e punëtorëve dhe e kishte ekspozuar të gjithë zonën e Bulqizës përballë rrezikut të një papunësie dhe krize të thellë ekonomike, kompania e sipërpërmendur u ble nga Grupi Balfin dhe sot kompania Albchrome shpk (pjesë e këtij grupi) që është shoqëria koncesionare, ka hapur një kapitull të ri në historinë e minierës së kromit të Bulqizës dhe të gjithë komunitetit përreth.
Në fakt, deri në vitin 2012, koncesionarët e sipërpërmendur kishin dështuar sistematikisht në realizimin e marrëveshjes koncesionare për minieren e Bulqizës (pusi nr. 9, tranverbanku etj) dhe në Uzinën e Ferrokromit të Burrelit për sa u takon detyrimeve për të investuar, duke u mjaftuar vetëm me investimin në njërin objekt koncesionar, Uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Në momentin kur Grupi Balfin mori këtë koncesion, për shkak të keqmenaxhimit dhe të shfrytëzimit pa kriter, gjendja e rezervave gjeologjike e garantonte vetëm me 2 vite jetën e minieres, pasi ishin shfrytëzuar rezervat me lehtësi shfrytezimi dhe nuk ishte menduar për prespektivën e hapjes së rezervave të thellësisë nëpërmjet pusit nr.9 që ishte edhe detyrimi kryesor koncesionar.
Me pak fjalë ishte gllabëtuar kromi në sipërfaqe, duke kompromentuar perspektivën për të marrë atë më në thellësi.
Gjithashtu ishin braktisur totalisht tranverbanku i Klosit, hapja e sektorit të Qafëbuallit, si dhe Uzina e Ferrokromit në Burrel.
Një strategji e mirëfilltë e llojit “kafsho dhe mbathja”, e ndërmarrë nga kompani me synime grabitqare, që nuk mendonin për gjë tjetër veçfitimit të tyre dhe që nuk mbanin asnjë përgjegjësi sociale.
Nga ana tjetër, në një mënyrë tërësisht jashtë çdo koncepti ligjor dhe logjik vepronin përreth minierës së Bulqizës, duke krijuar një rrethim total ndaj koncesionarit, edhe 43 subjekte me leje të tjera minerare, të dhëna të gjitha në periudhën 2005-2013, një pjesë e madhe të dhëna me mbivendosje me koncesionin dhe me njëra-tjetrën, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe në cënim të plotë të marrëveshjes koncesionare në Bulqizë, e cila parashikonte klauzola ekskluziviteti për realizimin e objektit koncesionar. Dhënia e këtyre lejeve në këtë mënyrë ishte dhe mbetet shkaku kryesor i konflikteve dhe aksidenteve që ndodhin sot në zonën e Bulqizës.
Me amendimet e ligjit minerar të vitit 2014, u bë i mundur revokimi i këtyre mbivendosjeve si dhe u percaktua një procedurë ligjore, si dhe në cilat raste mund të bëheshin zgjerime të lejeve minerare.
Sot në punimet e ish minierës Bulqizë janë aktive 35 leje minerare.
Ndarja e minierës në parcela solli pasiguri në aktivitetin minerar, pasi miniera deri në parcelizimin e saj funksiononte unike, me nje program tekniko-organizativ që kontrollohej nga një subjekt i vetëm.
Dëmet që solli ndarja e minierës në parcela janë të rënda, deri në të pariparueshme.

S'KA KOMENTE