Në Bulqizë tek…kampionët

395

Prof.dr.Gafur Muka

Në drekën që djali i Bulqizës, Ismail Keta, shtroi për nder të bashkfshatarëve të tij, në nderim të atyre që për 4 vjet rrjesht u angazhuan për të mbrojtur malin e Bulqizës, Azis Keta qëlloi të ishte në tavolinë pothuajse përkundruall meje. Kjo na dha rastin të bisedonim me njëri tjetrin për tema të ndryshme, njëra prej të cilave ishte edhe origjina e fisit Keta. Azisi ka qenë oficer dhe ka dalë në pension me gradën e Kolonelit. Pikërisht në këtë moshë ai, përpos realizimit në vazhdim të pasionit të tij për të lexuar, i është përkushtuar po me pasion edhe shkrimit të të vërtetave historike, të cilat ai i bazon në dokumenta arshivore. Një nga këto studime është edhe ai që i kushtohet fisit Keta, një fis me përhapje mjaft të gjerë në Shqipëri. Azisi ka konstatuar që fisi Keta ka prejardhje të hershme që lidhet me Nikollë Ketën. Sipas Wikipedias Nikollë Keta “Ishte klerik atdhetar shqiptar, një ndër personalitetet e shquara të kulturës arbëreshe, i cili u mor me studime në fushën e gjuhës, krijoi një varg vjershash, ndërmjet të cilave spikat një tingëllimë autobiografike, e cila është quajtur nga kritika si tingëllima e parë në historinë e poezisë shqipe. Gjithashtu Keta hartoi edhe një sërë fjalorësh, italisht-shqip e anasjelltas, si dhe veprat “Etimologjia e gjuhës shqipe” dhe “Katalog mbi familjet e mëdha arbëreshe”.
Natyrisht është detyrë e Azisit ta vërtetojë këtë bindje të tij (dhe unë duke ditur skrupulozitetin e Azisit jam besimplotë që ai në versionin përfundimtar të studimit do ta bëjë këtë) por, duke njohur brezin e tanishëm të fisit Keta, e them pa mëdyshje që ata janë potriotë e fisnikë, të përkushtuar e mirëdashës, këmbëngulës e të suksesshëm, të drejtë e të paepur…
Ismail Keta nuk është më kampioni i vetëm

Ismail Keta nuk është më kampioni i vetëm. Përkrah tij qëndrojnë Gjetani, Feriti, Mikel Alliu, Kristi Caca, Muslia Roxhers, Bernard Marashi… qëndrojnë të gjithë ata që ai stërvit dhe të gjithë ata që presin në rradhë të stërviten prej tij. Këta nxënës të Ismailit edhe pse nuk kanë mbiemrin Keta gjejnë tek ky mbiemër cilësitë e të hershmit Nikollë Keta dhe do ta kujtojnë gjithmonë me respekt mësuesin e tyre ashtu siç kujtohen e nderohen me respekt breza të tërë të familjes Keta.

BULQIZA në Dibër të Madhe

Sfida e kësaj rradhe që e kurorëzoi Kampion të Botës Gjetan Ketën, u zhvillua me 8 shtator në Dibër të Madhe, përpos të tjerash edhe në kuadrin e aktiviteteve të vitit të Skënderbeut. Kishin ardhur atje për ta “ndezuar” pallatin e sportit nga KUDO, por pjesëmarrjen dominuese e kishin pa dyshim bulqizakët dhe miqtë e bulqizakëve. Ata e mbajtën të ndezur pallatin për thuajse pesë orë rrjesht. Kishin erdhur edhe personalitete publike si ish Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, Kryetari i Komunës së Dibrës Rruzhdi Lata apo Kryeparlamentari i Maqedonosë Talat Xhaferi. Ndeshjet ishin sejcila më emocionuese se tjetra, çfarë kulmoi me kryendeshjen- atë midis Gjetan Ketës dhe boshnjakut Sladan Janjanin. Të shikoje nxënësit e Ismail Ketës duke luftuar në ring nuk kishe si të mos konstatoje besim, forcë, vullnet, teknikë, rrespekt për kundërshtarin dhe …fitore. Asnjëri prej tyre nuk u gjunjëzua në ring ashtu si Skëndenderbeu nuk u gjunjëzua përpara sulmeve të kundërshtarëve në të gjitha betejat e tij. Po ta gjykosh nga probabiliteti është një rastësi e bukur gjithëfitorja por, po ta gjykosh nga serioziteti i përgaditjeve është rezultat krejt i pritshëm. Dhe kundërshtarët ishin dinjitozë. Ata luftuan fort por në fund u dorëzuan. Personalisht nuk kisha provuar emocione aq të fuqishme sa të asaj nate. Sporti në përgjithësi i ka rezultatet surpriza por surprizat në boks kanë kosto të lartë pasi lidhen me pasoja fizike.
Një goditje në vend “të keq” dhe përnjëherë merr tatëpjetën. Por kjo nuk ndodhi me nxënësit e Ismail Ketës. Ata të gjithë iu gëzuan fitores dhe na bënë edhe neve, tifozëve të tyre, të gëzonim e festonim me ta dhe t’u uronim atyre të kishin sa më gjatë netë të tilla.

Në Kodër të Danit

9 shtatori na mblodhi në Kodër të Danit. Sebepi qe vendosja e një pllake në nderim të gjithë atyre bulqizakëve që u angazhuan në mbrojtje të Malit të Bulqizës. Ishim mbledhur aty me ftesën e Ismailit. Të gjithë bashkëfshatarët e tij:burra e gra dëshmonin momentet e vështira të përplasjes me shtetin, i cili kish marrë përsipër të ekzekutonte me forcë një kontratë koncensionare të lidhur pa pëlqimin e komunitetit. Pretendimi i koncensionarit që i kishte letrat në rregull, nuk ishte konsideruar i drejtë nga komuniteti ndaj dhe protestat organizoheshin për të mos lejuar ekzekutimin e kontratës. Bindja e bulqizakëve, që edhe në këtë rast kërcënohej ekzistenca e tyre, bazohej fort në ato çfarë kishin ndodhur me pyjet e tjerë si ato në Liqenin e Zi, pyjet e Lurës, Selishtës etj. Edhe atje ishte hyrë me “letra në rregull” dhe pasojat ishin e mbeten shkatërrimet katastrofale të pyjeve. Sopata nuk e kishte kursyer hiç të njomin për të thatin. Ndaj bulqizakët vendosën që pylli i tyre të mos kishte fat të njejtë me pyjet që sot nuk janë më pyje. Shteti kundërveproi për të mbrojtur koncensionarin, por banorët e lidhën besën për ruajtjen e pyllit. Ato çfarë tregojnë, sidomos gratë, janë ngjarje të hidhura që shpresohet të jenë lënë pas. Ama sakrifica e tyre kërkon nderim. Dhe këtë nderim ka marrë përsipër ta realizojë Ismail Keta, i mbështetur nga të gjithë ata djem që tashmë njihen me emrin “Djelmënia Bulqizake”. Janë djem mendjekthjellët, të përkushtuar, të painfektuar nga politika, largpamës e kurajozë për të cilët vendlindja është gjithshka që u siguron jetesën dhe u premton një jetë më të mirë prindërve të tyre, atyre vetë dhe gjithë brezave që do vijnë. Ata janë Sami Curri me shokë, që në cilësinë e organizatorëve kanë rrezatuar qëndresë e kanë frymëzuar besim. “Ata” duhet të jemi dhe ne, bijtë e asaj zone, për të krijuar trupën solidare në mbështetje të një zgjidhje sa më të shpejtë e të qëndrueshme. Prandaj gëzohesh kur takon këtu Hasan Canin, inxhinierin e talentuar të pyjeve, që me komptencë profesionale të shpjegon pasojat e ekzekutimit të kontratës ekzistuese dhe kur flet për mundësitë që ekzistojnë për përfshirjen në programe, të cilat krijojnë pyll edhe aty në Kodrën e Danit. Asllan Karaj ka ardhur nga Zvicra, ku ushtron profesionin e avokatit, për të marrë këtu detyrën e avokatit në mbrotje të pyjeve të vendlindjes së tij. Ai premton që do konsumojë të gjitha rrugët ligjore për t’a anulluar kontratën ekzistuese. Dhe fjalët e Asllanit ngjallin besim pasi ato nuk mbështeten thjesht në emocione por edhe në kompetencën e tij profesionale e, mbi të gjitha, në vendosmërinë spartane për të mos e parë pozicionin e avokatit si pozicion për përfitime të paligjshme. Angazhimi i tij ua “ngordh” shpresat atyre që mendojnë se do t’ia gjejnë anën. Kontribut në këtë “ngordhje” do japë edhe vëllai i Asllanit, Naimi, inxhinieri gjeolog, profesori i asocuar, që ua njeh si pakkush vlerën pasurive natyrore. Jashar Demiri është në shtëpinë e tij ndaj e di ku pikon çatia. Presidenti Moisiu vlerëson në mënyrë të veçantë qëndresën pse ajo nuk u bë lojë në duart e politikanëve. “Ju përgëzoj për faktin që në qëndresën tuaj nuk lejuat të hyjë politika”- tha Moisiu. Në këtë takim ishin solidarë me banorët edhe miqtë gjermanë të vëllezërve Keta, edhe djali i heroit legjendar Adem Jashari edhe …plot të tjerë që nuk patën mundësi të ishin të pranishëm fizikisht. Në fund zbulohet pllaka përkujtimore. E vendosur në trungun e lisit qindravjeçar të Kodrës së Danit, ajo do bëhet simbol i kujtesës së përpjekjeve për të ruajtur e siguruar cilësinë e jetës atje ku natyra ekspozon thesaret e saj, të cilat njerzit duhet t’i përdorin por jo keqpërdorin.

Tek Pishat

“Tek pishat” quhet lokali jo shumë larg qytetit të Bulqizës. I ka mbetur ky emër pasi, vite më pare aty janë mbjellur pisha. Janë mbjellur pisha për ta zgjeruar pyllin. E ky veprim sot nuk duhet të harrohet. Përkundrazi.
Të ftuarit vijnë dhe ulen në tavolinat e përgaditura enkas për drekën. Janë ftuar të gjithë të pranishmit në takimin e Kodrës së Danit. Dhe të gjithë nxjerrin nga goja atë që ua thotë zemra: Ju paçim bijtë tanë, për të nderuar veten tuaj, familjet tuaja, vendlindjen tuaj dhe Shqipërinë tonë.

S'KA KOMENTE