BULQIZA DHE RESURSET E SAJ NATYRORE MUNDËSI TË MËDHA PËR ZHVILLIMIN E TURIZIMIT ELITAR

1179

Dr. Hasan CANI

Shekulli që e lamë pas, ka përjetuar ndryshime të konsiderueshme, për sa i përket rritjes së ndikimit të njeriut në mjedisin jetësor, si rrjedhojë e ritmeve të larta të rritjes së popullsisë në shkallë botërore dhe revolucionit tekniko- shkencor. Zhvillimi i vrullshëm i industrisë dhe i ekonomisë botërore pati edhe rrjedhoja negative në natyrë, ku vlen të përmenden: ngrohja globale, hollimi i shtresës së ozonit, zhdukja e sipërfaqeve të tëra me pyje, zhdukja e llojeve të ndryshme etj. Këto bëjnë që të prishet barazpesha ekologjike të planetit duke dëmtuar funksionimin normal të tij.
Mbrojtja e vlerave burimore dhe e vlerave më pak të ndryshuara natyrore bëhet nëpërmes të shpalljes së tyre zona të mbrojtura dhe të kategorizuara sipas rëndësisë së këtyre vlerave. Sipas IUCN (Unionit Botëror për Konservimin e Natyrës) ekzistojnë gjashtë kategori të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura. Parqet Kombëtare (Nacionale) bëjnë pjesë në kategorinë e dytë dhe përgjithësisht janë zona të gjëra që ruhen dhe menaxhohen për mbajtjen e ekosistemeve, edukim dhe rekreacion (shlodhje, argëtim).
Territori i Bulqizës i plotëson të gjitha kriteriumet e rëndësishme për shpalljen e tij Park Rajonal ose Nacional. Këto sipërfaqe janë para së gjithash: hapësira e territorit, format dhe dukuritë, viset natyrore burimore dhe të ruajtura, vlera të posaçme estetike peisazhore, mundësitë për punë shkencore-hulumtuese, vlerat kulturore, arsimore, edukative dhe posaçërisht mundësitë e mëdha natyrore për zhvillimin e aktiviteteve rekreative e turistike. Përmbajtjet e posaçme të këtij territori i përbëjnë format morfologjike, bjeshkët e larta, luginat, grykat kanjonike, liqenet, me burime të pa shtershme dhe të shumta e me rrjedhje ujore të përkohëshme dhe të përhershme duke furnizuar Zallin e Bulqizës që derdhet më tej në Drinin e Zi.
Ujvara, shpellat si ajo e Kozjakut, Grykën e Kaçarranit, liqenjtë akullnajor që janë të shumtë në numër duke filluar nga Vervjaku në pyjet e Ternovës me Liqenin e Bardhë, Liqenin e Zi, Liqenin e Sopotit, Liqenin e Valikardhës, duke vazhduar sipër qytetit të Bulqizës me Liqenet e Bulqizës dhe pyllin e shkëlqyer të zhavarit, përfundojnë me liqenet e Balgjajt në ekonominë pyjore Sheshe Bulqizë, janë një mrekulli e rrallë natyrore dhe një peisazh mahnitës që do ta kishte zili kushdo ta kishte territorin e vet, duke përbërë një botë të pasur e të shumllojshme bimore dhe shtazore. Tërë kjo bukuri natyrore që rrethon qytetin e Bulqizës i dallon këto bjeshkët për nga bukuria, karakteristikat e veta dhe vlerat specifike natyrore dhe si i tillë duhet të jetë nën përkujdesje dhe mbrojtje të posaçme. Në këtë material do të pasqyrojmë aspekte primare të arsyeshmërisë të shpalljes së bjeshkëve të Bulqizës Park Nacional ose Rajonal, ndërsa që do të vazhdojnë aktivitetet për përfshirjen e hollësishme në identifikimin e vlerave të përgjithshme të këtij territori.

FUNKSIONET E PARKUT

Mbrojtja e Mjedisit.
Territori i propozuar për Parkme vise të tëra të begatshme me vlera të shumta estetike dhe biodiversiteti. Ky funksion përfshin ruajtjen e ekosistemeve më markante të zonës si dhe aktiviteteve të natyrës. Mbrojtja e tyre nuk nënkupton ndalimin e shfrytëzimit të vlerave natyrore por që përdorimi të bëhet në pajtim me konceptet e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës. Si bazë për përcaktimin e zonave sipas shkallës mbrojtëse janë: vlerat ekologjike, gjeomorfologjike, biodiversiteti, vlerat e peisazheve natyrore, vlerat kulturore dhe ndërtimore si dhe karakteristikat hapësinore e funksionale.

Turizmi
Territori i propozuar për Park Nacional ose Rajonal posedon me kushte të jashtëzakonshme të zhvillimit të aktiviteteve turistike- rekreative e posaçërisht për sporte dimërore por edhe për pushim dhe rekreacion të qytetarëve gjatë tërë vitit. Motivet kryesore të zhvillimit janë para së gjithash mundësia e zhvillimit të turizmit stacionar dimëror, veçanërisht të disiplinave të ndryshme të skitarisë. Kushtet e volitshme klimatike, lartësia dhe koha e mbajtjes së mbulesës së borës bëjnë të mundur zhvillimin e periudhës mjaft të gjatë të shfrytëzimit të terreneve për skijim. Mirëpo edhe për zhvillimin e turizmit veror (si pushimi dhe rekreacioni, ekskursionet, uikend turizmi) ka kushte të shkëlqyera. Kësaj i duhet shtuar edhe mundësitë e shumta për zhvillimin e gjuetisë dhe peshkatarisë sportive.

Funksioni kulturor
Bukuritë natyrore dhe akitetet, veshja karakteristike, doket dhe zakonet paraqesin përjetim të jashtëzakonshëm kulturor për çdo vizitor. Ka një numër të madh të objekteve të vjetra të kultit si dhe monumente me rëndësi historike nga luftrat çlirimtare të popullatës autoktone.

Funksioni shkencor
Territori i propozuar për Park Nacional ose Rajonal ka tipare të shumta burimore të ruajtura që paraqesin objekte mjaft interesante për hulumtime shkencore dhe për njohjen e ligjshmërive të zhvillimit të natyrës. Këtu para se gjithash vlen për llojet endemike, relikte dhe endemo-relikte të florës dhe të faunës. Po ashtu në zonë janë evidentuar lloje të shumta pyjore por më me rëndësi dhe i rrallë është arneni, bredhi i bardhë me dimensione jashtë normales së tyre si dhe vjetërsi mbi 200 vjet. Gjithashtu gjendet dhe Tisi po aq i rrrallë në vendin tonë. Ahu i kësaj zona duhe të mbrohet me çdo kusht për vetë karakteristikat e rralla që ka. Fauna e kësaj zone është shumë e pasur në lloje të rralla. Këto dhe shumë karakteristika të tjera paraqesin fakte të konsiderueshme dhe të pa kontestueshme për aspektin shkencor të mbrojtjes.

Funksioni edukativ
Bjeshkët e Bulqizës paraqesin vend mjaft të përshtatshëm për aktivitetet konkretizuese edukative. Pasuria me lloje autoktone, endemike të florës dhe të faunës, si dhe historia e bujshme e kësaj ane mund të jenë kontribut i rëndësishëm në procesin edukativ të rinisë shkollore dhe pjesës së re të popullatës.

Kultivimi dhe menaxhimi i qëndrueshëm dhe shumë funksional i pyjeve dhe kullotave
Pyjet dhe kullotat zënë mbi 80 % të sipërfaqes së propozuar për Park Nacional ose Rajonal që paraqesin një potencial të madh. Shumica e pyjeve në këto zona janë përdorur për të përmbushur funksion për prodhimtarinë e masës drunore ndërsa për funksione të tjera nuk janë konsideruar. Prandaj shpallja Park do t’i kontribuojë ekonomizimit por edhe menaxhimin racional të pyjeve të bazuar në bazat ekonomike pyjore. Kufizimi rigoroz i shfrytëzimit të pyjeve do të koncentrohet në rezervatet strikte të natyrës të cilat zënë një sipërfaqe të dukshme të territorit, duke siguruar të ardhura për popullatën aktuale dhe brezat pasardhës. Territori i propozuar karakterizohet me kullota të pasura që prej kohësh shfrytëzohen për kullotjen e bagëtisë sidomos gjatë periudhës verore. Të njohura dhe të numërta janë të përhapura në të gjithë zonën e Bulqizës. Blegtoria e kësaj zone dallohet për vlerat e larta të cilësisë së prodhimeve shtazore, blegtoria ka qenë dhe mbetet një burim i rëndësishëm të ardhurash familjare.

Funksioni i shfrytëzimit të tokës bujqësore
Menaxhimi i tokës bujqësore në territorin e propozuar për Park ka rendësi të madhe për mbajtjen e vendbanimeve dhe popullsisë në këtë hapsirë. Tokat bujqësore janë të pakta dhe me pjerrësi, punimi i vazhdueshëm i tyre rrit shkallën e erozionit, këto toka afrojnë mundësi të shfrytëzohen veçanërisht në prodhimet eko-bujqësore.

Zhvillimi i qëndrueshëm i vendbanimeve dhe popullsia
Vendbanimet dhe popullsia kanë rol të madh në zhvillimin e zonës që propozohet të shpallet Park. Është e rëndësishme që në Parkun që do të shpallet, të rregullohen vendbanimet dhe të përmirësohen kushtet e jetesës së popullsisë në bazë të zhvillimit të qëndrueshëm të Parkut. Në fshatra duhet të ngrihet infrastruktura rrugore, ujësjellsi, kanalizimi, pastrimi i ujërave dhe shpërndarja e rrjetit efektiv elektrik.

Funksionin ekonomik.
Shpallja e kësaj zone Park do të kontribuojë fuqishëm në rritjen e të ardhurave nëpërmjet punësimit të banorëve në aktivitete agroturistike. Mbështetja e qeverisë me grande të vogla për riparimin e shtëpive me qëllim ngritjen e bujtinave. Administrimin e kullotave nëpërmjet rritjes së numrit të krerëve, shtimin e prodhimeve blegtorale, teknologji për përpunimin e këtyre prodhimeve dhe përdorimi i tyre në bujtina për turistët do të jetë një burim shumë i rëndësishëm punësimi dhe sigurim të ardhurash. Grumbullimin dhe përpunimin e një numri të madh i bimëve mjekësore dhe prodhimeve të dyta pyjore për qëllime tregëtimi është një tjetër mundësi e artë për këto zona për të siguruar të ardhura. Atë çfarë e bën atraktive këtë zonë është se përmes zonës kalon “Rruga e Arbërit”, që mundëson ardhjen e turistëve nga zona të ndryshme me kosto shumë të ulët, pasi distancë nga Tirana është shumë e afërt.

POZITA GJEOGRAFIKE DHE MADHËSIA E TERRITORIT

Pozita gjeografike
Bjeshkët e Bulqizës paraqesin një zonë malore në pjesën veri-lindore të Shqiperise dhe pjesën perëndimore të Rrethit Dibër që kanë një lidhje në vazhdimësi me pjesën qëndrore të Shqipërisë. Duke u ngritur vertikalisht nga rrafshi i Fushë-Bulqizës, Ura e Qytetit, masivi i madh i bjeshkëve të Bulqizës ofrojnë pamje madhështore dhe paraqesin potencial të madh peisazhi për zhvillimin e turizmit. Bjeshkët e Bulqizës kanë një shtrirje në drejtim veri-jug me gjatësinë afro 40 km, ndërsa gjerësia e tyre nuk e kalon 15 km. Bjeshkët prehen nga luginat e thella e tërthore, shpesh ne formё kanjonike deri në majat e larta në formë kreshtash të thepisura.

 

PËRDORIMI I TERRITORIT NË BASHKINË BULQIZË
Madhësia e territorit të Parkut propozuar
Sipërfaqja e propozuar për Park është 15.243.20 ha dhe paraqet 28.8 % të sipërfaqës së Bashkisë Bulqizë. Territori i që mund të shpallet Park shtrihet në 3 Njësitë Administrative, Bulqizë (qyteti dhe fshatrat përreth), Fushë-Bulqize dhe Zerqan.

KARAKTERISTIKAT GJEOMORFOLOGJIKE
Bjeshkёt e Bulqizës paraqesin njёrin nga masivet malor më tё mёdhenj, mё kompleks, mё interesant, tё bukur dhe mё gjerё. Përsa u përket karakteristikave gjeomorfologjike të këtyre bjeshkëve sipas pozicionit gjeografik mund t’i përshkruajmë si më poshtë:
Pjesёn e parё (veriore) ekonomia pyjore Sheshe Bulqizë, qё shtrihet nё veri dhe verilindje tё Bulqizës, duke filluar nga Ura e Qytetit, vazhdon në kuotat 1701.7m Maja e Temles, gropat e Hurdhës së Madhe, qafë Sheshit e Fusha e Peladhisë deri në Majën 1538.2, duke vazhduar në drejtim të perëndimit me kuotat 1535 m, duke u ngjitur në 1987.8 m në Majën e Arithit duke zbitur në fushën e gurit, vazhdon në majat me kuotat 1792.0 m, 1700 m dhe kalon në Qafë Helmës 1610 m, vazhdon me sheshin e Thatinës, ngjitet me Majën e Batacës 1943.5m, Majën e Rrumbullit 1941.4m. Ky brez malor shmanget nё drejtim tё perëndimit dhe shkon deri te Majat 1963, 2018, 2016, 2046.8, 2064, zbret në qafë të Kllogjit, ngjitet në Majën Gurrat e Zeza 2078 m, Maja e Kreshtës 2100.50 m, duke vazhduar me majat 1805m,1626.4m dhe me Majën e Lepurit 1541.5m, duke zbritur në Qafen e Buallit 845 m.
Pjesa e dytë (Jugore)shtrihet në ekonominë pyjore Liqenet e Bulqizës, që fillon nga Qafa e Buallit dhe ngjitet në kuotat 895 m, 1347.6 m, në 1847 m dhe 1830 Majat e Shinit, shtrihet në vazhdim me Majën e Dhoksit 2020,1 m, Majën e Lopës 1983 m duke u ndarë me pjesën lindore me Përroin e Thatë që zbret në Fushë Bulqizë.
Pjesa e tretë (Lindore) shtrihet në ekonominë pyjore Liqeni i Zi, duke vazhduar me Majën e Gjatë 1883 m. Majën e Vervjakut 1758m, Maja e Sheshit Zi 1726 m, Maja e Liqenit Bardhë 1771m, Maja e Minares 1781 m, duke zbritur në Vorret Vrame 1275 m, Maja e Kastës 1346 m, vazhdon me Majën e Kodres 1362 m, duke zbritur në Maja e Vogël 951 m, deri në mbyllje me Urën e Qyteti 608 m.

Peisazhi.
Malet, luginat, livadhet, shpatet, fundshpatet, gropat, grykat, kanjonёt, shpellat etj, janё elementet morfologjike kryesore tё cilёt pёrcaktojnё fizionominё e peisazheve tё bjeshkëve tё Bulqizës.
Nё morfologjinё e bjeshëkve janё tё sintetizuara gati tё gjitha proçeset vepruese tё faktorёve endogjen dhe ekzogjen, gjatё tё kalurёs gjeologjike.
Relievin e bjeshkëve, si njё kompleks gjeomorfologjik, e karakterizojnё forma tё shumta dhe tё ndryshme tektonike, glaciale, fluviale, tё nivacionit, karstike dhe tё denudacionit. Kёto forma, gjenetikisht tё ndryshme, shpesh herё kombinohen dhe plotёsohen nё mes tyre duke i dhёnё pejsazhit tё bjeshkëve njё pamje tё veçantё me pyje, kullota, lugina tё akullnajave, morena, liqenj akullnajorë, burime dhe rrjedhje ujore etj. Në këtë zonë vegjetojnë një numur i madh bimësh barishtore dhe drunore, duke i dhënë peisazhit një pamje me larmi ngjyrash piktoreske.
Pjesët e kompleksit malor pёrbёhen kryesisht nga shkёmbinj magmatik ultrabazik (serpentinor)dhe më pak gëlqeror, karakterizohen me njё pejsazh dhe arkitekturё tё qetё tё relievit, me shpate tё pjerrëta, por nё vazhdimësi me njëra me tjetrёn, me komplekse bimësie barishtore dhe pyjore si dhe me bollёk tё burimeve dhe rrjedhjeve ujore, me një faunë të shumëllojshme. Te disa nga kёto male, shumica nga majat e tyre janё shkёmbore dhe pa vegjetacion. Pёr nga pasuria dhe llojllojshmëria me elementet estetiko-dekorative (pyjet, kullosat, liqenjtё etj.) dhe me pamjen e mrekullushme nga majat e larta, veçohen sё tepërmi Liqenet e Bulqizës, Liqenet e Balgatit, Liqeni Zi, Liqeni i Bardhë, Liqeni i Sopotit dhe Liqeni i Valikardhës.
Këto bjeshkë karakterizohen me pejsazhe shumё kontrastore, me forma karstike, me lugina shpesh herё tё thelluara e anё shumё tё pjerrta dhe me maja tё mprehta (thikta).
Gati tё gjitha luginat janё tё tipit kompozit, me zgjerime erozionale tё formuara nё shkёmbinjtё rreshpor dhe ngushtica (gryka, kanjone) tё thelluara nё gëlqeror. Formimi i fizionomisё parёsore tё relievit tё bjeshkëve ёshtё bёrё nga proceset tektonike, e cila mё vonё ёshtё ndryshuar nga procese mё tё reja tektonike dhe faktor tё ndryshёm egzogjen.
Shenja (mbetje) qё tregojnё mbi egzistimin e dikurshёm tё luginave lumore paradeluviale, pjesёrisht tё paradisponuara nga faktorёt e tektonikёs parёsore, nё tё cilat mё vonё kanё kaluar akullnajat, vërehen nё luginёn mbi fshatin Koçaj Fushë Bulqizë dhe mё pastaj takohen edhe nё formё tё rrafshinave fluviodenudacionale nё lartёsi tё ndryshme. Shembuj tё tillё hasen edhe nё luginёn e Prroit të Thatë.
Shpallja e kësaj zone park është një domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit malor që do t’u sigurojë zhvillimin e konomik banorëve. Kjo zonë i përmbush kriteret dhe kushtet për t’u shpallur park. Kërkon hartimin e një studimi nga ekspertë të fushës me përvojë dhe experiencë që njohin zonën dhe burimet e saj natyrore për të vlerësuar gjendjen e burimeve natyrore aktuale, mundësite dhe pontenciale për një zhvillim në të ardhmen duke u menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme. Bashkia Bulqizë i ka të gjitha mundësitë dhe bazën ligjore ku të mbështetet për ta shpallur këtë zonë Park, të kërkojë burime për financim nga donatorë të ndryshëm për hartimin e studimit.

S'KA KOMENTE